NJË FILXHAN KAFE DHE KËPUCË TË REJA VESHUR

nga Arsild Tepelija

“Njëfrymëshe” mbi filmin “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur”

Filmi “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është një film që, me përjashtim të emrave të personazheve kryesore, gjuhës së folur dhe rakisë së pirë, nuk i përngjet asgjëje në hapësirën shqiptare. Ngjarja në filmin e regjisorit Gentian Koçit, me skenar të tij, ndjek jetën e dy vëllezërve binjakë që nuk dëgjojnë, të cilët marrin vesh se për shkak të një gjendjeje gjenetikisht të trashëguar e degjenerative, të cilën e kanë të dy, do të humbasin së shpejti edhe shikimin.

Filmi është i thjeshtë, tërheqës estetikisht, qoftë prej cilësisë së fotografisë dhe tingujve në sfond, qoftë prej paraqitjes fizike të aktorëve kryesorë, përtej lojës së tyre të përkryer. Ai nuk përmban mjerimin e hapësirës sonë komunitare, të cilën jemi mësuar ta shohim në filmat shqiptarë të tranzicionit. Ai nuk duket i fragmentuar dhe i pamjaftueshëm në rrekjen për të kapur dimensionin e shumëllojshëm të plagëve në stofën e përbashkët sociale.

Filmi, gjithashtu, nuk është emocionalisht i mbingarkuar, siç fare lehtë do të mund të rrezikonte të ishte prej ngjarjes delikate që trajton. Ashtu si Gëzimi dhe Agimi, të cilëve nuk iu duhet bota (ndonjëherë as Ana, e dashura e Gëzimit) nëse kanë njëri-tjetrin, edhe filmi ndërmerr një bast të guximshëm për të lënë gjithçka jashtë dhe për t’u përqendruar vetëm në dramën e personazheve të tij. Për t’u siguruar për këtë, konteksti rreth tyre është i tëri i balancuar dhe i neutralizuar, duke u zhveshur nga çdo anshmëri socio-politike, kulturore apo ekonomike.

Djemtë janë të mirintegruar me punën e pavarur në punishten e tyre.  Në aspektin social, ata i gëzohen aq sa kushdo tjetër jetës në shoqëri e lidhjeve familjare, sikur të mos kishte asnjë pengesë mes tyre dhe njerëzve të cilët munden veçse t’i hamendësojnë komunikimet e tyre. Ata janë të rrethuar prej marrëdhënieve të shendshme në zonën rurale prej nga kanë prejardhjen, por edhe në përditshmërinë e jetës kryeqytetase. Të dyja vendndodhjet përshkohen prej një rrëkeje të pandalshme rakie, e cila edhe në kronologjinë e filmit duket se buron në malet e vendlindjes dhe zbret me ta në kryeqytet.

Ngjashëm, edhe dimensioni politik qëndron si një rrezik tërësisht i parëndësishëm për të ndërhyrë në dramën e filmit. Vëllezërit i kryejnë vizitat e tyre në një spital në dukje publik, me pajisjet dhe profesionalizmin e duhur. Më pas, atyre iu qasen edhe shërbimet sociale, të vendosura në dijeni prej mjekut që ndjek ecurinë e vëllezërve. Ky element i fundit, kaq jashtë realitetit të vendit tonë, vjen aq në harmoni me balancat e tjera të krijuara në film, saqë njerëzit, të cilët nuk përballen me telashe të tilla, në një kontekst tjetër rrezikojnë ta besojnë se reflekton me vërtetësi situatën e shërbimeve sociale publike në Shqipëri. Kësisoj, filmi homologon ndjeshmëritë e shikuesit shqiptar me ato të shikuesve prej konteksteve të tjera. Audiencës shqiptare nuk i duhet të shpërqendrohet nga shqetësime periferike larg ngjarjes, të llojit se mos vëllezërit do të përfitonin prej shërbimeve mjekësore më të mira në një klinikë të specializuar jashtë vendit, apo se mos barra e Anës do të qe më e lehtë në një prej vendeve, ta zëmë, nordike, ku shërbimet sociale ofrohen të plota (megjithëse ndoshta nuk ka film, sado të arrirë e universal, që ta relativizojë këtë pikë).

Ekonomikisht, djemtë duket se ia dalin për bukuri. Teksa nuk shfaqen shenja të ndonjë pasurie eksesive, çdo gjë mbi stilin e tyre të jetës tregon se është e ndërtuar mirë dhe me qëndrueshmëri, nisur nga vendi i punës, tek apartamenti, makina që ngasin dhe rrobat casual që veshin. Rakia duket gjithashtu e bëre në shtëpi.

Kështu ngjarja ka vetëm një fokus e vetëm një kah. Ajo përqendrohet ekskluzivisht te gradualiteti i rëndimit emocional për shkak të limitimit shqisor, përtej së cilës paraqiten dy djem tepër të shëndetshëm e të shkathët fizikisht. Duket se rakia që pinë vetëm sa u zgjat jetën, pa u shkaktuar asnjë problem, gati një eliksir jetëgjatësie.

Dalëngadalë, por më shpejt sesa pritej dhe (sigurisht për t’u diskutuar!) me një ritëm zhvillimi që e tejkalon atë të intensitetit emocional, njëri pas tjetrit, Agimi në fillim dhe Gëzimi pas tij, bien në jetën e kufizimeve. Heshtja dhe errësira totale, me kohën që nuk e shtyn asgjë, krijojnë inkubatorin e përsosur të dhimbjes, melankolisë, disfatës…dhe pashmangshmërisht, dorëzimit. Dalëngadalë, por me ritëm të pandalshëm, njerëzit rreth tyre zhduken, shendi bashkë me ta. Njëri pas tjetrit bien si ushtarë bedenash, në fillim Agimi, pastaj Gëzimi dhe në fund edhe Ana, e cila dukej si rrezja e dritës (siç vetë aktorja ka dëshirë të portretizojë personazhin që luan në film) konstante dhe e pamposhtshme në jetën e tyre. Kur askush dhe asgjë nuk ka më forcën të zgjojë arsye për të luftuar, nuk ka më vend për eliksir jetëgjatësie. Në vend të rakisë, një filxhan kafe, këpucë të reja veshur, dhe një buzëqeshje çliruese mes të njëjtësh.

Filmi “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është i një cilësie prodhimi e aktrimi, thjeshtësie e autenticiteti të parakohshme për kontekstin shqiptar. Ai nuk ngatërrohet labirinteve të moralit, por i thërret empatisë. Filmi ka mundësinë të kalisë inteligjencën emocionale te secili prej nesh, e për pasojë, të na bëjë të gjithëve njerëz më të mirë. Për këtë arsye, filmi “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur” është një must. Do të ishte në dobi të dimensionit humanist të filmit zhveshja nga pritshmëritë e të fituarit të Çmimit Oscar, si përpjekje për të përvetësuar suksesin e tij eventual, në vend të bollëkut emocional që ka për të ofruar.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin