KY COVID QË NA NDAN E NA BASHKON

Ca prej nesh maska thjesht i bezdis a nuk i le të marrin frymë rehat, por më të shumtët e atyre që nuk e duan, e refuzojnë sepse u duket si imponim nga autoriteti.

Ngaqë nuk kam parë të njëjtin refuzim pasionant, me detyrimin – qytetar – për të hedhur mbeturinat në kosha të caktuar; ose edhe me ndalimin e duhanit në vende ku shkohej për të pirë duhan, mendoj se arsyet e refuzimit janë në pjesë të madhe të nënujshme, gjysmë të pavetëdijshme.

Dhe jo, nuk më duket se kanë të bëjnë me argumentet kundër maskës, arsyetimet se kjo nuk mbron prej Covid-it ose edhe më keq, rrezikon. Këto argumente vijnë në vëmendje gjithnjë më pas, si racionalizime.

Lexoj tani edhe filozofë, sociologë dhe të tjerë, që të shpjegojnë refuzimin e maskës nga pikëpamja mirëfilli psikologjike, duke sjellë në vështrim marrëdhënien mes fytyrës dhe hapësirës publike; psikanalizën; biopolitikën; ose diagnoza të një totalitarizmi “mjekësor.”

Ngaqë rrinë gjatë në shtëpi, njerëzit – përfshi këtu edhe intelektualët e majtë por jo vetëm – kanë kohë boll për të tjerrë lesh, me një diskurs që do ta quaja teologjik, në kontekstin e fesë së re publike, të shëndetit (Agamben).

Kjo nuk do të thotë se e kanë gabim. Si barrierë që ngrihet mes teje dhe Tjetrit, që të veçon nga Tjetri dhe që e veçon Tjetrin prej teje, maskën nuk e shkëput dot nga debati mirëfilli sociologjik: simbolikisht, ajo nuk është veçse forma më e butë, më e padëmshme, më e miniaturizuar e karantinës, të kuptuar si heqje lirie për arsye shëndetësore (profilaktike).

Nuk dua të diskutoj këtu për suksesin funksional të kësaj karantine individuale; zgjedh t’u besoj ekspertëve, të cilët thonë se maska – çdo lloj maske – e ul rrezikun e transmetimit të infeksionit. Dhe këta ekspertë, mbase duhet përmendur sërish, nuk flasin gjë simbolikisht.

Më intereson, përkundrazi, energjia me të cilën e refuzojmë; dhe që them se kjo mund të interpretohet pa qenë nevoja të tregohet me gisht autoriteti.

Detyrimin qoftë edhe thjesht qytetar për të vënë maskë e krahasoj me qortimin që u shoqërohet të gjithë atyre që, sa për të sjellë një shembull, nuk lajnë duart pasi kryejnë punë në një nevojtore publike ose që pështyjnë përdhé.

Dhe që ka të bëjë vërtet edhe me mirësjelljen, por para së gjithash me nevojën e kolektivitetit për të rregulluar transmetimin ose bashkëndarjen (sharing) e baktereve, viruseve dhe mikro-organizmave të tjerë brenda komunitetit.

Sa herë që njerëzit mblidhen fizikisht bashkë, dhe aq më tepër në hapësira të mbyllura, bashkëndajnë jo vetëm përjetime (intelektuale, artistike, etj.) por edhe mikro-organizma.

Nëse unë thith frymën që nxjerr ti, do të marr në gojë, në hundë, në grykë dhe në mushkëri disa prej baktereve dhe viruseve të tua.

Duke jetuar bashkë për një kohë të gjatë, familjet bashkëndajnë sasi të mëdha mikro-organizmash mes vedi, duke filluar nga flora bakteriale e zorrëve.

Ti nuk shqetësohesh, si rregull, po të pish ujë nga gota ku ka pirë fëmija yt; por nuk e bën këtë në një lokal, duke ndërruar gotat me dikë të panjohur.

Dhe jo pse je i bindur se fëmija yt është “më higjienik” se ai tjetri (Tjetri); por sepse instinkti i bashkëjetesës në grup ta lejon t’i bashkëndash mikro-organizmat me fëmijën tënd më lehtë se me një të panjohur.

Të marrim atë shprehje të dashurisë, gjysmë fizike dhe gjysmë-simbolike, që është puthja në buzë. Dy vetë që puthen në buzë shkëmbejnë mes tyre mikro-organizma të gojës dhe të fytit – dhe jo ngaqë kjo nuk mund të shmanget, por edhe, le të guxojmë ta themi, se ky shkëmbim na afron fizikisht me Tjetrin.

Biologjia sapo ka filluar ta ndriçojë raportin mes baktereve, viruseve dhe mikro-organizmave të tjera që bartim në trup dhe identitetit individual (p.sh. epigjenetika). Veç kësaj, gati 10% e gjenomës humane përbëhet nga materiale të sjella aty nga viruset – për mirë ose për keq.

Çdo lloj marrëdhënieje njerëzore, që kryhet në prani të trupave tanë fizikë, shoqërohet nga shkëmbime të tilla mikrobiologjike: nga të folurit, që lëshon në ajër spërkla pështyme, sekrecionesh të hundës dhe të mushkërive; tek të ngrënët së bashku; te sharing a joint; por edhe kontakti gjatë lojërave; dhe të fjeturit në të njëjtat hapësira.

Gjatë seksit këmbehen mbase më shumë mikro-organizma se në një pavijon të Infektivit.

Komunitetet e veçuara, si ato të murgjve në manastire, të nxënësve në konvikte, të ushtarëve në kazerma dhe të së burgosurve krijojnë edhe kushte të përshtatshme për homogjenizim (homologim?) të florave bakteriale të së interesuarve.

A ka vend të spekulohet se ky homogjenizim mikro-biologjik luan rol edhe në konsolidimin e komuniteteve përkatëse?

Tradicionalisht, afërsia fizike me Tjetrin – pavarësisht e përtej afërsisë seksuale – është parë si shenjë dhe provë e intimitetit, por edhe e besës, e familjaritetit dhe e të qenit “tanët”.

Në rrethana të caktuara, shkëmbimi i intimiteteve biologjike vjen e funksionon si ritual i kësaj liturgjie të afrimit: që nga të pirët nga e njëjta shishe ose të thithurit e të njëjtit bisht cigareje me hashash, te progresioni në mënyrat e përshëndetjes (me salutim koke, me shtrëngim duarsh, me përqafim, me puthje).

Vetë raporti seksual në çift e kërkon këmbimin e mikro-organizmave; me gjasë, përfitimet janë gjithnjë më të mëdha se rreziqet. Duke u bërë bakteriologjikisht të ngjashëm, çifti kushedi do të jetojë më gjatë dhe do të bashkëpunojë më mirë – mes të tjerash, edhe për të rritur fëmijët (kjo, nga pikëpamja thjesht evolucionare).

Për sa më lart, e vetmja premisë është që ngjashmëritë edhe materiale edhe strukturore, në florën bakteriale të individëve të një grupi (të një familjeje, një fisi, një kolektivi) përkthehen në faktorë që fuqizojnë kohezionin dhe bashkëpunimin.

Provë, qoftë edhe vetëm e tërthortë, për këtë është e ashtuquajtura lidhje mes barkut dhe mendjes (the brain-gut connection). Kuriozët mund të lexojnë edhe këtu, për atë çfarë e kanë quajtur “truri i dytë” i njeriut. Dhe e gjithë kjo, pa i cekur fare ferromonet.

Po ç’lidhje ka me këto hipoteza dilema e tanishme, për ta mbajtur apo jo maskën?

Ja si e kuptoj unë lidhjen: individi që mban maskë sepse ia kërkojnë, ndihet i përjashtuar nga kjo marrëdhënie e pandërprerë e shkëmbimit mikro-biologjik me të tjerët; pra, i përjashtuar nga një mënyrë sa elementare, aq edhe bazike, e riprodhimit të komunitetit.

Dhe riprodhimit jo vetëm të komunitetit, por edhe të vetes si individ brenda atij komuniteti.

Maska që mban është e barasvlershme me skafandrin e një astronauti në hapësirë – e bën të huaj ndaj mjedisit rrethues, ose parakupton që mjedisi rrethues është për të i huaj.

Frymëmarrja është vërtet procesi me të cilin trupi merr oksigjenin nga ajri dhe çliron dyoksidin e karbonit; por nuk mund të reduktohet vetëm në këtë kimi gazesh. Bashkë me frymën, thithim në mushkëri edhe viruse, baktere dhe grimca gjenetike të Tjetrit; rryma e ajrit na sjell në hundë gjithfarë informacionesh nga bota përreth; frymëmarrja na mundëson edhe të flasim me Tjetrin dhe, gjithë duke folur, t’i “dhurojmë” atij jo vetëm idetë tona, por edhe viruse dhe baktere dhe grimca gjenetike nga tonat; sikurse na mundëson të këndojmë, të falemi dhe të ulërijmë.

Maska i modifikon të gjitha këto funksione, duke u shtuar një element permanent të jetërsimit, meqë na nxjerr nga bota. Kështu duhet kuptuar edhe famëkeqi distancim social, me të cilin na kërkohet që t’i zëvendësojmë kontaktet “fizike” me raporte virtuale – atje ku nuk vëmë maskën, të vëmë ekranin e kompjuterit. Ironikisht, Covid-19 përhapet edhe nëpërmjet rrjeteve sociale dhe Internetit: jo drejtpërdrejt, por nëpërmjet teorive të komplotit, që i shtyjnë disa të besojnë se sëmundja nuk ekziston, se maskat nuk vlejnë, e kështu me radhë dhe, kësisoj, t’i shpërfillin masat mbrojtëse.

Dizinformimi merr kështu pjesë në dinamikat e epidemisë, duke e ndihmuar virusin; edhe pse nëpërmjet një teknologjie që duhej ta pengonte përhapjen. Njëlloj siç kanë thënë edhe për maskën, se provokon auto-infeksionin, duke na detyruar të rimarrim çfarë dëshironim t’ua jepnim të tjerëve. Qoftë edhe si dhuratë.

 

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin