CHATGPT PRODHON TË SHKUARËN

Gjithnjë e më shumë njerëz, anembanë botës, po njihen me ChatGPT dhe po e përdorin për punë të ndryshme. Ashtu po del në pah edhe “aftësia” e kësaj inteligjence artificiale për t’i sajuar a shpikur të dhënat që jep, çfarë vë në dyshim pretendimet e deritashme për virtytet e saj intelektuale.

Softueri qartazi mbështetet mbi çfarë gjen në arkivat online, por po aq qartazi nuk duket se shfrytëzon drejtpërdrejt enciklopeditë a burime të tjera informacionesh të ngjashme.

Shpesh lexon e dëgjon lajme për nxënës, studentë, juristë dhe të tjerë që e kanë pësuar keq, ngaqë i kanë besuar këtij softueri.

Meqë ChatGPT i ofron shërbimet e veta edhe në shqip, e testova sot duke e pyetur se “Kush është Ardian Klosi”. Pyetjen e formulova duke pasur parasysh se Klosi ka qenë dhe mbetet figurë publike e njohur, me biografi tashmë të përmbyllur, për shkak të vdekjes së parakohshme.

Pasi mora përgjigjen e parë, i kërkova ChatGPT të ma jepte përgjigjen sërish (“regenerate response”), dhe ashtu mora dora-dorës pesë përgjigje të ndryshme, që po ia sjell lexuesit në vijim.

1.

Ardian Klosi është një personalitet politik shqiptar. Ai ka lindur më 4 tetor 1970 në Tiranë, Shqipëri. Ardian Klosi ka qenë anëtar i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe ka shërbyer si ministër i kulturës në qeverinë e Shqipërisë. Ai ka pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e politikave kulturore dhe në promovimin e kulturës shqiptare. Përveç angazhimit politik, Klosi është një publicist i njohur dhe ka shkruar disa libra mbi historinë dhe kulturën shqiptare.

2.

Ardian Klosi (ndër të tjera e shkruar edhe si Arjan Klosi) është një personalitet politik shqiptar. Ai lindi më 9 qershor 1961 në Tiranë, Shqipëri. Klosi ka qenë një figurë e shquar në politikën shqiptare dhe ka shërbyer në poste të ndryshme qeveritare dhe politike gjatë karrierës së tij.

Në vitet e para të karrierës së tij, Ardian Klosi ishte aktiv në organizatat e rinisë komuniste. Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri në vitin 1991, ai u përfshi në politikë dhe u bë anëtar i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH). Klosi shërbeu si deputet i Kuvendit të Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 2009.

Gjatë kohës së qeverisjes së Partisë Demokratike në Shqipëri, Ardian Klosi shërbeu në poste të rëndësishme. Ai ishte ministër i Punëve të Brendshme në vitet 1992-1997, ministër i Punëve të Jashtme në vitin 1997, dhe ministër i Mbrojtjes në vitin 2005. Klosi gjithashtu ka qenë pjesë e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Pas largimit nga politika aktive, Ardian Klosi ka vepruar si publicist dhe është një autor i njohur në Shqipëri. Ai ka shkruar disa libra dhe artikuj mbi historinë dhe politikën shqiptare.

Është e rëndësishme të theksohet se informacioni mbi Ardian Klosin ka mundësi të jetë ndryshuar pas datës së fundit të trajnimit të modelit të GPT-3 më 2021.

3.

Ardian Klosi është një personalitet politik dhe intelektual shqiptar. Ai u lind më 1 prill 1961 në qytetin e Vlorës, Shqipëri. Klosi ka pasur një karrierë të gjatë dhe shumëdimensionale në politikë, gazetari dhe akademi.

Në fillim të viteve ’90, Klosi u bë pjesë e një grupi gazetarësh dhe intelektualësh të rinj që kontribuan në rënien e regjimit komunist në Shqipëri. Ai shërbeu si zëdhënës i Qeverisë së Tranzicionit dhe më vonë si ministër i Informacionit dhe Turizmit në qeverinë e parë të pas-komuniste të Shqipërisë.

Pas largimit nga politika, Ardian Klosi u fokusua në gazetari dhe shkrimin e eseve. Ai është një autor i njohur dhe ka botuar disa libra që trajtojnë temat e politikës, historisë dhe kulturës. Klosi është njëkohësisht pjesë e një kompanie mediash dhe redaktor i një gazete në Shqipëri.

Ardian Klosi ka kontribuar gjithashtu në sferën akademike si profesor i komunikimit dhe studimeve mediatike. Ai ka qenë pjesë e stafit akademik të disa universiteteve në Shqipëri dhe ka mbajtur leksione në temat e politikës, gazetarisë dhe medias.

Është e rëndësishme të theksohet se informacioni mbi Ardian Klosin është aktual deri në vitin 2021, dhe ka ndodhur që ai të ketë zhvillime ose veprimtari të reja që nuk janë të dokumentuara pas këtij viti.

4.

Ardian Klosi është një personalitet shqiptar i njohur si gazetar, publicist, dhe politikan. Ai lindi në vitin 1965 në Tiranë, Shqipëri. Klosi ka pasur një karrierë të gjatë dhe të shquar në fushën e gazetarisë dhe politikës në Shqipëri.

Si gazetar, Ardian Klosi ka punuar për disa nga mediat më të njohura në vend, duke filluar që nga fillimi i viteve ’90. Ai ka shkruar artikuj në gazeta të ndryshme dhe ka punuar si drejtor i redaksisë së gazetës “Koha Jonë”. Klosi është një autor i njohur dhe ka shkruar disa libra dhe eseje mbi historinë, politikën dhe mediat në Shqipëri.

Në sferën politike, Ardian Klosi është një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë (PDSH). Ai ka qenë anëtar i Këshillit Kombëtar të partisë dhe ka zënë pozita të rëndësishme në strukturat e saj. Klosi është angazhuar në politikë dhe ka qenë kandidat për deputet në zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë.

Ardian Klosi ka një profil të lartë publik dhe është pjesë e debatit politik dhe intelektual në Shqipëri. Ai ka shprehur mendime të ndryshme në lidhje me zhvillimet politike dhe sociale në vend dhe është një kritik i njohur i qeverisë së Partisë Socialiste të Shqipërisë (PSSH).

5.

Ardian Klosi është një personalitet politik shqiptar. Ai ka qenë anëtar i Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), një parti politike e majtë në vend. Klosi është i njohur për shërbimin e tij si ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë në periudhën 2017-2021, gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama.

Misioni i tij si ministër ishte të drejtojë dhe të koordinonte politikën e mbrojtjes së vendit, duke përfshirë modernizimin e forcave të armatosura, sigurimin e integritetit territorial dhe pjesëmarrjen në misione paqeruajtëse ndërkombëtare.

Megjithatë, është e rëndësishme të përmendet se informacionet e mia janë të fundit deri më shtatorin e vitit 2021, kështu që ka mundësi që ka ndodhur ndonjë zhvillim i ri në karrierën e tij që nuk jam në dijeni.


Pjesa më e madhe e këtyre të dhënave është – siç mund ta konstatojë kushdo – e pasaktë, e shpikur dhe e gënjeshtërt. Bie fjala, edhe pse të dhënat për datëlindjen dhe datëvdekjen e Klosit gjenden lirisht online, ChatGPT i jep gabim dhe i ndryshon nga një version i përgjigjes në tjetrën.

Specialistët e quajnë këtë dukuri “halucinim”, dhe e shpjegojnë me disa mangësi të njohura të softuerit, përfshi trajnimin e tij të pamjaftueshëm.

Shembulli më lart dëfton se, në momentin e tanishëm, ChatGPT – të paktën në shqip – nuk është inteligjent, por kryesisht sillet si një makinë në gjendje të prodhojë fjali gramatikisht korrekte dhe me tematikë koherente.

Tekstet e përgjigjeve tradhtojnë një obsesion të softuerit me aktivitetin politik të personit në fjalë, teksa ky cilësohet si anëtar i Partisë Socialiste, ministër i Kulturës, anëtar i Partisë Demokratike, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ministër i Punëve të Brendshme, ministër i Punëve të Jashtme, ministër i Informacionit dhe Turizmit, dhe ministër i Mbrojtjes.

Në dijeninë time, të gjitha këto janë halucinime. Mbetet për t’u kuptuar pse softueri e vendos Klosin rregullisht në poste ministrore – sa kohë që informacioni për anëtarët e një qeverie është gjerësisht dhe lehtësisht i disponueshëm.

Dyshoj fort se ky “delir informacional” i ChatGPT lidhet edhe me mangësitë e informacionit online në gjuhën shqipe. Në krahasim me gjuhë dhe kultura të tjera, jona nuk i kushton ende vëmendje transferimit dhe sistemimit të informacionit enciklopedik online, edhe pse një masë në rritje nxënësish e studentësh e kërkojnë sot informacionin enciklopedik kryesisht online.

Rreziku që halucinimet e ChatGPT shqip të depërtojnë në komunikimin publik dhe të merren të mirëqena më duket real, në rrethanat kur gjithnjë e më shumë përdorues të moshave të reja do t’i drejtohen softuerit, për ndihmë me detyrat e shkollës dhe projektet e ndryshme.

Kjo e bën edhe më urgjente nevojën që institucionet shtetërore t’i japin përparësi absolute vendosjes dhe mirëmbajtjes së informacionit enciklopedik të besueshëm online, veçanërisht për tema të fushës kulturore dhe historike.

(c) 2023 Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

Shënim: më poshtë, një pamje e çastit e rezultatit që më dha Bing, kur e pyeta se Kush është Ardian Klosi:

Ky rezultat më bën të dyshoj se motorët e kërkimit tani po përdorin – pa e deklaruar – softuer AI të tipit ChatGPT (ka disa të tillë), të cilët kombinojnë tekstin me imazhin në mënyra të paparashikueshme. Fotoja që ilustron tekstin për Klosin është, në fakt, e futbollistit rumun Gheorghe Hagi (këtë e gjeta nëpërmjet një motori tjetër kërkimi, Google).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin