NATYRË E (PA)QETË ME GJEL

nga Bjorn Kamberi

Aty pari, u duk nga hiçi aq çuditshëm sa vetëm një pozë e tillë mund t’u paraqitej syve shikimtarë: një burrë dhe një gjel.

Sigurisht, burri ishte futur në tablo disi dhunshëm e disi ngutshëm, me një lloj arrogance prej atij që s’ka se ç’humb, mbase me qëllim të shiste gjelin, ndërsa gjeli mbase nuk donte të ishte në sytë e vëzhgimtarit.

Burri ama donte të tregtonte, diç mundohej të mashtronte, duke fërkuar kafshën besonte, me siguri që aty që të shiste, ta shiste e ndaj shpresonte, se një ditë drita e fëmijëve të tij të vegjël nuk do varej nga e varura krye teposhtë e gjelit, që ai deri diku e donte, ose të paktën e respektonte, ngase gjeli pat qëndruar në lëvizje gjatë gjithë mëngjesit në rrugë prej fshatit në qytet, pa u grindur.

E ku i dihet, gjeli mbase edhe luftonte, me lidhësen, me piskamën, me burrin, me pendët dhe klientët. Shumë të tilla, mbase nuk viheshin re, por qartazi, gjeli nuk shpresonte se e nesërmja do të binte një lajm më të mirë.

Po ashtu vështirë të thuhet nëse burri e mbante gjelin kokëposhtë, apo gjeli burrin krye sipër, dhe të gjithë të tjerët lëviznin në një aks përthyerazi, përmbysazi gabimtar. A ishte ai i vëzhguari dhe njëherësh vëzhguesi, subjekti i këtij rrëfimi dhe objekt i këtij tregtimi, pra klienti dhe tregtari, gjeli dhe pronari? A ishte ai atje ku nuk mendonte, përderisa veçse të shihte, ai nuk mundej tjetërlloj të mendonte atë që ishte? Ky qe me siguri, mendim që mund të blihej tek shisje, në një ditë më të ngeshme pazari.

I ngjashëm qe ky gjel me të tjerë syresh. Ata përgjithësisht shpuplojnë, çiftohen, bashkohen, i hakërrehen njëri tjetrit dhe kaposhojnë. Ata nuk fluturojnë, e kjo jo se nuk mundin, por se nuk dinë. Shpesh ia marrin këngës, me rrapëllimë e që pa gdhirë, duke sjellë kështu rrezet e mëngjeseve më hershëm se zgjimi i agut. Gjeli qe lëshuar me krahët e hapur si një fizarmonikë e lënë pas dore, dhe nuk dihej nëse me këtë sasi të shtuar të gjakut që i shkonte në kryet, mendohej si këtij rrengu ogurzi t’i shpëtonte.

Tek e mendonte, vëzhgimtari kuptoi se gjelat nënvlerësohen përgjithësisht, si rojtarë të dritës, pra sikur portierë mikpritës të ditës, tek kurorëzohen pa teklif në kotoletë të prerë hollë dhe krahë të kripur.

Burri herë pas here përhumbej. Befas një kollë, dy gulçe dhe kujtesë e duhanit. E ndizte, dhe buzëqeshte duke parë lodrinat e çiliminjve në dyqanin përkarshi. I kujtohej fëmijëria, koha kur luante me lecka e shkarpa, dhe këto kukulla të reja, me shkëlqimin llamburitës të plastikës së tyre, nuk dihej pse i jepnin gaz.

Ai e pat ushqyer gjelin, dhe kështu nuk kuptonte sesi këtij tregtimi mund t’i mungonte legjitimiteti kapitalist. Sa për njerëzillëkun, ai kish mësuar se qahet shumë për njerëzit e këqij dhe vajtohet pak për njerëzit e mirë. Tekefundit, as gjeli dhe as komuniteti i gjelave të tij e të Bedriut, komshiut, me të cilin ndante gardhin por jo kotecin, nuk e kishin në zakon të tyrin të ankimoheshin pranë organizmave mbrojtëse të së drejtave për puplorë dhe shpezarakë.

Mbetej vetëm zukatja e lodhshme televizive e mbrojtësit e të drejtave të kafshëve. Për ta e të tillë si ata, burri nuk shqetësohej, mbase ngaqë nuk i merrte seriozisht. I dukeshin shumë të vegjël për t’u marrë me blegtori, shumë të zymtë për t’u marrë me natyrën, e shumë të kollarisur për t’u marrë me gjela.

Burri vinte prej një vendi ku vetëm shtatlartët dhe azganët kishin patur si traditë fuqi të blegëronin kullotat me bagëti, t’i bënin ballë dimrit dhe xhelozisë së grave të gërxheve. Këta drejta-mbrojtësit nuk i dukeshin asesi të tillë. Burri nuk qe i sigurtë nëse ai vetë qe ndonjë nga ata që kohën e të jetuarit e shihte me dylbitë e ngushta të të menduarit, por edhe që ata, me qëndrimet sofiste dhe kollaret e hekurosura televizioneve dhe portaleve të merreshin me gjelin e tij e habiste, me një lloj habie përçmuese, bash ngaqë i mendonte si konkurrentë dinakë e absurdë që tregtinë e tij e konkurronin me hile, po ashtu edhe si një profesionist shikon me përçmim gjithçka-njohësit, se burri nuk e mbante veten të ditur për të zgjidhur punët e shtetit e të botës, e prapë me gjela merrej vetëm kur duheshin shitur.

E ky gjel, akoma nuk qe shitur. Kur mendonte shumë, burri shiste pak, dhe lodhej shpejt.

Sot ai do të rrinte deri vonë, që myshterinjve t’u këndonte tenxherja e më pas stomaku dhe atij vetë, gruaja. Do t’i mungonte, edhe mbase, kënga e gjelit në agim. S’e dinte ama, kush do t’i mungonte më tepër, gjeli, kënga apo agimi i lajmëruar me këngë? A ia vlente të zëvendësoje traditën e këtij zgjimi për ardhmërinë e një qëllimi? Po sikur mëngjesi të mos vinte, kryeneç dhe ndëshkimtar si çdo adoleshent, sikur shi atëherë të vendoste që për hir të tellallit të tij të ngujohej atje mbas malit që i kacavirrej çdo ditë në të mbaruar të natës e të mos dilte për të ndritur fushën, shtëpitë, mullarin e fshatit dhe kokrrat e grurit që gjeli i hante pa përtesë, ndërsa burri i mbillte me shumë djersë ?

Jo, jo, duheshin hequr nga mendja këto mahi, gjeli duhej shitur se nëse nuk shitej, nesër burri mbase s’do të kishte mundësi të zgjohej për ta pare dritën edhe për një ditë më tepër. Tekefundit ç’vlerë ka mëngjesi pa energji dhe nata pa dyshimin se mund të jetë e fundit?

Ja tani tek afrohet shpengueshëm dhe i pa interesuar, sikur shumë syresh, një klient i mundshëm, këtij po që do t’ia reklamonte. Gjelin e zgjaste sikur një mami që do t’ia japë foshnjën nënës për herë të parë. Ai donte të lindte të ardhmen e fëmijëve të tij, gjel pas gjeli. Sa për mëngjesin dhe kapriçot e tij, për të le të shqetësoheshin mendimtarët që i hakërreheshin për të drejtat e shpezëve. Minimumi ata kishin më shumë kohë ngase nuk kishin nevojë të shisnin. Për gjelin, mendonte ai. Kaq do të bënte, duhet të mendonte dhe të reklamonte, me vetëm një qëllim, ta shiste, sa më parë.

2 Komente

  1. Pergezime se pari,per gjuhen shqipe e rrjedhshme e zhdervjellet,e pasur shto ketu edhe larushine e temave qe rrok autori,permes shkrimeve te tjera,qe kam lexuar prej tij,ne revisten kulturore”Peizazhe te fjales”.Shqiponja apo gjeli kaposhi,eshte simboli i nje shoqerie diturakesh-fluturakesh kinse te gjithanshem.Mburravece feminore te pandreqshem,gjeli nje metafore tejet e qelluar,e nje shkrimi hare-mbytes thumbues shpotites,shume i bukur ku shoqeria jone mund te shoh veten ne nje nga pasqyrat,e panumerta qe e rrethrrotullojne,ti krise ti shkallmoje,qe mos te shohe shemtime e saj te brendshme,jo duhet te guxoje me e pakta.

  2. Nga nje burre me gjel ne nje pikture, tek nje burre real me gjel (si komshi i Bedriut)? Mos ndoshta vete autori ka qene ne muzeum para shkrimit te ketij tregimi? Keshtu ka bere nje tregim per veten? Apo fantazmagori e nxitur nga piktura? S.d.q., per mua tregimi ka nje stil te bukur.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin