NJË SHTATORE E GJERGJ KASTRIOTIT NË ATHINË

nga Dhori Qiriazi

Dy fjalë hyrëse

Në fondin Mitko të Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar gjendet dorëshkrimi i një letre prej 15 faqesh, nënshkruar nga Ευθ. Σ. Υδρέας / Efth. S. Idhréas, në Kajro, më 25 mars 1877, dhe shkruar për t’u botuar në shtypin greqisht të kohës. Autori polemizon aty me historianin grek K. Paparigópulos dhe kundërshton tezën e këtij për origjinën sllave të Skënderbeut.

Kush ka qenë autori i letrës? Fillimisht, mbi bazën e të dhënave që dispononim, menduam se do të ish Thimi Mitkoja, por tani, pas daljes në dritë të një dokumenti tjetër, nuk kemi dyshim që letra është shkruar nga Thimi Brandi.

Në të vërtetë, nuk bëhet fjalë për një polemikë mirëfilli shkencore. Autori, ndryshe nga pjesëmarrës të tjerë në këtë diskutim, gjen rastin të shpalosë dhe të mbrojë platformën e çështjes shqiptare. Më tepër se me historianin vetë, ai merret me mendësitë dhe faktorët që e mbajnë ende të paselitur “vreshtin shqiptar”. Nga ky këndvështrim, dokumenti, i shkruar një vit para se të botohej “Bleta Shqiptare”, merr një vlerë të veçantë.

Edhe pse nuk dimë nëse kjo letër u botua në ndonjërën prej gazetave greqisht,  ka interes të vihet në dukje se teksti i saj është përfshirë në mënyrë thuajse integrale në veprën “Αλβανικά παράπονα” (Ankime Shqiptare) të Thimi Βrandit, shtypur në Athinë më 1880.

Në këtë mënyrë, figura dhe kujtimi i Skënderbeut shërbejnë si një mjet efikas i zgjimit të ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve. Mitkoja, Brandi, dhe më pas Naimi me “Dëshirën e vërtetë të shqiptarëve”, ndonëse shkruajnë greqisht, në fakt dhe kryesisht u drejtohen bashkatdhetarëve të vet. Krahasimi i këtyre veprave tregon se si, vit pas viti, bëhet gjithnjë e më i ndjeshëm “nervi” kombëtar i shqiptarëve.

Këtu, për arsye vendi, do të kufizohemi në citime nga përkthimi shqip i dorëshkrimit, kryer prej nesh, dhe do të japim të dhëna për kontekstin historik të debatit për origjinën etnike të Skënderbeut, që u zhvillua në shtypin e Athinës në mesin e viteve 1870-1880. Teza dominuese e debatit, e cila do të rivështrohej në vazhdim nga Naimi, është se shqiptarët dhe grekët janë degë të trungut të përbashkët helen, me rrënjë pellazge. Në këtë shtrat hedh rrënjë e merr shtat edhe ideja për ngritjen e një shtatoreje të Skënderbeut në Athinë, që, siç ndodh jo rrallë, in a broader sense u rimor para ca ditësh nga kreu i diplomacisë greke (Skënderbeu është hero kombëtar në të dy vendet tanë [Greqi dhe Shqipëri])[1]N. Dendias: O Skënderbeu είναι εθνικός ήρωας και στις δύο χώρες μας. (Nga përshëndetja për festën kombëtare të Shqipërisë, … Continue reading) fjalët e të cilit u kontestuan/anatemuan nga një gazetar dhe diplomat veteran shqiptar[2]Sh. Murati, https://www.syri.net/politike/555730/me-qitje-te-larget-greqia-e-shpall-skenderbeun-hero-kombetar-grek/.

Personalisht mendoj se ka ardhur koha t’i ngrihet Skënderbeut një shtatore në zemër të Athinës dhe këtë dëshirë do të desha ta ndaj me lexuesit e PTF.

  1. Dokumenti

Gjendet në dosjen nr. 6 të Fondit Mitko të AQShSh, e cila përmban 7 fletë të shkruara recto e verso dhe fletën 8 të shkruar vetëm recto. Shkrimi duket që është i Mitkos, i dendur e i lexueshëm, por jo i njëtrajtshëm, që do të thotë se letra është kopjuar gjatë disa ditëve dhe është përfunduar më 25 mars të motit 1877.

Siç do të shohim, dhe bazuar vetëm në përmbajtjen e saj, letra i drejtohet Redaktorit të gazetës …, çka do të thotë se autori nuk kish vendosur ende cilës së përditshme do t’ia adresonte, ose që ajo u përgatit në disa kopje për t’iu dërguar njëherësh disa gazetave, që ta botonin si letër të hapur. Nuk e dimë cilave gazeta kish ndërmend t’u drejtohej autori, në Kajro, në Aleksandri apo në Athinë, sikurse nuk njohim nëse letra i mbërriti në duar njeriut që u bë shkak për hartimin e saj, atit të historiografisë së re greke, Kostandinos Paparigópulos.

Gjithsesi, duke u nisur nga fakti që një një letër e tillë nuk do t’i kish shpëtuar vëmendjes së studiuesve, por edhe ngaqë në arkivin e Mitkos nuk është gjetur asnjë kopje gazete me të tillë përmbajtje, anojmë nga mendimi se letra nuk e pa dritën e botimit e se polemika në fjalë, deri në botimin e “Ankimeve shqiptare”, pati qenë më tepër virtuale sesa reale.

  1. Autori i letrës

Kopja e letrës u gjet në dorëshkrimet origjinale të Th. Mitkos dhe kjo na shtyu fillimisht të mendonim dhe të besonim se autor i saj do të ishte vetë Mitkoja. Përmbajtja, stili, koha e të shkruarit (mars 1877, një vit para botimit të “Bletës Shqiptare”) qenë tregues që e bënin të besueshme hipotezën tonë.

Në këtë hulli, pas konstatimit se dokumenti në fjalë është përfshirë pothuaj i plotë në veprën «Αλβανικά παράπονα» (“Ankime shqiptare”) të Th. Brandit (Athinë 1880), hamendësuam se pati qenë Mitkoja ai që ia dha Brandit tekstin dhe ky e përfshiu në veprën e vet. Mbi bazën e këtyre të dhënave u hartua edhe ligjërata jonë me titull “Teksti, parateksti dhe konteksti i një dokumenti-polemikë të Th. Mitkos me historianin grek K. Paparigópulos për origjinën etnike të Gjergj Kastriotit”, mbajtur në kuadër të veprimtarive kushtuar 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut (Tiranë, shtator 2018).

Në fund të tetorit 2019, kur po i jepnim dorën e fundit motërzimit të shkruar të asaj ligjërate, miku ynë i nderuar Thomas Frashëri, me cilësinë dhe përgjegjësinë edhe të bashkërenduesit të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, pati mirësinë të na njoftonte për një gjetje arkivore, e cila e vinte në pikëpyetje, apo më saktë e përmbyste autorësinë e Mitkos, të hamendësuar prej nesh, dhe provonte se pas atij shkrimi polemik qëndronte një Efthim tjetër, edhe ky korçar e mërgimtar, pikërisht Thimi Brandi.

Sipas të dhënash arkivore mjaft të besueshme, ky i dërgon një letër Jani Vretos më 15/27 tetor 1878 dhe, me argumentin se nuk i ka edhe aq mirë punët me të shkruarit e greqishtes, i kërkon që, në mos mundtë Vretoja vetë, t’i gjejë dikë tjetër që do të marrë përsipër redaktimin dhe përgatitjen për botim të një vepre që Brandi po e hartonte prej vitesh. Në fondin arkivor të Vretos të AQShSh, përveç letrës së përmendur, ndodhet edhe dorëshkrimi i redaktimit të veprës “Ankime shqiptare”, që ngjan si dy pika uji me variantin e botuar, ndonëse ky është disi më i “rrudhur”. Jani Vretoja pra, është redaktori edhe i kësaj vepre, e madje ai ka ndërhyrë tek-tuk në tekstin e Brandit, gjë që vihet re me lehtësi kur ky krahasohet me variantin e letrës së gjetur në arkivin e Mitkos.

Po ç’hyn Mitkoja në këtë mes? I vetmi shpjegim a hamendësim që mund të bëjmë tash për tash, është se Brandi, pasi ka lexuar në gazetën “Neologos” të Kostandinopojës që historiani grek Paparigópulos ka vënë në dyshim shqiptarësinë e Skënderbeut, ka vendosur t’i “turret” me letrën që po komentojmë, për shkrimin dhe redaktimin e së cilës ka kërkuar ndihmën e Mitkos, i cili e njihte më mirë greqishten. Historinë befasuese të “Ankimeve shqiptare” dhe letrën interesante prej shumë faqesh të Brandit për Vreton, që i parapriu botimit të asaj vepre, rezervohemi t’i shtjellojmë më gjatë në një kohë më të volitshme.

Më poshtë po japim të përkthyer në shqip pjesën relevante të letrës së Brandit për Vreton[3]Dokumenti i gjetur në AQShSh mban shënimin “Kopje e ‘letrës’ së Efthim Stavri Brandit Korçarit drejtuar Jani Vretos në Kostandinopojë, Postenanasit. 8/20 Νëntor 1878 (siç)” dhe … Continue reading, me të cilën zgjidhet edhe problemi i autorësisë së dokumentit që përbën objektin e kësaj ligjërate.

        Bëhen tash thuajse pesë vjet dhe ngaqë jam i ngeshëm e s’kam kurrfarë pune zura si fillim të shkruaja vargje greqisht sa për të kaluar kohën dhe jo me ndonjë qëllim. Pas një a dy vjetësh pashë se qenë bërë shumë dhe prandaj i mblodha e gatita një libër. Pas këtyre më ar- [f. 43] dhi mejtimi të qortoja e të ngucja shqiptarët që ia kanë veshur gjumit dhe s’po shkruajnë ende gjuhën e tyre. [….]   Me këto e me këto, shtjelluar gjer’ e gjatë, prologu, vargjet dhe ndonja pesëmbëdhjetë shënime, bëhen nja 200 faqe. Mua më duket se i kam shkruar paq dhe më pëlqejnë, por prapë diç më thotë se një njeriu me shkollë mund t’i duken o të mira o pa vlerë, prandaj do të desha shumë t’i shihja me dikë që ka haber nga kësi punësh por të jetë shqip- [f. 46] tar.  […]

Siç mësova prej zotërinjve Spiro Kristo Dine dhe Efthim Krei në Shibin të Egjiptit të poshtëm, një shkrim prej shënimeve të vargjeve të mia, që e shkrova dhe desha ta bëja të ditur në gazetën “Iméra” ose në “Klió”, por s’qe kohë e volitshme dhe e lashë mënjanë, dëgjoj nga ata se ta dërguan dhe e pe përgjigjen që i jap Paparigopullit për punë të Gjergj Kastriotit, që na e nxori sllav nga origjina, dhe mora vesh se zotëria juaj thatë që s’duhet të sillemi kaq rrëmbyer me akuza e sharje dhe se paskëtaj jemi ne që akuzohemi dhe nuk është mirë; në krye të herës e pata shkruar rrëmbimthi e me fjalë të rënda, por më pas e ndreqa dhe tani mua më duket se nuk shaj askund por rrëfej çfarë ngjau në të vërtetë e me të drejtë mbroj të drejtat e shqiptarëve dhe flas për gjëra që u bënë, e s’mund të lihen pa u thënë.

Dua të të pjek dora vetë në Kostandinopojë, sepse jam dhe s’jam i bindur për sa shkrova dhe kam dëshirë t’i shohë edhe dikush tjetër -do t’i pëlqejnë vallë?- e mos mbetem me ç’më pëlqen vetëm mua.  Dhe [f. 47] nëse diçka është e tepërt apo e pavend, ta shoshis e ta heq.  Dhe mbase lind nevoja të shtoj edhe të tjera për të plotësuar tekstin dhe arsyetimin si dhe mënyrën e shtjellimit që nuk e njoh mirë. Paskëtaj dua një shqiptar ta shkruajë dhe të ndreqë gabimet sipas kësaj dreq ortografie [të greqishtes] me jota-n dhe eta-n, e po qe nevoja, unë t’i lexoj dhe ai t’i shkruajë dhe t’ia paguaj punën e kështu të shtypos një mijë copë, 500 për shqiptarët, falas, dhe 500 për shitje mos mbuloj harxhet vetëm të shtyposjes. Them se kur ta lëçisin grekët e Greqisë e të Turqisë, do të kuptojnë të drejtat tona dhe do të nxënë mirë që kurrë nuk na deshën e as na duan akoma, as edhe ndonjë ndihmë pamë prej tyre, daç morale daç materiale. [f. 48]    

  1. Rrethanat në të cilat u shkrua letra dhe dy fjalë rreth përmbajtjes së saj

Autori e thotë qartë qysh në paragrafin e parë të letrës: ka lexuar para një viti në gazetën “Neológos” të Kostandinopojës se Paparigópulos-i na e nxjerrkësh sllav Skënderbenë dhe prandaj, i prekur thellë, nuk mënon t’i përgjigjet pa pyetur më gjatë e pa qëmtuar më tej si, qysh e tek.

Letra e lartpërmendur mban datën 25.3.1877, të ditës kur grekët përkujtonin fillimin e Kryengritjes së tyre çlirimtare. Ajo datë, bashkë me mbiemrin e nënshkruesit, Ευθύμιος Σ. Υδρέας, ku përmendet ishulli Hidra, ka një simbolikë të veçantë dhe bart një mesazh që haset shpesh në shkrimet e kohës: Shqiptarët derdhën gjak për lirinë e grekëve dhe prandaj grekët duhet t’u ndihin e t’u japin dorë në rrugën e lirisë e të diturisë!

Përmbajtja e shkrimit në “Neológos” dhe sidomos mbyllja e tij flasin për një paraqitje objektive e të paanshme të çështjes dhe mendja të shkon se autori anonim[4]Pra shkrimi nuk është i Paparigópulos-it, sikurse kuptohet nga letra e Brandit duhet të jetë një njohës dhe ndjekës i mirë i problematikës shqiptare, e të tillë kishte jo pak në Stambollin e vitit 1876.

Rreth debatit të zhvilluar në Athinë në mesin e viteve ΄80 dhe për personalitetet që morën pjesë në të (Α. Πετρίδης / A. Petridis, Μ. Δήμιτσας / M. Dhimicas, Α. Μιλιαράκης / A. Miliaraqis) ka shkruar hollësisht kolegu T. Jochalas në monografinë e tij të njohur[5]Τ. Π. Γιοχάλας, Ο Γεώργιος Καστριώτης-Σκεντέρμπεης εις την νεοελληνικήν ιστοριογραφίαν και λογοτεχνίαν. Selanik … Continue reading.

Brandi nuk është historian dhe as synon të përballet me Paparigópulos-in nga pozita e historianit. Ai është përfaqësues i një kombi me ndërgjegje në ngjizje e sipër, kërkues dhe promovues këmbëngulës i rrënjëve të farës së vet, që gjen te Skënderbeu  figurën që do ta zgjojë e do ta vitalizojë shpirtin e bashkatdhetarëve të tij. Historiani grek është shkëndija që vë në lëvizje më shumë emocionalitetin dhe jo aq racionalitetin e Brandit për mbrojtjen e Gjergj Kastriotit.

Dy nga idetë bazë që shtjellohen në letër janë se, së pari, vendi i shqiptarëve ngjan me një vresht të lënë djerrë, e se kjo djerrësí lidhet me faktin që ata nuk kanë arritur ta shkruajnë gjuhën e tyre.

Brenga tjetër e tij është se shqiptarët vazhdojnë të luftojnë e të punojnë më tepër për interesat e të tjerëve sesa për të vetat. “Avllija jonë digjet nga etja dhe ne e flakim ujët në rrugë.” thotë shprehimisht.

Është kritik ndaj fqinjëve:

“Prej jush … grekëve, në mos dorë ndihme, së paku sharje e padrejtësi nuk presim ne vëllezërit tuaj shqiptarë-pellazgë-dorikë-helenë.”

Por është edhe më fshikullues ndaj bashkatdhetarëve:

“Ah! Zotërinj grekë, tuajat janë shkronjat dhe shkruani si të doni, kurse shqiptari fatkeq, pa patur shkronja të gjuhës së vet amtare, mbetet i pagdhëndur, dhe bëhet pre. Por mirë t’i bëhet, se kështu i do mushka drutë, e ai vazhdon të flejë sot e gjithë ditën; dhe në mos u zgjoftë të shkronjëzojë gjuhën e vet, shekuj ka për të fjetur, e do të jetë vegël e të tjerëve.”

Mendimi i Brandit determinohet nga ideja e filiacionit pellazgjiko-helen të shqiptarëve e të grekëve, për të cilët beson se janë degëzime të trungut të përbashkët helen e se ky ka rrënjë pellazge. “Paradoksi” i letrës dhe i qëndrimit që rrjedh prej saj është se ai reagon ndaj faktit që Skënderbeu cilësohet si sllav, por s’do të reagonte po aq vrullshëm nëse konsiderohej me rrënjë greke. Dhe kjo është një pikë ku ia vlen të ndalemi më gjatë. Brandi nuk duket të bezdiset nga fakti se Skënderbeu konsiderohet grek. Megjithatë, ai ka një shpjegim të vetin për “sllavizimin e Skënderbeut”. Nga njëra anë thotë:

“Zoti profesor, është për t’u çuditur si vendose pa pikë ndërgjegjeje të cenosh dinjitetin etnik, sedrën, krenarinë, dhe të nëpërkëmbësh këtë simbol etnik të lavdisë së vëllezërve të tu shqiptarë, a më mirë të them simbolin panhelenik, ngaqë edhe territori i Shqipërisë mbarë është territor helen, sikurse do të mendonte së paku çdokush tjetër, veç teje, i cili synon bashkimin dhe madhështinë e kombit të vet.”

Nga ana tjetër vëren se:

“Sikur Gj. Kastrioti të  qe me origjinë greke, grekët do ta himnizonin  me qitapet e tyre deri në qiell të shtatë; dhe ngaqë qëlloi të jetë shqiptar, dhe nuk u pëlqen të jetë shqiptar, për këtë arsye e pagëzuan bullgar.”

Dhe shton më poshtë:

“Por me të tillë politikë nuk mund të bëjnë asgjë, as do të munden ndonjëherë, dhe mos shpresojnë ta kenë nën urdhër shqiptarin. Vetëm një gjë kanë për të arritur me kësi skandalesh, dhe me kësi intrigash, të dëmtojnë veten e tyre dhe ne shqiptarët,  sa i përket qëllimit të shenjtë të bashkimit të mbarë racës helene.”

Siç vë në dukje kolegu T. Jochalas[6]Τ. Π. Γιοχάλας, vep.cit., 40., në historiografinë greke të shek. XIX “grekësia” e Skënderbeut nuk vihej në dyshim e madje ajo u “importua” me përkthimet greqisht të historive e të biografive të Skënderbeut, të autorëve të huaj. Duhet kuptuar ndërkaq se nuk ka pasur një veprimtari të qëllimshme për t’i mohuar shqiptarësinë Skënderbeut e se këmbëngulja tek kjo “padrejtësi” që u është bërë shqiptarëve rrjedh më tepër nga trajtimi bardh’ e zi i historisë, pra nga interpretimi i gjithë marrëdhënieve shqiptaro-greke të shek. XIX në dritën dhe logjikën e “Megali Idhesë”.

Por kjo, “Ideja e Greqisë së Madhe”, u shpall si program politik dhe si ideologji nacionale vetëm në vitin 1844[7]Për lindjen e termit “Μεγάλη Ιδέα” shih Ε. Σκοπετέα, Το «Πρότυπο Βασίλειο» και η Μεγάλη Ιδέα, όψεις του εθνικού … Continue reading, çka do të thotë se para këtij viti – në shumë raste edhe pas tij – gjërat ndodhën siç ndodhën jo për shkak të saj.

Megjithatë, hija e “Megali Idhesë” do i rëndonte qysh ahere marrëdhëniet mes dy popujve, prandaj edhe Brandi nuk i kursen e as i përtyp fjalët kur thotë në letër për grekët se, “ata, të shpallurit mësues dhe dritësues të kombeve, bëhen për ne, vëllezërit e tyre shqiptarë, dritëshuesit më të mëdhenj, dhe tiranët më të këqinj”.

Ky qëndrim i prerë sikur zbutet pak në prologun e “Bletës shqiptare” (1878), ku, përsëri, paralelisht me admirimin ndaj kulturës helene, denoncimi i “Megali Idhesë” bëhet pa ekuivoke dhe njëherësh shpaloset kërkesa që

“… Greqia duhet t’u sillet Shqiptarëve, si mëmë e vërtetë edhe e dashur, dyke u folur në gjuhën e tyre të foshnjërisë edhe shtëpijake edhe jo si njerkë ziliqare dyke u folur përnjergjesh edhe pa pregatitur në gjuhën e Ksenofonit edhe të Thukidhidhit, e cila është për të mësuarit edhe e cila, masi ata nuk e kuptojnë, u err mendjen e i bën të plokët, sa t’i përbuzin vëllezrit e tjerë, si të pagëdhendur, të poshtër, të humbur, si vëllezër, të cilët gjoja sjanë fisnikë edhe si të këtillë shëmtojnë fisnikërinë greke.”[8]Nga përkthimi shqip i parathënies së “Bletës”, të botimit të v. 1924, nën kujdesin e Gj. Pekmezit.

 

  1. Nga parateksti te teksti i botuar i letrës: “Ankimet Shqiptare” redaktuar prej J. Vretos, “Shqipëria” dhe “Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve” shkruar prej N. Frashërit

Duke ndjekur fatin e letrës pas gjasash të papublikuar të Brandit, ka interes të vihet në dukje se teksti i saj është përfshirë në mënyrë thuajse integrale – rreth 2/3 – në veprën “Alvaniká Parápona” (Ankime Shqiptare), shtypur në Athinë më 1880. Në ballinën e librit janë vënë katër vargje greqisht, që shprehin edhe thelbin e përmbajtjes së tij:

Τα γράμματα της μητρικής
Είναι το φως Θεού.
Φωτίζει και πλουτίζει
Το πνεύμα του λαού.

[Shkronjat e gjuhës mëmë
Jan’ drit’ e Perëndisë.
Ndriçon dhe begaton
Frymën e vegjëlisë.]

Nga pikëpamja filologjike, teksti i shkruar (por i pabotuar) nga Brandi mund të konsiderohet si paratekst i asaj që do të përfshihej në shënimin 15 të “Ankimeve…”.. Krahasimi i kujdesshëm i tyre tregon qartë se Brandi ia ka dhënë dorëshkrimin Vretos dhe ky redaktoi gjithë librin. Mbetet për t’u kryer përqasja e dorëshkrimit të redaktimit të Vretos me versionin e botuar të “Ankimeve…” për të parë  nëse ka ndryshime dhe të çfarë shkalle janë ato. Nga ana tjetër, duhet mbajtur parasysh se ne kemi në duar kopjen e letrës së shkruar prej Brandit dhe nuk dimë nëse Mitkoja pati ndërhyrë sadopak në të. Gjithsesi, krahasimi edhe vetëm i kopjes së letrës sipas dsh të Mitkos me tekstin sipas dsh të Vretos e më në fund me tekstin sipas botimit të v. 1880, tregon se Vretoja më shumë ka hequr sesa ka shtuar, dhe se  në tekstin përfundimtar nuk janë përfshirë ose janë shtuar pjesë që gjegjësisht i ka ose nuk i ka dsh i Vretos. Ndërhyrjet e Vretos janë edhe të karakterit gjuhësor, por ajo që bie në sy është përpjekja e tij për ta mbajtur polemikën në një nivel të qytetëruar e për të mos lejuar shkarje e sharje. Ai e tëharr tekstin nga fjalë e shprehje emocionale që mund ta largojnë vëmendjen e lexuesit nga thelbi racional i debatit. Vretoja, duket, e njeh më mirë psikologjinë e opinionit publik grek të viteve 1880 dhe mbi këtë bazë bën kujdes që t’i shmangë “shpërthimet” e Brandit. Mos harrojmë se dy vite më parë, më 1878, ai ka botuar “Apologjinë”[9]Ι. Βρέτου, Απολογία εις το Η κοιτίς του Ελληνισμού – Ήπειρος Αλβανία, εν Κωνσταντινουπόλει 1878., e cila është edhe ajo një përgjigje e drejtpeshuar ndaj qëndrimeve të shpallura asokohe në shtyp për  të tashmen dhe të ardhmen e Epirit dhe për vendin e shqiptarëve në të.

Deri më tash kemi folur për Brandin pa e ditur mirë mirë kush ka qenë e çfarë tjetër na ka lënë të shkruar. Edhe të dhënat arkivore nuk na ndihmojnë mjaft për të krijuar një ide të plotë lidhur me personalitetin e tij. Po sjellim prandaj në vëmendje të lexuesit portretin e Brandit, siç e ka skalitur “Kull’ e Firaun-it”[10]Z. Thomas Frashëri pati mirësinë të më kumtonte se bëhet fjalë për J. Vruhon, një tjetër atdhetar të komunitetit shqiptar të Egjiptit. Ky, më 26 nëntor 1928, i dhuroi Bibliotekës … Continue reading në një shkrim për “Shqipëtarët n’ Egjyptë”, datuar më 6 të Shënt-Andresë 1907 dhe dërguar “Kalendarit Kombiar” nga Misiri:

“Përsëri dhe një tjetër Shqipëtar gjejmë këtu të kohëve të para. Ky shpirt-lumtur quhesh Efthim Branti, këtë e kemi njohur ndë një librë gërqisht e cila quhet ‘Αλβανικά παράπονα’ shtypur n’Athinë më 1880. Këto mësime na i kallëzon i lumturi me shkrimet e tij që s’ paskërkej qënë aqë shumë i mësuarë në diturit, po zëmëra, shpirti, vetëdijat e mendimet e tij na çfaqenë të rralla. Me gjith’ atë që (siç ishin të motshmit) ishte shumë fê-dashës (θρήσκος), e kish kupëtuarë nevojënë që pa fjalë e do-mos-do duhetë shkruarë gjuha jonë që prej kësaj dotë vijë një ndryshim mirësie popullit Shqipëtar, e kështu dotë hyjë në radhët të kombevet të qytetëruarë. Ndjesë të kesh ô Efthim Brant! se afro 40 vjet shkojnë që atëhere ku më ke pasurë të këtilla mendime, sa të mira, sa të ëmbëla, sa pemëdhënëse e të vjejtura dot’ ishinë sot, sikur t’i kishin marur program të gjithë Shqipëtarët e jashtësm!…”[11]Kalendari Kombiar 1908, Sofje 1908, 50-52. (nënvizimet janë tonat, Dh.Q.Q). Por le ta lëmë për pak Brandin, me të cilin do të takohemi sërish më poshtë.

Duke patur si pikë konstante referimi ringjalljen e figurës së Skënderbeut dhe ridaljen e tij në fushëbetejat për liri e dritë të shek. XIX, me hallka ndërmjetëse letrën e 1877-s, prologun e “Bletës shqiptare” dhe “Ankimet shqiptare”, që i bashkon i njëjti fill i filiacionit pellazgo-helen të shqiptarëve e të grekëve, është me interes të shënohet gjithashtu se, në të njëjtin vit me “Ankimet”, pra më 1880, Naim Frashëri boton vjershën “Shqipëria”. Është i pari krijim i tij në gjuhën amtare[12]Dh. S. Shuteriqi,  Naim Frashëri (Jeta dhe Vepra).  ShB “8 Nëntori”, Tiranë 1982, 135., me të cilin e kthen përmbys tezën pellazgo-helene, pa u “brengosur” ndopak për vërtetësinë shkencore të pohimeve të veta:

Gjuh’ që flisnin Perënditë,
Atë flisnin pellazgjitë;
Atë kanë shqipëtarët,
Siç e kishin edhe të parët.
Greqishten ajo e polli,
Latinishtja andej dolli.

Këtu Naimi distancohet prerazi nga Brandi e të tjerë; mbrohet jo duke u ankuar, por me të “sulmuar”,  pa devijuar në thelb nga hullia e ideve të tjera të atdhetarit korçar:

Kemi bërë punë shumë,
Po gjithë vanë në lumë! […] Për këdo që ne lëftuam,
Gjithë ç’u bëm’ i harruan,
Dhe të ligënë na duan. […] Shqipëri pse s’qe e zonja,
Të bënje tri katrë shkronja?
Sikur të paskëshe shkruar,
Gjësendi s’të ish harruar; […] O vëllezër shqipëtarë,
Lereni kohën e parë!
Ejani tani të msojmë,
Paskëtaj të trashëgojmë.
Se në ndënjçim të pamsuar,
Kështu kemi për të vuar.

Poemthi mbyllet me vargun “Ejani, të mbledhim mëntë”, që do të përbëjë edhe thelbin e poemës “Dëshirë e vërtetë e Shqiptarëve”, e cila botohet me ndihmën e «Gutenbergut» shqiptar[13]Krahasimi është i R. Elsie-t (Histori e Letërsisë Shqiptare, Dukagjini, Tiranë-Pejë 1997, 189): “Shtypshkronja shqiptare në Bukuresht, që ai [Vretoja] e ngriti dhe e vuri në punë, ishte … Continue reading, Jani Vretos, në gjuhën greke.  Greqishten e njohin mirë të dy, sepse kanë kaluar nga bankat e “Zosimesë” së Janinës. Ndodhemi në motin 1886, kur sapo ka filluar të funksionojë shtypshkronja e shoqërisë “Drita” të shqiptarëve të Bukureshtit, ku do të shtypet më pas edhe “Histori e Skënderbeut” e Naimit. Autori i “Fjalëve të qiririt” harton kështu një manifest politik në vargje, që mund të lexohet edhe si një thirrje ndaj shqiptarëve se, tash, nuk është më koha për ankime, por është koha për veprim e për thënien në sy të të vërtetave.

Krahasimi i vargjeve të mëposhtme të “Dëshirës” me skicën e vetme që shoqëron dhe u vë vulën “Ankimeve shqiptare”, është domethënës:

A e doni miqësinë edhe dashurinë tonë?
Hiqni dorë nga sofizmat, nga gënjeshtrat, nga mashtrimet.
Ne, o miq, jemi shqiptarë, ju helenë; Shqipërinë
Kemi ne dhe ju Helladhën; gjuhën tuaj ju, ne tonën.
Kështu vetëm mund të lidhet miqësi e vërtetë.
Ne me sllavët e me grekët, me të gjithë fqinjët tanë,
Duam të rrojmë ngaherë me harmoni, si vëllezër,
Veç e drejta e çdonjërit gjithënjë të respektohet.[14]Sipas përkthimit të P. Çukës, në vëllimin Naim Frashëri, Vepra të Zgjedhura I, Akademia e Shkencave e RPSSh, Tiranë 1980, 490.

 

Shqiptari ankohet ndaj Grekut

Meqenëse, pas paratekstit dhe tekstit të letrës së 1877-s, po i vjen radha shqyrtimit të kontekstit të saj, le të shtojmë se, ndonëse e shkruar në greqisht, “Dëshira…” u drejtohet në radhë të parë vetë shqiptarëve (O djemt’ e Mëmëdheut, o trima Atdhetarë!), kurse një varg i ngjashëm na del edhe te “Shqipëria” (O vëllezër shqipëtarë…) dhe vjen si jehonë e largët e “Marshit luftarak” («Θούρειος») të iluministit grek, martirit të lirisë Rígas Feréos:

Ως πότ’ οφφικιάλιος σε ξένους βασιλείς;
Έλα να γίνεις στύλος δικής σου της φυλής.
Κάλλιο για την πατρίδα κανένας να χαθή,
Ή να κρεμάση φούντα για ξένον το σπαθί.

[Ε deri kur do t’jesh shërb’tor mbret’rish të huj?
Eja dhe bëhu shtyll’ e njerëzve të tu.
Më mirë për atdhenë jetën me e dhanë,
Sesa për t’hujin shpatën me e zanë.]

“Dëshira…”:

Ως πότε, ω αγαπητοί φίλοι, αυτοί οι ξένοι
Να μας αποκτηνώσωσι με την ράβδον της Κίρκης;
Και δι άλλων συμφέροντα να φροντίσωμεν όλοι;

[Deri kur, miq të dashur, të huajt
Do na shtazërojnë me shkopin e Circes?
Dhe në shërbim të tyre do jemi t’ gjithë?]

Në këtë pikëtakim të bardit të lirisë e të bartësit të ideve iluministe me etjen për liri e përparim të kombeve të rajonit, dhe në kundërshtim me orekset nacionaliste që po e bënin lesh e li Ballkanin, figura e Skënderbeut shfaqet thuajse vetiu, si dërgesë gati gati hyjnore dhe si imperativ i kohës.

Ndërsa te “Shqipëria” i kushtohen gjithë-gjithë tre vargje:

Skënder-Begu Kastrioti, /
Q’u rrëfye aq’ i zoti.
Ishte burr’ i Shqipërisë.

te “Dëshira” ai zë një vend qendror dhe është, pa dyshim, figura më e dashur e më frymëzuese e shqiptarëve:

Ju, stërnipër të të Madhit Aleksandër e të Pirros,
Të dëgjuar, të lavdishëm, ju, o bij të Skënderbeut,
T’atij burri të vërtetë, që në botë shok s’ka pasur…
Ne pellazgë kemi lerë para se të lindte hëna.
Ti, o muzë gojëartë, që njeh mirë të vërtetën,
Thuaje emërin e ndritur, emërin e perëndijtë,
Këndo, o hyjni fisnike, trimërin’ e tij të rrallë.
Lëri mitet e Homerit për Akilin këmbëshpejtë,
Lër Eneun adhuronjës dhe përrallat e Virgjilit,
Se heroi i vërtetë tani njihet nga të gjithë.
Eshtë prijsi i shqiptarve, është Skënderbeu i madh.

Sikurse vërente prof. J. Bulo, “…nuk është e rastit që Naimi në poemën e vet kërkon shprehimisht nga muza t’i braktisë mitet dhe të ngjallë heronj. Dhe muza poetike e Naimit ngjalli pikërisht Skënderbenë…”[15]Bulo, Tipologjia e Lirikës së Naim Frashërit, Tiranë 1999, 94.

Lumthi ti, shpirt i pamort! Lumja ti, zemër hyjnore!
Ti, o emër shum’ i dashur, emër hyjnor, aq i ëmbël,
Ti je shembull dashurie, ti je monument virtyti,
Monument patriotizmi, trimërie dhe lavdie!
Ty, o bir fisnik, i lartë, i atdheut të shumëvojtur,
Shqipëtarët ta nderojnë emërin dhe kurdoherë
E shqiptojnë veç me lotë dashurie dhe respekti,
Se të njohin lavdinë, njohin bëmat burrërore,
Kur do vijë vallë dita të të ngrenë monumentin,
Të përgjunjenë me zjarr para këmbëve të tua?
Trimërit’ e tua, prijës, dhe fitoret legjendare
Ne, pasardhësit, na mbushin me guxim e burrëri.
Kur ti vdiqe, na ke lënë neve një atdhe të lirë
Dhe e lirë do të jetë Shqipëria jote prapë.
Varri yt siç i ka hije do nderohet mot e jetë.
Nëpër shekuj do të rrojnë emri dhe veprat e tua.
Mbi një mal të lart’ më shfaqet hieja e Skënderbeut,
Shpatën zhveshur mban në duar dhe dëgjoj një zë gjëmonjës,
Që me burrëri të madhe dhe duke rënkuar, thotë:
O djema të mirë, ku jeni ju, o burra shqipëtarë,
Ju petrita zemërtrima të atdheut kaq të dashur,
Varrin tim vazhdojn’ akoma të huajtë të ma shkelin.
Turp për ju, sa turp, o burra, të lëngoj’ atdheu juaj!
Kudo hieja fanitet edhe malet po gjëmojnë.

Duhet thënë këtu se, “idealizimi, në të vërtetë hiperbolizimi i historisë kombëtare…”, që vërehet edhe te Naimi[16]R. Qosja, Historia e Letërsisë Shqipe, Romantizmi I. Rilindja, Prishtinë 1990, 173., nuk duhet parë i veçuar nga fryma e kohës. Sepse, edhe kur emrin Akil (Αχιλλεύς) e shqipëron në trajtën Aqilehti, edhe kur Aristotelin e nxjerr nga fara e shqiptarëve, etj., Naimi s’pushon së qeni poeti që kërkon rrënjët e popullit të vet në mugëtirë të kohëve, e madje në një moment kur të tjerë i vinin në dyshim këto rrënjë.  Këto lloj qasjesh mitike fillojnë të lëkunden me kalimin e letërsisë shqiptare nga romantizmi në realizëm.  Të krahasohen, p.sh., vargjet e Naimit e të Çajupit:

Naimi (1898, Istori’ e Skënderbeut):

Aleksandr’ i Math e burrë
I cili s’pat shok ndë jetë,
Nukë ka pasur kurrë,
Dhe kurrë do të mos ketë.

Çajupi (1902, Aleksandri i Math):

Aleksandr’ i Math qe burrë
Me të madhe trimëri,
Shqipëtar që s’gjendet kurrë,
Po ç’bëri për Shqipëri?

 “Dëshira” paraqet interes gjithashtu edhe për nga botimet dhe ribotimet që njohu në të dy gjuhët. Për variantin greqisht (origjinalin), siç mësojmë nga një shënim në faqen e brendshme të botimit të tretë:

Kjo librëz’ e Naim beut u shtyp herën’ e parë në Bukuresht më 1886, shënuarë D…. dhe pa rrëfyerë vënd i shtypjesë.

Ca fjalë që ndryshojnë nga shtypj’ e parë janë ndrequrë prej Naimit vehtë.           

Shtypjen e dytë dhe të tretën e ka botuarë Kristo P. Luarasi në Sofje dhe në Tiranë.

 Në këtë pikë ia vlen të shtojmë se ballina e botimit të tretë (Shtypja e tretë) të origjinalit (Tiranë, Shtyp. Kristo P. Luarasi) nuk ka vit botimi, por prej aty njoftohemi se Shtypja e dytë u krye në Sofje më 1903. Mbetet të gjenden variantet e origjinalit të v. 1886 dhe 1903 për të parë cilat fjalë “janë ndrequrë prej Naimit vehtë”.

Edhe më shumë interes paraqet historia e përkthimit dhe e botimit të “Dëshirës…” në gjuhën shqipe. Dy përkthimet e para të saj qarkulluan në fillim të shek. XX (1904 dhe 1912) dhe i përkasin dorës së Kristo Floqit, i cili më tepër se përkthyes është shqipërues i veprës së Naimit. Nuk ka dyshim se përkthimet e Floqit i përgjigjeshin një nevoje të kohës dhe s’është aspak e rastit që ribotimi i origjinalit greqisht më 1903 u pasua më 1904 nga versioni i parë shqip, shoqëruar me shënimin Vjershë Kombiare në ballinën e tij. Po aty gjejmë edhe vargjet “Shqipëri! Ti më ep nderë, më ep emërin Shqipëtar, / Zëmërnë ti ma gatove, plot me dëshirë dhe me zjarr. / Shqipëri! O mëma ime! Ndonëse jam i mërguar, / Dashurinë tënde kurrë zëmëra s’e ka harruar!!”, me të cilat Floqi zëvendëson vargun homerik Εἷς οἰωνὸς ἄριστοςἀμύνεσθαι περὶ πάτρης (“Një shenj’ ësht’ e mirë: të lëftojmë për shpëtimt të mëmëdheut”), që Naimi e pat vendosur në ballinën e origjinalit. Në variantin e vitit 1912 vargjet e marra nga “Bagëti e Bujqësija” ua lënë vendin fjalëve “Mbro pikësëpari Kombin e Atdhenë / Pastaj mëm’ e atë, / Besën dhe Fenë”. Është e dukshme përpjekja për ta aktualizuar poemën dhe për ta kthyer atë në një vjershë kombiare. E përkthyer në shqip ajo u drejtohet tashmë gjithë shqiptarëve dhe jo më një pjese të tyre që mund të njihnin greqishten. Por Floqi s’ndalet këtu. Në variantin e 1904-ës ai shton 58 vargje që integrohen në trupin e poemës, në pjesën ku flitet për Skënderbeun: Këtu largohemi pakë nga e brëndëshmja duke lëvrirë nga fantazia. Një shënim të ngjashëm gjejmë edhe në variantin e 1912-s: Shtojmë ca ligjërime duke u hequr nga fantazia.  Është një rast klasik i mënyrës si u përdorën dhe si u aktualizuan figura dhe zulma e Skënderbeut për t’i shërbyer “çështjes kombiare”.

Më e saktë do të ishte të shkruanim “për t’u shërbyer çështjeve kombiare”, e kështu kalojmë në pyetjen

  1. A është Skënderbeu hero vetëm/edhe i shqiptarëve?

Kësaj pyetjeje i qenë përgjigjur qartë iluministët grekë qysh më 1816, kur në një recension për përkthimin greqisht të Epitomésë së Historisë së Gjergj Kastriotit (Moskë 1812), botuar në organin e tyre “Ερμής ο λόγιος / Ermis o logios / Hermesi i letrave” (Vjenë 1816, 185),  e cilësojnë atë “hero të famshëm të Shqipërisë”. Por le të japim përkthimin pothuaj të plotë të recensionit, që do të na ndihmojë t’i përgjigjemi bindshëm pyetjes së mësipërme, kritike për shqiptarët e fqinjët e tyre.

Epitomé e historisë së Gjergj Kastriotit, të mbiquajturit Skënderbej, Mbretit të Shqipërisë, përkthyer prej frëngjishtes. Me një shtojcë të listës gjenealogjike të Sulltanëve Otomanë përpiluar nga i shumëdituri Kryepiskop Evgjenios Vulgaris. Në Moskë, në shtypshkronjën N.S.Vsevolozhski. 1812, fq. 348, formati 8°.

Përkthyesi i kësaj historie fort të vlefshme të heroit të famshëm të Shqipërisë ka dashur ta lërë në heshtje emrin e vet. Qëllimi i vetëm i tij ka qenë sigurisht të bëhet i dobishëm edhe anonimisht për gjindjen e vet, të cilit [qëllim] edhe ia doli mbanë; por nëse përkthyesi, qoftë për modesti, apo për qëllime të tjera të tij, nuk ka dashur të shpallë emrin, cilëtdo që përfituan apo do të përfitojnë duke lexuar përkthimin e kësaj historie, nuk kanë për të qenë aq mosmirënjohës, sa të mos i shprehin atij nderimet që i takojnë, dhe të mos lëvdojnë lartërisht mundin dhe zellin e tij për të mirën e përbashkët.-Kjo histori u rekomandohet si e tillë grekëve për ta lexuar. –Teksti i përkthimit është gjithsesi i mirë, por nuk është i privuar nga galicizma mjaft të dallueshëm, si…

Kemi mendimin se pas këtij recensioni anonim, që u rekomandon grekëve të lexojnë jetën e Skënderbeut, si dhe pas shkrimesh të tjera që lidhen me Shqipërinë e shqiptarët e që botohen në po këtë organ, fshihet pas gjase një personalitet pak i njohur në botën shqiptare, por i mirënjohur në letrat greke si dora e djathtë e A. Korais-it, udhëheqësit shpirtëror të iluministëve grekë, savanti me origjinë gjirokastrite Aleksandër Vasiliu ose Αλέξανδρος Βασιλείου[17]Shih Dh. Q. Qirjazi, Përshkënditje të hershme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe iluminizmi grek, në vëllimin Një Rilindje para Rilindjes, Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër … Continue reading.

Nga Gjirokastra është edhe një figurë tjetër, çuditërisht (as)pak e njohur edhe kjo, autor, veç të tjerash, i një gramatike greko-latine të botuar më 1785 në Vjenë[18]Γραμματική Ελληνολατινίς εκ διαφόρων συλλεχθείσα, / παρά Γεωργίου, του Δημητρίου του Προσκ. Κυρ. Ευπατρίδους … Continue reading, e pasur me shënime që hedhin dritë në historinë dhe gjeografinë e trojeve të tij të origjinës. Është fjala për savantin Gjergj Dhimitriu a Γεώργιος Δημητρίου[19]Dh. Q. Qirjazi, Vepra në gjuhën greke për Shqipërinë dhe shqiptarët, shkruar prej grekësh dhe shqiptarësh. Vështrim i përgjithshëm, në vëllimin Letrat shqipe dhe gjuhët e tjera të … Continue reading, i cili në faqet 263-265, shën. 34, të Gramatikës, na jep një përmbledhje të shkurtër të jetës dhe veprës së Skënderbeut, duke iu referuar dy burimeve: ιδέ Σπονδανόν και Δυπανκέτ [shih … dhe …]  (f. 265). I pari është Theodoro Spandugino Cantecusino, gentilhuomo Constantinopolitano, që shkroi veprën Dell’ origine de prencipi Turchi, et de costumi di quella natione. Girenza, 1551, dhe i dyti P. Duponcet, autor i Histoire de Scanderbeg Roy d’Albanie, Paris 1709.

Në po këtë cikël autorësh dhe veprash të botuara a në dorëshkrim, duhet përmendur edhe «Περί των αξίων και ενδόξων κατορθωμάτων Γεωργίου του Κρόγια, ελληνικά Καστριώτου, του επιλεγομένου Σκενδέρμπεη, Αυθέντου και Ηγεμόνος Αλβανίας τε και Ηπείρου» / “Rreth bëmave të vlershme e të lavdishme të Gjergj Krojës, greqisht Kastriotit, Zot dhe Prijës i Shqipërisë e i Epirit”, dorëshkrim i gjetur në fondin Kurilas të Bibliotekës së Universitetit të Janinës nga studiuesja Μάχη Παΐζη Αποστολοπούλου, e cila kreu edhe botimin e tij[20]Μάχη Παΐζη-Αποστολοπούλου, Γεωργίου Καστριώτη του επιλεγομένου Σκεντερμπεη Βίος και Πολιτεία (Μια … Continue reading.

Dorëshkrimi përbëhet prej rreth 70 faqesh dhe datohet (mbase) në shek. XVII. U hartua nga savanti kostandinopolit i shek. XVIII Nikólaos Karaxás, për jetën e të cilit njohim pak gjëra[21]Lindi në fillim të shek. XVIII dhe vdiq rreth v. 1785. Shih Μάχη Παΐζη-Αποστολοπούλου, Έλληνες λόγιοι του 18ου αιώνα, αφανείς, άσημοι … Continue reading. Bën përshtypje fakti që qysh në titull hasim trajtën Γεωργίου του Κρόγια, pra Gjergj Krojës, çka do të thotë se autori i dsh ka ruajtur mënyrën shqiptare të vendosjes së mbiemrave, të cilat shpesh mbështeten në vendin e origjinës së dikujt.

Që Skënderbeu qysh në të gjallë i kaloi caqet e vendit të tij dhe u bë i njohur në mbarë Europën e asaj kohe, që fama e tij nuk u shua, sepse vazhdonte të frymëzonte popujt që luftonin për liri, të gjitha këto janë të njohura dhe të bindin se ai qe vërtet mbret i shqiptarëve, por qe edhe simbol burrërie e fryme të paepur. Theodhor Kollokotroni, heroi i Revolucionit Grek të 1821-së, shkruante në kujtimet e veta se një ndër tre librat që lexonte shpesh pat qenë edhe Historia e Skënderbeut[22]Τ. Π. Γιοχάλας, vep.cit., 22..

Gjergj Kastrioti qe bërë një hero popullor e kjo duket nga fakti se në revistën «Βιβλιοθήκη του λαού»/“Biblioteka e popullit”, numri 9, shtator 1852, shënimi hyrës i shkrimit me titull “Skënderbeu” thekson se “asnjë pothuaj figurë tjetër nuk do të mund të na tërhiqte vëmendjen, dhe të mishëronte vetiu dhuntitë e shekujve heroikë, virtytet e krishterimit, dashurinë për atdhe, të shfaqte modesti të ngjashme me të burrave të lavdishëm të lashtësisë, askush tjetër pra përveçse Gjergj Kastriotit, të mbiquajturit Skënderbe, prandaj edhe e konsideruam të dobishme ta rendisim në Bibliotekën e popullit”.

Në këtë klimë është më se e natyrshme që një figurë e tillë të ngjallte frymëzim dhe të jepte shkas për të ngritur

  1. Një shtatore kushtuar Skënderbeut në Athinë

… Τani po të them se në moshën time i ngjaj një fiku të rreshkur e se kam kapur të gashtëdhjetë e njëtat. S’do mend që një vetmitar si unë duhet të gatitet për udhën e madhe e pa kthim të të gjithë robve.  … [f. 52]  …  Aty ku dua ta lë pasurinë time është se ushqej dashuri, admirim dhe respekt të madh ndaj emrit të heroit të pafat dhe të Madhit Gjergj Kastrioti … [f. 53]. Prandaj edhe kam kënaqësi të madhe gjithë shumën që do të kem mbledhur ta jap për Shtatoren e Gjergj Kastriotit në Athinë, një trup të madh mermeri për 1.000 a 2.000 (lira) … . Kam ndërmend të shkoj në Athinë, por nuk e di kur do të bëhem mbarë, dhe do të vë në dijeni Qeverinë se si dhe do të shoh nëse do të ma pranonin (shtatoren) në një pikë të denjë apo jo. […]   

Kam shpresë tek Ynëzot të rroj sa të mbledh [f. 54] atë shumë që nevojitet për Shtatoren e Gjergj Kastriotit. Por kam edhe një tjetër plan, që, në mos mundsha ta mbledh shumën për Shtatoren dhe të vazhdoj të kem në duar këto pak para që kam sot, ahere kam në mend t’i jap ato pak kursime për një shtypëtore shqiptare  […] sa për vendin ku do të ngrihet shtypëtorja, gjykojeni vetë dhe zgjidheni aty ku është interesi, siguria dhe lehtësia më e madhe. [f. 55]

Μe anë të këtij fragmenti të letrës së Brandit për Vreton mësojmë se ai është një nga të parët shqiptarë që ka menduar t’i ngrejë Skënderbeut një shtatore, e madje në qendër të Athinës![23]Shih shënimin 16 të “Ankimeve shqiptare”. Shih, po ashtu, Τ. Π. Γιοχάλας, vep.cit., 46-48.Dhe në mos mundtë të mbledhë shumën e nevojshme, ahere me kursimet e veta do të ngrihet një shtypëtore shqiptare!

Dëshirën për një monument kushtuar Skënderbeut e kishte shprehur më 1886 edhe Naimi, i cili e quan heroin  “…monument virtyti,/ Monument patriotizmi, trimërie dhe lavdie!” dhe i thotë me përgjërim “Kur do vijë vallë dita të të ngrenë monumentin,/ Të përgjunjenë me zjarr para këmbëve të tua?”[24]N. Frashëri, Dëshira…., sipas përkthimit të P. Çukës.

Idenë e shtatores -sa çudi e ç’mrekulli!- e hasim tek një anonim nga anët e Epirit, kurbetlli, i cili, nisur nga Kostandinopoja për t’u kthyer në vendlindje, diku në Epir, ndalon në Korfuz dhe i shkruan një miku të vet për sa sheh aty:

“Shpresoja se këtu në Korfuz do të gjeja ithtarë të atdheut dhe burra të dëgjuar për mundin e derdhur në të mirë të aspiratave kombëtare, se do të gjeja një shtatore të Skënderbeut, Mbretit kryelartë, që t’i përulen me nderim të thellë udhëtarët prej Epiri dhe Shqipërie, dhe i cili t’u tregojë atyre madhështinë e shkuar dhe lavdinë e mëmëdheut. Hap sytë dhe nuk shoh asgjë nga këto…”[25]Gazeta «Φωνή της Ηπείρου» / “Zëri i Epirit”, 18.6.1893..

Ndërkaq, në bregun përballë Korfuzit, njerëzit e etur për liri thurnin vargje për Skënderbenë, që nganjëherë përjetësoheshin në këngët popullore. Njëra syresh u regjistrua disa mote më parë në Dhivër të Delvinës, ku duket se bashkë me ullinjtë shekullorë ka hedhur rrënjë të thella edhe kujtimi i “mbretit të epirotëve”, Skënderbeut[26]Τ. Π. Γιοχάλας, vep.cit., 48.:

Από τη μαύρη την ελιά / Βγαίνει το ήμερο το λάδι, / Κι από τη μάνα την καλή / Το άξιο το παλληκάρι. / Με το στέμμα στο κεφάλι, / Με το γκρέπι του στο γκιόξι, / Με τη σπάθα του στο χέρι, / Μ’ άλογο και με σπαθί, / Πολεμάει στη στεριά / Και νικάει την Τουρκιά.[27]Ανδρέας Ζαρμπαλάς, Ένα τραγούδι για τον Σκεντέρμπεη,  në librin  Το αίμα της αγάπης, Ροές, Athinë 2007, 66-67. [Nga ulliu kokërrzi / Del i ëmbli vaj, / Dhe nga nën’ e mirë / Djali deli djalë. / Me stemën mbi krye, / Tarogzën në gjoks, / Me kal’ e me shpatë, / Me pallën në dorë, / Në shesh të mejdanit / Turqinë e mposht.]

Nga po të njëjtat vise është edhe Athanas Petridhi, epiroti («εξ Ηπείρου») që mori pjesë në debatin për Skënderbeun, prej aty edhe bashkëfshatari i tij, dhrovjaniti Vasilios Zotos Molosos, që i kushtoi Gjergj Kastriotit epigramin e mëposhtëm: «Γεώργιος Σκενδέρμπεης Ηπείρου μέγας γόνος της Αλβανίας βασιλεύς δεινός τυραννοκτόνος» / “Gjergj Skënderbeu, i Epirit bir, i Shqipërisë mbret, i tiranëve tmerr”[28]Β. Ζώτος Μολοσσός, Ηπειρωτικαί Μελέται: Δρομολόγιον της Ελληνικής Χερσονήσου αρχαιολογικόν, ιστορικόν, … Continue reading.

Monumenti nuk u ngrit në Athinë, por u ngrit në qytete të Shqipërisë, edhe në Korçën e Th. Brandit[29]“Në këtë shkallë [të parë] si mirëbërës munt të emërohet edhe i ndyjeri  Thimi Branti – a Thimi Kapedani, i cili ishte tregëtar në Misir, bir Korçe. Ky ka vdekur më 1882. Me … Continue reading.   

  1. Një varr për Skënderbenë e pavarr

Atje larg në grykat madhështore
Maleve, luginave atje,
Rrojnë prapë njerëzit arbërorë,
Ti në gjak të tyre varrin ke,
O i mbeturi pa varr, o Skënderbe![30]I. Kadare, Balada e zhvarrimit, Vepra Letrare I , ShB “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, 171.

Këto vargje, fryt leximesh rinore, më vijnë ndërmend sa herë bie fjala për Skënderbeun. Në mendësinë e (jo vetëm të) shqiptarëve, të mbeturit pa varr është gjëmë e shkuar gjëmës dhe mallkim kaluar mallkimit. Madje shqipja ka krijuar ca kompozita dhe shprehje shumë më të rënda se pesha e mortit dhe e gurit të varrit, që rrallë se gjenden në gjuhë të tjera:

Varrmosgjendur! Varrtrapisur! Varrvithisur!, që do të thotë Mos t’u gjendtë varri! Të humbtë varri! T’u trapistë e t’u vithistë varri!Mos të trettë e mos të dhekstë dheu!

Po a është i pavarr Skënderbeu?! Të jesh Skënderbe e të mbetesh i pavarr, është mallkim apo bekim?!

Përgjigjen e kësaj pyetjeje na e ka dhënë këtu e mijëra vjet Tukididi, “patologu” i luftërave, i “prologut” dhe i “epilogut” të tyre, i cili epilog ka lidhje edhe me varret. Të më lejohet të sjell këtu dy rreshta nga “Epitafi” i Perikliut, nëpërmes pendës së Tukididit, nga fjala që ai burrë i mençur i Athinës së Shekullit të Artë mbajti në nderim të trupave pa jetë të luftëtarëve athinas:

Ἀνδρῶν γὰρ ἐπιφανῶν πᾶσα γῆ τάφος, καὶ οὐ στηλῶν μόνον ἐν τῇ οἰκεία σημαίνει ἐπιγραφή, ἀλλὰ καὶ ἐν τῇ μὴ προσηκούσῃ ἄγραφος μνήμη παρ’ ἑκάστω τῆς γνώμης μᾶλλον ἢ τοῦ ἔργου ἐνδιαιτᾶται.[31]Θουκυδίδου Ιστορίαι 2, 43. [Sepse varr i burrave të shquar është çdo pëllëmbë dhé, dhe emr’ i tyre nuk përjetësohet vetëm me mbishkrime në vendlindje, por  mbahet mend edhe në vende të tjera, më shumë në kujtesën dhe shpirtrat e njerëzve sesa në pllakat e varreve.]

Po çfarë është një varr? Është vendprehja e njeriut të ikur nga kjo jetë. E sa vend i duhet një vdekatari për t’u prehur? Për sa mote do të mbahet mend ai? Varri, pra, është hapësirë dhe kohë, është një copë tokë dhe një grimë kohë.

Në këtë kuptim, Skënderbeu është varr-kudo-gjendur dhe është i gjithë-kohshëm, është pronë e njerëzimit dhe gur i pavdirë i kujtesës dhe i qëndresës së tij.

Sepsε Ἀνδρῶν γὰρ ἐπιφανῶν πᾶσα γῆ τάφος – Për burrat e dheut -si Skënderbeu- i hap krahët gjithë rruzulli. Prandaj Ai u takon shqiptarëve, por u takon dhe u duhet edhe grekëve, sidomos sot, e veçanërisht tani, kur, medet, pothuaj çdo ditë, matanë Egjeut dëgjohen zëra monotonë e nokturnë:

“Do t’ia behim një natëz në vatrat tuaja…!”

I bënë dhe po i bëjnë hesapet pa hanxhinë Gjergj Kastrioti Skënderbeu!!!

© 2022 Dhori Qiriazi. Të gjitha të drejtat të rezervuara.

References

References
1 N. Dendias: O Skënderbeu είναι εθνικός ήρωας και στις δύο χώρες μας. (Nga përshëndetja për festën kombëtare të Shqipërisë, https://www.mfa.gr/epikairotita/diloseis-omilies/sugkhareterio-menuma-upourgou-exoterikon-nikou-dendia-gia-ten-ethnike-epeteio-tes-albanias-28112022.html
2 Sh. Murati, https://www.syri.net/politike/555730/me-qitje-te-larget-greqia-e-shpall-skenderbeun-hero-kombetar-grek/
3 Dokumenti i gjetur në AQShSh mban shënimin “Kopje e ‘letrës’ së Efthim Stavri Brandit Korçarit drejtuar Jani Vretos në Kostandinopojë, Postenanasit. 8/20 Νëntor 1878 (siç)” dhe shoqërohet me sqarimin se [Kopja është bërë pe Thimjo Thoma Krejit, bërësi i Hist. së Gjergj Kastriotit]. Në këtë mënyrë, shohim se në këtë histori kanë dorë tre Efthimë prej Korçe, shtuar edhe Janin prej Postenani.
4 Pra shkrimi nuk është i Paparigópulos-it, sikurse kuptohet nga letra e Brandit
5 Τ. Π. Γιοχάλας, Ο Γεώργιος Καστριώτης-Σκεντέρμπεης εις την νεοελληνικήν ιστοριογραφίαν και λογοτεχνίαν. Selanik 1975, 40-49. Shih tani edhe T. Jochalas, “Gjergj Kastrioti – Scanderbeg in the modern Greek historiography and literature”, Studia Albanica 1 (2019) 89-134.
6 Τ. Π. Γιοχάλας, vep.cit., 40.
7 Për lindjen e termit “Μεγάλη Ιδέα” shih Ε. Σκοπετέα, Το «Πρότυπο Βασίλειο» και η Μεγάλη Ιδέα, όψεις του εθνικού προβλήματος στην Ελλάδα. Athinë 1988, 257-71. Poashtu, K. Θ. Δημαράς, «Της Μεγάλης ταύτης Ιδέας», Ελληνικός Ρομαντισμός. Ερμής, Athinë 1982, 405-418. Një personalitet i shquar i historiografisë shqiptare vlerësonte se “E kuptuar si detyrë për të realizuar çlirimin e plotë të trojeve greke dhe bashkimin  e tyre në një shtet kombëtar, kjo ide përfaqësonte aspiratat legjitime të popullit grek; e kuptuar si detyrë për të bashkuar në një shtet të të gjitha popullsive ortodokse, pavarësisht nga parimi etnik-kombëtar, kjo ide u bë përçuese synimesh territoriale nacionaliste ekstreme.” (A. Buda, “Takime shqiptaro-greke nën shenjën e iluminizmit në shekullin XIX”,  Studime Historike. AShAK, Prishtinë 2006, 442).
8 Nga përkthimi shqip i parathënies së “Bletës”, të botimit të v. 1924, nën kujdesin e Gj. Pekmezit.
9 Ι. Βρέτου, Απολογία εις το Η κοιτίς του Ελληνισμού – Ήπειρος Αλβανία, εν Κωνσταντινουπόλει 1878.
10 Z. Thomas Frashëri pati mirësinë të më kumtonte se bëhet fjalë për J. Vruhon, një tjetër atdhetar të komunitetit shqiptar të Egjiptit. Ky, më 26 nëntor 1928, i dhuroi Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë kopjen e “Bletës Shqiptare”, me shënimin “për kujtimin e të paharruarit Patriot Vaso Pashë Shkodranit”.
11 Kalendari Kombiar 1908, Sofje 1908, 50-52.
12 Dh. S. Shuteriqi,  Naim Frashëri (Jeta dhe Vepra).  ShB “8 Nëntori”, Tiranë 1982, 135.
13 Krahasimi është i R. Elsie-t (Histori e Letërsisë Shqiptare, Dukagjini, Tiranë-Pejë 1997, 189): “Shtypshkronja shqiptare në Bukuresht, që ai [Vretoja] e ngriti dhe e vuri në punë, ishte po me atë rëndësi për përparimin e letërsisë shqipe në fundin e shekullit të nëntëmbëdhjetë sa dhe ç’kishte qenë shpikja e shtypshkronjës së lëvizshme nga Johan Gutenbergu për kulturën europiane katër shekuj e gjysmë më parë.”
14 Sipas përkthimit të P. Çukës, në vëllimin Naim Frashëri, Vepra të Zgjedhura I, Akademia e Shkencave e RPSSh, Tiranë 1980, 490.
15 Bulo, Tipologjia e Lirikës së Naim Frashërit, Tiranë 1999, 94.
16 R. Qosja, Historia e Letërsisë Shqipe, Romantizmi I. Rilindja, Prishtinë 1990, 173.
17 Shih Dh. Q. Qirjazi, Përshkënditje të hershme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe iluminizmi grek, në vëllimin Një Rilindje para Rilindjes, Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër 2014, 217-224.
18 Γραμματική Ελληνολατινίς εκ διαφόρων συλλεχθείσα, / παρά Γεωργίου, του Δημητρίου του Προσκ. Κυρ. Ευπατρίδους του εξ Αργυροκάστρου της Ευρωπαίας Αλβανίας, παρ’ ου ιδίοις παρατηρήσεσι, και σημειώσεσιν, Επιστολαίς, Αποφθέγμασι, Ελληνο-λατινικοίς, Ενδόξων τινων Ανδρών βίοις, και Επιστημών Ορισμοίς πλουτισθείσα. Νυν πρώτον οικείοις αυτού αναλώμασιν εκδοθείσα, και σεβασμίως προσφωνηθείσα τω γαληνοτάτω, και εκλαμπροτάτω ηγεμόνι πάσης Μολδοβλαχίας, κυρίω κυρίω Αλεξάνδρω Ιωάννου τω Μαυροκορδάτω. Εν Βιέννη της Αουστρίας: παρά Ιωσήπω του Βαουμαϋστέρου, 1785. [Gramatikë Grekolatine e kompiluar me lëndë të autorëve të ndryshëm, hartuar nga Jorgos Dhimitriu, fisnik nga Gjirokastra e Shqipërisë Europiane, me vërejtje të tijat,  dhe e pasuruar me shënime, letra, thënie greko-latine,  jetë burrash të shquar dhe përkufizime të shkencave. Botuar së pari tani me shpenzime të vetat, dhe drejtuar me respekt princit fort të paqëm dhe të shkëlqyer të mbarë Moldovllahisë, zotit Aleksandros Joanis Mavrokordhatos. Në Vjenë të Austrisë, Shtypshkronja Baumayster, 1785.]
19 Dh. Q. Qirjazi, Vepra në gjuhën greke për Shqipërinë dhe shqiptarët, shkruar prej grekësh dhe shqiptarësh. Vështrim i përgjithshëm, në vëllimin Letrat shqipe dhe gjuhët e tjera të letërsisë shqiptare, AShSh, Tiranë 2016, 198-253.
20 Μάχη Παΐζη-Αποστολοπούλου, Γεωργίου Καστριώτη του επιλεγομένου Σκεντερμπεη Βίος και Πολιτεία (Μια αθησαύριστη βιογραφία στα ελληνικά), ΕΙΕ-ΙΙΕ, Athinë 2018.
21 Lindi në fillim të shek. XVIII dhe vdiq rreth v. 1785. Shih Μάχη Παΐζη-Αποστολοπούλου, Έλληνες λόγιοι του 18ου αιώνα, αφανείς, άσημοι και διάσημοι, σε διασταυρούμενες τροχιές· Βαρνάβας ο Κύπριος, Δημήτριος Ραμαδάνης, Καισάριος Δαπόντες, Νικόλαος Καρατζάς, EIE-IIE, Athinë 2007, 63-65.
22 Τ. Π. Γιοχάλας, vep.cit., 22.
23 Shih shënimin 16 të “Ankimeve shqiptare”. Shih, po ashtu, Τ. Π. Γιοχάλας, vep.cit., 46-48.
24 N. Frashëri, Dëshira…., sipas përkthimit të P. Çukës
25 Gazeta «Φωνή της Ηπείρου» / “Zëri i Epirit”, 18.6.1893.
26 Τ. Π. Γιοχάλας, vep.cit., 48.
27 Ανδρέας Ζαρμπαλάς, Ένα τραγούδι για τον Σκεντέρμπεη,  në librin  Το αίμα της αγάπης, Ροές, Athinë 2007, 66-67.
28 Β. Ζώτος Μολοσσός, Ηπειρωτικαί Μελέται: Δρομολόγιον της Ελληνικής Χερσονήσου αρχαιολογικόν, ιστορικόν, γεωγραφικόν στρατιωτικόν, στατιστικόν και εμπορικόν, τόμος Δ΄, εκ του Εθνικού Τυπογραφείου, Athinë 1878, ιε’.
29 “Në këtë shkallë [të parë] si mirëbërës munt të emërohet edhe i ndyjeri  Thimi Branti – a Thimi Kapedani, i cili ishte tregëtar në Misir, bir Korçe. Ky ka vdekur më 1882. Me destament pati lënë 600 Lira Engleze; pas dëshirës tij këto të holla të vireshin më një bankë me kamatë, edhe si të bënej sum’ e meritushme, me këto të holla të bënej në Korçë një Staty e Skender Beut, edhe po të tepëronin të holla, me tepëricën të shtypeshin vivlla Shqipe.” (Korça dhe katundet e qarkut, N.D.N, Korçë 1923, 69).
30 I. Kadare, Balada e zhvarrimit, Vepra Letrare I , ShB “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, 171.
31 Θουκυδίδου Ιστορίαι 2, 43.

Rreth Autorit

Dhori Q. Qirjazi (Δώρης Κ. Κυριαζής) u lind në Delvinë dhe vitet e fëmijërisë e të rinisë i kaloi në Sarandë. Pas përfundimit të studimeve për filologji greke dhe gjuhësi në Universitetin Aristotelian të Selanikut (1986), punoi në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë në Tiranë, në sektorin e leksikologjisë dhe të leksikografisë (1987-1991) dhe më pas u vendos në Selanik, ku doktoroi me temë “Ndikime të greqishtes në gjuhën shqipe” (2001) dhe punoi si ndihmës dhe hartues i Fjalorit shumëvëllimësh të Greqishtes Popullore Mesjetare, nën drejtimin e prof. Emanuil Kriaras (1992-1999). Ka qenë lektor i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Institutin e Studimeve Ballkanologjike të Selanikut (1991-1999) dhe prej vitit 2000 në Universitetin ku punon edhe sot. Më 2006 filloi punën si lektor e më pas si assoc. prof. i gjuhësisë historike në Fakultetin Filozofik të Universitetit Aristotelian të Selanikut, me objekt studimi marrëdhëniet e greqishtes me gjuhët e tjera ballkanike.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin