Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Mjedis / Urbanistikë

BREATHWORK

INHALE

Në 28 maj 2013, një grup prej 50 qytetarësh mblidhet në protestë kundër prishjes së paralajmëruar të parkut Gezi në sheshin Taksim, Stamboll. Parku me gjithë pemët e veta ishte dënuar me prishje, për t’ia lënë vendin një qendre tregtare. Brenda pak ditësh, protesta paqësore e nisur si përpjekje për të ruajtur nga mbizhvillimi dhe hiperkomercializimi, një nga hapësirat e pakta të gjelbra në metropolin turk u përkrah nga miliona qytetarë/e, që u ngritën të protestojnë kundër arbitraritetit të dhunës së dyfishtë: prerjes së pemëve në park dhe dhunimit të protestuesve me gaz lotsjellës e ujë me presion. 11 persona do të humbnin jetën, një pjesë edhe nga plagët e goditjeve me bombola gazi lotsjellës. A thua se mënyra e vetme, për ta asfiksuar dëshirën dhe kërkesën e protestuesve për më shumë gjelbërim e ajër të pastër ishte që të goditej e gjymtohej, pikërisht aparati i frymëmarrjes.

EXHALE

Kryebashkiaku Veliaj erdhi në pushtet me premtimin se nuk do të lejonte betonizimin e mëtejshëm të Tiranës, premtim që u kuptua sikur të paktën do të synonte të ngadalësonte ritmet e betonizimit. Dilemës për të balancuar zhvillimin (lejet e ndërtimit) me kërkesën për më shumë frymëmarrje iu gjet ana: do të ndërtohej një pyll “orbital”, sipas propozimit në masterplanin e një arkitekti, që kishte bërë famë me martesën e suksesshme të betonit me gjelbërimin, në një pyll vertikal në Milano. Kështu, gjelbërimi masiv i qytetit nëpërmjet mbjelljeve të rreth 2000 pemëve në periferi do të shitej edhe si “brez mbrojtës” e instrument kundër shpërhapjes urbane. Në të vërtetë ky gjelbërim (green washing) do të mbulonte me gjethe, lakuriqësinë vertikale të betonit, që po asfikson Tiranën çdo ditë.

INHALE

Rregullat dhe Kushtet për Realizimin e Pyllit Orbital të Tiranës

PYJET FRUTORE PRODUKTIVE:

“Zona ndërmjet ish komunës së Vaqarrit dhe Farkës përbën lidhjen natyrore ndërmjet Parkut të Lumit Erzen dhe Parkut të Liqenit. Karakterizohet nga fusha kodrinore, të cilat në të kaluarën janë përdorur për shfrytëzimin e aktiviteteve bujqësore, e ndikuar negativisht nga prania e landfillit të Sharrës, që kërkon vepra të rëndësishme të mitigimit mjedisor.”

EXHALE

Përpara se landfilli i Sharrës të bëhej “gropë ekologjike dhe një bombë ekologjike e Tiranës” ¹ që duhej rehabilituar me pemë frutore, landfilli ishte gropa ku 17-vjeçari Ardit Gjoklaj gjeti vdekjen. Aty, ku sot Tirana ftohet të argëtohet, të çlodhet, shkon të shijojë produktet frutore – mori frymë për herë të fundit Arditi.

INHALE

Pylli orbital me gjithë premtimet për gjelbërim e përmirësim të cilësisë së ajrit nuk i zëvendëson dot, avllitë tiranase mbushur me frutore, si hurma e shegë. Shumë shpejt do të zhduken edhe shitësit ambulantë, që shesin ndonjë frutë a perime nga kopshti. Shumë shpejt kontaktin e vetëm me pemë do ta kemi në pyllin orbital dhe në supermarket me produkte të lëmuara me dyllë.

EXHALE

Eric Garner-it iu ndal frymëmarrja gjatë arrestimit të tij për gjoja shitje ilegale cigaresh. Polici ia kapi qafën në një chokehold dhe nuk e lëshoi, ndonëse Garner-i i lutej se “nuk marr dot frymë”.

INHALE

Fakt i vogël, i domosdoshëm ¹

Ross Gay

është se Eric Garner
punoi ca kohë për Parks & Rec.
në Sektorin e Hortikulturës, që do të thotë,
se ndoshta, me duart e tij fort të mëdha,
ndoshta, me gjasë,
vendosi butë në tokë
ca bimë, të cilat, me shumë gjasë,
disa prej tyre, ka fort të ngjarë
se vazhdojnë të rriten, vazhdojnë
të bëjnë atë që bëjnë bimët, pra të strehojnë
Dhe të ushqejnë krijesa të vogla dhe të domosdoshme,
të jenë të këndshme për nuhatjen dhe prekjen,
apo të shndërrojnë dritën e diellit
në ushqim, a duke e bërë më të lehtë
frymëmarrjen tonë.

EXHALE

George Floyd u përgjërua mbi 20-herë se nuk mund të merrte frymë, teksa një polic i mbante gjurin mbi qafë. Polici që po e arrestonte, se gjoja kishte tentuar të blejë cigare me para të falsifikuara, e mbajti të mbërthyer për rreth 8 minuta e 46 sekonda.

INHALE

Mu në mes të një pandemie që rrezikon pikërisht aparatin e frymëmarrjes, protestues anembanë globit do të thyenin rregullat e distancimit social, për të kërkuar drejtësi për Floyd, duke u dhënë zë fjalëve të tij të fundit “I can’t breathe”.

EXHALE

Në një botë paralele, mijëra protestues morën rrugët për të protestuar masat anti-Covid, si kufizuese të të drejtave individuale. Maska deri tani e pranuar, si mjet parandalues kundër përhapjes së virusit u pa si objekt, që kufizon frymëmarrjen dhe liri të tjera. Heqja e maskës u përqafua prej disave si akt guximtar, për të sfiduar gjurin e pushtetit mbi individin.

INHALE

Sipas raportimeve, Klodian Rasha kish’ dalë në rrugë jashtë orarit të lejuar për lëvizje, për të blerë cigare dhe nuk iu bind urdhrit të policëve për të ndaluar, me gjasë ngaqë donte t’i shpëtonte gjobës për mosmbajtje të detyrueshme të maskës në publik.

EXHALE 

“Më shumë mjete ka policia për të na vrarë, sesa mjekët për të na shpëtuar” shkruhej në një pankartë gjatë protestave për drejtësi për Klodian Rashën. Kjo pankartë është nyja lidhëse e protestave sot në Shqipëri me protestat e Black Lives Matter gjatë verës, ku kërkohej shfinancimi i forcave të rendit dhe fuqizimi i mekanizmave alternativë, si shëndetësia, arsimi dhe strehimi.

INHALE

Deri më sot, 25 mjekë kanë humbur jetën nga Covid-19 në Shqipëri. Në 5 vitet e fundit rreth 3000 mjekë janë larguar nga Shqipëria. Covid-i nxori zbuluar krizën në shëndetësi, me të cilën jetojmë prej vitesh.

EXHALE

Tymi i zjarreve historike në shtetet perëndimore të SHBA arriti deri në NY.  Dielli dhe hëna morën një ngjyrë të rrallë të kuqërremtë. Tani të duhej të mbaje maskë edhe për t’u mbrojtur nga grimcat e tymit, që kishin ardhur nga 2000 milje larg. U tha se djegiet masive erdhën si shkak i ndryshimeve në klimë (climate change) dhe se menaxhimi modern i pyjeve kish’ çrrënjosur një praktikë tradicionale, për të ruajtur ekuilibrin e bimësisë përmes zjarreve të kontrolluara.

INHALE

Më pëlqen ta imagjinoj djegien e pemës në Sheshin Skënderbej, si një djegie të kontrolluar, si ato të fëmijërisë, kur digjnim ndonjë gomë makine për Ditën e Verës. Kemi mbajtur vetëm simbolikën e zjarrit nga ky rit pagan, që përgatit tokën për pjellori, duke eliminuar bimësinë e padëshiruar dhe duke e ripërtërirë me mineralet e hirit.

Fakti i vogël, i domosdoshëm që hurmat që kishte Klodian Rasha në dorë të çelin një ditë një pemë, duke na e bërë më të lehtë frymëmarrjen.

 

¹ Përktheu nga origjinali Sokol Çunga

 

Shkrimi dhe imazhi në kopertinë ribotohen me leje nga revista SHOTA.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin