Të dashur lexues, ndjekës, miq dhe dashamirës të revistës “Peizazhe të fjalës”,
Idealisht, çdo fundviti duhej të ishte i veçantë, madje special; por idealistëve gjithnjë u duhet të ndeshen me monotoninë e kalendarit dhe të numrave. Të kalendarit që na kujton se është koha për të dërguar urimet dhe për të kremtuar – si “Peizazhe të fjalës” – me lexuesit, autorët dhe të gjithë ata që gjejnë diçka unike te prurjet tona.
Këtë vit është hera e dytë që na detyroi kalendari të bëhemi solemnë: në qershor festuam 15-vjetorin e revistës, në Tiranë, me një mbrëmje ku edhe patëm fatin të shihemi jashtë dhe larg virtualitetit. Ju ftojmë të ndiqni këtu një video të asaj mbrëmje, si dhe fjalën përshëndetëse të Eda Derhemit, një prej autoreve dhe bashkëpunëtoreve më të vyera të revistës.
Jemi një revistë që botohet vetëm në ueb; te ky format ndihemi mirë dhe mendojmë se mund të kontribuojmë më shumë. Prandaj edhe ato 15 vjet që kujtuam mishërojnë edhe historinë e Internetit shqip. Ky Internet ka mbledhur bashkë mendje që përndryshe nuk do ta gjenin njëra-tjetrën – dhe ka lejuar që, mes banalitetit sundues dhe logjikës së mbrapshtë të klikimeve, të krijohen edhe ishuj të shkëlqimit, të lirisë së fjalës dhe të lulëzimit të mendimit kritik shqip bashkëkohor.
Një i tillë ishull kemi dashur të jemi – dhe ky vizion është i vetmi që na nguc, çdo ditë, t’i kushtojmë kohë, mund dhe energji shpirtërore mirëmbajtjes, riprodhimit dhe përtëritjes së revistës.
Modeli ynë është eseistika: një zhanër pak i lëvruar në kulturën shqipe, por edhe – për të njëjtën arsye – me potencial të jashtëzakonshëm. Kemi dashur t’i mbajmë “Peizazhet” pikërisht në atë hapësirë të ndërmjetme mes artit të fjalës dhe ligjërimit akademik, me dëshirën për të sjellë dhe ngulitur një traditë që gjetiu – në botën anglo-saksone por jo vetëm – e sundon kulturën. E kemi përfytyruar eseistikën si një pasqyrë ku arti dhe dija mund të shohin dhe të shihen, për të komunikuar më mirë me publikun.
Nuk janë ditë të mira për mediat online, dhe as për kulturën, pjesë e së cilës jemi. Institucionet publike duket sikur kanë përqafuar modele zhvillimi që kanë për bazë bujën, dukjen, performativin, skenën – të cilat kushtojnë shumë më tepër se ç’arrijnë e realizojnë.
Dhe “Peizazhet” sot nuk është më blogu i 15 vjetëve më parë: shumëçka ka ndryshuar, përfshi këtu edhe rritjen e ekspozimit publik, por edhe përgjegjësinë që vjen me vitet. Janë me dhjetëra autorët që kontribuojnë rregullisht për ne, emra të shquar dhe emra që janë shquar nëpërmjet revistës. Janë me dhjetëra mijëra ata që vijnë të shfletojnë arkivin tonë, çdo vit, të tërhequr nga larmia e tematikës dhe serioziteti i trajtimit.
Kjo rritje – nga disa anë e pashmangshme – e ka ndryshuar edhe raportin tonë, si revistë, me lexuesin. Duam që të arrijmë ta ruajmë pavarësinë editoriale falë dhurimeve tuaja – dhe gjithsesi duke shmangur ato lloj financimesh, që vijnë me detyrime specifike. Sikurse duam edhe që revistën ta vëmë në shërbim të promovimit të vlerave kulturore – aktuale dhe të traditës – në një mënyrë të tillë që kjo t’i shërbejë drejtpërdrejt publikut, jo promovuesve dhe fushatave.
Nuk shesim asgjë. Arkivi ynë, që përmban mijëra ese kritike, historike, letrare dhe të llojeve të tjera, të gjitha origjinale, është falas në dispozicion të lexuesve, duke filluar nga ata që kanë më shumë nevojë: nxënësit dhe studentët. Si redaksi, i japim përparësi verifikimit të çdo shkrimi që botojmë, nga perspektiva e jetëgjatësisë. Nuk jetojmë për momentin e tanishëm – për ne, nuk është pjesa mbi ujë, por masa e nënujshme e ajsbergut, që e përligj punën dhe misionin tonë.
Ka shumë që nuk na duan, sidomos në institucionet dhe në mediat komerciale; që nuk na duan dhe që do të donim të mos ishim. Ndoshta ngaqë thjesht prania jonë në komunikimin virtual u provon çfarë mund të bësh, me mjete financiare minimale, duke ua shpuar tullumbacet propagandistike. Ose edhe ngaqë “Peizazhe të fjalës” i dëshmon lexuesit se kultura shqipe mund të mbijetojë, madje të japë më të mirën, pa pasur nevojë për bekime institucionale. Heshtja dhe injorimi prej tyre na kanë dëmtuar, por jo aq sa të na paralizojnë dhe të na bëjnë irrelevantë.
Dhe ja ku jemi sërish!
Pesëmbëdhjetë vjet sjellin me vete edhe rrezikun e rutinizimit: ose që lexuesi të mësohet aq shumë me praninë tonë, sa të mos na vërë më ré, teksa ne vetë fundosemi nën peshën e arkivit. Rrezik real, prej të cilit mund të na shpëtojë vetëm përtëritja – me tema, autorë dhe përsiatje të reja. Gjithnjë të vëmendshëm ndaj traditës, duam që ta riprodhojmë edhe duke e krijuar. Kjo edhe na ndan nga përpjekjet rituale për sakralizimin e traditës kulturore, me të cilat shohim të identifikohen shumë institucione që konsumojnë fonde publike pa fund.
Dhe më e rëndësishmja për ne: përveçse revistë, “Peizazhe të fjalës” është edhe komunitet – autorësh, lexuesish dhe mbështetësish, por sidomos komunitet mendjesh, që ka gjetur veten te revista dhe që merr pjesë në jetën e saj. Mes këtyre, po aq sa edhe esetë dhe artikujt që na vijnë për botim, vlerësojmë dhuratat e vyera financiare, nga miq e dashamirës që nuk duan as t’u përmendet emri. Bujaria e tyre, për të cilën u jemi aq mirënjohës, na bën të mendojmë se revista jonë dhe të gjithë ata që na janë bashkuar, kanë përftuar tashmë një konstelacion të së mirës, që shndrit edhe netëve më të errëta.
Gëzuar, pra, Vitin e Ri 2023: le të gatitemi për të kaluar së bashku një vit që e urojmë të jetë produktiv, i lirë, i shëndetshëm dhe i mbarë.
Ardian Vehbiu dhe Elona Pira
Peizazhe të fjalës
Një përzgjedhje shkrimesh nga ky vit
SHTËRGU I LASGUSHIT – Ardian Vehbiu
POPULLI SEKRET I SË DJATHTËS SË RE – Arbër Zaimi
E KALUARA BURG, GJUHA QELI – Artan R. Hoxha
KOMUNIZMI VEGJETARIAN – Elsa Demo
BIDONI – Endrit Marku
GJUHA SI LUFTË APO SI DITURI? – Sokol Çunga
MARGARITA KRISTIDHI, IKONË E PIANIZMIT SHQIPTAR – Metila Dervishi
EMRI I GJIROKASTRËS DHE KRONIKA E DROPULLIT – Tannhäuser
RIZOMA TË THARA – Elsa Demo
HISTORI KITSCH – Edon Qesari
KUR IDHUJT ZGAVROHEN – Visar Zhiti
TRANSKINOSTUDIO – Elsa Demo
RRETH “NACIONALIZMIT” TË DISA HISTORIANËVE – Artan R. Hoxha
STALIN ON DEMAND – Ardian Vehbiu
VALLE DIBRANE – Mikaela Minga
MUZEU DHE PARADOKSI I SË SHENJTËS PROFANE – Andi Rëmbeci
ANIJE NË ADRIATIK – Ardian Vehbiu
RITI DHE PROGRESI, LUFTË TË KUNDËRTASH – Ardian Vehbiu
JANI VRETO, KY “GREKOMAN” I NDJERË – Sokol Çunga
RRËNJËT DREJTSHKRIMORE TË SHTETIT Gjeto Bashari
FEJA STREHUAR NË LEKSIK – Teuta Toska
FICTION NË MEMOIR – Ardian Vehbiu
LEIBNIZ-I MBI SHQIPEN DHE ORIGJINËN E SAJ (II) – Bardhyl Demiraj
KARTOLINË NGA TIRANA #2 – Elidor Mëhilli