KUNDËR SHNDËRRIMIT TË SHKRIMIT NË PËRKTHIM

Nga Erlind Sulko

Do ta filloj këtë shkrim polemik me një rrëfenjë nga jeta ime, jo për shkak të ndonjë mllefi vetjak, por pasi mendoj se në këtë çast të mëvetësishëm më është shfaqur fryma e përgjithshme e krijimit mes shqipfolësve. Para ca vitesh iu drejtova shumë shtëpive botuese për të botuar librin tim me poezi, por u ballafaqova me një heshtje të frikshme. Jo vetëm që nuk më dha askush asnjë shpjegim se përse nuk e botojnë, por nuk më thanë as “nuk ta botojmë librin”. Shumë miq nga Tirana ma shpjeguan këtë heshtje dhe pafuqi për të përligjur vendimet e tyre kështu: nuk të beson njeri tek cilësia e shkrimeve, po nuk përktheve autorë të huaj të mëdhenj. Që do të thotë se cilësia e shkrimit përligjet nga përkthimet e shumta.

Kjo përligjje e shkrimit nëpërmjet përkthimit shfaq një paaftësi, plogështi dhe përtaci intelektuale për ta gjykuar veprën për atë çfarë është. Por, më shumë se kaq, na shfaq një rrezik edhe më të madh: shndërrimin e vetë shkrimit në një përkthim. Në kohën e diktaturës komuniste ishim në njërin skaj, ku shumëçka nga letërsia e huaj nuk mund të përkthehej, nuk mund të lexohej, apo censurohej. Por, tani kam frikë se kemi kaluar në skajin e kundërt: shkrimtarët me zor po presin të kthehen në një përsëritje të mërzitshme të shkrimtarëve të huaj në zë, lexuesi turret drejt shkrimtarëve të huaj për t’u dukur sa më shumë i lëçitur, dhe ata pak kritikë letrarë të shkretë mundohen të hiqen me çdo kusht si bashkëkohorë. Në kohën e komunizmit letërsia u shndërrua në një liqen që kundërmonte nga era e keqe e ujit të ndenjur, por kam frikë se në kohën e sotme ky liqen ka hapur aq shumë rrugëdalje saqë është kthyer në kënetë bretkosash dhe bulkthash. Shumëçka ka ndryshuar, por gjendja është e njëjtë: thjesht jemi në anën e kundërt të së njëjtit lavjerrës. Dhe pikërisht kjo gjendje ka çuar tek ajo ndodhi e pahonepsshme, për të cilën kritikët letrarë kanë po aq faj sa shkrimtarët: lindja e Shekspirave shqiptarë, Gëteve shqiptarë, Borhesave shqiptarë, Dostojevskëve shqiptarë, Rembove shqiptarë, e shumë të tjerë.

Në letërsinë bashkëkohore të gjuhës shqipe shoh dy rryma të mëdha: shkrimi si përkthim vetjak dhe shkrimi si përkthim akademik. Shkrimi si përkthim vetjak është qasja ndaj letërsisë si përkthim i drejtpërdrejtë i përvojave dhe ndjenjave vetjake, një lloj neo-sentimentalizmi bosh: e shohim të trajtësuar në poezitë mbushur me frymëzime djaloshare dhe epshndjellëse, apo edhe në kritikat e shumta letrare të shkruara si një kujtim i mjegullt i diçkaje lexuar përciptazi. Në anën tjetër kemi, shkrimin si përkthim akademik: ajo përsëritje e mërzitshme e Borhesit, ajo letërsi e vdekur, e mbushur me referenca të tepërta akademike që vetëm një profesor mund t’i kuptojë. Që të dyja këto rryma e ushqejnë njëra-tjetrën nëpërmjet skajshmërisë së tyre.

Fatkeqësia e mundshme e kësaj gjendje letrare ku ndodhemi është se nesër mund të zgjohemi papritur me zhdukjen e plotë të çfarëdolloj mëvetësie dalluese që ka letërsia në gjuhën shqipe. Tradita e përbashkët do thërrmohet dalëngadalë në përkthyes të veçuar që rrejnë veten se janë të veçantë. Fryma autentike që lind si pasojë e një bashkëbisedimi të pandërprerë me veten, tjetrin, botën përreth dhe të hyjnishmen, do të shuhet, dhe do të ngelim vetëm me erëmimin e padurueshëm të qiriut të sapofikur.

Në sprovën e tij të mirënjohur, “Tradita dhe Talenti Vetjak”, T.S. Eliot thekson se shkrimtari asnjëherë nuk shkruan në zbrazëti, po gjithnjë brenda një tradite të caktuar. Shkrimtari është përherë pjesë e një tradite gjuhësore, letrare dhe botëkuptimore. Sipas Eliot, është pikërisht kur shkrimtari ndërgjegjësohet, pranon dhe shpreh traditën ku ai bën pjesë, që ai mund të arrijë majat e letërsisë. Shembulli i parapëlqyer i Eliot është Dantja: Komedia Hyjnore nuk shpreh botëkuptimin vetjak të Dantes, por botëkuptimin e krishterë ku ai bën pjesë. Pavarësisht se e vlerësoj këtu vënien në pah, nga Eliot, të marrëdhënies së domosdoshme midis shkrimtarit dhe traditës, mendoj se Eliot vetë është bërë pre e një skajshmërie të tepruar, kur shprehet se shkrimtari i mirëfilltë duhet të flijojë veten për t’u bërë shprehës i traditës. Shkrimtari që nuk shpreh asgjë veç traditës është i dënuar të jetë po aq i mërzitshëm sa shkrimtari i rëndomtë i ndjenjave vetjake. Prandaj, besoj se letërsia e mirëfilltë është në një dialektikë të vazhdueshme mes traditës dhe dëshirës për veçanti. Shkrimtari është përherë pjesë e një tradite gjuhësore, por ai i jep trajtë të veçantë gjuhës nëpërmjet përzgjedhjes së fjalës. Shkrimtari është pjesë e një tradite letrare apo botëkuptimore, por këto tradita janë të vdekura nëse nuk ka lëvizje dhe zhvillim të vazhdueshëm.

Kritika ime kundër letërsisë bashkëkohore të gjuhës shqipe është e ngjashme me kritikën që kam ndaj T.S. Eliot: letërsia nuk duhet të shndërrohet thjesht në përkthim të tjerëve, apo edhe më keq, në përkthim të mërzitshëm të vetvetes. Letërsia, por edhe kritika letrare, është përherë në thelb një bashkëbisedim i pandërprerë, një ballafaqim i vazhdueshëm i të kundërtave, një marrëdhënie që zhvillon në të njëjtën kohë veten po aq sa tjetrin.

Siç edhe jam shprehur më përpara: nuk është pra shkrimi që duhet të shndërrohet në përkthim, por përkthimi që duhet të shndërrohet në shkrim.

(c) 2019, Erlind Sulko.

9 Komente

  1. Erlind, shtëpitë botuese në Shqipëri nuk shkruajnë “letra refuzimi” dhe as botojnë ndonjëherë dorëshkrime që u dërgohen formalisht. Nga autorët shqiptarë bashkëkohorë, ato botojnë ose emra të njohur, që “shesin veten”, ose libra me pagesë. Aq më i pamundur është botimi i poezive, pa ndonjë mbështetje financiare nga jashtë – sepse poezitë nuk kanë treg. Ajo çfarë mund të kenë pasur në mend miqtë e tu nga Tirana, kur të kanë shpjeguar heshtjen, mund të lidhet me këtë dukuri kurioze: ka autorë që, për të botuar një libër të tyrin, “paguajnë” jo me pará në dorë, por me përkthim; në mënyrë që botuesi, duke shitur librin e përkthyer, të rikuperojë kostot e humbura nga botimi i librit origjinal të autorit. Pëndryshe, sot në Shqipëri nuk ekziston një mekanizëm i besueshëm i promovimit të vlerave të reja. Edhe kur nxjerrin një autor relativisht të panjohur, shtëpitë botuese parazitojnë mbi reputacionin e këtij autori – që mund të jetë gazetar, politikan, ose të ketë bërë emër me ndonjë mënyrë tjetër; përfshi këtu edhe ekspozimin në mediat sociale. Tani që isha në Tiranë, pashë për herë të parë një radhë të gjatë lexuesish, që prisnin për t’i marrë autografin autorit të një libri me poezi: por ky ishte Andi Bejtja, të cilin shumë prej nesh e njohin si opinionist dhe gazetar, para se ta njohin si poet. Prandaj, nëse dikush dëshiron të botojë pa paguar, duhet të fitojë emër JASHTË qarkullimit letrar, qoftë edhe duke dalë në fotografi lakuriq në Instagram. Ka edhe një rrugë tjetër, që kërkon shumë mund dhe talent – ndërtimi, gur pas guri, i një reputacioni të mirë në Internet; dhe që gjithsesi nuk garanton asgjë për poezinë, përveçse po të arrish të kesh ekspozimin e Andi Bejtes.

    Mendoj se në Shqipëri nuk ka më shans që një poet të mbijetojë vetëm si i tillë, në tregun e botimeve. Është rritur një brez lexuesish që poezinë është mësuar ta lexojë falas, duke e barazuar, semiotikisht, me selfies dhe memet. Kjo edhe pse, siç kam shkruar para ca muajsh edhe në një dossier këtu në Peizazhet, në mediat sociale dalin herë pas here poezi shumë të mira. Por nuk besoj se ka më vend, seriozisht, për një treg të librit poetik në Tiranë – poezitë do të botohen ose me subvencionim (nga shteti, nga një fondacion) ose të paguara nga autori vetë, që ky pastaj t’ua shpërndajë miqve. Sikurse nuk ka më kritikë institucionale të poezisë: kjo po gjykohet si formë letrare e kapërcyer, po aq e kapërcyer sa edhe tragjedia në vargje ose poema epike. Këtë e them jo pa dhimbje, sepse edhe vetë zhgarravit ndonjë varg herë pas here. E vërteta mbetet, megjithatë, se edhe talente si Kadareja ose Arapi sot do të mbeteshin pa u botuar; madje jo vetëm – askush nuk do t’ua lexonte dorëshkrimet. Kjo është njëlloj si me një kompozitor të sotëm, me talent të hatashëm për të shkruar rondo ose piano rolls: kush do t’ia subvenciononte krijimet?

    1. Ardian, ke shumë të drejtë, dhe i bashkangjitem analizës tende. Shqetësimi im është se shkrimtarët e mirëfilltë, për shkak të gjendjes ekonomike, njerëzve pa vizion dhe frymës së përgjithshme, po shndërrohen dalë ngadalë në përkthyes. Në këtë aspekt, sistemi ku po jetojmë është i ngjashëm me sistemin e diktaturës komuniste: shkrimtarët nxiten drejt përkthimit. Në kohën e komunizmit nxiteshin nga mungesa e lirisë së fjalës, ndërsa sot nga mungesa e lirisë ekonomike.

      1. Te pergezoj Erlind per problematiken. Besoj, qe eshte me mire ta botosh vete librin, me nje “sigel te panjohur”, jo nen perkujdesjen e nje shtepie botuese shqiptare, dhe ne miqte e tu, do ndihmojme ne shperndarjen e tij. Them besoj qe eshte me mire ta botosh vete, ne vend qe te shpenzosh nje shume te madhe parash, per t’u botuar nga nje botues, qe pervec botimit, nuk do merret me promovimin e tij. Per me teper, ne Shqiperi kritika letrare eshte gati inekzistente, bisedimet letrare te paperfillshme.
        Persa i perket problematikes rreth shkrimit e perkthimit, i njejti mentalitet ndeshet kudo. Lexuesi orientohet drejt emrit ne radhe te pare, dhe me pas tekstit. Kjo vlen edhe me shkrimtaret, edhe me perkthyesit.
        Une, kam shkruar rreth 30 poezi, ndoshta dhe me shume ne nje gjuhe tjeter, dhe e di, qe nese ne nje te ardhme vendos t’i botoj, botuesi i huaj ne rast se i boton me shpenzimet e veta, do synoje qe te mbuloje nje pjese te shpenzimeve nga prezantimet e vazhdueshme.
        Persa kohe, nuk ka nje rubrike letrare, ne gazetat me te rendesishme te vendit, per fat te keq, gjithcka tjeter do behet vullnetarisht ose me solidaritet te njohurish

    2. E drejte Ardian, po kam pershtypjen qe kjo situate, pak a shume, eshte e njejte kudo sot dhe jo vetem ne Shqiperi. Ka ikur koha e aristokrateve dhe perandoreve dhe diktatoreve, jemi ne diktature tregu. Dhe sot tregun e kane teknologe si Musk apo Bezos apo Ma, te cilet poezine ta masin me kilobajt.

  2. Nuk kam per qellim te devijoj diskutimin nga tema por meqe u permend emri I Andi Bejtja si poet i shquar nga kurioziteti kerkova ne google dhe gjeta nje poezi te tij me titull “Atdhedashuria” qe mbahet si me e mira apo nga me te mirat e qe ka marre acclaim nga gjithe elita kulturore politike evendit duke filluar nga Edi Rama e poshte.Ne nje poezi kaq te qarkulluar e te levduar asnje nuk merr mundimin te beje fact check e ti shpjegoje autorit se Skenderbeu ka jetuar ne shekullin e pesembedhjete e jo te katermbedhjete .

    ..”Të cilin Vatikani e kurdisi siç kurdiset një orë me zile, po akrepat i la të mbesin në shekullin e katërmbëdhjetë..”

  3. Edhe në Itali nuk të jep njeri përgjigje për dorëshkrimet (dhe nuk t’i kthejnë as mbrapsht). E thonë qartë në sitin e tyre të gjitha shtëpitë botuese, edhe më të rëndësishmet: Po nuk more përgjigje për 6 muaj (ose për 4, ose për 7), domethënë dorëshkrimi nuk është pranuar. Kaq.
    E kuptoj që është zakon i keq, se një herë i shkrova një shtëpie botuese kanadeze dhe pas 3 ditësh m’u përgjigj.
    Në Shqipëri situata rëndohet ngaqë kontaktet janë krejt informale. Unë kam numrat e celularëve të 4-5 botuesve nga më të rëndësishmit në Shqipëri që m’i kanë dhënë të tjerë llokum për 5 minuta në bar. Nëse nuk i kam shqetësuar është çështje edukate dhe fakti që e kam një botues.
    Në Shqipëri poezia nuk blehet. Shtëpia botuese i bie t’i hedhë lekët në lumë. Bën përjashtim vetëm nëse del ndonjë Lasgush i ri, po hajde e gjeje kur të gjithë ne mëtojmë që jemi. Unë mendoj që zgjidhja e vetme për poezinë e re të nivelit në Shqipëri është botimi me parablerje i një numri të caktuar kopjesh. Duhet një farë organizimi nga botuesi dhe nga vetë autori për këtë, por them se mund të arrihet. Lexuesit e poezisë janë, diku e kam dëgjuar, rreth 10% e atyre që lexojnë në përgjithësi. Pra shumë pak, por janë lexues të fortë dhe, interesante është që është një shifër që ka mbetur pak a shumë njëlloj në shekuj.
    Kurse për përkthimin; a nuk është gjithçka përkthim? Edhe kur shkruajmë një vepër origjinale ne përkthejmë në gjuhën tonë, në gjuhën e nënës (a në gjuhën e njerkës) idetë, ndjenjat, imazhet që na vijnë ndër mend. Kështu që për mua: përkthim dhe vetëm përkthim në 360°. Përsa më përket mua përpiqem t’ia ep gjithë autorët që përkthej personalitetit tim dhe gjuhës shqipe. Ai që plagjion, ai që shtiret si ky ose ai, zakonisht nuk lodhet t’i përkthejë ata autorë: mjafton t’i lexojë.

  4. Erlind, në vazhdim të asaj që ke shkruar, për solipsizmin në letërsinë shqipe bashkëkohore, dhe pikërisht se:

    Në letërsinë bashkëkohore të gjuhës shqipe shoh dy rryma të mëdha: shkrimi si përkthim vetjak dhe shkrimi si përkthim akademik. Shkrimi si përkthim vetjak është qasja ndaj letërsisë si përkthim i drejtpërdrejtë i përvojave dhe ndjenjave vetjake, një lloj neo-sentimentalizmi bosh: e shohim të trajtësuar në poezitë mbushur me frymëzime djaloshare dhe epshndjellëse, apo edhe në kritikat e shumta letrare të shkruara si një kujtim i mjegullt i diçkaje lexuar përciptazi.

    Po sjell këtu më poshtë një fragment nga leksioni i nobelistes Olga Tokarczuk, me rastin e dorëzimit të Çmimit Nobel në letërsi, i cili më duket se e pasuron argumentin.

    VETJA AUTORIALE DHE PARABOLA

    (Fragment nga leksioni i laureates Olga Tokarczuk, në ceremoninë e dorëzimit të Çmimit Nobel në letërsi, për vitin 2018.)

    Jetojmë në një realitet narrativash polifonike në vetën e parë dhe na rrethon nga të gjitha anët zhurma polifonike. Çfarë kam parasysh me vetën e parë është ajo lloj rrëfenje që orbiton nga afër veten e rrëfimtarit, i cili pak a shumë drejtpërdrejt thjesht shkruan për veten dhe nëpërmjet vetes. Kemi vendosur tashmë se ky lloj këndvështrimi individual, ky zë që vjen nga vetja, është më i natyrshmi, njerëzori dhe i ndershmi, edhe kur ai heq dorë nga një perspektivë më e gjerë. I konceptuar kështu, rrëfimi në vetën e parë end një motiv aboslutisht unik, të vetmin në llojin e vet: është si t’i japësh kuptim autonomisë sate si individ, duke qenë i vetëdijshëm për veten dhe fatin tënd. E megjithatë, kjo do të thotë edhe të ndërtosh një kundërvënie mes vetes dhe botës, e cila ndonjëherë mund të jetërsojë.

    Mendoj se rrëfimi në vetë të parë është shumë karakteristik për këndvështrimin bashkëkohor, ku individi luan rolin e qendrës subjektive të botës. Qytetërimi perëndimor në masë të madhe themelohet dhe mbështetet mbi pikërisht këtë zbulim të vetes, e cila na jep masën më të rëndësishme të realitetit. Këtu njeriu është aktori kryesor dhe gjykimi i tij – edhe pse një mes të shumtëve – gjithnjë merret seriozisht. Historitë e thurura në vetën e parë duket sikur janë mes zbulimeve më të mëdha të qytetërimit perëndimor; ato lexohen me nderim dhe me besim të plotë. Ky lloj historie, ku ne e shohim botën me sytë e një veteje unike, ndërton një lidhje të posaçme me rrëfimtarin, i cili i kërkon dëgjuesit që ta vërë veten në vendin e tij unik.

    Çfarë kanë bërë narrativat në vetën e parë për letërsinë dhe, në përgjithësi, për qytetërimin njerëzor, nuk ka të paguar – ato e kanë ripunuar tërësisht historinë e botës, në mënyrë që kjo të mos jetë më hapësira ku veprojnë heronjtë dhe zotat ndaj të cilëve nuk kemi asnjë ndikim, por një vend për njerëz si ne, me historitë tona individuale. Është lehtë të identifikohesh me njerëz që janë si ne, pse ashtu përftohet një lloj i ri mirëkuptimi emocional midis rrëfimtarit të historisë dhe lexuesit ose dëgjuesit të saj, i bazuar në empatinë. Dhe kjo, përmes natyrës së vet, i bashkon njerëzit dhe i eliminon kufijtë; është shumë lehtë ta humbësh fillin, në një roman, e kufijve mes vetes së rrëfimtarit dhe vetes së lexuesit, madje një lloj romani, “romani absorbues”, mbështetet pikërisht mbi mjegullimin e këtij kufiri dhe mbi atë lexues që, përmes empatisë, shndërrohet në rrëfimtar për një copë herë. Kështu letërsia është bërë një fushë për shkëmbimin e eksperiencave, një agora ku gjithkush mund të rrëfejë fatin e vet, ose t’i japë zë alter egos së vet. Kjo është, pra, një hapësirë demokratike – gjithkush mund të ngrihet dhe të flasë, gjithkush mund të krijojë një zë folës për veten. Kurrë më parë në historinë e njerëzimit nuk ka pasur kaq shumë shkrimtarë dhe rrëfyes historish. Mjaft të shohim statistikat, për t’u bindur.

    Kur shkoj në panaire librash, shoh sa shumë nga librat që botohen sot në botë kanë të bëjnë pikërisht me këtë – veten autoriale. Instinkti për t’u shprehur mund të jetë po aq i fortë sa edhe instinktet e tjera që na mbrojnë – dhe ai shprehet më plotësisht në art. Ne duam të na vënë re, duam të ndihemi të jashtëzakonshëm. Narrativat e tipit “Do të rrëfej historinë time”, ose “Do të rrëfej historinë e familjes sime” ose edhe thjesht “Do të rrëfej se ku kam qenë” përfaqësojnë sot zhanrin letrar me më shumë popullaritet. Kjo dukuri ka marrë sot kaq shumë përhapje, ngaqë tani ne jemi universalisht në gjendje të marrim akses në shkrim, dhe shumë prej nesh e shfrytëzojnë mundësinë – dikur të rezervuar për pak – për t’u shprehur me fjalë dhe histori. Paradoksalisht, megjithatë, kjo situatë i ngjan një kori të formuar vetëm nga soloistë, zëra që konkurrojnë mes tyre për vëmendje, të gjitha duke ndjekur shtigje të ngjashme, dhe duke mbytur njëri-tjetrin. Ne dimë gjithçka është për t’u ditur rreth tyre, jemi në gjendje të identifikohemi me to dhe t’i përjetojmë ato jetë si të ishin tonat. E megjithatë, tepër shpesh, eksperienca e lexuesit mbetet e paplotë dhe zhgënjyese, meqë rezulton që të shprehësh një “vete autoriale” nuk garanton aspak universalitet. Çfarë nga mungon – me sa duket – është ajo përmasë e historisë që është parabola. Meqë heroi i parabolës është njëkohësisht vetja, një person që jeton në rrethana historike dhe gjeografike specifike, por edhe njëkohësisht shkon mjaft përtej këtyre detajeve konkrete, për t’u shndërruar në një Gjithkush të Gjithkundshëm. Kur një lexues ndjek hap pas hapi historinë e dikujt të shkruar në një roman, ai mund të identifikohet me fatin e personazhit të përshkruar dhe ta gjykojë situatën e këtij personazhi si të ishte e vetja; por te një parabolë lexuesi duhet ta dorëzojë tërëisht veçanësinë e tij, për tu bërë Gjithkushi. Në këtë operacion psikologjik kaq kërkues, parabola e universalizon eksperiencën tonë, duke gjetur një emërues të përbashkët për fate krejt të ndryshme mes tyre. Që ne e kemi nxjerrë tashmë, në masë të madhe, parabolën nga vëmendja, ky është testament për pafuqinë tonë aktuale.

    (përkthimi im, pa pretendime)

    1. Ardian, të falenderoj jashtëmase që ma vure këtë pjesë nga fjalimi i Tokarczuk në dukje. Më pëlqeu, në veçanti, kjo pjesa:

      “ Paradoksalisht, megjithatë, kjo situatë i ngjan një kori të formuar vetëm nga soloistë, zëra që konkurrojnë mes tyre për vëmendje, të gjitha duke ndjekur shtigje të ngjashme, dhe duke mbytur njëri-tjetrin.”

      Këtu ndaj të njëjtin mendim me të, dhe mendoj se jemi duke thënë gjëra shumë të ngjashme. Më mahnit që edhe ajo e thotë atë, pasi gjendja edhe në Kanada është shumë e ngjashme. Mbase është një frymë e përgjithshme, si në Europë dhe Amerikën Veriore. Do kisha shumë dëshirë të dija perspektivën e ndonjërit që e njeh më mirë letersinë bashkëkohore ne vendet Afrikane dhe Aziatike, dhe nëse edhe aty është njëllojë. Hegeli do ishte shumë i lumtur,- nëse po.

      Të them të drejtën, nuk e njoh mirë si autore, por di vetë polonisht, dhe kam shpresë që një ditë, nëse më del koha, t’ja lexoj veprat në origjinal.

Lini një Përgjigje te Pipi Anuloje përgjigjen

Këtë e pëlqejnë %d blogues: