GRIMCA

Le t’i ndajmë – duke thjeshtuar shumë – të apasionuarit e futbollit të viteve 1980 dhe admiruesit e Maradonës në dy grupe: ata që do ta mbajnë mend për golin e parë kundër Anglisë në 1986, atë me dorë; dhe ata që do ta mbajnë mend për golin e dytë. Të dy golat kishin magji brenda: i pari magjinë e prestigjatorit, që i mashtron të gjithë me marifetin e vet, i dyti magjinë e pakuptueshme dhe të papërsëritshme të gjestit atletik prej gjeniu. Unë hyj në grupin e parë, sepse më duket se goli me dorë e shpreh bukur, për mirë dhe për keq, atë çfarë ishte Maradona. I vetëdijshëm se, pa fair play ose ndershmëri në fushë, nuk ka gjest atletik dhe estetik që ta shpëtojë futbollin nga vdekja “etike”.

***

Lexoj se Peter Shilton, portieri i Anglisë në ndeshjen fatidike të vitit 1986; ai që u përpoq më kot ta ndalte “la mano de Dios” atëbotë, thotë se nuk ia fal as sot Maradonës atë dredhi, dhe sidomos ngaqë argjentinasi nuk i kërkoi kurrë ndjesë. “Ishte lojtari më i madh me të cilin jam ndeshur”, thotë ai, “por nuk më pëlqen që nuk më kërkoi kurrë falje për mashtrimin.” Shilton-it i përgjigjet një tjetër lojtar i njohur i kombëtares angleze, Paul Gascoigne: “ishte dora e Maradonës që e bëri Shilton-in të famshëm,” thotë ai. Kështu, me dy batuta, përvijohet konflikti mes sportivitetit dhe famës, tipik për futbollin e niveleve të larta. Pa çka se fama e bën ndonjëherë të pamundur sportivitetin; pa çka se ka prej nesh që ende ia lëshojnë sportivitetit kryet e vendit.

***

Dje shkrova diçka për emrat e Maradonës – nga pibe de oro te D10S; sot lexoj një përsiatje të mençur të agjentit të tij, Stefano Ceci, që thotë: “Po të shohësh jetën e tij [Maradonës], e kanë lënë gjithnjë vetëm. Diegoja ka qenë gjithnjë i vetmuar – kanë menduar vetëm për Maradonën. Prandaj edhe Diegoja ishte lodhur tani dhe e la veten të vdiste. Nuk donte të jetonte më.” Ka gjithnjë një ndarje, një cezurë, mes emrit dhe mbiemrit të një celebriteti, të një heroi popullor, të një ikone – e cila e ndan njeriun nga shenja, ndonjëherë edhe fatalisht. Thotë Ceci: “Diegoja ndali së qeni Diego kur mbushi 17 vjeç. Që kur u bë Maradona, mbeti vetëm. Unë i kam jetuar 20 vjetët e fundit me Diegon. Maradona ishte shumë i vështirë për t’u menaxhuar, ndërsa Diegoja – si person – ishte i brishtë, modest.” Ndërmjetësimi i imazhit na bën të harrojmë se pas ikonës qëndron njeriu; dhe pastaj habitemi kur ky i fundit dështon dhe rrëzohet, atje ku ikona ka triumfuar prej kohësh.

***

Tani që vdiq, Maradonën po e krahasojnë shpesh me Pelen e Brazilit: cili ishte “më i madhi”? Ata që krahasojnë, ndonjëherë edhe paguhen për këtë punë; por të bëjnë megjithatë të mendosh. Pele-ja dhe Maradona, të paktën jashtë fushës, mishëronin dy qasje të kundërta ndaj celebritetit: i pari gjithnjë afër pushteteve dhe establishmenteve, i dyti në konflikt të hapur me to. Të dy ishin heronj të Jugut, por edhe mishëronin dy anë të kundërta të tij – integrimin dhe rebelimin.

***

Kur kujtoj vitet e Maradonës në Itali, mendoj se ai, me karakteristikat e tij, si lojtar dhe si njeri, mund të luante vetëm në Napoli, për Napolin. Në të njëjtën mënyrë nuk i gjej dot skuadër tjetër Platini-së, veç Juventusit; dhe “holandezëve” si Gullit e Van Basten, veç Milanit. Ka një filozofi të futbollit, nëse mund ta quaj kështu, që e pranon edhe predestinimin. Por pastaj mendoj edhe të kundërtën: se ishin këta lojtarë, me personalitetet e tyre, që i KRIJUAN profilet e skuadrave ku luajtën dhe jo vetëm; ashtu, do të pranoj se Maradona, genio e sregolatezza, me improvizimet, fantazitë dhe antikat e tij, e krijoi një imazh të caktuar për Napolin, me fuqi prapavajtëse; njëlloj si Platini-ja projektoi inteligjencë dhe racionalitet frëng te Juventusi dhe Van Basten-i një lloj elegance nordike te Milani. Në kuptimin që Napolin sot, si skuadër futbolli por edhe si kulturë të përjetimit të futbollit dhe të sportivitetit, e ka krijuar edhe Maradona, duke u integruar me të, qoftë në mënyrë mistike.

***

Fillova punën në Istituto Orientale di Napoli në vjeshtë të vitit 1990, kur trajektorja e Maradonës si futbollist dhe hero ishte në rënie. Qyteti ende e përçonte emrin dhe hijen e tij në çdo rrugë dhe në çdo skaj, por e ndieje edhe se Maradona tashmë kish ndodhur, fati i hidhur i atyre që fitojnë të drejtën të hyjnë në histori. Gjithsesi, Maradona nuk përfaqësonte aq futbollin, sa të qenët napolitan, me dritëhijet e veta: ai kish gjetur te Napoli platenë që i duhej për të qenë Maradona; por edhe Napoli kish gjetur te Maradona njeriun e duhur, për ta hipur në një baldakin dhe për ta shëtitur rrugëve, në një procesion karnavali të pandalshëm.

Më kujtohet se, pak javë pasi isha vendosur në një nga lagjet më “maradoniane” të Napolit, ia behën Krishtlindjet dhe pastaj i famshmi, ose mbase famëkeqi Capodanno napolitan – të cilin tradicionalisht e festojnë me gjithfarë fishekzjarrësh, shashkash, shpërthimesh dhe zhurmash të tjera të paimagjinueshme. Na këshilluan që të mos dilnim nga shtëpia, të mbyllnim dritaret, të ulnim grilat – mundësisht të fiknim edhe dritat, sepse së shpejti do të niste “lufta”. Një komshi, veçanërisht i angazhuar në festimet, na përshkroi edhe të rejat e atij viti: botti e petardi di capodanno si zakonisht, por me një surprizë: një petardo i ndryshëm nga të tjerët, shumë më i fuqishëm, i tillë që mund të rrëzonte mure dhe të thyente xhame – IL PALLONE DI MARADONA, një lloj bombe prej letre, që mund të përmbante deri dy kg barut të zi (tani lexoj që kjo lloj bombe a shashke qenka ende në përdorim, edhe pse në konkurrencë me “Bomba Bin Laden”). Atë natë e përshëndetëm Vitin e Ri duke mbajtur frymën, në pritje të shpërthimit të “Maradonës”: dëgjuam shumë e shumë, por asnjë aq të fortë, sa të përligjte ankthin e vigjiljes.

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin