KUJT T’I BESOSH

Mos e humbni këtë shkrim të lexo.al, për një mashtrim të ri dhe të trashë të mass mediave të Tiranës, nga një portal i rremë, me një emër të ngjashëm me atë të revistës së mirënjohur Foreign Policy.

Portali në fjalë, që ka adresën foreignpolicynews.com, ka botuar një artikull që sulmon, në mënyrë të paskrupullt, kryeministrin shqiptar Rama (Edi Rama: Europe’s wealthiest and controversial politician), ku mes të tjerash thuhet edhe se “shërbimi informativ shtetëror i Shqipërisë është infiltruar nga agjentë të Shtetit Islamik dhe oficerë të mirë-trajnuar”.

Sikur të mos mjaftonte kjo travesti, mediat shqipe nuk humbën kohë dhe e përkthyen artikullin menjëherë; pa marrë mundimin të thoshin dy fjalë për burimin e lajmit dhe as të informonin lexuesin se si u kish rënë ky lajm në duar.

E pashë artikullin në Reporteri.net, Rilindja demokratike, Opinion.al, Koha Jonë, Standard.al, ekspres.al, Sot.com.al, Syri.net dhe Telegraf.al; kjo e fundit e kish titulluar njoftimin kështu: “Amerika kryqëzon politikën e Tiranës”.

Kjo ngatërresë kaq ngazëllimtare mund të jetë bërë me qëllim, por mund të jetë bërë nga padija dhe inkompetenca flagrante: unë dyshoj se është edhe ashtu, edhe kështu.

Çfarë menjëherë lexohet si një pamflet me frymë adoleshente, i shkruar nga një kundërshtar flakëhedhës i qeverisë sot në Shqipëri që nuk e ka të qartë konceptin e provës, iu paraqit lexuesit si shkrim i “analistit” nga Adam B. Fairmont.

Një psy-op si shumë të tjerë, që megjithatë kish nevojë për amoralitetin e mediave që e përcollën, për të funksionuar.

Ka gjasa që një pamflet i tillë të jetë frymëzuar, në mos drejtpërdrejt porositur nga segmente radikale të opozitës në Shqipëri; çfarë do të provonte, nëse është akoma nevoja, se kjo farë opozite e padenjë është në fakt duke i shërbyer drejtpërdrejt qeverisë Rama dhe orvatjeve të pushtetit sot për të delegjitimuar kritikat dhe protestat që i vijnë nga shoqëria civile.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: