ENË QË NUK NXËNË

Kam shkruar këtu për një ekspert amerikan të administrimit, që e kishin ftuar për të mbajtur një leksion me biznesmenë në një vend të Europës Lindore.

Tema e leksionit tim, thotë ai, ishte dallimi midis responsibility (përgjegjësisë) dhe accountability (përgjegjshmërisë).

Leksioni po i përkthehej në konsekutiv.

Diku aty nga mesi i leksionit, vazhdon ai, vura re – jo pa një farë neverie me veten dhe me botën dhe me kullën e Babelit – se përkthyesi im kishte përdorur të njëjtën fjalë, për të dhënë në gjuhën e vet edhe “responsibility”, edhe “accountability.”

Ja një problem serioz –sepse ka gjuhë që nuk e bëjnë një dallim të tillë, edhe kur munden (si shqipja); çfarë do të thotë se nuk e ndiejnë nevojën për ta bërë.

M’u kujtua kjo anekdotë kur po lexoja një pasazh nga Ivan Illich (në Deschooling society), ku ai shpjegon se shkolla moderne e stërvit nxënësin “to confuse teaching with learning”, sikurse e stërvit për të ngatërruar përparimin vit pas viti me edukimin, diplomën me kompetencën dhe rrjedhshmërinë në të folur (fluency) me aftësinë për të thënë diçka të tjera.

Dallimi është kritik, për filozofinë dhe sociologjinë e Illich-it; sepse nuk është vetëm teaching që ngatërrohet me learning, por edhe trajtimi mjekësor me kujdesin për shëndetin, puna sociale me përmirësimin e jetës në komunitet, mbrojtja policore me sigurinë, e kështu me radhë…

Dhe kështu ndodh, vazhdon Illich-i që learning të përcaktohet si praktikisht performanca e institucioneve që pretendojnë se i shërbejnë këtij qëllimi.

Në shqip dallimi mes teaching dhe learning mund të jetë ai midis të japësh mësim dhe të mësosh; edhe pse kjo do të tingëllonte pak pedante. Citati më lart do të përkthehej: “të ngatërrojnë dhënien e mësimit me të mësuarit” – por kështu nuk do ta kuptonte askush.

Problemi nuk është nëse mund të përkthehet apo jo ideja e Illich-it në shqip; natyrisht mund të përkthehet. Përkundrazi, çfarë është problem është se shqipja ende nuk na ka përgatitur për ta bërë tonin këtë dallim, atëherë kur na duhet më shumë.

Jo se ne, si shqipfolës, nuk kuptojmë se ajo që bën mësuesi (teach) është e ndryshme nga ajo që bën nxënësi (learn); këtë jemi në gjendje ta rrokim, pavarësisht ngase përdorim të njëjtën folje: mësoj.

Por sepse ne ende nuk na lejon gjuha të dallojmë midis gjendjes së atij që e kanë mësuar (has been taught), dhe atij që ka mësuar vetë (has learned).

Veprimi i parë i referohet një trekëndëshi gramatikor: mësuesi, nxënësi dhe lënda që përcillet; i dyti një segmenti, midis atij që mëson dhe asaj çfarë mësohet (is learned); ku të mësuarit (learning) ndodh nëpërmjet ndërveprimit, pa praninë e detyruar të një pale të tretë që e mbikëqyr dhe e kontrollon procesin.

Çfarë do të thotë se ne mund edhe ta kuptojmë, por ende nuk e kemi të qartë, se diçka mund të mësohet (be learned) edhe pa na e mësuar kush (without being taught).

Folja mësoj ose jap mësim (teach) parakupton rolin social të mësuesit – teacher; ose pikërisht atë rol që, në shoqërinë shqiptare bashkëkohore ka rënë në krizë.

Ka rënë në krizë sepse ka humbur autoritetin; por ka rënë në krizë edhe sepse ka humbur kompetencën; sikurse ka rënë në krizë sepse ka humbur kontaktin me nxënësit e vet; ose nuk arrin të komunikojë dot me ta.

(Shoh këtu një zhvillim ose më mirë degradim roli paralel me atë që i ka ndodhur prindit: humbje e autoritetit, humbje e kompetencës për të qenë prind, humbje e kontaktit me fëmijët.)

Kjo nuk do të ishte dhe aq katastrofë, sikur koncepti dhe praktika e learning të kishin ruajtur ndërkohë autonominë; dhe të mos ishin katandisur në pritmëri, shpesh pasive-agresive, për t’ia lënë fajet mësuesit për çdo dështim.

Mirëpo është.

Sepse nga dy shtyllat semantike të foljes mësoj në shqipe, njëra prej tyre, teach, nuk po funksionon më; ndërsa e dyta, learn, nuk arrin të shkëputet nga inercia mortore e së parës.

Madje edhe vetëm aq sa ç’do t’i duhej për ta rithemeluar marrëdhënien; në kuptimin që nxënësi, si learner, të lejohej t’i kërkonte vetë ata që do ta mësonin (teachers).

Atë lloj emancipimi, që kërkonte Illich-i, ne as gjuha nuk na lejon që ta përfytyrojmë; madje edhe sikur të ishte vetëm për ta kundërshtuar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin