YLL SHKËLQIMTAR

nga Arben Dedja

Kush e pati njohur rrëfente që Keats-i, në çdo shtëpi ku shkonte të banonte (dhe ndërroi shumë), edhe kur bujtte tek ato të miqve, shpërndante pendë, bojë e letër në çdo qoshe të shtëpisë, që ta kish kollaj të shkruante vargje kur ato i vinin ndër mend, vargje që pastaj nuk përkujdesej t’i ruante. Ndaj shumë syresh, përfshi këtu poezi të përkryera, janë zbuluar vite më vonë. Ndër to, tingëllima elizabetiane (shekspiriane) When I have fears, shkruar më 22-31 janar 1818, që i përket asaj periudhe të krijimtarisë së poetit që sot cilësohet si annus mirabilis (1818-19), kur shkroi më shumë e gjërat më të bukura. Nuk i kish mbushur ende 24 vjeç. Poezia u botua për herë të parë tridhjetë vjet më vonë, në librin Life, letters and literary remains of John Keats (New York, 1848).

Megjithëse aq i ri, çuni tragjik i poezisë angleze e ndien fundin t’i afrohet si ortek dhe i vjen keq (një keqardhje tipike romantike, përzier me një ndjenjë malli). Por edhe një si ankth e pushton gjithashtu, ankth se, thjesht për çështje fati, nuk do të mund t’i realizonte ëndrrat e begata të kësaj jete: të shkruajë librat e tij për të përshkruar bukurinë, dashurinë shqisore që i rrëshqet në dukjen e një vashe (“krijesë e bukur e një ore”), por edhe për gjëra të tjera, më misterioze, që Poeti përpiqet t’i rrëfejë duke përshkruar natyrën, teksa rrok kupën qiellore e gjithësinë. Duke e humbur dalëngadalë ndjenjën e kohës dhe pa e përmendur Zotin kurrkund (në këtë pikë, si student mjekësie, nuk se ka iluzione), Poeti qëndron kundruall botës, sikur shkel mbi zallin e bregut të oqeanit dhe, tekefundit, mendon se Dashuria e Fama nuk e vlejnë asgjë në këtë jetë.

When I have fears | Tek trembem

When I have fears that I may cease to be
Before my pen has gleaned my teeming brain,
Before high-piled books, in charact’ry,
Hold like rich garners the full ripen’d grain;

When I behold, upon the night’s starr’d face,
Huge cloudy symbols of a high romance,
And think that I may never live to trace
Their shadows with the magic hand of chance;

And when I feel, fair creature of an hour,
That I shall never look upon thee more,
Never have relish in the faery power
Of unreflecting love—then on the shore

Of the wide world I stand alone, and think
Till love and fame to nothingness do sink.

 

Tek trembem se së qenuri do të resht
para se penda ta rrokka trurin-furrë,
para se pirgje librash, shejzat rresht,
porsi grunarë ta mbajnë t’arririn grurë;

teksa sodis, mbi të natës ballë yjor,
simbole të thepisur përralle motit,
dhe them se dot s’do të rroj t’ua tërthor
hijet me dorën magjistricë të sortit;

tek ndiej, krijesë e bukur e një ore,
se s’do të të vështroj dot më me mall,
s’do ta ngjëroj fuqinë aq hyjnore
të dashurisë pa kthim—atëherë mbi zall

të botës tërë, mendoj, mbetur me veten,
gjer Dashuri e Famë në hiç të treten.

Rreth tre muaj më vonë Keats nisi të shkruajë një tjetër tingëllimë-kryevepër: Bright star (që në vitin 2009 i dha titullin një filmi mbi jetën e Poetit, me regji nga Jane Campion); edhe kjo e botuar pas vdekjes, në të njëjtin libër postum.

Bright star! Would I were steadfast as thou art—
Not in lone splendour hung aloft the night
And watching, with eternal lids apart,
Like nature’s patient, sleepless eremite,

The moving waters at their priestlike task
Of pure ablution round earth’s human shores,
Or gazing on the new soft-fallen mask
Of snow upon the mountains and the moors;

No—yet still steadfast, still unchangeable,
Pillowed upon my fair love’s ripening breast,
To feel for ever its soft fall and swell,
Awake for ever in a sweet unrest

Still, still to hear her tender-taken breath,
And so live ever—or else swoon to death.

Yll shkëlqimtar! I ngulmët t’isha si ti—
jo të feks natës lart i vetëm varur,
përgjuar me durim në përjetësi
syhapët, si i pagjumë oshënar,

tallazet me detyrën priftërore
zallishtes njerëzore t’i japë avdes,
a të këqyrkam maskën e dëborës
së re që butas bie në mal e breshtë;

jo—po prapë i paepshëm, prapë i ngulmët,
vënë kokën mbi të shoqes gji t’arrirë,
q’e ndiej gjithnjë tek mbuzet e tek ulet,
gjithnjë i zgjuar me t’ëmbël trazirë,

prapë t’ia gjegj, prapë, hukatjen e imët
e të rroj për fare—a vdekjes të shqimem.[1]

Edhe kjo tingëllimë është një fjali e vetme, katërmbëdhjetë vargshe. Autori e rimerr Dashurinë e poezisë së mëparshme në pozicionin e vet më fillikat dhe dritësundues përmbi botë. Kemi të bëjmë me, ndoshta, ndjenjën më të natyrshme njerëzore, dhe prapë më të vështirën për t’u rrëfyer. Keats e bën duke e njësuar atë me Amshimin.

Para do kohësh bëra një census të tingëllimave që kam ndër fletorka. Tingëllima të miat: gjithsej dy, të dyja shkruar përpara moshës njëzet vjeçare dhe kurrë të botuara. Tingëllima të shqipëruara: njëqind e shtatë “petrarkiane” (ndonëse më shumë se gjysma e tyre të shkruara përpara se Petrarca të lindte: nga Cavalcanti, Dante, Cecco Angiolieri…).

Po tingëllima elizabetiane? Vetëm dy: këto të Keats-it. Pyes veten përse ky disnivel në shqipërimin e këtyre dy lloj tingëllimash? E pra, skema e një tingëllime petrarkiane është më e ndërlikuar, pa përmendur format e mbivëna (caudato, rinterzato, continuo, doppio, ritornellato – ku mjafton vetëm emri për të bërë të mendohesh mirë përpara se t’ia nisësh, sepse sasia e rimave me të cilat duhet të përballesh rritet në mënyrë eksponenciale dhe duhet në njëfarë mënyre t’i japësh dum në një gjuhë si shqipja, plot me kushërinj e kushërira, por e pamotër dhe e pavëlla). Hyn këtu patjetër prirja, parapëlqimi, por, them se, meqë “tingëllimë elizabetiane” don të thotë gjuhë angleze: gjithçka bëhet më e vështirë ngaqë anglishtja është gjuhë më e shkurtër, në kuptimin që pentametri jambik (që rrjedh drejpërdrejt nga njëmbëdhjetërrokëshi “petrarkian”) “nxë” më shumë fjalë se njëmbëdhjetërrokëshi i gjuhëve të tjera, përfshi edhe shqipen. Me çmos, diçka duhet lënë jashtë. Alternativa e përdorimit (në shqipërim) të dymbëdhjetërrokëshit apo vargut aleksandrin, sipas meje nuk duhet marrë parasysh se, me to, ndërrojmë edhe ritmin dhe vërtet që ashtu poezia origjinale tëhuajet krejt, duke e ditur që ritmi është edhe më i rëndësishëm se rima.

Më tepër se me llogaritje fjalësh e rrokjesh, për shqipërimin e njërës apo tjetrës formë tingëllime kemi të bëjmë me një mënyrë të sjelluri. Për ta dhënë me një metaforë, në rastin e tingëllimës petrarkiane duhet ta lësh veten të të rrëmbejë (si trung i kalbur?) lumi i ligjëratës amtare, inteligjenca e gjuhës shqipe. Fakti se sa do të mund t’ia arrish shqipërimit ka të bëjë, them, me aftësinë për të ndejtur i palëvizur (“a corpo morto” – le ta themi italisht, se për mëmën Itali e kemi fjalën), teksa uji i tingujve, i rimave, i fjalëve shqipe, nis të të depërtojë poret, të hyn në gojë, në sy, gjithandej… Të duhet t’i rezistosh me çmos tundimit për të lëvizur krahët në krolin e radhës: mendon se kështu u ikën gjeratoreve, por në fakt bie pre e brigjeve, që të thërrasin me këngët prej sirene të gjetheve e luleve – retorika e papërmbajtshme gjuhësore.

Kurse për të shqipëruar tingëllimat elizabetiane (hm! le t’i vazhdojmë metaforat) duhet thjesht (fjalë goje!) t’ia shkulësh asaj lëkurën e fytyrës e t’ia vësh vetes, si Hannibal Lecter. U përpoqa ta bëj këtu.

© 2022 Arben Dedja. Të gjitha të drejtat janë të autorit.


[1] Nëse tingëllimat i ndajnë nga njëra-tjetra tre muaj, shqipërimet i ndajnë 37 vjet.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin