ROUHANI RIFORMATON CAMPIDOGLIO-N

Këto ditë Italinë e vizitoi Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, që mes të tjerash dha edhe një konferencë shtypi, së bashku me kryeministrin italian Renzi, në Sala Esedra në Campidoglio.

Për të mos lënduar ndjeshmëritë e ndryshme të mikut nga Irani, ndaj lakuriqësisë në artin publik, autoritetet italiane kishin marrë vendimin që t’i mbulonin, me panele të bardha disa prej statujave në Musei Capitolini.[1]

Me këtë rast korridoret e muzeut befas morën një pamje si të pikturuar prej De Chirico-s.

foto

Ky fotomontazh tregon statujën origjinale (djathtas) dhe prizmin e bardhë që pa mysafiri i lartë nga Irani. Kolona antike në sfond tani shërben për të surrealizuar – si zbutëse e kontrastit midis skulpturës jashtëzakonisht fine dhe bllokut gjeometrik abstrakt.

Masat e bardha, prizmatike, që fshehin trupat e zhveshur të Venerave Kapitoline dhe të statujave simotra lënë shteg për një festë interpretimesh.

Më një anë, mund t’i këqyrësh si prani gjithnjë e vëllimshme, por gjeometrike abstrakte, me të cilën mund të riprodhohet femra e zhveshur në skulpturë, për mendësinë e Tjetrit nga larg.

Por me pak imagjinatë, mund t’i konsiderosh edhe bllokun e mermerit, prej nga skulptori ende nuk e ka nxjerrë skulpturën e vet: ose si një masë ende të virgjër ndaj daltës.

Dhe më në fund, pse të mos i marrësh edhe si vepra të artit avant-garde, mundësisht me ndonjë diciturë të tipit “Volum 37” ose “Aneks modular 4” – para së cilës t’u dridhen gjunjët turisteve nga Seuli?


[1] Të panumërta ishin debatet dhe komentet, rreth këtij gjesti të palës italiane, që për disa konfirmoi gjunjëzimin e Europës së ndriçuar dhe mendjehapur, ndaj tabuve dhe obskurantizmit të Islamit; ndërsa për të tjerë shembëllzoi mirëkuptimin e Perëndimit ndaj vlerave ndryshe të mysafirëve. Mbulimi i një statuje gjithnjë dhemb, por edhe mysafiri duhet sajdisur disi – dhe ndoshta nuk ishte vendi për t’i provokuar iranianët me art.