Fidanishtet e dhunës

 

Askujt nga refugjatët e marsit 1991 nuk i vente mendja që Italia mund të mos ua çelte dyert, ose t’i kthente mbrapsht në Shqipëri. Mes të ikurve sundonte miti se Evropa në përgjithësi, dhe Italia në veçanti do të mirëprisnin çdo orvatje shqiptarësh për t’u arratisur, njëlloj siç kish ndodhur rregullisht në të shkuarën, të paktën që prej 1945-ës e këtej. Arratisja, qoftë edhe kolektive, duhej parë kështu edhe si gjest besnikërie ndaj Perëndimit. Ky mit ngushëllimtar gjeti mbështetje të madhe në ngjarjet e korrikut 1990, ose në të ashtuquajturën “krizë të ambasadave”, kur e gjithë bota e qytetëruar u deklarua në përkrahje të atyre që dëshironin të iknin prej Shqipërie. Për këtë arsye, zhgënjimi përballë trajtimit të ftohtë nga autoritetet italiane në 1991 si dhe indiferenca pak armiqësore e publikut italian do të luante andej e tutje rol të dorës së parë në motivimin e sjelljes së refugjatëve shqiptarë. Italia e marsit 1991 i rrethoi këta me gjithfarë muresh e gardhesh, reale dhe institucionale, ligjore dhe etike, duke u kujdesur para së gjithash që t’ua pengonte ose kufizonte kontaktet me popullatën vendëse. Mediat ndërkohë nuk i kursyen përpjekjet për t’i demonizuar të ardhurit. Shtresa e mesme italiane, e kushtëzuar nga alarmizmi i mediave, nuk tregoi ndonjë simpati të veçantë për masën e refugjatëve, në një kohë që biznesi privat nga ana e vet la të kuptonte se nuk kish nevojë për krahë pune. Në ato rrethana, më tepër Kisha dhe Mafia, iu gjendën shqiptarëve, secila në mënyrën e vet – Kisha duke i ndihmuar të mbijetojnë e duke u rrekur t’u kultivojë shpirtrat, Mafia duke i joshur dhe rekrutuar në radhët e veta. Meqë nevojat dhe motivet e refugjatëve shpesh ishin më tepër materiale sesa shpirtërore, e ardhmja e shumë syresh praktikisht do të vendosej në hapësirën dritëhije midis ligjit dhe krimit.

Të ikurit dhe gardhet

Kampet e refugjatëve në Itali ishin menduar si struktura të përkohshme, ose portale për t’ua lehtësuar integrimin të ardhurve, ose përndryshe për filtrimin e tyre para kthimit eventual në vendet e origjinës. Mirëpo me kalimin e muajve, u bë e qartë se i vetmi funksion i kampeve ishte ta mbanin të parkuar problemin në pritje të një mrekullie politike nga Roma, ose edhe nga qielli. Deri në verë të vitit 1991, megjithatë, të ardhurit do t’i braktisnin këto dhoma miqsh kuturu, të bindur se qëndrimi i mëtejshëm atje nuk do t’u sillte asnjë lloj epërsie në luftën për të mbijetuar. Kësisoj, pjesa dërrmuese e këtyre refugjatëve e panë veten dyfish të arratisur: prej vendit të tyre, dhe prej strukturave mikpritëse selitur prej autoriteteve vendëse. Në të dy rastet, arratisja kishte për motiv pamundësinë për të krijuar një hapësirë private si të dallueshme nga hapësira sociale, por jo krejt të shkëputur prej kësaj të fundit. Nëse liria politike e porsafituar në Shqipëri i bënte edhe më të padurueshëm kufijtë fizikë të imponuar nga varfëria, liria personale e arritur nëpërmjet kapërcimit të këtyre kufijve rrezikonte të përtretej për shkak krizash rrethanore. Veçanërisht kampet e refugjatëve, me atmosferën e tyre prej reparti ushtarak, spitali, qendre zboristësh dhe burgu (disiplinë, orare, mbizotërim meshkujsh, fjetje së bashku, ushqim dhe veshje falas e të garantuara, veprimtari të organizuara, megafonë, katalogime pa fund, e kështu me radhë) i nxirrnin në plan të parë këto kufizime ndaj lirisë vetjake.

Mijërat e refugjatëve që zbrazën vaporët në brigjet e Puglias u lanë fillimisht të dergjeshin me ditë të tëra në kalatat e porteve. Turma rastësore, krijuar me të vetmin qëllim të kapërcimit të detit, patën rast të këndellen madje të vetorganizohen. Vullneti i autoriteteve italiane për t’i mbajtur refugjatët të veçuar në grupe të mëdha, në qendra të përkohshme ose në struktura më të qëndrueshme, në të vërtetë vetëm sa çimentonte në jetën e tyre pikërisht atë të përditshme prej së cilës shqiptarët kishin marrë arratinë: njëtrajtësinë, rendin ushtarak, kolektivitetin dhe fatalitetin e shqiptarësisë, ose pamundësinë për të komunikuar me Tjetrin. Nga ana e tyre, individët e vuajtën rrezikun e shkrirjes në turma të homogjenizuara. E njëjta skemë u përsërit edhe në gusht 1991, kur mijëra refugjatë të rinj u mbyllën si bagëtitë në vathën e stadiumit të vjetër të Barit, për t’u lënë të rreshken në zhegun djegës të verës mesdhetare. Autoritetet italiane u shtrënguan pastaj t’i ushqenin turmat me helikopterë dhe t’ua freskonin gurmazet e përzhitura duke i spërkatur me zorrë zjarrfikësish, para se t’i kthenin në atdhe me dredhi e mashtrim.

Arratisje nga identiteti

Kush ikte prej Shqipërie aso kohe, e bënte këtë me bindjen se po ndahej për së gjalli nga të jetuarit mes shqiptarëve. Arratisja kështu ishte edhe një mënyrë për rithemelim të vetvetes, në kërkim të shelbimit brenda kësaj bote, jo tjetrës. Mirëpo në mars 1991 refugjatët u detyruan të rrinë bashkë, e sidomos larg jetës normale e anonime mes italianëve. Vetë Italia, e kundruar së brendshmi, dukej më pak reale sesa Italia televizive e parë prej bregut përkundruall. Duke ua mohuar muhaxhirëve të drejtën për t’u integruar ligjërisht menjëherë në shoqërinë italiane, autoritetet në thelb ua dyfishuan jetërsimin, madje u shkaktuan plagë të dhimbshme në sedër, dinjitet dhe identitet personal. Sikur vetë trauma e ikjes prej Shqipërie dhe e ndarjes me familjarë, të afërm e miq të mos mjaftonte, jetërsimi i kampeve dhe kontaktet e ftohta me strukturat institucionale do t’ua përforconin të ardhurve dëshpërimin.

Ndryshe nga arbërorët e Mesjetës, refugjatët e vitit 1991 nuk kishin ndërmend të themelonin ngulime në trojet italiane, as të transplantonin atje ndonjë mënyrë “shqiptare” të jetesës e të ruanin xhelozisht doke e zakone të vendlindjes. Përkundrazi, ishin pikërisht politikat italiane herë dritëshkurtra e herë hipokrite ndaj imigrimit masiv që krijuan kushte për mbijetesën shpesh artificiale të mikro-komuniteteve shqiptare (12 djem në një dhomëz), të përbëra kryesisht nga të rinj meshkuj që veçmas ndiheshin tepër të dobët e të papërgatitur për t’i bërë ballë realitetit pak a shumë armiqësor. Embrionet e këtyre bashkësive, grupeve ose klaneve “shqiptare” u përftuan në rrethanat kur refugjatët shqiptarë u detyruan të rrinë bashkë për një kohë aq të gjatë, sa të mund të zhvillonin kameraderitë, hierarkitë, çetat dhe taktikat e strategjitë paramafioze. Prandaj edhe, kur jeta në kampet e refugjatëve u bë e padurueshme, shumë prej tyre u arratisën që andej me grupe, në emër të shpresës për mbijetesë.

Bijtë e Spartakut

Refugjatët shqiptarë të ekzodit në mars 1991 u shpërndanë në qendra të mikpritjes dhe struktura të tjera të ngjashme, kryesisht në krahinën e Puglias. Megjithatë, një pjesë e vogël, ose rreth 1000 vetë u sollën për t’u strehuar në kampin e refugjatëve të Capuas, në komunën e Santa Maria Capua Vetere, afër Napolit. Capua është emër i njohur për shqiptarët e lexuar, sidomos ngaqë atje gjendej në lashtësi shkolla e gladiatorëve ku jepte mësim Spartaku, ky trak i shquar që guxoi të ngrinte krye kundër vetë Romës. Edhe sot e kësaj dite kureshtari mund të vizitojë rrënojat antike në pjesën historike të qytetit, sidoqë zona përreth është përgjithësisht e degraduar, dhe e mbjellë me gjithfarë mobilerish trashy dhe dyqanesh pjesësh këmbimi për automobilë, që shtrihen për kilometra të tëra në të dy anët e xhadesë.

Napoli, nga ana e vet, e ruan disi një raport të privilegjiuar me Shqipërinë e sidomos me shqiptarët; jo thjesht sepse Skënderbeu ynë e kishte njohur Alfonsin e Anzhuinëve si zot të vetin madje i kishte dalë në krah të birit Ferdinand, kur ky rrezikohej të humbte fronin prej intrigave të fisnikëve vendas; por edhe pse në trojet e Mbretërisë së Napolit u vendosën pastaj një numër i madh arbërorësh të larguar prej Shqipërie e më pas prej Greqie, ndoshta për t’i shpëtuar zgjedhës osmane. Në shekujt e ardhshëm, regjimenti mbretëror real macedone do të numëronte në gjirin e vet një numër të madh “epirotësh” trima të çartur, që me bëmat e tyre do t’ia konfirmonin edhe një herë Evropës talentin e spikatur por abstrakt të shqiptarit në fushë të betejës. Në kontekstin e kësaj historie mijëravjeçare, ardhja e refugjatëve shqiptarë në Capua-n e Spartakut dhe praktikisht në të njëjtat troje ku ishin vendosur dikur arbërorët e Skënderbeut merrte një kuptim tjetër, pothuajse simbolik.

Flokët e gjatë të katastrofës

Administrimi i kampit të refugjatëve iu besua, në atë kohë, Kryqit të Kuq; por rendi publik i ishte lënë ushtrisë për ta ruajtur, teksa një numër i madh organizatash katolike dhe shoqatash bamirëse laike përpiqeshin të ndihmonin me sa mundeshin, qoftë edhe në shemëri gjysmë-miqësore me njëra-tjetrën. Kjo qasje e shumanshme solli për rezultat një lloj kaosi sinergjik të tillë që vetëm italianët dinë ta krijojnë e më pas ta ftillojnë disi, duke i lënë të tjerët gojëhapur. Të ardhurit e sfilitur nga peripecitë në kalatat e portit të Barit e sidomos nga aventura e kapërcimit të detit ndërkohë u sistemuan me urgjencë të madhe në çadra fushimi dhe trupa shumëngjyrëshe e autoriteteve menjëherë u përfshi në baletin e përpjekjeve për të vendosur njëfarë rregulli në masën e meshkujve të kërleshur prej Shqipërie.

Në atë kohë unë punoja si mësues i shqipes pranë Institutit Oriental të Napolit, dhe pikërisht atje u kontaktova nga një shoqatë kulturore italo-shqiptare, e cila dëshironte të vendoste një prani mes refugjatëve në Capua, duke organizuar ndër të tjera edhe kurse të gjuhës italiane me të ardhurit, të cilat duhej t’i drejtoja unë. Presidentja e shoqatës, një zonjë fisnike me origjinë arbëreshe e shoqërisë së lartë në Napoli kërkonte përnjimend të bënte diçka për “vëllezërit” e vet të gjakut, të cilët i kish parë tashmë në reportazhet e stacioneve televizive lokale. Në ekranin e vogël, shqiptarët e Capua-s spikatnin me flokët e gjatë e të palarë që u vareshin rreth fytyrës e zverkut, mjekrat mbirë faqeve si bar i egër, mustaqet mbjellë me thërrime galetash. Që këtej dukej e arsyeshme që shoqata në fjalë, si hap fillestar të ndërhyrjes në jetën e kampit, të financonte udhëtimin vajtje-ardhje në Capua të një autobusi me floktarë nga Napoli. Meqë ato ditë ishte hapur fjala edhe se refugjatët kishin zënë morra ose i kishin kontrabanduar prej Shqipërie, ekipin e floktarëve e shoqëronte edhe një dermatolog a trikologjist i ulur mbi një arkë të madhe me qindra, në mos mijëra paketa të vogla me shampo kundër morrit.

E tepërt të them se, me të zbarkuar ne në kamp, shpërndarja e shampos përfundoi brenda pak sekondash me ndërhyrjen e ushtrisë me disa prej kampistëve që arritën të shtien në dorë një pjesë të madhe të paketave, ndërsa të tjerët që mbetën duarthatë. Ndërkohë, mjeshtrat floktarë e përgatitën me hijeshi të madhe një kënd të posaçëm në ajër të pastër, për t’u prerë flokët bijve të shqipes. Kaluan pesëmbëdhjetë minuta, njëzet minuta, gjysmë ore, por askush nuk po afrohej për t’u qethur. Refugjatët, që i kishin zgjatur flokët si simbol të lirisë së porsafituar, te gërshëra e berberit shihnin një metaforë të diktaturës së djeshme në Shqipëri. Pakkush besonte se cullufet e lyrshme, ende mpleksur me rërën e Durrësit dhe kripën e hidhur të Adriatikut, duheshin sakrifikuar për arsye higjienike, jo si ritual nënshtrimi ndaj autoriteteve. Prandaj edhe floktarët spitullaqë të Vomeros e çuan dëm një pasdite të tërë duke u shullyer në diellin e plogët të prillit, pse jo më shumë se 7-8 vetë u paraqitën për t’u katekizuar.

Një institucion total?

Pas ekzodit të parë të marsit 1991, në Itali ende sundonte vullneti i mirë për të ndihmuar në sistemimin e refugjatëve, pavarësisht nga alarmizmi madje histeria e mass mediave dhe problemet e krijuara nga paaftësia e vetë autoriteteve italiane për t’i bërë ballë situatës së krijuar. Të ardhurit u lejuan të hyjnë në Itali dhe të sistemohen në kampe dhe struktura të tjera, që në teori do të shërbenin si kapërcyell drejt integrimit të tyre në tregun italian të punës dhe në shoqërinë italiane më gjerë. Për fat të keq, masa dërrmuese e shqiptarëve u lanë në Jug të Italisë, në zona ku mundësitë për punësim ishin të papërfillshme. Autoritetet qendrore me kalimin e javëve e përqendruan kujdesin kryesisht në ruajtjen e rendit publik dhe në sigurimin e nevojave minimale për strehim, ushqim dhe higjienë; në një kohë që shoqatave kulturore dhe bamirëse u mungonte ekspertiza e nevojshme për t’u ofruar zgjidhje qoftë edhe të pjesshme problemeve të rënda të integrimit. Në këto rrethana, ndërmjetësimi u mbeti në dorë dy institucioneve tradicionale të Jugut të Italisë: kishës katolike dhe mafias.

Nga administrata e kampit dhe punonjësit e Kryqit të Kuq, megjithatë, nuk munguan përpjekjet për t’i sistemuar të ardhurit në mjediset e kampit dhe për të komunikuar me ta njëfarësoj. Ushtarakët, nga ana e tyre, kujdeseshin për logjistikën por edhe ndihmonin për të ruajtur kushte jetese të njerëzishme. Megjithatë, kampi i Capua-s mbetej në thelb një kamp përqendrimi, ose një strukturë e destinuar për zgjidhje të përkohshme të një emergjence civile, në pritje që autoritetet në Romë të ofronin zgjidhje të tjera më të përshtatshme, në mos më humane. Të ardhurit, nga ana e tyre, e kishin të pamundur të kuptonin arsyet e karantinimit brenda një trualli në thelb të mbyllur, pa kurrfarë mundësie për të marrë në dorë të ardhmen. Refugjatëve prej Shqipërie ende po u mohohej e drejta për të jetuar në Italinë normale, përtej kangjellave të kampit. Mbylltësia e kampit konotonte kështu një orvatje të pafrytshme për t’i dhënë zgjidhje hapësinore problemit të koklavitur të trajtimit të një mase paqësore mysafirësh të huaj, por të paftuar, brenda kuadrit ligjor përcaktuar nga ligji Martelli – krejt i pamjaftueshëm për t’i bërë ballë një krize humanitare të atyre përmasave. Edhe një komision që duhej të merrte në shqyrtim kërkesat për strehim politik harxhoi me orë e ditë të tëra duke marrë mërzitshëm në pyetje çdo shqiptar veçmas e individualisht, teksa strehimin politik duhej t’ua kish dhënë ose mohuar të ardhurve kolektivisht.

Komedia e çikërrimave

Kampi i refugjatëve nuk po funksiononte dot as edhe si interface komunikimi mes të dy komuniteteve: mysafirëve dhe të zotëve të shtëpisë. Vullneti i mirë për të ndihmuar nga ana e italianëve dhe për t’u integruar nga ana e shqiptarëve nuk mjaftonte për të kompensuar dallimet në mendësi dhe paragjykimet e ndryshme. Kryqi i Kuq, që kishte në ngarkim aspektet humanitare të krizës, dukej se besonte që situata do të përmirësohej duke u siguruar refugjatëve batanije, dysheqe, supë, çezma, nevojtore, letër higjienike, peshqirë, sapun dhe aspirina. Në të vërtetë, ndihma mjekësore në kamp s’kishte të sharë, madje një numër i madh refugjatësh patën shans të rregullojnë me atë rast edhe dhëmbët e dhëmballët në klinikën dentare të klasit të parë. Megjithatë, shumë italianë mes punonjësve të kampit nuk arrinin të kuptonin pse shqiptarët nuk po shprehnin asnjë lloj mirënjohjeje për trajtimin që po u bëhej.

Shoqatat bamirëse, nga ana e tyre, nuk i kursyen ndihmat materiale, por sipas mundësive dhe fantazive të tyre terapeutike. Depot e kampit u mbushën me gjithfarë artikujsh jashtë stine, si pallto të rënda me jaka peliçesh akriliku, mushama llastiku e çizme për ski e borë; artikuj të tjerë stok si fustane elegante e të tejdukshme ose me dantella të holla najloni, xhaketa ekstravagante për orkestrantë cirku e parkues veturash në hotelet, çanta të vogla grash me lëkurë lustrafine, komplete benevrekësh e pizhamesh mëndafshi deri edhe me skufje për kokën, doreza leshi e meshini për fëmijë e të tjera çerturina kësisoj, duke përfshirë edhe një kitarë të vërtetë e last not least me mijëra flakone me vitaminë C kundër skorbutit, thuase refugjatët po gatiteshin për ndonjë udhëtim rreth rruzullit tokësor, si Magelani. Shoqata “ime” solli ndër të tjera një tryezë të re pingpongu dhe një televizor gjigant, i cili u ndez vetëm pak herë, derisa një natë prej netësh grindja për telekomandën përfundoi në përleshje me thika dhe televizori megjithëse i pafajshëm u internua në një prej magazinave ku më pas u zhduk krejt prej inventarit, pas gjase i vjedhur prej italianëve vetë.

Ndërkohë, me rastin e kremtimit tradicional të Pashkëve, një lukuni dehëse zonjash aristokratike të pudrosura organizuan edhe një ceremoni prekëse për nder të refugjatëve shqiptarë në hipodromin e Napolit, me pjesëmarrjen e nuk di ç’bersalierësh dhe boyscout-ësh dhe koristësh faqekuq nga seminaret e jezuitëve dhe të një bande me bori farfuritëse që u nxori të gjithë të pranishmëve mallin e fashizmit dhe të balilave. Për fat të keq, asnjë s’ishte kujtuar të ftonte në festë refugjatë të vërtetë prej Capuas, prandaj trofeu i mrekullueshëm i një veze prej çokollate me përmasat e një bombe 500-librash të RAF-it britanik përfundoi në krahë të sime bije dyvjeçare, që me refugjatët e bashkonte gjaku, jo statusi.

Hapat e para në humnerë

Shqiptarët nuk u mësuan dot me rutinën e kampit, madje haptazi i përçmonin rregullat herë burokratike e herë të nevojshme imponuar nga administrata. Kurrë nuk i pashë të pastronin mjedisin përreth çadrave, as të merreshin me ndonjë punë çfarëdo, në intervalet midis lojërave me letra që s’mërziteshin kurrë së luajturi brenda në çadrat, dhe diskutimeve futbollistike për të ardhmen. Kjo amulli lidhej sa me mungesën e një tradite qytetare të vetëveprimit, aq edhe me paralizën e imponuar prej rrethanave në thelb totalitare. Në atë kohë, statusi i të ardhurve të marsit ende nuk ishte përcaktuar, dhe askush nuk dinte nëse do të lejohej të vendosej ligjërisht në Itali, apo do të kthehej mbrapsht në Shqipëri kur situata atje të “stabilizohej”. Zyrtarisht, refugjatëve nuk u lejohej të largoheshin nga territori i kampit, as u jepeshin para për të prishur në qytet (me përjashtim të pak fondeve të Caritas-it); mirëpo nuk ishte e zorshme të kapërceje kangjellat, për t’u kuturisur në metropolin fqinjë të Santa Maria Capua Vetere-s, apo edhe më tej, në Caserta-n që llamburiste në horizont.

Kursi i italishtes, drejtuar me stoicizëm prej meje tri herë në javë pasditeve, nisi me bujë të madhe; aq sa në leksionin e parë nuk hidhje dot mollën në klasë dhe një pjesë e “studentëve” e ndoqën mësimin që nga jashtë dritareve. Megjithatë, si edhe për punë të tjera, zelli i refugjatëve për të mësuar gjuhën e vendit pritës erdhi duke rënë, dhe gjithnjë e më pak ishin ata që ma ndiqnin kursin rregullisht – sadoqë ndërkohë kishim siguruar deri edhe metoda të italishtes për të gjithë të interesuarit. Muajin e dytë, 200 studentët e fillimit u reduktuan në një dyzinë. Të dhimbej kur i shihje këta djem të rinj dikur të hedhur e dinamikë të vinin duke e humbur dita-ditës dëshirën për të bërë diçka të dobishme për veten. Ëndrra e tyre italiane kish përfunduar hidhur, në një pjatë me gjellë të ngrohtë, një dyshek për të fjetur, një çadër për t’u mbrojtur nga shiu, një bohçe plaçkash falas. Deri edhe para për të blerë cigare, karta telefonike dhe bileta autobusi nuk u jepte kush.

Mbrëmjeve, kur të ngeshmit zgjoheshin nga gjumi i zgjatur i drekës, shfaqeshin në rrugët e heshtura përreth kampit, përbri kangjellave, berlinat e para luksoze me homoseksualë të rafinuar nga Napoli dhe Caserta. Për një numër bashkatdhetarësh pa paragjykime, seksi me këta rufjanë të lubrifikuar do të ishte edhe e para mundësi për të fituar paranë e kurbetit. Siç më shpjegoi një nga pionierët e biznesit në fjalë, sekreti i suksesit ishte të mbyllje sytë, për të harruar sado pak se çfarë po ndodhte në sediljet e makinës. Shpërblimi në këto raste do të ndahej bujarisht, në trajtë cigaresh dhe delikatesash të tjera, me masën seksualisht ende infleksibël të bashkatdhetarëve. Të tjerë refugjatë mundoheshin të nxirrnin ndonjë metelik gjatë ditës. Zona e Caserta-s është me nam për ndërtuesit abuzivë, që shfrytëzojnë punë të zezë. Mbaj mend që një lezhian i ashpër më mori një ditë mënjanë për të më treguar një çek me të cilin e kishte paguar italiani për një javë punë të rëndë në llaç, por që nuk ia kishin thyer në asnjë bankë të zonës. Çeku ishte i pagueshëm nga “The Bank of Minnesota”.

Rrugëdalje nga kaosi

Në të vërtetë, sektorë të tërë të ekonomisë në krejt krahinën e Campania-s kontrollohen nga organizata kriminale dhe parakriminale, në konflikt të hapur ose të tërthortë me ligjin. Me kalimin e kohës, shumë shqiptarë të demoralizuar nga jeta e shpëlarë brenda kampit do t’i jepnin fund konvaleshencës së detyruar, duke u punësuar njëfarësoj pranë këtyre organizatave. Bosët e Camorra-s ua vlerësonin dëshpërimin dhe gatishmërinë për të marrë në sy rrezikun. Ka të ngjarë që pikërisht aty ta ketë gjetur një pikëmbështetje edhe bashkëpunimi i sotëm aq harmonik midis krimit të organizuar në të dy brigjet e Adriatikut. Mafia italiane do të tregohej shumë më e gatshme dhe e frytshme sesa shteti ose institucionet e biznesit privat për të hedhur në dorë potencialin e madh njerëzor të refugjatëve. Me përjashtim të një pakice të vogël, pjesa më e madhe e refugjatëve shqiptarë kishin mbërritur në Itali të thjeshtë e të ndershëm, ose të paktën të papërlyer me krimin. Mirëpo kushtet e përqendrimit të detyruar në një hapësirë të mbyllur bënë që, me kalimin e javëve, ajo pakicë prej 10-15% të fitonte dukshmëri, të dilte në krye të punëve, të depërtonte e para në botën e krimit italian të organizuar, të vendoste kontaktet përkatëse dhe të ndërmjetësonte pastaj që edhe të tjerë refugjatë të integroheshin hap pas hapi në veprimtari të paligjshme.

Si edhe gjetiu në Shqipëri, turmat heterogjene të meshkujve erdhën e u koaguluan rreth vatrash pak a shumë parakriminale, shtjelluar sipas hierarkish të dhunshme ose gjithsesi solidaritetesh autoritare. Përndryshe refugjatët mbetën deri në fund një bashkësi e paformë, në mos kaotike, të cilën grupet parakriminale e kontrollonin me lehtësi. Megjithëse shumë prej tyre luftonin për të fituar statusin e refugjatit politik, asnjë lloj ndërgjegjeje politike nuk dukej t’ua ngjyroste ditët, ose t’i linte pa gjumë netëve. Kur pretendenti i fronit shqiptar, Leka Zogu, vizitoi një ditë kampin për t’u takuar me shqiptarët e atjeshëm e për të diskutuar çështje të mëdha politike me ta, një pjesë e mirë e refugjatëve as nuk e morën vesh se kush ishte ky personalitet që kish ardhur t’u fliste një shqipe të çuditshme, si të peshkuar në fund të sëndyqeve të gjyshes. Leka, nga ana e vet, u bëri thirrje të pranishmëve në takim të ktheheshin në Shqipëri dhe të kryengrinin për të përmbysur regjimin “komunist”.

Deri në fund të korrikut, kur edhe të fundit e më apatikët e refugjatëve më në fund u larguan me iniciativën e tyre nga territori i kampit, shqiptarët e atjeshëm nuk arritën dot të prodhojnë një përfaqësi të çfarëdoshme në marrëdhëniet e tyre me shtetin italian e në përgjithësi me autoritetet. Vetëm gjatë një revolte të papritur, gjatë së cilës refugjatët i dëbuan italianët prej kampit përkohësisht dhe morën nën kontroll të gjitha strukturat e atjeshme, u shfaq një “komitet” për t’u kumtuar autoriteteve një numër kërkesash të arsyeshme, të cilat më pas u shpërfillën krejt. Përveç këtij incidenti, kushtet e jetesës në kamp, midis limontisë dhe kënaqjes së nevojave materiale elementare, inkurajonin pasivitet. Protesta, edhe kur shfaqej, merrte trajta primitive. Shqiptarët refuzonin, për shembull, të përdornin strukturat sanitare, duke i kryer nevojat në ajër të pastër, fare pranë çadrave ku flinin. Dielli i mëngjesit zgjonte avuj jashtëqitjesh kutërbuese, me ç’rast ushtarët italianë u vinte urdhri t’i pastronin, nën sytë tallës të shqiptarëve kaleshë. Gazetat vendëse i lajmëronin këto incidente fekale me përpikmëri të admirueshme, çka nuk i shtonte gjë simpatisë së publikut për pasardhësit e gladiatorëve sypatrembur të Spartakut.

Qëmtimi i shpresës

Nëse brenda mureve të kampit dëshpërimi mbetej kolektiv, shenjat e pakta të shpresës mbijetuan vetëm në pak profesionistë krenarë e të sigurt për talentet e tyre, që tërthorazi ngushëllonin edhe të tjerët, ata që të vetmen armë për mbijetesë e gjenin në vullnetin e verbër për të vazhduar. Javët e para radha në dyert e zyrave të ndryshme të Kryqit të Kuq dhe të Caritas-it zgjatej durueshëm korridoreve, teksa të ardhurit prisnin të regjistronin emrat, zanatet dhe kontaktet në listat përkatëse. Asnjë rezultat nuk u pa të vinte prej këtij katalogimi të mërzitshëm, edhe pse optimistët i mbajtën veshët ngritur për lajme të mira deri vonë. Më kujtohet, mes të njohurve të mi të shumtë, një mekanik kryelartë pak paranojak nga Durrësi, të cilin ma prezantuan si “me të shtatën”, e që në konfidencë e me zë të ulët më shpjegoi se ndihej aq i zoti në profesion, sa nuk begeniste t’i prishte duart me punë të rëndomta në ndërtim, ose në auto-oficinat. Shoqatat bamirëse, nga ana e tyre, mbeteshin gjithnjë në kërkim të një gjesti ose eventi spektakolar, mundësisht artistik e të tillë që të tërhiqte vëmendjen e opinionit të shoqërisë së lartë në Napoli e në rrethinat, sidomos të klubeve Rotary e Lions, gjithnjë në rivalitet miqësor mes tyre. Përfituan prej kësaj atmosfere një violonçelist dhe një pianiste që u “zbuluan” mes të ardhurve, me të cilët u organizua me një mijë mundime një koncert, ku u ftua të marrë pjesë edhe këngëtarja e njohur arbëreshe Silvana Likursi. Instrumentistët modestë por dinjitozë prej Shqipërie u ndoqën me një kureshtje e dashamirësi që zakonisht u rezervohet qenve fenomenalë të cirkut.

Ngjarje të atilla si koncerti i shtonin gjithsesi pakëz dritë pejzazhit të trishtuar të realitetit të refugjatëve, por më tepër vlenin si instrumente psikoterapeutike për borgjezinë e provincës, dyzuar mes kompleksit katolik të fajit për mjerimin ekzistencial të Tjetrit, dhe nostalgjisë për prestigjin e Italisë së Mussolini-t ndaj vendeve fqinje të varura prej saj, si Shqipëria. Në momente të caktuara, kontakti midis të ardhurve nga përtej detit dhe ajkës provinciale të Jugut të Italisë do të nyjtohej sipas përmasash absurde, ku të dyja palët kërkonin të përfitonin prej njëra-tjetrës me mënyra në thelb njëlloj të pagjasa. Vetë procesi i “ndihmës”, vullnetare dhe të administruar nga institucionet publike, u solli përfitime të mirëfillta shumë individëve, por në thelb nuk i dha kurrfarëlloj zgjidhjeje problemit të trajtimit të refugjatëve të post-komunizmit, në trojet e Italisë. Shqiptarët, si edhe në raste të tjera, ia dolën t’u përshtaten situatave sipas një logjike të mbijetesës, ndoshta të pavetëdijshëm se zgjidhjet e tyre individuale do të formësonin, në perspektivë, krejt pamjen dhe karakteristikat e mërgatës shqiptare në Italinë e shekullit XXI.

Nga lartësitë e së sotmes, ato muaj të pranverës dhe të verës të vitit 1991 duket sikur i përkasin një universi tjetër, ku gjithçka mbetej ende e mundshme dhe e arritshme, qoftë edhe vetëm si ëndërr. Vetë administrata dhe autoritetet italiane, po të mund të ktheheshin mbrapa në kohë, shumë zgjidhje do t’i kishin dhënë ndryshe, shumë struktura projektuar ndryshe dhe shumë procese të kontaktit sendërgjuar tjetërlloj. Por nëse do të ndodhte ashtu, edhe këto radhë me kujtime e refleksione nuk do të ishin shkruar dot.

[2006]

2 Komente

  1. Kush e ka shkruar kete? Me pelqen te lexoj gjithe artikullin ose origjinalin (nese ka mundesi.)

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin