FURACAKËT (nga SAKI)

marrë nga vëllimi The Toys of Peace (postum, 1923)

përktheu Arben Dedja

Në një pyll shekullor diku në zgjatimin lindor të Karpateve, një natë dimri, një burrë rrinte tërë sy e veshë, si në pritje që një kafshë e egër të hynte në fushën e tij pamore, pra ku ia kapte dyfeku. Por preja për praninë e së cilës vigjilonte me aq zell nuk figuronte në listën e kafshëve “të gjuajtshme” të kalendarëve sportivë; Ulrich von Gradwitz hetonte pyllin e zi në kërkim të një armiku njerëzor.

Pyllishtet e Gradwitz-ëve ishin të mëdha dhe të pasura me faunë të egër; rripi i ngushtë dhe i rrëpirët i tokës në cep të tyre, nuk ish me emër edhe aq për gjahun që fshihte, as për rastet që ofronte për gjueti, por ngaqë, nga të gjitha trojet, ishte ai që pronari i tij e ruante me më shumë xhelozi. Një grindje ligjore e bujshme në kohën e të gjyshit, e kish zhvatur atë copë pylli nga zotërimi i paligjshëm i një familjeje fqinjë, pronarë të vegjël tokash; pala tjetër kurrë nuk e pranoi vendimin e Gjykatës dhe një varg i gjatë pretimesh me qëllim gjuetinë paligjshme dhe hajnish i kishin helmuar raportet mes dy familjeve tash tre breza. Një inat i thjeshtë mes fqinjësh qe shndërruar në përplasje personale qyshkur Ulrich-u ishte bërë kryefamiljar; në kish njeri në botë që urrente dhe i uronte çdo fatkob, ky ishte Georg Znaeym-i, trashëgimtari i rragatës nga pala tjetër dhe gjuetar i palodhur kundravajtës në pyllin që mbulonte trojet e sherrit. Hakmarrja mund të ish shuar dhe mund të arrihej edhe një kompromis, sikur të mos kish dashaligësi që strukej në shpirtin e të dyve; të etur qysh djem për gjakun e tjetrit, burra tashmë, luteshin që mbi kundërshtarin të binin fatkeqësitë më të mëdha dhe, atë natë dimri plot erë, Ulrich-u kish thirrur tërë pyllrojtësit ç’kish e ku kish për të kontrolluar pyllin, jo në kërkim të ndonjë preje katërkëmbëshe, por për të përgjuar vjedhësit që, të hedhur në tokat e tij, dyshonte se endeshin aty akoma. Kaprojtë, që zakonisht strehoheshin në ndonjë fushëgropë kur ngrihej murrlani, atë natë vraponin si të çakërdisur dhe, bile, edhe krijesat e mësuara të flinin gjatë orëve të territ, endeshin të paqeta. Pa dyshim, gjendej në pyll diçka që i turbullonte dhe që Ulrich-u nuk e kish të vështirë ta merrte me mend.

U largua nga rojtarët që i kish vënë të zinin pritë lart në kreshtë duke zbritur skërkën dhe gjethurinat e dendura të nënpyllit, që të mund të hetonte trung më trung, të dëgjonte ulërimën e erës mes degëve që tundeshin nga fshikullimat pa pra dhe të rrekej kështu për të kapur një çap, një zhurmë të gjuetarëve të paligjshëm. Të kish pastaj, këtë natë të kobshme, mbështjellë nga terri, të haste Georg Znaeym-in, burri burrit, pa shpirt të gjallë rrotull – ky qe gjakimi që në trurin e tij sundonte çdo tjetër merak. E, tek i sillej rrotull trungut të një ahu vigan, u gjend ballë për ballë me atë që kërkonte.

Dy armiqtë ia ngulën sytë njëri-tjetrit, në një çast të stërgjatë dhe të pafjalë. Të dy kishin pushkën në dorë, urrejtjen në zemër dhe etjen për gjak në tru. Rasti i kish puqur për ta lënë të shpërthente gjakimin e një jete. Por një burrë i rritur me mësimin që të respektojë kanunin dhe qokat e jetës qytetare nuk mund t’i shtijë ashtu fët e fët e me mendje të ftohtë fqinjit të vet pa shqiptuar një fjalë, veç mos u ndeztë nga ndonjë fyerje për vatrën, nderin. Dhe përpara se ai çast ndërdyshjeje t’ia linte vendin veprimit, Natyra ndërhyri me një akt mujshar. Gjëmimi i shtrëngatës u ndoq nga poterja e një krisme mu mbi kokat e të dyve dhe, përpara se të mund të shmangeshin me një hop, trupi vigan i ahut u shemb mbi ta me rropamë. Ulrich von Gradwitz-i u gjend përdhe, me njërin krah të mpirë nën vete dhe tjetrin gati tërësisht të penguar nga degët e bigëta, teksa të dyja këmbët i ndjente të gozhduara nga pesha e pemës. Këpucët e rënda të gjuetisë e kishin shpëtuar që këmbët të mos i dërrmoheshin, por edhe pse frakturat ishin më pak të rënda nga ç’ish e arsyeshme të mendohej, gjithsesi, dukej sheshit që nuk do të mund të çohej prej aty pa ndihmë. Degët, në të rënë e sipër, ia kishin çjerrë lëkurën e fytyrës dhe iu desh të shkundte pika gjaku duke pulitur qerpikët përpara se të rrokte me një vështrim shkatërrimin përreth. Përbri, aq afër sa të mundkësh, në rrethana më të zakonshme, ta prekte bile, dergjej Georg Znaeym-i; ishte gjallë dhe përpiqej si e si të çlirohej, por, natyrisht, edhe ai ish gozhduar përdhe, pa forca. Rrotull, turra të shpartalluara degësh të thyera.

Lehtësimi që qe ende gjallë dhe pezmatimi për pamundësinë për të lëvizur, çuan në buzët e Ulrich-ut një përzierje lutjesh falenderuese e mallkimesh të hidhura. Georg-u, gati i verbuar nga gjaku që i cirkonte sysh, reshti për një çast së përpëlituri, vuri vesh dhe pastaj shpërtheu në një të qeshur të shkurtër skërmitëse.

“S’paske vdekur, pra, siç do të bëje mirë, por je edhe ti i i ngujuar” klithi; “i ndryrë. Pa shih, ç’shaka, Ulrich von Gradwitz-i në grackë në pyllin e vjedhur. E po ja drejtësia!”

Dhe e qeshura e tij tallëse, e egër, tingëlloi prapë.

“Jam i ngërthyer në pyllin pronë e imja”, ia ktheu Ulrich-u. “Kur njerëzit e mi të vijnë për të na nxjerrë që këtu, do të duash, ndoshta, të ishe kapur në një hall më të vogël se duke gjuajtur kontrabandë në tokat e një fqinji, turp të kesh.”

Georg-u mbet do çaste i heshtur, pastaj u përgjigj, zëulët:

“Je vërtet i sigurt që njerëzit e tu do të gjejnë kë të lirojnë? Janë edhe të mitë sonte nëpër pyll, këtu rrotull, dhe ata do të mbërrijnë të parët. Kur të më nxjerrin nga këto degë të nëmura, pak gjë do t’u duhet për të ta rrokullisur trungun vigan përsipër. Të tutë do të të gjejnë të cofur nën ahun e rrëzuar. Siç e do kanuni, do t’i nis edhe unë ngushëllimet e mia familjes sate.”

“Këshillë e çmuar” tha Ulrich-u, ftohtë. “Njerëzit e mi kanë urdhër të më ndjekin nga pas kur të kenë kaluar dhjetë minuta e, them, se ndërkaq kanë kaluar të paktën nja shtatë, dhe kur të më nxjerrin që këtu – do të kujtohem për ç’më the. Vetëm se, meqë do të gjehesh i vdekur si gjuetar i paligjshëm në tokat e mia, s’më ka hije t’i nis një mesazh ngushëllimi familjes.”

“E po mirë” u skërmit Georg-u, “mirë. Le ta kryejmë këtë dyluftim gjer në vdekje, unë, ti, qehajajtë e pyllrojtësit tanë, pa furacakë të tjerë të mallkuar përmidis. Vafsh prapa diellit e qofsh i mallkuar, Ulrich von Gradwitz.”

“Gjithashtu, Georg Znaeym, cub pyjesh, hajn gjahu.”

Të dy folën me helmin e një humbjeje të mundshme, se secili syresh e dinte që mund të kalonte mjaft kohë përpara se njerëzit e tyre t’ia nisnin kërkimeve; vetëm rasti do të vendoste cila palë do të mbërrinte e para.

Të dy i kishin braktisur përpjekjet, të kota, për t’u çliruar nga masa e degëve që i bllokonte; Ulrich-u u mjaftua të përpiqej për të nxjerrë, me krahun pjesërisht të lirë, pagurin me verë që mbante në xhepin e gunës. Edhe kur e çoi punën deri në fund, iu desh një kohë e gjatë përpara se të mund ta hapte dhe të rrëkëllente një gllënjkë. Pa ç’dhuratë prej Qielli që iu duk! Dimri ishte ende i butë dhe nuk kish rënë akoma mjaft dëborë, ndaj dy robërit nuk vuanin nga të ftohtët aq sa ç’mund të sugjeronte stina; gjithsesi, pija e nxehu dhe e gjallëroi të plagosurin dhe ish me një fërgëllim gjithë mëshirë që ia hodhi sytë hasmit që luftonte për të fashitur gulçima dhimbjeje dhe drobitjeje.

“A e kap dot pagurin, po të ta hedh?” pyeti befas Ulrich-u; “ka verë të mirë, pse të mos e ngushëllojmë ca veten? Le të pimë, edhe pse njëri nga ne do të vdesë sonte.”

“Jo, nuk shikoj dot; shumë gjak në sy” tha Georg-u. “Le që nuk pi me hasmin.”

Ulrich-u nuk hapi gojë ca kohë, vetëm dëgjonte cingërimën turbulluese të erës. Një ide po ngjizej ngadalë në mendjen e tij, një ide që merrte vlug sa herë shihte tjetrin të përpiqej aq mundimshëm kundër dhimbjes dhe lodhjes. Me dhimbjen dhe sfilitjen që ai vetë po provonte, urrejtja e vjetër filloi t’i zbehej.

“Komshi” tha atëbotë, “bëj ç’të të dojë qejfi po qe se njerëzit e tu vijnë të parët. E terezitëm paktin. Por unë ndërrova mendje. Po qe se të mitë vijnë përpara, ti do të marrësh ndihmën në fillim, si mysafir. Jemi kacafytur si djaj një jetë të tërë për këtë rrip budallë toke, ku pemët nuk rrinë dot në këmbë pak erë në fryftë. I shtrirë këtu përtokë këtë natë, kam kuptuar që jemi treguar pa një fije mend; ka plot gjëra më të bukura jeta se të fitosh një sherr për një pronë. Po më ndihmove ta varrosim grindjen e vjetër, komshi, unë – unë do të të lyp të më bëhesh vëllamë.”

Georg Znaeym-i ndjeti gjatë i zhytur në heshtje, sa Ulrich-u kujtoi se i kish rënë të fikët nga dhimbja. Pastaj foli, me zë të mekur, ngadalë.

“Ç’do t’i shqyente sytë një trevë e tërë dhe do të fliste çapraz po të na shihnin të kalërojmë së toku në sheshin e pazarit. S’ka njeri të gjallë të ketë parë një Znaeym dhe një von Gradwitz të bisedojnë me sho-shokun miqësisht. E ç’paqe do të ish për qehajajtë e pyllrojtësit nëse sonte hakmarrja do të merrte fund. Dhe po të vendosnim t’i pajtonim familjet tona, askush s’mund të ndërhyjë, jo furacakë prej së jashtmi … Ti do të vije ta kaloje natën e Shën Silvestrit në vatrën time, unë do të vija për të kremtuar ditë të tjera festash në kështjellën tënde … Një plumb të vetëm se do ta shtie në tokat e tua, veç në mos më ftofsh ti për gjah; dhe ti do të vish me pushkën tënde krahut në ligatinat e mia plot shpezë të shijshme. Nuk ka burrë në gjithë krahinën që të mund ta ndalojë pajtimin tonë, po ta duam. Gjë tjetër nuk kisha kujtuar të mundshme, pos të të urreja tërë jetën, por në këtë gjysmë orën e fundit fillova t’i shoh gjërat me tjetër sy. Le që më ndeve paguren tënde me verë … Ulrich von Gradwitz, do të të jem mik për kokë.”

Për një farë kohe ndejtën në heshtje, duke peshuar ndryshimet e mrekullueshme që ai pajtim dramatik do të sillte me vete. Në pyllin e ftohtë dhe të zymtë, me erën që fshikullonte degët lakuriqe dhe vërshëllente rrotull trungjeve, ndejtën në pritje të një ndihme që do t’u jepte liri dhe shpëtesë të dyja palëve. Fshehtas, secili u lut që të ishin njerëzit e tij që t’ia mbërrinin të parët, për t’i treguar kështu vëmendjen që meritonte hasmit bërë mik.

Pastaj, kur era pllakosi për një çast, Ulrich-u e theu heshtjen.

“Le të thërrasim për ndihmë” tha; “në këtë bunacë mbase zërat tanë dëgjohen.”

“Nuk shkojnë shumë larg, përmes gjethurinave të dendura dhe gjithë këtyre pemëve” tha Georg-u “po le ta provojmë. Së bashku, atëhere.”

Të dy lëshuan një kushtrim të gjatë gjuetarësh.

“Prapë së bashku” tha Ulrich-u pas pak, mbasi kish pritur më kot ndonjë jehonë që përgjigjej.

“Diçka dëgjova kësaj here, më duket” tha Ulrich-u.

“Unë hiçgjë, veç kësaj ere të mynxyrshme” tha Georg-u, me zë të ngjirur.

Pasuan minuta të tjera heshtjeje, pastaj Ulrich-u nxori një klithmë gëzimi.

“Shoh ca silueta të afrohen mes drurësh. Po ndjekin të njëjtin shteg që mora për këtu.”

Të dy thirrën me sa zë kishin.

“Na dëgjuan! U ndalën. Na panë. Po vrapojnë drejt nesh” klithi Ulrich-u.

“Sa janë?” pyeti Georg-u.

“Nuk i dalloj dot mirë” tha Ulrich-u; “nëntë a dhjetë.”

“Atëhere qenkan të tutë” tha Georg-u. “Unë kisha vetëm shtatë me vete.”

“Po vrapojnë me sa mund, çunat trima” tha i kënaqur Ulrich-u.

“Janë të tutë?” pyeti Georg-u. “Janë të tutë?” përsëriti me padurim, ngaqë Ulrich-u nuk po përgjigjej.

“Jo” tha Ulrich-u duke qeshur; e qeshura idiote e një njeriu të ndërkryer nga një lemeri e përçudshme.

“Cilët janë?” pyeti Georg-u me padurim, duke u përpjekur të shquajë atë që tjetri do të kish qenë i lumtur të mos e kish parë kurrë.

Ujq.”

1 Koment

Lini një Përgjigje te r.th.Anuloje përgjigjen

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin