TIRANIA E KALENDARIT

Ndonjëherë, edhe pse gjithnjë e më shpesh, duket sikur përmasën diakronike në kulturë, ose moshën e vlerave kulturore që shkëmbejmë në komunikim, e kemi katandisur në një kremtim të boshtë datash në kalendar.

Datëlindje, datëvdekje, data të botimit të parë, data të botimit të fundit – ose gjithfarë shenjash numerike që ua bashkëlidhim arbitrarisht autorëve ose veprave ose eventeve të së shkuarës; për t’u festuar ose përkujtuar pastaj n-vjetorët.

Dikur ishin kalendarët e kishës, me shenjtët përkatës sipas datave përgjatë vitit; sot këtyre u janë shtuar edhe kalendarët laikë me datëlindjet, datëvdekjet dhe data të tjera të figurave të rëndësishme të kombit.

Ky poet i hollë, ai burrë shteti, ajo grua e rrallë, ky shkrimtar i popullit, ajo aktore e pashoqe, ky fotograf pionier, ky botues vetëmohues, ai prift atdhedashës, ajo muzë e një gjenerate, ky piktor i të pikturueshmes… Gjithë 365 ditët edhe dalin, edhe s’dalin.

Duke u përfshirë dhe shenjtëruar në kalendar, përmasa kohore e humbet natyrën vektoriale dhe vjen e shndërrohet si me magji në ciklike; teksa vlerat kulturore kthehen e rikthehen me datat përkatëse, për t’u shumëzuar e kremtuar me evente, tituj, recitime, botime kapakforta, medalje, kthime a zhvendosje eshtrash, pllaka mermeri, duartrokitje dhe statuja.

Dhe meqë jemi në Shqipëri, asgjë nuk mund të ndodhë as në fushën kalendarike, pa i futur hundët shteti, pushteti dhe pushtetarët e të gjitha puplave, të cilët ngarendin nga një kremtim në tjetrin, duke ringarkuar mimikat dhe fjalimet e parafabrikuara në kujtesë.

Nëse përkujtime dhe festime të tilla, mbi bazë kalendari, i sjellin ndonjë gjë kulturës nuk e di; por di, përkundrazi, se ato i hyjnë në punë kapjes dhe shtrydhjes së kulturës nga pushteti i radhës.

Hierarkitë e riprodhuara, ditë pas dite, faqe kalendari pas faqeje kalendari, kolltuk pas kolltuku dhe konferencë përkujtimore pas konference përkujtimore riprodhojnë edhe vizionin që ka pushteti sot për vlerat kulturore, sidomos vlerat e perceptuara.

Pa çka se pas kalendarizimit të këtyre vlerave fshihet nevoja dëshpërimtare e elitës në pushtet për t’u njohur dhe sanksionuar si e tillë edhe në fushën thjesht kulturore, ose atje ku vjetërsia mund edhe të jetë vlerë, por vjetrimi nuk është veçse antivlerë.

Këtë kolonizim të kulturës nga kalendari mund ta sjellë njeriu edhe si provë të një burokratizimi, të një organizimi drejtvizor, numerik, metrik; ose sipas logjikës së një planëzuesi mekanik, ku çdo date i përgjigjet një vend bosh, ku duhet shkruar ngjarja, angaria ose përkujtimi përkatës.

Si me thënë, përkujtimi për përkujtimin.

Në një kuptim, është vetë kalendari – si teknologji e organizimit të kohës, ose më mirë e zbutjes a domestikimit të kohës nga administrata – që e sugjeron, madje e imponon burokratizimin.

Natyrisht, është më e lehtë të kremtohet 100-vjetori i lindjes së dramaturgut Z., se të rivihet në skenë ndonjë prej dramave të tij.

Madje ai kremtim, së bashku me simpoziumin a konferencën përkatëse, do t’u shërbejë si shkas për t’u mbledhur bashkë dhe për të “parë” njëri-tjetrin autoriteteve të fushës, pushtetarëve, skeptër-mbajtësve të atij pushteti që mban nën kontroll kalendarin.

Përndryshe asgjë thelbësore nuk e lidh datëlindjen e një autori a figure historike çfarëdo me kontributin e tij/të saj në kulturë dhe në histori – ndoshta me përjashtim të pozicionimit relativ në lidhje me një epokë të caktuar ose ndaj figurave të tjera.

Aq më tepër, në kulturën tonë si shqiptarë, kalendari është unifikuar relativisht vonë, ndoshta duke filluar nga gjysma e dytë e shekullit XIX; përndryshe nuk ka ndonjë kuptim të thuash, dhe as të përkujtosh, që De Rada – sa për të sjellë një shembull – ka jetuar dhe i ka shkruar veprat e veta pas Nezim Frakullës, por para Çajupit dhe Ndre Mjedës.

Ne madje as nuk e kemi lënë diakroninë në kulturë që të veprojë dhe të normalizohet duke ndërvepruar me të sotmen, por kemi vrapuar ta kalcifikojmë në kalendarët; dhe pastaj, sikur të mos na mjaftonte kjo dhunë, i kemi përdorur kalendarët vetë si harta të kulturës.

Dhe kur them ne, kam parasysh sidomos të gjithë ata që kanë dhe ushtrojnë pushtetin kulturor.

Dhe që refuzojnë ta marrin parasysh se, kështu i kalendarizuar dhe i shndërruar në liturgji, përvetësimi i përmasës kohore në kulturë nuk mund t’i shmanget efektit varrezë – me gjithë lulet, kurorat, qirinjtë dhe kitsch-in e pashmangshëm.

1 Koment

  1. Drejt dhe sakte, nje artikull qe ne gazetarine qe kam studiuar une, klasifikohet ‘problemor’ se shtron nje problem te pahetuar me pare. Do te deshiroja qe kete z. Vebiu me erudicionin e vet, ta konkretizonte me punet e sotme ne shkence e kulture, te urryera e te anatemuara ngza skeptermbajtesit e principates shqiptare, sidomos ne levrimin e historise, qe rishkruhet sa here ka zgjedhje, nje histori qe nis nga viti zero.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: