REPORTAZH NGA FURRAT E KOSOVËS

nga Tinka Kurti

Në këtë vend nuk janë vetëm qentë e uritur. Kjo është republika e varfërisë në të cilën këndohet zëulët kënga e urisë. Nëse nuk i keni lidhur fytyrat e zbehta e buzët pa ngjyrë me mungesën e ushqimit a kequshqyerjen ndoshta është për shkak se keni qenë të pavëmendshëm në furrën e lagjes. Ndoshta shitësja e bukës do t’u tregonte se pse shitet aq shumë buka me gjysmë çmimi. Bajate. Pse ka aq shumë kërkesa për gjysmë byreku? Pse ka kifle bajate që shiten me qese? 4 kifle, 2 leqenikë e 2 byrekë, 10 mantia për 50 centë. Me gjysmë euro hiqet një vakt për të gjithë anëtarët e familjes. Aty, askush nuk e pranon që po e zgjedh qesen çmimlirë për shkak se kështu i leverdis. E marrin me arsyetime të tjera. Askush nuk e komenton. Ne, populli i varfër e i uritur kemi turp nga këto dy fjalë. Më shumë ndjejmë turp për varfërinë sesa mllef për ata që na varfërojnë përditë.

Nuk iu gërryejnë zorrët vetëm atyre që u përkasin 26 mijë e 450 familjeve me ndihmë sociale. Stomaku që kërkon të ngopet gjendet te shumë prej studentëve, shumë prej punëtorëve. Shitëses që paguhet 150 euro në muaj i ndodhë shpesh që disa njerëzve t’u japë kripë pasi kanë blerë një bukë të cilën e hanë aty. Herë me një domate, herë pa të. Shitësja e cila punon 6 ditë në javë nganjëherë u përgjigjet njerëzve “Kushton kaq, NËSE KE”.

Qeveria e kaluar e Republikës së Kosovës (Isa Mustafa) e pati ulur tatimin mbi vlerën e shtuar për bukën nga 16% në 8%. Mirë fort. Por kjo nuk pati sjellë uljen e çmimit të bukës. Sipas raportit të publikuar në tetor të vitit 2017 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës me titull “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit”, çmimi i bukës në Kosovës është rritur me një (1) për qind, krahasuar me një vit më parë.

Por për çmimin e bukës raportohet rrallë. Zakonisht përmendet kështu kur publikohet indeksi i çmimeve të konsumit. Aty tregohet se është shtrenjtuar buka sikurse janë shtrenjtuar cigaret dhe rryma elektrike. Këto dy të fundit ngjallin reagime. Revoltë. Këto prekin xhepat e shtresës së mesme. Por buka jo. Kjo është temë e shtresës së varfër. Një herë kur ishte problematizuar më shumë kjo punë, në vitin 2008, kur si efekt i lëkundjeve financiare çmimi i bukës ishte rritur dukshëm, deri në 45 centë të euros, nga 30 sosh, qytetarët ishin kritikuar se pse hanë bukë kaq shumë. Thua se zgjedhja e bukës para ushqimeve të shumëllojshme qoftë të shëndetshme, qofshin të shijshme qenka punë e mosdijes, mungesës së shijes dhe jo e mospasjes.

Ne i përkasim republikës, rendit që ka lindur kundër urisë. Ne po e shënojmë edhe 8 Marsin, Ditën ndërkombëtare të gruas e dikush do ta shtrëngojë stomakun fort, duke lënë vetën pa u ushqyer atë ditë, që t’i blejë nënës trëndafila. Por ne nuk jemi vendi i trëndafilave dhe as nuk kemi bukë për të gjithë. Edhe në Kosovë në vitet 90 protestat e grave janë mbajtur me bukën në duar lart duke kërkuar “bukë për Drenicën”. Ama sot uria është turpi i një faji që nuk e kemi bërë. Mbulohet aq mirë dhe nuk përmend kurrë.

Janë bërë më shumë se 100 vite prej përdorimit për herë të parë të sloganit poetik e politik i cili u përvetësua më vonë nëpër protestat për barazi dhe të drejtat e grave, “Bukë dhe trëndafila”. Nga ky togfjalësh që ishte titull poezie e autorit James Oppenheim u bë formë e kërkesës politike në grevat për të drejta të punëtorëve të tekstilit në Massachusetts duke kërkuar “Bukë dhe trëndafila për të gjithë”. Janë bërë gati 100 vite prej kur Migjeni e Nonda Bulka shkruanin për mjerimin shqiptar. Dhe sot buka mungon. Trëndafilat u përkasin pakkujt dhe bota e ka ngatërruar paqen.

Shitësja e luleve në ditë paguhet sa një trëndafil dhe studentja rri barkthatë. Fëmijët nganjëherë e hanë darkën me ujë e qytetet rrugët i ndajnë në bazë të aty ku bëhen tostat ose në ato të filan restoranteve, atje ku shqyhet mishi dhe ngulen pirunët pa mëshirë.

Por ky vend u përket atyre që gatuajnë duke shkundur mirë thesin e miellit. Ky vend u përket atyre që ushqehen në gjellëtoret më të lira. Ky vend u përket atyre që e porosisin menynë më të lirë të restorantit.

4 Comments

  1. Nje grusht ne lukth,qe te leshon shakull,shkruar drejt pa lakadredha,duke shkermoqur kenget e nje patriotizmi patetik,kushtuar heronje te bujshem te Pavaresise,perjashtuar Adem Jashari&Ibrahim Rugova,pra pavaresia nuk mjafton,kur ska begati mireqenie,te pakten tu afrohesh vendeve ballkanike te BE-se,atehere krimi tradhetia shnderimi,jane ne prag te portes per tu hazdisur,arsimimi i popullsise me te re te Europes,humbet perparsine duke u tjetersuar frikshem,aktorja e shquar e din mirfilli gjendjen,e mbijeteses se skajshme te atdheut ame,ndaj e rrok per briresh demin kryeneç,te shurdherise-memecerise-verberise qeveritare,te dy aneve te kufirit.Zonja e nderuar Tinka Kurti e ngjyros me kuqloren trendafilore kete rrefenje te zymte.Faleminderit per kete shkrim te ndjere.Gezuar 8 Marsin zonje me mendjen e kulluar,gjuhen e qeruar!

  2. Vërtet e trishtuar që në një nga tokat më pjellore të Ballkanit, njerëzit vuajnë për bukën e gojës.

  3. Shkrimi na kujton kohen e dikurshme tonen ne Shqiperi! Nejse, po te llogarisim se ne rreth 1,5 apo 2 milion banore, qe duhet te kete Kosova, rreth 26 mije familje marrin ndihme sociale, kjo me duket akoma brenda “rregullit”. E keqja me e madhe ne kete mes sot eshte, se shoqerite nuk jane me kompakte, me homogjene, si dikur, kur vellai ndihmonte vellane, ai tjetri baxhanakun e sakatuar, tjetri nje kushuri me shume femije. Sot individualizmi eshte stamposur ne cdo balle te mbuluar nga floket e lyer me llak, (teknollogjia ka hakun e saj ketu), ndaj shyqyr qe ekzistojne disa lloj organizmash, si ndihma sociale nga shteti.

Comments are closed.