MARADONA DA NAPOLI

Në Argjentinë, Maradonës i patën vënë nofkën: el pibe de oro, “çunaku i artë”. Edhe pse pibe, fjalë e dialektit qytetar të Buenos Aires-it, me kuptimin “djalë, çun”, nuk përkthehet lehtë, dhe aq më pak kur përdoret si nofkë të rriturish. Ndonjë autor e ka shpjeguar këtë cilësim, pibe, si provë që Maradona i imagjinatës popullore i përgjigjet arketipit jungian të puer aeternus, i cili në mitologji është një fëmijë-perëndi, që nuk rritet më; në psikologji, përkundrazi, ky është i rrituri që e refuzon moshën e vet dhe çon jetën emocionale të adoleshentit. Emër tjetër do të ishte sindroma e Peter Pan-it: kush e shfaq, lakmon pavarësi dhe liri, u kundërvihet kufijve dhe kufizimeve dhe nuk duron dot asnjë lloj shtrëngimi.

Në Napoli, ku fjalën pibe nuk e njihnin, ka pasur dhe ka scugnizzi, “çuna të rrugës” (angl. street urchins) – një institucion social-urban i atjeshëm. O scugnizzo jo vetëm e kalon kohën në rrugë dhe e bën këtë rrugë të vetën, por edhe mëson të mbijetojë atje, me marifete dhe vjedhje të vogla nën hijen dhe ndonjëherë patronazhin e malavitës lokale – e megjithatë, vështirë të mos e simpatizosh (sa kohë që ende nuk ta ka vjedhur portofolin). Scugnizzo-ja vjen nga një familje problematike, shpesh është jetim ose me një prind vetëm; është i rritur keq, pse në varfëri – dhe shpesh i abuzuar. Shqiptarët e brezit tim e kanë njohur një scugnizzo te personazhi i Colit, në filmin DEBATIK.

Napoli, që nuk kish dëgjuar për pibe-t, e njohu menjëherë Maradonën si një nga të vetët, si scugnizzo-n, që e kish mësuar futbollin zbathur, në rrugë, dhe që e luante moment pas momenti: me driblime (“rreka”), me shpejtësi, me zhonglim të topit, me improvizim, me tricks; dhe, ç’ka edhe më shumë rëndësi për argumentin këtu, me gëzim. Futbolli i Maradonës, ishte efikas dhe preciz, njëlloj sa ç’ishte edhe spektakular dhe dëfryes, me nota të forta cirku, baleti dhe magjie, por Napoli – dhe bashkë me Napolin bota mbarë – do ta mbajë mend për harenë që u sillte të gjithëve, lojtarëve në fushë dhe publikut.

Me kohë, Maradona do të bëhej heroi i Napolit, duke u shartuar në identitetin e çdokujt që e gjente veten te qyteti dhe kultura e tij spontane dhe duke plazmuar, me personalitetin e tij prej “çuni të rrugës”, imazhin kolektiv që kultivonte napolitani për veten. Sa më fort që kristalizohej personaliteti i tij si futbollist, aq më bindshëm i gjenin, të tjerët, karakteristikat e qytetit të mishëruara në personin e tij: improvizimin, intuitën, temperamentin artistik, kreativitetin, fantazinë, anarkizmin. Të cilat mund t’i ktheje pastaj edhe përmbys, për të parë te Maradona të voglin që e mund të madhin (Davidin që mund Goliathin), revanshin e viktimës që triumfon ndaj kujt e ka mbajtur të rrëzuar përdhé.

Për këtë, duhet kuptuar më parë kompleksi i Napolit, si qytet i Jugut italian, përballë pushtetit politik, ekonomik dhe kulturor të Veriut. Po të pyesje një napolitan se pse e pat blerë Ferlaino-ja (presidenti i FC Napolit) atëherë Maradonën, do të merrje këtë përgjigje: per battere la Juve: “për të mundur Juventusin”. Në disa nivele, futbolli në Itali ishte skena ku luheshin dramat strukturale kombëtare – dhe Maradona pritej të hynte atje si aktori që do t’i përmbyste rutinat. Që këtej, dhe si “i vogël” që ishte – me të gjitha kuptimet e të qenit i vogël, nga inferioriteti fizik, te prejardhja nga një shtresë e varfër, te edukata e pamjaftueshme, te pamja dhe sjellja modeste, tek origjina nga Jugu i botës – do t’i faleshin disa “vese”, që nga dredhitë e fintat, deri te rrenat dhe simulimet, te pamundësia për t’u disiplinuar dhe për të “vënë mend”. Madje jo vetëm do t’i faleshin, por edhe do t’i kompensoheshin si virtyte.

I krahasuar me personazhin historik të Masaniello-s (1620-1647), një peshkatar pastaj udhëheqës i një rebelimi popullor në Napoli kundër sundimit spanjoll, Maradona hero popullor erdhi e mishëroi – në gjithçkanë e vet legjendare – instinktet, shpresat dhe frustracionin e Napolit, si qytet i Jugut të Italisë dhe Jugut të Europës dhe Jugut të botës mbarë; me varfërinë, dëshpërimin, degradimin dhe kriminalitetin kapilar. Ashtu edhe, për të perifrazuar një batutë të John Lennon-it, një ditë u gdhi më i famshëm edhe se San Gennaro-ja, shenjti mbrojtës i qytetit. Aq sa emrin filluan t’ia shkruajnë D10S, duke qenë 10-ta numri i tij i fanelës, por edhe e ngjashme me shkronjat IO të fjalës DIOS (“zot”) në spanjishte. “Te Diegum” titullohet një libër kushtuar domethënies së Maradonës në Europë, një nga autorët e të cilit, Vittorio Dini, ka shkruar mes të tjerash edhe për Masaniellon… duke marrë shkas nga emri i një konference të intelektualëve napolitanë, të vitit 1991, kushtuar kultit pothuajse fetar të futbollistit argjentinas.

Nuk ka nevojë të kesh jetuar në Napoli: mjaft të kesh parë serialin televiziv Gomorra, për të kuptuar që në qarqet kriminale dhe para-kriminale të metropolit miqësia me një futbollist të FC Napolit mbahet si shenjë statusi absolut. Maradona kish qenë i ekseseve që pa ardhur të luante në Itali, por sallonet napoletane që frekuentoi ia kultivuan dobësitë e veta me po aq perfeksion sa ç’tregonte ai me topin në fushë; dhe duke ia shndërruar biografinë në një histori ekzemplare të tipit rise and fall.

Në psikologjinë jungiane, hija e puer aeternus është senex, plaku i urtë, plot autoritet, dije dhe influencë. Ata që e kanë parë Maradonën si mishërim të arketipit të puerit, ashtu e shpjegojnë edhe tërheqjen e tij pas personaliteteve politike të tilla si Fidel Castro, Hugo Chavez, autoritare dhe njëkohësisht të Jugut, kundërfigura edhe të pibe-s, edhe të klikës që qeveris planetin. Krijesë e rrugës, e armatosur me instinktet e rrugës, Diegoja do të mbetej deri në fund besnik i imazhit që kish krijuar për veten si rebel, njëkohësisht armik dhe viktimë e establishmentit; veçanërisht pas akuzave që ia bënë për doping, për kokainë dhe për hyrje-dalje me botën e krimit.

Në Napoli, megjithatë, deri në fund do të njihej si tribun i popullit, perëndi mbrojtëse e çdo scugnizzo-je, çdo të papuni, çdo viktime të varfërisë urbane. Pasi i dha qytetit fitoren e madhe në futboll dhe sidomos shpresën për rimëkëmbje, napolitanët hoqën dorë nga emrat dhe nofkat për të, duke ua lënë gazetarëve, dhe duke e quajtur Maradonën thjesht “Isso”, që në dialektin napolitan është përemër dëftor, me kuptimin “ai”; një AI që nuk ish më nevoja të identifikohej – i përfaqësuar tashmë nga ajo algjebër gramatikore që është përemri, çfarë edhe tregon statusin gati hyjnor që kish fituar el pibe de oro nga Argjentina, në anën tjetër të botës.

Qarkullon një video amatoriale, në YouTube, e një feste që ka mbledhur bashkë Maradonën dhe një tjetër hero të skenës urbane napolitane – Pino Daniele-n. Maradona është mbështetur te parvazi i derës, si ndonjë parvenu çfarëdo, duke u tundur shpengueshëm sipas ritmit; në një kohë që Pinoja këndon të famshmen “Je so’ pazzo”, një prej këngëve të tij më “napoletane”, ku mes të tjerave thuhet:

Je so’ pazzo, je so’ pazzo
si se ‘ntosta ‘a nervatura
metto tutti ‘nfaccia ‘o muro.
Je so’ pazzo, je so’ pazzo
ma chi dice che Masaniello[1]
poi negro non sia più bello?
E non sono menomato
sono pure diplomato
e la faccia nera l’ho dipinta
per essere notato.
Masaniello è crisciuto
Masaniello è turnato.
Je so’ pazzo, je so’ pazzo
nun nce scassate ‘o cazzo!

(Jam i çmendur, jam i çmendur/Kur më hipin nervat i vë të gjithë me fytyrë pas muri/Jam i çmendur, jam i çmendur/kush thotë që Masaniello, kur është i zi, nuk është më i bukur?/Nuk jam i metë, madje kam edhe diplomë/dhe fytyrën e kam nxirë me bojë që të bie në sy/Masaniello është rritur, Masaniello është kthyer/Jam i çmendur, jam i çmendur/Mos na çani k*rin.”]

Dhe ashtu mbyllet edhe rrethi, sepse prej të dyve njëri e evokon Masaniello-n e historisë, tjetri e kanalizon si këngë.

Pas Pino Daniele-s, tani ishte radha e Maradonës për t’u larguar nga kjo botë. Dy artistë, dy heronj të një qyteti dhe të një populli, që në mënyra të ndryshme simbolizuan mundësinë e ringjalljes së Napolit, ashtu si vetëm Napoli mund të ringjallet.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: për këtë shkrim, kam shfrytëzuar materiale nga vëllimi Maradona, Sociologia di un mito globale, A cura di Luca Bifulco e Vittorio Dini, Impermedium Libri 2014.

 


[1] Në librin Nero a metà, Marcella Russano e lidh këtë këngë me fjalimin e fundit që pat mbajtur Masaniello, nga ku edhe Daniele merr spunto për personazhin e këngës, një “i çmendur” që, meqë nuk e prek ligji, është i lirë të protestojë pa u detyruar të jetë politikisht korrekt.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin