RRETH PARIMIT FONETIK NË DREJTSHKRIMIN E SHQIPES

nga Auron Dodi

Në dekadat e fundit janë bërë propozime të ndryshme që kërkojnë reformimin e thellë të drejtshkrimit të shqipes, ose një ndërhyrje të matur në elementë të caktuar të rregullave të drejtshkrimit. Pavarësisht se në ç’masë do të ndërhyhet, rishikimi i drejtshkrimit është një nevojë që del nga zhvillimi i vrullshëm i shqipes në tre dhjetëvjeçarët e fundit, hyrja e shumë fjalëve e koncepteve të reja në shqipe dhe nga pasiguria e krijuar për përdorimin e tyre si rezultat i faktorëve kompleksë te komuniteti i përdoruesve të sotëm.

Në konferencat sivjet në Tiranë dhe në Prishtinë në kuadër të kremtimit të 50 vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit u shpreh edhe ideja që parimet bazë të drejtshkrimit të shqipes të ndryshojnë. Prof. Xhevat Lloshi p.sh. kërkoi në kumtesën që mbajti në Prishtinë[1] që parimet bazë të drejtshkrimit të shqipes të jenë parimi morfologjik dhe parimi historik. Gjuhëtari dhe përkthyesi Aristotel Spiro ka mbrojtur përkundrazi tezën se në drejtshkrimin e shqipes nuk ekziston asnjë parim morfologjik. Në Tiranë[2] ai propozoi sivjet sërish që parimi kryesor i drejtshkrimit të shqipes standarde të jetë jo parimi fonetik, por parimi fonologjik. Të dy i argumentojnë propozimet me dobinë praktike për përdoruesit e sotëm të gjuhës, pasi do të shmangeshin pasiguri që përdoruesit i kanë aktualisht.

Rregullat e Kongresit të Drejtshkrimit nuk janë të gdhendura në gur, ka elemente që mund të përmirësohen e të meta që mund të ndreqen pas 50 vjetësh zhvillimi e funksionimi të gjuhës standarde[3]. Vështrimi kritik i termave dhe koncepteve i shërben veç kësaj pa dyshim nxitjes së debatit shkencor dhe mund të kontribuojë në ecjen përpara. Do të ndalem më poshtë në vërejtjen e studiuesit Spiro për parimin fonetik si parim themelor të drejtshkrimit të shqipes.

Spiro tërhoqi sivjet ndër të tjera vëmendjen se “propozimet e bëra deri tani” për rishikimin e drejtshkrimit në shumicën e tyre “nuk janë të pranueshme” “sepse mbështeten mbi një bazë të gabuar teorike” të formuluar që në Kongresin e Drejtshkrimit. Ai shton se “vënia e një parimi fonetik në bazë të drejtshkrimit shqip ka pasoja negative për bashkësinë folëse, sepse nga njëra anë shërben si justifikim për të legjitimuar shkeljet drejtshkrimore që vijnë nga paaftësia (moskompetenca) gjuhësore dhe nga ana tjetër nxit dëshirën për ndryshime të panevojshme nëpër ortograma fjalësh, me pretekstin për ta bërë drejtshkrimin më të thjeshtë e më praktik, grackë në të cilën kanë rënë mjaft herë disa kolegë gjuhëtarë, por edhe i nderuari Këshill Ndërakademik për Gjuhën Shqipe”[4].

Situata e pakënaqshme sot në zbatimin e standardit të shqipes nga një masë e madhe e përdoruesve të tij është fakt i pamohueshëm. Po janë të lejuara disa dyshime për tezën, se kjo lidhet edhe me një bazë të gabuar teorike për drejtshkrimin të komunitetit të gjuhëtarëve shqiptarë që nga Kongresi i Drejtshkrimit e deri sot.

Baza teorike e kohës për drejtshkrimin e shqipes

Për të formuluar parimet e drejtshkrimit të shqipes është e natyrshme që gjuhëtarët shqiptarë të Kongresit të Drejtshkrimit të orientoheshin edhe në bazën teorike më të fundit të gjuhëve të tjera, në të cilat reformat e drejtshkrimit qenë kryer më herët se në gjuhën shqipe.

Prandaj me interes është fillimisht të shihet sa kishin përparuar në Evropë studimet për drejtshkrimin në kohën kur u mbajt Kongresi i Drejtshkrimit.  Në vazhdim do të përqendrohem në shembullin e gjermanishtes.

Në Gjermani, deri në mesin e viteve 1970, studimet për drejtshkrimin nuk kishin ecur gjithmonë me të njëjtin intensitet si ato për gjuhën e folur. Pozicioni më i përhapur (i cili vazhdoi në formë të modifikuar të paktën deri në fillim të viteve 1990) ishte se objekti i gjuhësisë ishte “gjuha e folur, kurse gjuha e shkruar shihej si diçka e jashtme e gjuhës, me të cilën gjuhëtarët në thelb nuk kishte nevojë të merreshin[5]“.

Por megjithëkëtë, baza teorike për gjuhën e shkruar nuk mungonte aspak. Me formën e shkruar të gjuhës, gjuhëtarët gjermanë qenë marrë intensivisht që rreth fundit të shekullit të 19-të, në përpjekjet për njësimin e ortografisë së gjermanishtes. Më pas do të vinte mesi i shekullit të kaluar, kur vëmendja për sistemin e shkrimit në gjuhësinë gjermane të bëhej sërish sistematike.

Fonetika dhe fonologjia – kuptimi i tyre në kohë

Me dobi është në këtë kuadër edhe një vështrim në rrethanën si janë kuptuar në gjuhësinë evropiane në vazhdimësi termat fonetikë dhe fonologji.

Sipas gjuhëtarëve francezë “për një kohë të gjatë, fonologjia ishte e shkrirë me fonetikën.”[6]

“Shpesh, në termin tradicional fonetikë, janë përfshirë të dyja aspektet e studimit”[7], pra edhe aspekti funksional.

Edhe terminologët gjermanë e kanë kuptuar këtë ngjashëm. Përfaqësuesja më e njohur e terminologëve gjermanë, Hadumod Bußmann shkruan se “termi fonetikë është përdorur pjesërisht si sinonim me termin fonologji”[8]. Ajo kujton edhe se në gjuhësinë amerikane, termi fonologji është herë pas here koncept çati për fonetikën dhe fonologjinë bashkë (engl. phonemics).

Shpjegime si është kuptuar parimi fonetik nga gjuhëtarët shqiptarë

Përballë kësaj situate, kur kemi një kuptim divergues të termave fonetikë dhe fonologji në kohë e tradita të ndryshme gjuhësore, me rëndësi për rastin tonë është të shihet si i kanë kuptuar ato gjuhëtarët shqiptarë.

Këtë e shpjegon qartë në vitin 2004 Anastas Dodi. Në veprën “Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe”[9] Dodi ndër të tjera shkruan:

“Lidhur me emërtimin e parimit themelor të drejtshkrimit të gjuhës shqipe janë shprehur mendime se ndoshta më e drejtë do të ishte që ai të quhej jo parim fonetik, por parim fonematik ose fonemor. Duhet thënë se termi parim fonetik është përdorur këtu me një kuptim të gjerë. Ortogramet fonetike, po të vështrohen fonologjikisht, janë edhe fonemore, sepse fonemat këtu jepen me shkronjat gjegjëse. Shkronjat këtu paraqitin fonemat, që realizohen nëpërmjet tingujve të ligjërimit. Por termi parim fonematik përdoret shpesh si sinonim i termit parim morfologjik. Duke marrë parasysh interpretimin e ndryshëm të termit parim fonematik, këtu është përdorur termi tradicional parim fonetik.”

Kjo është pra mënyra si e kanë kuptuar gjuhëtarët e Kongresit të Drejtshkrimit termin “parim fonetik”. Po të mos mbetemi në sipërfaqe të termit, del e qartë se drejtshkrimi i shqipes për ta është drejtshkrim i fonemave si njësi funksionale.

Të njëjtin interpretim të termit „parim fonetik“ bën edhe gjuhëtari Seit Mansaku. Muajin e shkuar, në veprimtaritë e organizuara nga Akademia e Shkencave me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, prof. Seit Mansaku u shpreh: “Asnjëri nga kriteret vetëm nuk është i mjaftueshëm për përcaktimin e Rregullave, por kriteri fonetik, që përfshin edhe aspektin funksional fonologjik, mbetet kriteri themelor, pa mohuar kriterin morfologjik e historik.”[10]Ngjashëm e kanë interpretuar termin „parim fonetik“, para këtij pohimi dhe në vazhdimësi, edhe gjuhëtarë të tjerë të njohur shqiptarë.

Ky kuptim i gjerë i parimit fonetik del tërthorazi në pah sërish kur Dodi flet për studimet fonetike. Ai shkruan se “nuk mund të bëhet asnjë studim i vërtetë në fushën e fonetikës pa pikësynime të qarta fonologjike, funksionale”[11].

Argumentat gjuhësore që sjell studiuesi Spiro për nevojën e zëvendësimit të parimit fonetik me atë fonologjik si parim kryesor të drejtshkrimit të shqipes janë me vend vetëm po të mos mbahet parasysh tradita faktike dhe e deklaruar  e kuptimit fonematik të këtij termi nga gjuhëtarët shqiptarë.

Te gjuhëtarët nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, Çabej, Ajeti, Domi, Demiraj, Dodi, Kostallari, Lafe, Nesimi dhe te gjuhëtarët e tjerë që punuan për Rezolutën e Kongresit të Drejtshkrimit nuk kemi pra, në këtë rast, kurrfarë boshllëku të përbashkët në formimin e tyre gjuhësor, apo një “kufizim të këtij komuniteti gjuhëtarësh”, siç është thënë. Nuk mund të flitet për mosnjohje të fonologjisë apo për mangësi në njohjen e sistemit të gjuhës më gjerë. Informacioni i tyre për sistemin e gjuhës ka qenë jo vetëm “state of the art”, por mbi të gjitha, ata kanë pasur e kanë një përfytyrim të qartë për parimet e drejtshkrimit.

Arsye të tjera për zgjedhjen e termit “parim fonetik”

Vendimi i Kongresit për ta quajtur parimin fonetik parim themelor të drejtshkrimit përkon me kërkesën e formuluar fillimisht nga Komisia Letrare e Shkodrës, në vitin 1917. “Orthografíja e gjuhës do të jetë, për sa të mundet, fonetike; d.m.th. gjuha do të shkruhet ashtu si flitet sot prej popullit”, shkruhet në “Rregullat mbi orthografín e gjuhës shqipe të shkrueme të vendosuna prej Komisís Letrare”.

Kodifikimi i shqipes dhe hartimi i rregullave të drejtshkrimit, siç thekson me të drejtë edhe Spiro, për gjuhën shqipe ashtu si për gjuhë të tjera kishte qëllime praktike, të ndihmonte folësit për përvetësimin e shkrim-leximit. Në këtë kuadër, përdorimi i një koncepti më të njohur për masën e gjerë të njerëzve, e cila do t’i zbatonte Rregullat e Drejtshkrimit, siç është veçuar, e lehtësonte kuptimin e Rregullave. Vendimtare këtu mbetet si kuptohen në fund termat.

Në këto rrethana, nëse në propozimet që bëhen sot për rishikimin e drejtshkrimit mund të ketë ndonjë çorientim, siç thuhet, kjo me gjasa nuk e ka burimin te parimet kryesore të drejtshkrimit, por te ndonjë interpretim apo zbatim jokonsekuent, sipas kuptimit të përgjithshëm, i tyre.

Përmbledhtazi, diskutime për parimet kryesore më efikase të drejtshkrimit ka deri në ditët tona edhe në gjuhë me traditë të gjatë të shkrimit, si p.sh. në gjermanishte. Parimet e drejtshkrimit mbivendosen dhe kanë një ndërveprim josistematik e kjo hap natyrshëm probleme. Qasje diverguese metodologjike janë të zakonshme edhe në gjuhësi, në një kohë që qasje të mëvonshme ndriçojnë jo rrallë, shpesh me terma të përgjithshme të reja, vetëm aspekte shtesë të çështjeve në fjalë, pa i deligjitimuar domosdoshmërisht qasjet e mëparshme.

Parimi kryesor i drejtshkrimit të shqipes, parimi fonetik i vështruar fonologjikisht, ashtu siç kanë bërë gjuhëtarët (shqiptarë) dhe i plotësuar me parime dytësore, mendoj se i ka shërbyer mirë drejtshkrimit të shqipes. Në këtë kuptim nuk është e gabuar që parimin kryesor të shqipes ta quash parim fonologjik.

© 2022 Auron Dodi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

 


[1] Lloshi, Xh., “Ribotimi i “Fjalorit” dhe i “Rregullave të Drejtshkrimit””, konferenca “Shqipja standarde sot”, organizuar nga ASHAK dhe ASHSH, Prishtinë, 17.11.2022. Për parimin morfologjik Lloshi shprehet:”Parimi morfologjik, që dikush e ka kundërshtuar, nuk ka pasur përgjithësisht kundërshtime gjatë këtyre 50 vjetëve, por ka nxjerrë probleme zbatimi i tij. Pikërisht zgjidhje të tilla ku nuk ka pasur konsekuencë në zbatimin e parimit morfologjik, shkaktojnë edhe sot diskutime.” Ai konkludon se “për mendimin tonë tashti për drejtshkrimin e shqipes ka dy parime: morfologjik dhe historik”. Në parimin historik Lloshi thotë se ka kaluar tashmë edhe parimi fonetik.

[2] Spiro. A, „Për një riformulim të parimeve të drejtshkrimit“, cituar sipas botimit në “Peizazhe të fjalës”, 09.12. 2022, https://peizazhe.com/2022/12/09/per-nje-riformulim-te-parimeve-te-drejtshkrimit/.”

[3] shih për këtë edhe Dodi, A., https://www.gazetatema.net/kulture/kongresi-i-drejtshit-nuk-krijoi-ndonje-gjuhe-te-re-letrare-i364067

[4] Spiro. A, art. i cituar

[5] Nerius. D/Rahnenführer, I, Orthographie, Julius Groos Verlag Heidelberg, 1992, fq.2,3

[6] Larousse, Le dictionnaire de linguistique et des sciences du langage, phonologie, Paris, 2013

[7] Dodi. A., „Fonetika dhe fonologjia e gjuhës shqipe“, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2004, fq.26

[8] Bußmann, H., Phonologie, Lexikon der Sprachwissenschaft, Kröner, 2002

[9] Dodi. A., vepër e cit., fq.239

[10] Mansaku, S., Diskutim në veprimtaritë e organizuara nga Akademia e Shkencave me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Tiranë, 2022

[11] Dodi. A., vepër e cit., fq.26

 

Rreth Autorit

Auron Dodi ka punuar si lektor në Departamentin e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Histori-Filologji. Në vijim të kësaj pune pasoi një qëndrim dyvjeçar kërkimor në Institutin e Gjuhësisë të Universitetit të Bonn-it në Gjermani. Prej shumë vitesh kontribuon në terminologjinë gjuhësore gjermanisht-shqip. Prej vitit 1992 punon gjithashtu si analist kulturor dhe politik e publicist në kompaninë multimediale ndërkombëtare Deutsche Welle në Gjermani.

Author Archive Page

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin