T’I ZBRESËSH MOTORIT

Kanë folur shumë këto ditë, jo vetëm për këngët, por edhe për jetën e kantautorit amerikan Bob Dylan – dhe mes shumë kurioziteteve dhe anekdotave, kanë përmendur edhe aksidenti i tij me motoçikletë, 50 vjet më parë, në 29 korrik 1966.

Në historinë e muzikës pop, ky aksident përkujtohet edhe ngaqë shërbeu si shenjë pikësimi, duke e ndarë jetën e Dylan-it në dy pjesë; pa çka se erdhi pikërisht në një periudhë kur këngëtari kish arritur kulmin e ekspozimit dhe të famës. Mjaft të përmend këtu se pikërisht atë korrik, Dylan-i kish nxjerrë albumin Blonde on Blonde, të tretën kryevepër brenda një viti e gjysmë (pas Bringing It All Back Home dhe Highway 61 Revisted).

E megjithatë, pas këtij aksidenti, që i ndodhi në Woodstock, në shtetin e New York-ut, Dylan-i u tërhoq për pothuajse një vit të tërë nga jeta publike dhe koncertet dhe turnetë, për t’u kthyer pastaj me një stil të ri kompozimi, performimi në skenë dhe deri edhe vokal.

Gjithsesi, do të kalonin tetë vjet para se ai të dilte në turne sërish.

Shumë biografë të Dylan-it dhe historianë të muzikës rock kanë shprehur dyshime për këtë aksident. Ka ndodhur vërtet? U lëndua rëndë kantautori, apo vetëm sa u gërvisht?

Fakt është që aksidenti mbetet i padokumentuar – meqë nuk u thirr atë ditë as policia, as ndonjë ambulancë dhe as shkoi Dylan-i për të marrë ndihmën e parë në ndonjë spital aty rrotull, por – siç u tha në atë kohë dhe më pas – parapëlqeu kujdesin e një mjeku lokal, mik i tiji; dhe pastaj rehatin e shtëpisë.

Vetë Dylan-i më vonë nuk i ka dhënë ndonjë rëndësi aksidentit dhe as ka folur gjatë për të, në autobiografitë ose në intervistat e tij; por veç e ka përmendur dhe ka shpjeguar si ndikoi në të konvaleshenca:

Pata një aksident me motor, ku u lëndova, por e mora veten. E vërteta është se doja të dilja nga kjo rat race… Kur u bëra baba, jeta ime ndryshoi dhe unë u izolova nga praktikisht të gjithë dhe gjithçka që po ndodhte. Përtej familjes sime, asnjë nuk ma ngacmonte interesin, dhe gjithçka po e shihja me sy tjetër.

Më pas pati nga ata që spekuluan se Dylan-i e pat sajuar ose të paktën ekzagjeruar aksidentin, që të gjente një pretekst të pranueshëm për t’u larguar nga skena e çmendur e folk-rock-ut dhe e pop-it në atë periudhë dhe ashtu për t’i ndenjur larg trysnisë së opinionit dhe të mediave; ose për ta ruajtur identitetin e vet artistik, përballë turmave që përtej artistit kërkonin me çdo kusht profetin – një rol që shumë nga këto yje të firmamentit pop nuk ishin gati dhe as në gjendje ta luanin.[1]

Nuk më duket e rastit që edhe Beatles-at pak a shumë në atë periudhë u tërhoqën përfundimisht nga koncertet live dhe turnetë.

Të tjerë thanë se Dylan-i kish nevojë të pushonte, pas disa vjetësh frenezie rrugëve të botës dhe koncerteve të njëpasnjëshme; të tjerë shtuan se ky aksident pak a shumë i sajuar e ndihmoi këngëtarin që të luftonte, larg syve të botës, kundër një vesi varësie ndaj amfetaminave.

Ashtu Dylan-i u mënjanua nga sytë e njerëzve, u mbyll në shtëpinë e vet në fshat dhe, kur vendosi t’i dilte sërish publikut, u kthye i rilindur. Që këtej, pavarësisht se çfarë ka ndodhur atë ditë në rrugë, ngjarja ka luajtur rol të dorës së parë, në karrierën artistike të Dylan-it.

Disa biografë të tij kanë sjellë për krahasim edhe shembuj të tjerë, kur kantautori i madh ka thënë gjëra të paqena, në lidhje me jetën e vet; duke i zbukuruar disa momente, ose duke i shpikur nga hiçi disa të tjera. Të thuash se vetë jeta e tij, si autor këngësh që u trazonin shpirtin milionave anembanë botës, kish nevojë edhe ajo të rishkruhej, për t’iu përshtatur artit.

Tek e fundit, edhe vetë Bob Dylan-i, si personazh, është krijim i atij vetë, ose një emër arti që më pas përfundoi edhe në emër anagrafik; në fakt, Dylan-i lindi si Robert Allen Zimmerman (emri hebraik שבתאי זיסל בן אברהם [Shabtai Zisl ben Avraham]) dhe filloi ta përdorë emrin Bob Dylan në fillimet e karrierës si këngëtar folk, në Minnesota.

Këtë ndërrim emri, më pas do ta shpjegonte kështu:

Ti lind nga prindër të gabuar, të vënë emrin e gabuar. Dua të them, këto gjëra ndodhin. Por pastaj ti e quan veten ashtu siç dëshiron. Jemi në vendin e njerëzve të lirë.

Dylan-i e quajti veten ashtu siç dëshiroi dhe pastaj i dha kësaj vetje jo vetëm një jetë të krijuar rishtas, por edhe një jetëshkrim që nuk kish pse të përkonte doemos me jetën që kish çuar realisht.

Ta pranojmë, pra, se aksidenti me motoçikletë në verën e vitit 1966 ka qenë pjesë e mitit Bob Dylan; çfarë e bën edhe më të vërtetë – sa kohë që jeta një autori si rrëfim që ia shoqëron veprën priret edhe ajo të marrë karakteristika të trillimit, të fiction-it.

Tek e fundit, takimi i parakohshëm me vdekjen është edhe ai pjesë e mitit që shoqëron detyrimisht imazhin e një rock star-i – dhe jo vetëm për të tillë që kanë vdekur vërtet të rinj, si Jim Morrison, Curt Cobain, Michael Jackson a John Lennon; por edhe të tjerë, për të cilët vdekja vetëm sa është përsiatur, si Paul McCartney – të cilin gjithashtu e bënë të vdekur, në nëntor të vitit 1966.

Edhe për Dylan-in u tha, pas aksidentit, se kish vdekur; ose kish përfunduar i paralizuar, i shpërfytyruar a i dëmtuar në tru ose kish dalë njëfarësoj jashtë përdorimi – dhe se nuk do të rishfaqej më.

Nga njëra anë, kjo martesë e famës me vdekjen i detyrohet bindjes mistike se artisti i vërtetë duhet të ketë vdekur ndërkohë, ose të paktën të vdesë në momentin që e përfundon veprën; nga ana tjetër, e ndihmon artistin vetë, në momentin kur kthehet në skenë; sepse ky kthim do të ketë gjithnjë diçka nga ringjallja.[2]

Në këtë kuptim, një aksident si ky me motoçikletë i duhej me doemos jetës së Bob Dylan-it mit të disa brezave në Perëndim dhe krye-bard zëdhënës të viteve 1960 dhe më pas.

 


[1] “Nuk dua të shkruaj më për njerëzit, të jem zëdhënës i tyre,” pat deklaruar Dylan-i në 1964.

Tash e tutje dua të shkruaj që nga brenda vetes… Nuk jam pjesë e asnjë lëvizjeje… thjesht nuk pajtohem dot me asnjë lloj organizate.

Këto fjalë, të çuditshme për një këngëtar aq të suksesshëm, ndoshta vinin edhe si përgjigje ndaj të gjithë atyre që e donin Dylan-it të angazhohej seriozisht në çështjet sociale dhe në politikë.

[2] Se çfarë mendonte vetë Dylan-i për këtë, dhe pikërisht për transfigurimin e tij si njeri dhe si artist ose “kompleksin e Krishtit”, mund të lexoni diçka këtu. Ironikisht, e vitit 1966 është edhe batuta fatkeqe e John Lennon-it, se Beatles-at ishin bërë më popullorë se Jesui. Kjo ishte klima e kohës, këto ishin imazhet dhe simbolet që u bashkëlidheshin mega-koncerteve rock.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin