TIRANA DHE CITADELA

Që shumë nga sfilitjet e sotme të Tiranës e kanë burimin te konflikti mes qytetit dhe kryeqytetit, këtë e kam thënë e shkruar aq herë, sa disa mund t’i kem mërzitur. Tirana qytet çon jetën e vet – ose të paktën mundohet ta çojë – si komunitet dinamik, që e organizon dhe ri-organizon gjithçka, nga alfa tek omega, brenda “mureve” të veta rrethuese; kryeqyteti, përkundrazi, vepron si një super-parazit mekanikburokratik, pa shpirt, i orientuar drejt përfaqësimit jo përkatësisë, që sot ka marrë trajtat e një shenjuesi elitar, post-modern, të ndarë me thikë nga i shenjuari ose pavetëdija totalitare. Objekte a institucione mirëfilli qytetare, si sheshi (duhet ndoshta të them Sheshi), stadiumi, teatri, pallati i Sportit, biblioteka, kopshti zoologjik, kinemaja, fusha e lojërave, libraria, parku, por edhe të tjera më modeste, si pema, trotuari, stoli, statuja publike, shatërvani, kanë hyrë në krizë për shkak të brutalitetit me të cilin u është qasur pushteti, për t’i rekrutuar e përdorur si shenjues të diçkaje politike, manipuluese, tru-shpëlarëse. Banorët e Tiranës qytet, të vjetër a të rinj qofshin, e ndiejnë dhe e vuajnë këtë torturë që po i bëhet hapësirës së tyre, prandaj reagojnë ashtu siç munden. Idealisht, interpretuese e këtyre reagimeve dhe përpjekjeve për ta ruajtur qytetin përballë rrezikut jetik që i vjen nga kryeqyteti duhej të ishte Bashkia, me kryetarin në ballë. Mirëpo kjo nuk ndodh, sa kohë që kryetari, qartazi i identifikuar me partinë në pushtet, përçon në qytet politikat e kryeqytetit Laputa dhe me gjasë synon që ta përdorë eksperiencën e tanishme (edhe) si trampolinë drejt postesh të tjera më të larta; ose si katapultë nga qyteti poshtë te “citadela” lart, atje ku marrin mundimin të jetojnë gjak-kaltrit e momentit. A mund të shmanget kjo? Mbase mund të kalohej një ligj që t’i përjashtonte kryetarët e bashkive të qyteteve të mëdha dhe veçanërisht të Tiranës nga mundësia për të marrë në të ardhmen poste në pushtetin qendror: do të kisha më shumë besim te një Erion Veliaj që ta mbyllte karrierën e vet politike si kryebashkiak i Tiranës, sesa te një Erion Veliaj që të ndiqte shembullin e Ramës ose të Bashës; për të cilët të dy mund të thuhet me siguri se e shfrytëzuan pozitën e tyre në krye të pushtetit lokal për t’iu afruar “Olimpit.” Kjo nuk do ta shpëtonte krejt Tiranën qytet nga hija e Tiranës (Laputës) kryeqytet, por të paktën do t’u jepte qytetarëve pak shpresë më tepër, se do të mund ta shijonin qytetin e tyre pa u merakosur shumë për ambiciet e “citadelës.” Përndryshe, një zgjidhje tjetër, sadoqë krejt fantastike, do të ishte referendumi për ta dëbuar kryeqytetin nga Tirana – dhe për ta degdisur, bie fjala, në Burrel ose në Përrenjas. Ndoshta elitat tona politike ende nuk janë aq qytetarisht të pjekura, sa të meritojnë të thithin të njëjtin ajër (sado të ndotur) me qytetarët e Tiranës; aq më tepër që një pjesë e gjak-kaltërve janë zhvendosur tashmë drejt periferive, komuniteteve të gardhuara, fshatrave dhe kodrave rezidenciale, të bindur se në Tiranën “e tyre” tashmë nuk jetohet dot më – pa çka se e modeluan vetë. Ndoshta. Edhe vetë banorët e qytetit të thonë se kështu nuk – meqë nuk po arrijnë as të ndajnë të njëjtin peizazh urban me fëmijët e tyre; se Tirana është shumëzuar në po aq mbivendosje sa ç’janë edhe brezat; se nuk ka më një Tiranë, por disa të tilla, të gjitha të gjymtuara, si mbishkrime të cunguara, që nuk deshifrohen dot më. Bulevardi i madh, për mua, është sot po aq i pakuptueshëm sa ç’mund të jetë për një adoleshent; por pakuptimi im nuk i ngjan pakuptimit të këtij; dhe as pakuptimit që përjetojmë të dy, kur duam t’i flasim njëri-tjetrit si qytetarë. Kur më qëllon ndonjëherë të marr një taksi, për të shkuar diku, dialogu im me taksistin për t’i treguar drejtimet do të meritonte citim te një komedi absurde; teksa hidhemi të dy nga një ish- te një ish- tjetër, duke u përpjekur të gjejmë diçka të përbashkët në të kaluarat tona të ndryshme, sa kohë që të tashmet i kemi të kithëta. Iluzioni i horizontit gjeografik të njëjtë nuk e mbulon dot më shkërmoqjen; dhe është pikërisht kjo Tiranë, që po shpërbëhet si ajsbergu kur u afrohet ujërave tropikale, që u dhimbset tiranasve. Prandaj edhe çdo aksident, çdo incident, çdo katastrofë, që nga shembja e një muri te shembja e një stadiumi, që nga zhdukja e kinemave si të ishin specie të rralla të Amazonës, te kërcënimi që i bëhet tani selisë së Teatrit Kombëtar, te zjarri dhe uji në Bibliotekën Kombëtare, që nga ngushtimi progresiv i trotuarëve te pluhurosja e përgjithshme e pemëve dhe sulmi kimik i gazrave e partikulateve e polenit veçanërisht toksik dhe agresioni vizual i fasadave psikadelike të pallateve, gjithçka interpretohet tani si omen biblik, si paralajmërim i fundit – jo të botës por të Tiranës qytet, si ndëshkim hyjnor për mëkatet e politikës (lexo: të kryeqytetit). Sepse Tirana qytet, në të vërtetë, kërkon të konsolidojë dhe të ri-organizojë të shkuarën e vet duke ia qetësuar dhe mjekuar shenjat dhe shkronjat, ndërsa kryeqyteti, në mënyrë politike tipike, sheh vetëm nga e ardhmja, pa çka se manifestohet, në praktikë, si ndonjë lloj ekskreshence a tumori griffato. Dhe nëse dje pushteti totalitar e kish sendërgjuar “citadelën” si një lloj komande garnizoni me sekrete, roje dhe protokolle të rrepta, ky i sotmi po i jep, së njëjtës “citadelë”, natyrë quasi koloniale, ngaqë haptazi hiqet sikur e merr legjitimitetin e vet “nga jashtë”; çfarë i jep së ardhmes edhe një ankorim, si të thuash kartografik (“e ardhmja jonë Europa”). Kjo kushedi do të shpjegonte edhe pse e shkuara e Tiranës qytet, deri edhe në elementet e veta më triviale, e ndjellur me nostalgjinë më kitsch dhe e filtruar përmes qelqeve më rozë të mundshme, ka përfunduar tani e përdorur kaq gjerësisht dhe kaq marrëzisht si drogë.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet çdo lloj riprodhimi pa leje.

20 Komente

  1. Me ke artikuluar nje mendim qe nuk po e saktesoja dot: “sheshi”, “bicikleta”, “parku”, “stadiumi”, “teatri”, etj., ne idiolektin e Tiranes politike nuk kane kuptimin e pare qe kane fjalet ne fjalorin e shqipes. Jane, tashme, kapitale, ideale politike, jane vota virtuale pro apo kunder, jane investim fitimprures ose humbes ne bursen e Kryeqytetit. “Profesionist”, “specialist”, “merite” (me “m” te vogel), “analize”, “sinteze”, “studim”, “arkitekt” jane kostume qe i vishen kukulles se radhes per te pushtuar qytetin dhe qytetaret. Newspeak is in town.

  2. Kujtoj dy gjera te harruara ne menyre qe te dale me teper ne pah pergjegjsia dhe muhabeti te behet me i pergjegjshem:

    1- Tirana eshte qytet pikerisht sepse eshte emeruar kryeqytet ne nje situate kur çdo qytet kerkonte me çdo kusht te ishte kryeqyteti i Shqiperise te sapo formuar. U zgjodh nje katund kryeqytet si kompromis midis pretendenteve qytetare qe kerkonin me çdo kusht te ishin kacup mbi te tjeret. Ne origjine Tirana ishte nje katund, dhe i tille do te kish mbetur perjetsisht, sikur psh te ishte zgjedhur Elbasani si kryeqytet.

    E kam llafne se Tirana fatalisht eshte kryqytet si kusht fillestar, e kjo mund te zhbehet me nje veprim ekuivalent: te mos jete me kryeqytet. Vetem kjo eshte zgjidhja, megjithse duket si utopike, gje e permendur ne shkrim me ironi.

    2- Qe Kryeqytetari te kishte kishte ambicje te natyrshme per tu bere Kryekombetari, ka qene nje mode e jashtme e importuar vite me pare nga Parisi dhe Roma qe eksperimentuar kete gje per here te pare. Dhe ne mos gaboj kjo ka qene perfolur si nje mode e te majtes me teorine qe urbanistica eshte e majte etj etj, teori qe ka nje lloj te vertete brenda meqe kujdesi per njerzit dge gjerat eshte me teper majtas se djathtas.

  3. Çitadela eshte njerka shkretinore dhe kataklizmike,njeherazi qe po e perthan,po e permbyt,po e betonizon,asnjanson,tere qokat orientuese.Çitadela si nje gjarper prenë e vet,Tiranen po e gllaberon,me te shkuar,te tashme,te ardhme,me ane te mallkimit te duetit diabolik Rama-Veliaj.Requiem per Tiranen,e kujtimeve tona,qe mjerisht nuk do te jete më,me shtresezimet e pafundme,si nje plak e rregjuar,qe ne sajë te kirurgjise plastike,ngjason me kukull Barbi Botoksi.

    1. Nuk e di a perfshihen ne kujtimet e zotit Adriatik Sulaj kujtimet e Tiranes se Sali Kelmendit dhe te
      Arben Brojkes, kujtime te cilat na i paskesh gllaberuar Citadela gjarper me ane te mallkimit te duetit diabolik Rama-Veliaj, kujtime te cilat vijne era shurre dhe plehra, kioska dhe ndertime pa leje, rruge te degraduara dhe fasada te rrenuara, rrjedhime te qarta te korrupsionit degjenerues, mentalitetit e dembelizmit anadollak te atyre kryebashkiakeve PD-iste qe u kishte zene detyra deren.

      Eshte vertet e cuditeshme se si simpatia, apo me mire te thuhet parapelqimi a njeaneshmeria politike, me gjere ajo ideologjike, kthehen ne nje pale syze qe e deformojne pamjen, imazhet dhe perjetimet edhe te realitetit imediat ku jetojne individet me nje handikap te tille verberie te simuluar.

      Megjithese ne Tirane, pa dyshim ka shume gjera qe mund te ishin bere me mire, madje edhe ndryshe, eshte nje fakt i pamohueshem qe “dyshja diabolike” Rama-Veliaj, e kane kthyer Tiranen ne nje qytet normal Evropian ne zgjerim dhe modernizim, ne nje qytet te kohes, te jetueshem nga banoret e saj sipas disa standarteve baze te pamjes, higjienes dhe sherbimeve ndaj qytetareve.

      Njeherazi, kjo “dyshe diabolike”, i kane mundesuar Tiranen e sotme te jete shume me prane te qenit nje Kryeqytet evropian, efikas dhe me aksesore te nevojshem per funksionet pritese diplomatike dhe turistike, me residenca, hotele, bare, restorante dhe resorte qe nuk bien me poshte ne te gjitha krahasimet kundrejt perkatesve te tyre ne Perendim.

      Me gjasa, ky (nen)vleresim dhe denigrim per punen me pasion dhe dashuri i dyshes Rama-Veliaj dhe arritjeve te tyre ne transformimin e Tiranes si qytet dhe si Kryeqytet njeherazi, vjen nga paragjykimi se ne kete rruge te tyre, ka predominuar korrupsioni dhe venja e interesave te bizneseve te medha para interesave te qytetit dhe te qytetareve te tij.

      Ne, si qytetare, shohim veprat dhe ndjejme transformimet e Tiranes.
      Paragjykimet a bazuara ne prova, duhen denoncuar, gjykuar dhe ndeshkuar, nese eshte rasti.
      Reforma ne drejtesi eshte garancia e ketij procesi, ndaj kjo reforme duhet nxitur, mbeshtetur dhe votuar.

      Forma se si Veliaj komunikon me qytetaret e tij, eshte parapelqim/zgjedhje e tij dhe nese publiku ka pretendime dhe e ka rrugen e hapur t’i shprehe ato ne kete lloj komunikimi, forma ne vetvete nuk mund te paragjykohet njeaneshmerisht.

      Une jam i mendimit se nese kryebashkiaku i nje kryeqyteti ka ambicjen per te ecur me lart ne piramiden e pushtetit, kjo vetem eshte nje prerogative dhe nxitje ne punen/detyren e tij per te punuar me perkushtim dhe me duar te pastra ne te mire te qytetit dhe qytetareve te tij.
      Eksperienca te ndryshme nga Perendimi e mbeshtesin kete perfundim.

      1. Parak, unë nuk jetoj në Tiranë, por mesatarisht 3 muaj në vit i kaloj atje, dhe disa përshtypje më konfirmohen rregullisht.

        Për shembull, që Tirana është qytet shumë i ndotur, që Tirana nuk ka ujë të pishëm, që Tirana nuk ka parqe dhe gjelbërim, që transporti publik në Tiranë është në pikë të hallit (i papërdorshëm), me përjashtim të taksive. Është shumë larg, po SHUMË LARG “qytetit modern europian”, siç e quani ju.

        Këtë jua thotë dikush që ka jetuar për një kohë të gjatë në disa qytete moderne europiane.

        Nuk besoj se është e arsyeshme të pretendohet për Tiranën që të jetë “qytet modern europian” – sepse e dimë se si ka qenë dhe ç’kulturë kemi trashëguar ne, shqiptarët, për jetën urbane. Por këtë pretendim e dëgjon të përsëritet një ditë po një ditë jo nga ekipi drejtues i Bashkisë – dhe është propagandë, që nuk i përgjigjet realitetit.

        Shkruan: “ne si qytetarë shohim veprat dhe ndiejmë transformimet e Tiranës.”

        Nuk e marr vesh se ku e gjeni të drejtën dhe forcën për të thënë “ne si qytetarë”; mund të mjaftoheshit duke thënë “unë”; ose “unë dhe kolegët e mi në Bashki” (sa për të sjellë një shembull ilustrues). Nëse kjo e drejtë ju përket për ndonjë arsye çfarëdo – p.sh. jeni kryetar i shoqatës së qytetarëve të Tiranës – ju lutem deklarojeni.

        Shkruani:

        Forma se si Veliaj komunikon me qytetaret e tij, eshte parapelqim/zgjedhje e tij dhe nese publiku ka pretendime dhe e ka rrugen e hapur t’i shprehe ato ne kete lloj komunikimi, forma ne vetvete nuk mund te paragjykohet njeaneshmerisht.

        Forma në vetvete nuk mund të paragjykohet, por mund të GJYKOHET. Unë e kam bërë këtë në një seri shkrimesh, që analizojnë faqen e kryebashkiakut Veliaj në Facebook. E kam bërë nga pozitat e studiuesit, pa dashur dhe pa pretenduar që t’i jap Veliajt këshilla se si të komunikojë: jam i bindur se ai është shumë më i zoti se unë në komunikimin publik, por kjo nuk më pengon që të jap gjykime, i bazuar në të dhënat që kam dhe sipas kompetencës.

        Unë besoj se Tirana, nën drejtimin e Bashës, ishte një katastrofë totale; ndërsa me Veliajn kam perceptime të ngjashme me ato që kisha kur kryebashkiak ishte Rama. Madje më duket se Veliaj punon më mirë se Rama i dikurshëm, është më praktik, më i pranishëm, më pa pretendime dhe SIDOMOS nuk merret me art (thank God!). Në çdo rast, Veliajn mund ta kritikosh, pa kaluar menjëherë te kërkesa imperative “Veliaj ik!” – siç mund të ishte rasti me Bashën. Veliaj është ndoshta kryebashkiaku më i suksesshëm që ka pasur Tirana – por një pyetje që më ngacmon, është se ç’nevojë ka për t’i bazuar marrëdhëniet me publikun në metodën “smoke and mirrors”, duke i dhënë komunikimit të vet tone dhe forma advertoriale. Ka krijuar, përmes mediave, një personazh të konstruktuar, të skriptuar, të studiuar në tavolinë – po pse?

        Dhe, më në fund, shkruani:

        Une jam i mendimit se nese kryebashkiaku i nje kryeqyteti ka ambicjen per te ecur me lart ne piramiden e pushtetit, kjo vetem eshte nje prerogative dhe nxitje ne punen/detyren e tij per te punuar me perkushtim dhe me duar te pastra ne te mire te qytetit dhe qytetareve te tij.

        Nuk di nëse e keni ndeshur ndonjëherë The Peter Principle.

        1. Ardian, nuk mund te rri pa thene se me pelqen shume ky komenti jot (me teper si forme dhe logjike), megjithse e di se do interpretohet si akt servilizmi.

        2. “Veliaj është ndoshta kryebashkiaku më i suksesshëm që ka pasur Tirana”-A. Vehbiu

          Ndersa per mendimin tim eshte krejt e kunderta. Dhe kjo e shpjegon edhe pyetjen tuaj pasuese. I gjithe personazhi mediatik fals qe krijon Veliaj, eshte nje kompensim per ate qe ne realitet ai nuk eshte.

          Veliaj eshte kryebashkiaku qe ka ne dispozicion buxhetin me te madh qe ka pasur ndonjehere qyteti dhe qe pavaresisht kesaj ndien nje kenaqesi sadisti ndersa i shton pervit nga nje takse qytetareve te tij.

          Dhe pavaresisht ketij buxheti qe kurre nuk ka qene me i madh ai eshte edhe kryebashkiaku qe po punon me kuturu se gjithe te tjeret para tij. Nuk ka nje plan e as strategji ne punen e tij; dy rruge ketu, tre peme atje, ndonje kend i vogel lojrash pak me tej e kaq. A thua se Tirana i ka mbyllur ceshtjet e planifikimit e vizionimit.
          Madje edhe dy a tre projekte madhore me te cilat ai mburet jane ne fakt pune te nisura nga te tjeret para tij.
          Ne fakt Veliaj as qe krahasohet me asnje kryebashkiak tjeter. Nuk i afrohet dot as Rames e as Bashes, pavaresisht se edhe keta meritojne nota ngelese.

  4. Eshte vertet e cuditeshme se si simpatia, apo me mire te thuhet parapelqimi a njeaneshmeria politike, me gjere ajo ideologjike, kthehen ne nje pale syze qe e deformojne pamjen, imazhet dhe perjetimet edhe te realitetit imediat ku jetojne individet me nje handikap te tille verberie te simuluar.

    Kjo më sipër ndonëse i ishte drejtuar z. Adriatik Sulaj, na bën të gjithë ne që nuk identifikohemi politikisht dhe ideologjikisht me dyshen Rama – Veliaj t’i hedhim vetes një vështrim të mirë në pasqyrë.

    Pastaj e kupton se sa kemi evoluar, kemi ardhur “full circle”, në këto njwzetë e shtatë vjet, kur vjen dita dhe akuzohesh nga të majtët shqiptarë se e sheh realitetin me syze ideologjike. Pikërisht ajo e majtë që e kishte kthyer besimin në ideologji, në një lloj religjioni, si besim në Krisht.

    Pa asnjë paragjykimi idologjik sot kjo e majtë na fton të besojmë tek reforma në drejtësi, e cila duhet nxitur, mbeshtetur dhe votuar.

    Priceless.

  5. Vehbiu me shoke,
    Si nje lexues i hershem i blogut tuaj verej me shqetesim qe ketij blogu po i ndryshon karakteri (dhe pjaca) per shkak te komenteve dhe komentuesve shpesh here te padurueshem ne kembenguljen per t’u marre me ate qe ne shqip i themi “politike”.
    E them kete me keqardhje dhe me shqetesim. Pervoja ime si shqiptar emigrant me deften se ishujt e bashke-eksperiences virtuale shqiptare fundosen nga artileria e neveritshme e retorikes se jo me shume se nje grushti njerezish…
    Ndjese 1000 here qe po komentoj mbi punen tuaj!

    1. Janë disa tema që tërheqin komente me natyrë politike, dhe duhen diskutuar politikisht. Ajo çfarë ne, si Peizazhe të fjalës, u japim lexuesve janë shkrimet, jo komentet; për shkrimet mbajmë përgjegjësi, shkrimeve u dalim zot. Përkundrazi, hapësirën e komenteve e “bëjnë” komentuesit dhe ne, si moderatorë, nuk mund të ndërhyjmë përveçse kur ka shkelje flagrante (teknike ose etike). Por edhe te komentet, nuk besoj se është kaluar masa, madje ka aty, prej disa kolegëve, përpjekje shumë serioze dhe kompetente për të argumentuar pikëpamjet, edhe pse ndonjëherë të kundërta. Madje unë besoj se është mirë kur diskutimet politike zhvillohen në një hapësirë të moderuar.

      1. Problemi nuk eshte se diskutohet per politike, problemi eshte kur diskutanti eshte i motivuar vetem nga politika, dmth vetem nga urrejtja per kundeshtarin. E ne kete ambjent ta do mendja te futet vetem ai qe e ka per zanat kete lloj diskutimi, dhe perfundimisht te mbeten ne mejdan si fitimtare keto lloj diskutantesh. E sigurte qe ne fund fare do te mbetet vetem mejdani.

        Ky lloj motivacioni nuk ka te beje shume me llojin e komentimit, ne kuptimin qe komentimi mund te jete me edukate standard, formalisht s’ke nga e kap, por helmin e ka brenda. Gje qe eshte rast me i keq, nuk ke çfar i thu komentuesit, se formalisht eshte ne rregull, por me nje shqise te gjashte – qe jo shumekush e ka – ne rregull nuk eshte fare.

        Tjeter problem eshte – fatkeqsisht akoma i pakuptuar dhe ndergjegjsuar – se mbas vitit 1989 politika ka ngordh si motivacion pozicionesh te percaktuar pak a shume qarte, kemi hyre ne mbreterine e anarkise, e sipas arsyetimit me siper, helmi politik nuk eshte me koncentrat si dikur, eshte bere solucion i holluar. Gje qe eshte me keq, por edhe me mire, varet sipas kontestist te kuvendit dhe kuvendimit.

        Tjeter, tani eshte bere me se e qarte kotesia e diskutimit; e mire apo e keqe kjo gje, varet edhe kjo prej kontestit. Tani çdo teme, e ster rrahur per nje shekull te tere, i ngjan nje tullumbaci ku diskutantet e ndukin dhe terheqin nga te gjitha drejtimet me elasticitet, por qe realisht tullumbaci eshte ai qe eshte, dhe mbas diskutimit mbetet ai qe eshte. Nje shembull i fresket, komentin e Ardianit me siper Trekendeshi e ka kthyer si xhongler ne te kundert. Dhe s’ke çfar i thu fare, logjika funksionon per mrekulli ne te dy rastet, vetem se tullumbaci mbete ne mes si perfundim. Mbetesh dhe ti qe veshtron tullumbacin.

        Mund te vazhdoja me tej, dhe e kam shume kete deshire, per me teper sepse jam i sigurte qe motivacionin e kam te mire, por nuk jam i sigurte nese ju ben mire diskutanteve. E sigurte qe kush eshte zgjuar i ben mire, por kush flen si sonambul lere te fleje, mos e zgjo se rrezohet nga maje e pullazi ku ecen symbyllurazi me krahet zgjatur perpara.

  6. Dy fjalë për miqtë e nderuar të shqetësuar me të drejtë nga diskutimet me përmbajtje politike në këtë blog. Mendoj se arsyet përse flasim për politikë janë në natyrën e problemeve, të plagëve ekonomike, emigratore, arsimore, shëndetësore, kulturore, dhe urbane që Shqipëria i ka dhe i ka pasur me shumicë. Si të thuash mund të flasësh për semiotikën e kryetarit të bashkisë, por gjuha literalisht dhe fizikisht shkon aty ku dhëmb dhëmballa. Dhe arsyet e dhimbjes tek rrënjët e dhëmballës nga shkon gjuha (semiotika) janë politike. Në fakt është e mundur të merresh vetëm me arsyet e gjuhës dhe mënyrës se si ajo lëviz, duke qënë koshient se nuk do merresh me gjetjen e problemit të dhimbjes. Por, në disa tema këtu ky nuk ka qënë rasti, pra është përdorur gjuha për të shkuar tek problemet.

    Aspekti i dytë ka të bëjë me ndasinë politike, dikotomia i majtë – i djathtë. Mendoj se të gjitha problemet mendoj se është e mundur të marrin zgjidhje rracionale, as I majtë dhe as i djathtë. Por në realitet ato marrin zgjidhje sipas tipareve të aktorëvë politikë, që sipas rastit janë të majtë ose të djathtë. Për shebull le të marrim ekonominë. Problemet sociale, sidomos ato urbane, për hir të stabilitetit që kërkojnë, nuk i përshtaten lirisë së tregut që priret drejt paqëndrueshmërisë. Kurse, tregtia e domateve, me të cilën merren më shumë shtresat e varfëra sesa oligarkët, e ka të nevojshme lirinë ekonomike, uljen e taxave, që të nxisin stabilitetin social të këtyre shtresave por edhe ngritjen e tyre ekonomike graduale. Por nëse do pyesësh një aktor politkë të majtë ose të djathtë, i majti do mbrojë kontrollin taksat dhe planifikimin në ekonomi si për çështjet urbane, ashtu edhe për tregtinë e domateve, kurse i djathti do mbrojë lirinë e tregut në të dyja rastet. Llogjika ta do se si politikat ekonomike të tregtisë së domateve të së majtës, ashtu edhe politikat ekonomike urbane të së djathës janë politika të gabuara, pra nuk janë racionale, por fatkeqsisht janë të tipizuara në sitemin ekonomik dhe politik. Ndërkohë ka edhe paradokse të tjera, kur një politkan i majtë i përdor natyrshmërinë e përqasjeve planifikuese jo për hirë të shoqërisë, jo për hirë të kulturës, por për hir të oligarkëve. Kjo sepse planifikimi vërtet është i mirë për problemet urane, por është edhe më i manipulueshmi. Tregun nuk e manipulon dot kollaj, por specialistët i manipulon. Në shtete të majtë korruptivë kjo mundësi është edhe më e lartë duke qënë se tw majtët e zotërojnë mirë planifikimin ngase u rri natyrshëm.

    Aspekti i tretë është ai që sa herë ngrihet zëri për një problem, janë ironikisht aktorët politkë që flasin për “politizim”, ndërkohë që gjasat janë të jetë e kundërta. Kur Kukësianët i detyrojnë të dalin në protesta (sepse c’zgjidhje tjetër ka dikush që i kërkohen €10 të dalë nga shtëpia?) thonë që janë nxitur politikisht, duke harruar që politikat ekonomike dhe taksat gatuhen nga vetë politika. E njëjta gjë edhe me teatrin, ku po akuzhet aleanca si e politizuar, ndërkohë që vetë problemi ka dalë nga politika. Në këtë rast syzet ideologjike i kanë vënë ata që nuk i shohin këto probleme, jo ata që i shikojnë.

    Dhe qershia mbi tortë, kur të thonë “beso në reformën në drejtësi”. Po çfarë reforme është kjo që e lë vëndin me vite pa një gjykatë kushtetuese? A do guxonim që për hirë të reformave ta linim vendin qoftë edhe një ditë pa qeveri, pa parlament, pa presidencë? Kjo e fundit nuk ka bothë as të majtë e as të djathtë ku të rrijë.

    Të më falni, po në këtë rast them se është luks i madh të mos merresh me politikë, sado të lartë ta kesh pjacën, Dhe askush këtu nuk besoj se është politikan profesionist siç po portretizohet, apo e ka diskursin politik raison d’etre.

    1. L.A., thuaje me cilin e ke konkretisht, sepse asnje nuk ka thene te mos diskutohet per politike dhe te mos politizohet diskutimi. Vendet Tona ka shqetsimin te mos politizohet me ate qe quhet ne vendet tona “politike”, gje qe per mu nuk eshte shume e qarte, sepse fenomeni ne fjale ndeshet dhe pertej vendeve tona. Kurse une jam shpreh qarte, qe eshte problem motivacioni.

      1. Psikopati,
        Nuk e kuptoj përse më kërkon ta personalizoj? Unë ndoqa vijën e diskutimit dhe dhashë mendimin tim, pa paragjykuar askënd.

        Pastaj, qē nē Shqipēri debati politik nuk ka nivelin e duhur nuk më duket arsye për të mos diskutuar politikēn. Përkundrazi.

        1. “Ky lloj motivacioni nuk ka te beje shume me llojin e komentimit, ne kuptimin qe komentimi mund te jete me edukate standard, formalisht s’ke nga e kap, por helmin e ka brenda. Gje qe eshte rast me i keq, nuk ke çfar i thu komentuesit, se formalisht eshte ne rregull, por me nje shqise te gjashte – qe jo shumekush e ka – ne rregull nuk eshte fare.”

        2. Një lutje a këshillë a udhëzim a rregull prej meje si moderator: mos i personalizoni komentet, mos u merrni me komentuesit, por me ato që thonë. Me shumë pak përjashtime, komentuesit këtu nuk e njohin njëri-tjetrin dhe pseudonimet që përdorin nuk janë veçse etiketa që mbulojnë tërësinë e komenteve përkatëse. Kësaj hapësire nuk i intereson krijimi, kultivimi dhe mirëmbajtja e personazheve – sepse nuk është chat room dhe as ka për synim argëtimin e vizitorëve. Më tej, komentet që gjykohen si të papërshtatshme mund të fshihen, pa paralajmërim dhe pa shpjegim të mëtejshëm, nga një administrator ose moderator (dhe recidivistët të vihen në moderim dhe pastaj të përjashtohen nga komentimi) dhe liria për të komentuar te një shkrim mund të refuzohet en bloc, pa qenë nevoja për të shpjeguar arsyet: Ekzistenca e një hapësire për komente nuk i garanton askujt vetvetiu të drejtën për të komentuar. E vetmja e drejtë që u njihet komentuesve këtu është që këtyre t’u ofrohet – brenda mundësive – mbrojtje ndaj fyerjeve personale dhe sulmeve ad hominem, qoftë edhe në adresë të pseudonimeve përkatëse. “Peizazhe të fjalës” vërtet i ofrohet publikut falas, por nuk është pronë publike. Çdo lloj pjesëmarrjeje në “Peizazhet”, përfshi edhe thjesht shfletimin, parakupton njohjen e këtij fakti.

        3. Praktikisht ne kete menyre i bi te mos kete diskutime midis kolegeve (gje e pamundur), te cilat natyrshem do merren me personin. E te merrresh me personin nuk do te thote t’i thuash qe ke hunden e shtrembet, por qe ke argument te shtrembet. Me thene te drejten mu me djeg me teper kur me thone qe ke argument te shtrembet, se hunde te shtrembet.

          Praktike tjeter i bi te jete qe ne vend te perdoret qitje altilerie me flurudhe topi, te perdoret me flurudhe mortaje. Gje e sapo vene praktike ne komente me lart; po gjuj edhe une me mortaje pa permend personin per te qene ne rregull me rregullat. Lodra e femijnise: le t’i bi kujt t’i bi, vetes time mos t’i bi.

          Nuk shkohet ne asnje vend me rregulla formale, pa i pasur brenda si edukate. Behen me te ndjere gjerat.

        4. Në këto 12 vjet, “Peizazhe të fjalës” ka pasur mbi 37,000 komente (i numëron WordPress-i), nga të cilat praktikisht të gjitha u janë përshtatur udhëzimeve/rregullave parashtruar prej meje më lart. Modeli ka funksionuar mirë, meqë është treguar produktiv dhe moderatorëve nuk u ka sjellë shumë kokëçarje; nuk gjej arsye pse duhet ndryshuar tani, aq më tepër që preokupimi ynë kryesor këtu (po lejohem të flas edhe për Parullën) nuk janë komentet, por temat dhe raporti mes tyre.

          Nuk ia kemi kujt me të keq. Ata që vijnë këtu si trollë i dallojmë menjëherë dhe i trajtojmë në heshtje; të tjerët përpiqemi t’i bindim derisa të mësohen, por edhe vetë mësojmë ndërkohë. Gjithsesi kjo për ne është çështje dytësore, dhe besoj e bezdisshme për shumicën e lexuesve që vijnë këtu çdo ditë për të lexuar.

        5. E po kane ndryshuar kohet pa u vene re.
          Nejse, une teper e zgjata, nuk po e zgjas me, se duke u mundu t’i ve vetullat, rrezik po i nxjerr syte.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: