LA MANO DE DIOS

Më 22 qershor 1986, në stadiumin Azteca në Meksikë, Argjentina luan kundër Anglisë, për çerekfinalet e Kampionatit Botëror.

Vetëm katër vjet kanë kaluar që nga poshtërimi i Argjentinës prej Britanisë së Madhe, në luftën e ishujve Falkland (Malvinas), dhe të paktën për argjentinasit, kjo ndeshje është edhe një shans për shpagim.

Por ndeshja do të mbahet mend jo për fitoren e Argjentinës 2 me 1, por për dy golat e shënuar nga Diego Armando Maradona.

Në minutën e gjashtë të pjesës së dytë, pas një spastrimi të çartur të mbrojtësit anglez Hodge, topi fluturoi drejt zonës së portës angleze në trajtë krosi dhe atje Maradona u hodh lart dhe e goditi tinëzisht me dorën e majtë, për ta dërguar në rrjetë. Arbitri tunizian Ali Bin Nasser e deklaroi golin të rregullt.

Pas ndeshjes, Maradona deklaroi se goli ish shënuar “un poco con la cabeza de Maradona y otro poco con la mano de Dios.” Ashtu edhe do të njihej që nga ajo kohë – si goli “me dorën e Zotit.”

Vetëm katër minuta më pas, sërish Maradona mori një top në gjysmëfushën e vet dhe, pas një sprinti të pabesueshëm drejt portës angleze, ku dribloi katër kundërshtarë dhe pastaj edhe portierin Peter Shilton, shënoi golin e dytë, i cili do të mbahej mend më pas si Goli i Shekullit.

Në një shkrim që ia ka kushtuar yllit argjentinas të futbollit (In Search of Dieguito Maradona, botuar në The Guardian, 2004, ribotuar pastaj në përmbledhjen me ese dhe reportazhe The Rub of Time, Alfred A. Knopf, New York, 2018), shkrimtari anglez Martin Amis shkruan se, sipas latino-amerikanëve, çelësi i karakterit të argjentinasve gjendet te mënyra si i vlerësojnë këta dy golat e asaj ndeshjeje.

Në Argjentinë, vëren ai, njerëzve u pëlqen në fakt goli i parë, jo i dyti. Sepse macho-ja argjentinas ndihet shumë më i kënaqur kur e ka arritur diçka me dredhi a hile, se kur e ka arritur me ndershmëri a me djersën e ballit – ose të paktën kështu besohet.

Njëlloj edhe në punët e politikës dhe të biznesit – në Argjentinë nuk është se thjesht e tolerojnë korrupsionin. Përkundrazi, e adhurojnë, vazhdon Amis-i, edhe pse duke e futur këtë pohim të dytin në thonjëza, a thua se po citon dikënd. Në këtë kulturë, të luash sipas rregullave përçon një farë poshtërimi, një farë përdhosjeje.

Maradona shkruan në autobiografinë e vet: “[Goli i parë] më dha kënaqësi të madhe. dNdonjëherë më duket se e shijova më tepër [se të dytin].”

Edhe ish-trajneri i përfaqësueses së Argjentinës, Cesar Luis Menotti, u pat shprehur atëherë kështu:

Shkëlqyeshëm! Dhe më mirë, shumë më mirë, që goli ishte i padrejtë, mizor, sepse ashtu u dhembi anglezëve më shumë.

Vazhdimi i luftës në Falkland me mjete të tjera…

Pyes veten– po mua cili nga ata dy gola më ka pëlqyer më shumë? Dhe gjithnjë zgjedh të dytin, meqë triumfi i dinakërisë, sado i mbarsur me domethënie filozofike, nuk mund të krahasohet, për mua, me triumfin e gjestit futbollistik, ose të estetikës së lojës.

Por kjo ndoshta varet nga mënyra si e përjetoj unë, spektatori, futbollin: jo si sublimim të përleshjes, as si randomizator (për bastet), por si kombinim të atletizmit, të baletit dhe të teatrit.

Spuntoja që sjell Amis-i, në esenë e vet, më bën të mendoj se njerëzit mund të ndahen në dy grupe – në ata që ngazëllehen me golin e parë (atë me dorë) dhe ata të tjerët që paralëqejnë të dytin.

(Dhe një grup të tretë, natyrisht: ata që për golat e Maradonës nuk kanë dëgjuar ndonjëherë dhe as ua shkrep fare për futbollin.)

Si çdo lojë agonistike, edhe futbolli nuk mund veçse të ndjekë rregullat e veta arbitrare – por e ka gjithnjë një hapësirë gri, e cila përfshin faullin që i ka shpëtuar arbitrit, pozicionin jashtë loje centimetrik, prekjen e topit me dorë, faullin e simuluar; një hapësirë e cila për disa është vendi gjeometrik i “lojës” në lojë, ose i testimit të limiteve.

Ka pastaj nga ata që do të shtojnë se rregullat, fut aty edhe rregullat e lojës së futbollit, mishërojnë të drejtën e kujt ka pushtetin – dhe se i varfri, i vogli, i poshtëruari nuk do të mundet kurrë ta ngrejë kokën, duke luajtur fair.

Kur lexoj se çfarë shkruan Amis-i, për adhurimin që i bëhet kundërvajtjes në Argjentinë, ose për miratimin “popullor” të dredhisë, anashkalimit të rregullës (dhe të ligjit), shkeljes së syrit, hilesë, ose gjithçkaje tjetër që e përfshin ombrella e levantinizmit, më vjen në mendje Shqipëria, siç më vjen në mendje Ballkani dhe Italia e Jugut.

Kujtoj se çfarë e bën atë vend të ndryshëm nga vendet e tjera latino-amerikane është edhe komponenti i popullsisë me prejardhje italiane, që kanë sjellë një kulturë të caktuar me vete.

E megjithatë, shpjegimi i sjellë – gjysmë me shaka – nga Amis-i, në lidhje me kulturën e miratimit të paligjshmërisë, nuk më bind deri në fund; madje edhe kur përfytyroj se, edhe mes shqiptarëve, do të ishin të panumërt ata që do të zgjidhnin golin e parë ndaj të dytit.

Ndoshta këtu ka edhe një arsye tjetër, që nuk ka të bëjë aq me qëndrimin ndaj ligjit dhe etikës në kulturat ku rregullat e bashkëjetesës sociale ende imponohen kryesisht për së jashtmi. Një arsye tjetër, e cila lidhet me egocentrizmin, ose me paaftësinë tonë për të dalë nga vetja.

Golin me dorë, të Maradonës, mund ta bëjë kushdo – me kusht që arbitri të mos e shohë. Përkundrazi, goli i dytë – ose ai kombinim driblimesh dhe fluturimi me top mes për mes fushës drejt portës dhe rrjetës – është vepër e një gjeniu të futbollit.

Askush prej nesh nuk do ta bënte dot. Për disa, mes të cilëve edhe unë, kjo është arsyeja e mjaftueshme, për ta adhuruar: bukuria e gjestit, teknika e përsosur, balanca, gjakftohtësia në një arenë aq të nxehtë, sa Azteca e Kampionatit Botëror, sa drama e përplasjes – gati mitologjike – mes Argjentinës dhe Anglisë.

Por jo të gjithë i qasen jetës kështu; sepse për ca rezultati ngre shumë më tepër peshë se hijeshia e ekzekutimit, madje edhe kur është fjala për lojë dhe argëtim.

Madje, përballë një goli që mund ta shënojë kushdo, mjaft të ketë dinakërinë e duhur; dhe një goli që nuk mund ta shënojë dot askush, këta do të zgjedhin të parin, sepse me atë identifikohen më lehtë.

Prandaj edhe klasifikimi që sugjeron Amis-i, qartazi e ndan dramën nga teatri: dramë është ajo e ndeshjes dhe evokimit prej saj të përplasjeve në histori; por teatër është ai i lojtarit, që arrin t’i shkelë rregullat pa u ndëshkuar.

Kësisoj edhe fitorja vjen e dyfishtë: ndaj skuadrës tjetër dhe ndaj establishmentit, që ka vendosur dhe imponuar rregullat, përfshi ato të lojës.

Maradona e ka tepruar, kur ka folur për “mano de Dios.” Më mirë le të themi se ai “mëkatoi” me golin e parë, dhe pastaj e shleu fajin me golin e dytë, për të na konfirmuar të gjithëve dualitetin ying/yang të futbollit, kushedi edhe të jetës.

2 Komente

  1. Fillimisht në Itali po kisha ca probleme/fërkime me njerëzit në punë që unë, i mësuar me purizmin komunist, nuk po dija ç’emër t’u vija. Gjersa një ditë i bëra një mikut tim pyetjen fatale: “Më fal, këtu në Itali, “essere furbi”, është ves apo virtyt?” Dhe përgjigja qe: “Purtroppo è una virtù”. M’u hap një botë, që atëhere raportin me kolegët e mora me shumë më tepër filozofi.
    P.S. Besoj që përqindja e argjentinasve me prejardhje italiane duhet të jetë aty tek 50%

  2. Ato dy gola nuk mund te ekzistojne me vete. Dua te them, ato gola jane pjesa e spektaklit te nje gjeniu brenda nje drame qe nuk ishte vetem futbollistike.
    Nje gol me dore mund te ishte nje gjest i shemtuar, por nje gol me dore nga Maradona – i falet te na shpalle te gjitheve nje moment pamundesie, kufizimin e vet – pasuar nga nje kalim komete ne fushe, eshte plotesia me emocionuese e atij spektkakli qe ishte futbolli i periudhes para skedine.

    Ka dicka shume origjinale ne karizmen fizike dhe gjestikulative te Maradones qe e dallon. Triblimi, stopimet me gjoks aq karakteristike per nje trup aq te shkurter, kalimet e shpejta qe tregojne se eshte nje hap para ne mendim ne raport me kundershtarin, numri 10 mbi bluze, te gjitha ne nje ndeshje te nje sporti qe ishte arene globale, perbejne te vecanten e nje personazhi me vete si Maradona.

    Nje gol thuajse identik ka bere edhe Lionel Mesi kunder Getafe, madje po te shikosh kalimet dhe markimin, mund te kuptosh se Maradona nuk do te kalonte dot ndaj lojtareve te Getafes qe luajne shume me ashper. Por ja qe Mesi nuk e ka ate jehone ne memorien tone, ndoshta sepse Maradona nuk ishte thjesht nje futbollist, por nje shfaqje me vete ne fushe.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: