PËR POEZINË E FATOS ARAPIT (PJESA II)

nga Erlind Sulko

Në pjesën e parë të këtij shkrimi kushtuar poezisë së Fatos Arapit, u mundova të tregoja se vepra poetike e Fatos Arapit mund të shikohet në tërësi si një udhëtim bashkëbisedimesh me gjithësinë.[i] Veprën poetike të Fatos Arapit e kam ndarë në gjashtë bashkëbisedime kryesore: bashkëbisedimi me dashurinë, bashkëbisedimi me detin, bashkëbisedimi me vdekjen, bashkëbisedimi me vetveten, bashkëbisedimi me Tiranën dhe bashkëbisedimi me Zotin. Në pjesën e parë të shkrimit shqyrtova bashkëbisedimin me dashurinë në veprën poetike të Fatos Arapit. Në pjesën e dytë të këtij shkrimit do merrem me bashkëbisedimin me detin. Në veprën e Fatos Arapit, bashkëbisedimi me detin Jon është i vazhdueshëm. Ky bashkëbisedim fillon që me librin e tij të hershëm, Poema dhe Vjersha, botuar në 1966.

Çast buzë detit

Dhe vargjet erdhën me ritme të kaltra.

Ndër degë të tyre figurat e gjelbra

çelin,- si gjethet nëpër portokalla.

Ndër degëza vargjesh fëshfërijnë figurat,

si mbrëmjes Jonit fletëzat e ullinjve.

E mbusha gojën me erëra të Jonit,

ndiej nëpër dhëmbë kokrrizat e jodit.

Shoh si thyen mirazhet mes valësh

se si thërrmohen përflakjet mes gurësh…

Dhe jam i tëri

                     grimca dritash e ngjyrash.

Kjo është një poezi tepër e ndërlikuar, nëse e lexon me kujdes dhe e shqyrton. Kemi një përshfaqje buzë detit Jon rrethuar nga pemë ullinjsh e cila njëjtësohet tërësisht me vetë vargjet dhe poezinë. Ajo pamje që ka rrëmbyer rrëfimtarin në të njëjtën kohë bëhet edhe vetë poezia: vetë vargjet erdhën me ritme të kaltra si deti dhe vetë fjalët çelën si gjethe portokalli. Këtu kemi të bëjmë me një nga ato çastet e rralla në poezi kur rrëfimtari nuk e merr përvojën dhe e shndërron atë më pas në poezi, por kur përvoja dhe poezia çelin së bashku në të njëjtën kohë. Imazhi ndërlidhet në një mënyrë të pazgjidhshme me vetë poezinë dhe kemi një njëjtësim të plotë të rrëfimtarit me atë që ai kundron. Ky njëjtësim i rrëfimtarit me pamjen e kundruar fillon që me vargjet:

E mbusha gojën me erëra të Jonit,

ndiej nëpër dhëmbë kokrrizat e jodit.

Pamja e detit Jon nuk është kundruall rrëfimtarit. Ai nuk e vëzhgon atë nga larg dhe me ftohtësi. Përkundrazi, ajo pamje e detit Jon futet brenda tij: goja e tij është e mbushur me erërat e Jonit dhe nëpër dhëmbë ai ndien kokrrizat e jodit. Dhe në dy vargjet e fundit kemi pikërisht atë njëjtësim të rrokakrejtshëm:

  Dhe jam i tëri

                     grimca dritash e ngjyrash.

Vetë rrëfimtari është shndërruar në pamjen që ai kundron: në grimca ngjyrash dhe dritash të asaj pamje mbërthyese.

Ky bashkëbisedim me detin rikthehet në veprën Ritme të Hekurta, botuar në 1968. Në poezinë “Deti,” deti kthehet në një tufë kuajsh të bardhë e të egër që sulen për të ardhur te rrëfimtari e për t’iu përplasur te këmbët. Pamja e egërsuar e detit, e cila e ndjek gjithmonë rrëfimtarin, mund të cilësohet si një përvojë e asaj që quhet përvoja e së madhërishmes. Përvoja e së madhërishmes, e cila në anglisht quhet “the sublime,” është një përvojë edhe e frikshme edhe e bukur, që njeriu zakonisht ka kur ndodhet përballë natyrës së egër. Përvoja e së madhërishmes u bë një nga çështjet kryesore të bashkëbisedimeve filozofike gjatë periudhës së romantizmit në Europë. Pa u zgjatur më në bashkëbisedimet e shumta mbi përvojën e së madhërishmes, dua të them se në këtë poezi të Arapit shfaqet pikërisht kjo përvojë në lidhje me detin. Kjo gjë edhe shqiptohet në vetë poezi, kur poezia thotë se rrëfimtari e kundron detin e shndërruar në tufë kuajsh të bardhë “me gëzim e frikë.” Nuk duhet lënë pa përmendur se në këtë poezi kemi sërish një njëjtësim me pamjen e detit. Por, ky nuk është më një njëjtësim i përkohshëm, por i përjetshëm. Deti i egërsuar sulet drejt rrëfimtarit, por edhe rrëfimtari në fund thotë se kjo pamje e detit do ta ndjekë kudo që shkon.

Deti

I vogël, me pantallona të shkurtra ,
me këmbë të zbathura e një këmishë hamaie,

                                         qe e qepte vete gjyshja…

Ashtu darkë për darkë dilja në breg .
Ndër gishtërinjtë e këmbës së ftohtë më rridhte rëra.

Unë prisja me orë të tëra,
gjersa përnjëherësh, tutje nëpër fushat e gjëra të natës
ngriheshin kope të çuditshme, të panumërta kuajsh të bardhë.

Nëpër hapësirat e pafundme suleshin aradhe – aradhe

Turfullonin.

Binin me këmbë të thyera,
rrokulliseshin duke gulçuar nëpër të zezat humnera.

Mbi ta fluturonin të tjerë.
Jelet e hakërruara dallgë – dallgë fushën e djellit fshihnin.

Hingëllima të frikshme para tyre bridhnin.
Ata vinin, afroheshin drejt meje.

Gjokset e mëdhenj e të bardhë kreshpëronin përpjetë
këmbët e para rrihnin në erë …

Sytë u flakëronin.

Një çast… dhe nën thundrat e tyre do të më copëtonin.

Kur ja me potere
si një gjëmim i madhërishëm përplaseshin tek këmbët e mia.

Nga flegrat gjigande
miliarda grimcëza të kristalta shfrynin për të fundit herë

Të tjerë hingëllinin nëpër fushat e gjëra të natës

Me gëzim e frikë, orë të tëra unë shihja kuajt e bardhë
të suleshin nëpër furtunë.

Thyenin këmbët, rrokulliseshin,
që të vinin sa më parë tek unë
shkelnin, fluturonin njëri mbi tjetrin…

Dhe tani, kudo që jam,
ashtu fantastik e i madhërishëm, më ndjek pas deti…

Mund të thuhet se ky bashkëbisedim me detin në veprën poetike të Arapit përfundon me poezinë “Duke u larguar prej Vlore,” në librin Më jepni një emër, botuar në 1972.

Duke u larguar prej Vlore

Po nisem pa u përshëndetur me detin.

                               Kësaj radhe

nuk dola në brigjet e njohura të përfalesha

me pulëbardhat e mia… Nuk e durokam dot më

                                         ndarjen prej tyre.

Ndofta po plakem.

Po fillon lodhja e qelizave, ndofta…

Zemra po zbutet

dhe s’mund të mbajë më dot

shkëputjen e trupit prej trupit.

Më duhet të nisem?

                          Pa kthyer kryet pas!

Vetëm nëpër të plasurat e buzëve

më djeg jodi dhe kripa e detit.

Rrëfimtari po largohet nga Vlora, por ky largim nga Vlora, siç shihet edhe në poezi, është në të vërtetë një largim nga deti. Ai jo vetëm që e braktis detin, por e braktis atë pa e përshëndetur. Ai është i lodhur, ndien se po plaket dhe zemra e tij nuk mund t’i durojë dot më braktisjet. Marrëdhënia e rrëfimtarit me detin në këtë poezi shndërrohet në braktisjen e një marrëdhënieje erotike. Shkëputja e tij nga deti përshkruhet si një shkëputje e trupit nga trupi. Apo edhe siç e përshkruan në dy vargjet e fundit: atij i djegin të plasurat e buzëve, kur e braktis detin. Kjo ndarje e tij nga marrëdhënia erotike me detin është një braktisje e dhimbshme që do ta ndjekë gjithnjë: por jo më si përjetim njëjtësues, por si kujtim therës. Që nga kjo ndarje, ai ka frikë t’i afrohet më detit: siç shprehet edhe qartë në poezinë e tij “Përse kam frikë t’i afrohem detit?” në librin Duke dalë prej ëndrrës, botuar në 1989. Kështu përfundon edhe marrëdhënia e rrëfimtarit me detin në veprën poetike të Arapit.

© 2018, autori


[i] https://peizazhe.com/2017/07/23/per-poezine-e-fatos-arapit-i/

1 Koment

  1. perse per fatos arapin pas 90-es,flitet njelloj si per lasgushin para . he’s around, but we can’t see.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin