SHKRIMTARIA LIVE

“Çfarë jeni duke shkruar tani?” Nëse ka një pyetje që më acaron, është kjo. “Çfarë keni në dorë këtë periudhë?” Nuk jam i sigurt pse më acaron kështu. “Çfarë do të botoni së shpejti?” Kam botuar disa libra deri më sot, por kurrë nuk kam dashur të flas për librin që do të botoj. “Do të keni ndonjë gjë të re këtë panair?”

Sikur ka një hidhësi denigruese të fshehur te këto farë pyetjesh. Besoj se një autori i pëlqen të flasë për librat që ka botuar, jo për librat që do të botojë. Të paktën mua ashtu më pëlqen. Për të ardhmen flasin ata që hartojnë aplikimin për një grant. Flasin edhe politikanët që duan të fitojnë votën e zgjedhësve. Ndërsa shkrimtari dëshiron që publiku të interesohet për të në bazë të librave që ka bërë a të teksteve që ka nxjerrë, jo të atyre që do të bëjë.

Po pse më acaron pyetja? Ndoshta për shkak të implikimeve që sjell me vete. Duke filluar nga ideja se prej një autori pritet që të nxjerrë gjithnjë diçka të re, ose që ky është edhe misioni publik i atij që shkruan: të lajmërojë çfarë po shkruan, ose të konfirmojë statusin e tij performativ prej shkruesi (kujdes: prej SHKRUESI, jo prej SHKRIMTARI) në kohën e tashme. Në një kohë që një autor që nuk është hack, por që i do krijimet e veta si t’i kishte fëmijë, shqetësohet për fatin e librave që ka nxjerrë tashmë, jo për fatin e librave që do të nxjerrë.

Përfytyroni të takoni një nënë dhe ta pyesni: çfarë fëmije po bëheni gati të lindni këtë vit?

Ose të takoni një çift dhe ta pyesni: a do të kemi një fëmijë të ri prej jush së shpejti?

Vështirë ta shpjegosh – të paktën me logjikë – interesimin obsesiv të mediave për letërsinë në kohën e ardhme; pa supozuar se personi që pyet kështu është thjesht budallë. Sepse kjo është nga ato pyetje që e sjellin paranojën me vete. Duket sikur nënkuptojnë se askush nuk e mban mend, dhe as e çan kryet për çfarë ke botuar deri më tash; dhe se unë, intervistuesi, nuk kam lexuar gjë prej teje, por vetëm di që ti shkruan; dhe se është gjithnjë më lehtë të pyesësh për një libër që nuk ka dalë, se për një libër që ka dalë.

Implikimi tjetër është se çfarë ke shkruar deri më sot mund të jetë OK, por vetëm sa për të të dhënë mundësinë të japësh një intervistë, madje këtë intervistë këtu; përndryshe, e vetmja trashëgimi publike, e atyre që ke botuar, është shpresa se një ditë do ta nxjerrësh më në fund “librin”, ose atë gjë për të cilin do të mbahesh mend.

Implikimi i tretë, mendjelehtë, është se një autor mezi ç’pret të flasë për një proces aq delikat, aq kapricioz, aq të lëndueshëm, sa ç’është procesi i ngjizjes dhe i krijimit të një teksti.

Më i keq është implikimi i katërt: se veprat që ti ke nxjerrë nuk i mban mend kush dhe se i vetmi rol i tyre ka qenë që të të japin ty statusin e shkrimtarit, ose atë status që të ka sjellë tani para mikrofonit, kamerave, meje, etj; Dhe se ti i përket asaj kategorie krijuesish ameba, që lëvrijnë në sipërfaqen e një flluske – dhe të cilëve veprat nuk u hyjnë dot në kasafortat e kulturës, ose në raftet e praruara ku ruhen monumentet kombëtare. Në këtë kuptim, edhe të konkurrosh për një çmim merr rëndësi më të madhe se fakti që ti – ta zëmë para dhjetë vjetësh – e ke fituar një çmim.

Të gjitha këto implikime, njëri më i pashijshëm se tjetri, kanë të bëjnë me një çarje të thellë mes së kaluarës dhe të ardhmes letrare: nga njëra anë, veprat dhe autorët e balsamosur, reliket në tempullin e kulturës kombëtare (dhe që, me pak përjashtime, nuk lexohen më, përveçse në shkolla); nga ana tjetër, letërsia që do të vijë, për të cilën po punohet, po investohet, po planifikohet, mbase edhe po ëndërrohet.

Çfarë i mungon këtij modeli, është e tashmja letrare, e cila hë për hë manifestohet vetëm nëpërmjet performativit; në kuptimin që një shkrimtar nuk vjen aq në vështrim për çfarë ka bërë, se për çfarë po bën tani; dhe se autor është – me përkufizim – jo ai që ka shkruar, por ai që shkruan, pandalshëm, dhe ai që flet për çfarë po shkruan. Është një lloj marrëzie që e dëbon librin nga fokusi, për të vendosur aty një diçka të mërzitshme, okazionalisht megalomane: shkruesin.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Kopertina: René Magritte, La Mémoire, 1948.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin