RRUGA ME DY KORSI

Romani i fundit i Hekuran L., “Rrugë me dy korsi”, u konsiderua prej shumëve autobiografik, madje jo edhe aq i maskuar; vetë autori do t’i përgjigjej kësaj pyetjeje, që ia bënë më se një herë, në mënyrë evazive: pa e mohuar, por edhe pa e konfirmuar.

Për prozën rrëfimtare kanë thënë se është gjithnjë autobiografi dhe se shkrimtari nuk del dot jashtë mauzoleut që ia ngre përreth jeta e vet, për të jetuar a përjetuar jetë të tjera; sikurse kanë thënë për shkrimtarin se, që nga çasti kur ulet të shkruajë, nuk mundet veçse të gënjejë, madje edhe kur kërkon të thotë të vërtetën.[1]

Romani tjerr peripecitë e një Besian G., i biri i inxhinierit të deklasuar Frano, që e kalon fëmijërinë në qytezën e Rubikut, në Shqipërinë e Veriut; i parakohshëm në zgjuarsi dhe dëshirë për dije, Besianit i duhet të luftojë me paragjykimet dhe shmangien prej moshatarëve të vet, të cilët e shohin me dyshim; por edhe të mësuesve, të cilët i kanë porositur të mos harrojnë se fëmija vjen nga një familje armiqsh të pushtetit.

Edhe Hekuran L. e ka kaluar fëmijërinë në Rubik, por ndryshe nga heroi i tij i romanit, ai ka qenë djali i vetëm i shokut Gasho, shefit të Degës së Brendshme për qytetin; dhe atë, Hekuranin, shokët e dikurshëm të klasës e sidomos shoqet e kujtojnë si të përkëdhelur dhe ngucës, gojëndyrë me mësuesit dhe torturues macesh; dhe që ndihej mirë veç në Dhomën e Partisë, në shoqëri të udhëheqëses së çetës Marga B. dhe të sekretarit të organizatës bazë për shkollën, instruktorit të Punës me Metal Riza Ç; në një kohë që shoku Gasho, kur i biri ishte ende fëmijë, ende mbahej mend si një nga promotorët dhe ekzekutorët e shkatërrimit së ikonostasit në kishën e Shënavlashit në Elbasan, gjatë 1967-ës antiklerikale.[2]

Lexuesit të romanit do t’i kujtohet skena aq prekëse, në kapitullin e tretë, kur Besianit ia thyejnë violinën e vjetër trashëgim nga i gjyshi, mu në atë Dhomë Partie, pse ka guxuar të mësojë – me përkushtim autodidakt – një kapriçio të Paganinit[3]. Ky incident i asgjësimit simbolik të një instrumenti muzikor borgjez-Perëndimor ka ndodhur vërtet, madje po aty ku e përshkruan autori; por violina në fjalë ka qenë e një fëmije tjetër, Tamara N., përndryshe e njohur si mbesë e një daje të pushkatuar në fund të viteve 1950; dhe gjithsesi nuk ka qenë fjala për ndonjë kapriçio të Paganinit, por thjesht për një humoresca të Pjetër Gacit; ndërsa kapriçioja ka qenë, si të thuash, e vetë Hekuran L., që e ka gjykuar të papërshtatshëm kombinimin midis një armikeje të klasës dhe një vegle muzikore.

Besianin, në roman, e përjashtojnë nga organizata e rinisë dhe më pas nga shkolla e mesme, pse e kapin duke lexuar romanin Mont-Oriol të Guy de Maupassant-it; më vonë sqarohet se denoncimin ia ka bërë shoku i ngushtë, me të cilin heroi bashkëndante momentet më pikante të asaj historie frëngjsh. Hekuran L., nga ana e vet, arriti ta mbarojë shkollën e mesme, por jo pa u përzier në një skandal të turbullt me një prej mësueseve të reja, një zëvendësuese me origjinë nga Cërriku dhe për më tepër shtatzanë, të cilin skandal (por jo të cilën mësuese) pastaj e mbuluan; pak kohë më pas, të jatin e Hekuranit do ta shkarkonin nga posti si Shef i Degës, për ta dërguar si operativ në një prej kantiereve të mëdha të Alpeve. Arsyeja për këtë u përfol se ishte përvëlimi me çaj sherbele të nxehtë, në një zyrë të hetuesisë së rrethit por në rrethana të paqarta, i një faqeje dhe gushës së këngëtares së njohur popullore Marta Mrika.[4]

Ka të ngjarë që ky incident të ketë gjetur pastaj jehonë a pasqyrim, njëfarësoj, te një personazh negativ i romanit – nëna e Besianit, këngëtarja e muzikës së lehtë dhe aktorja e estradës Anika G., e cila raporton sistematikisht jo vetëm për të shoqin, inxhinierin e deklasuar Frano, por edhe për vetë të birin Besianin, teksa zhvendoset lirisht nga një krevat i nomenklaturës lokale te tjetri; dhe më pas përdoret nga një sektor i nënujshëm i Sigurimit të Shtetit, për të gjurmuar kuadrot e larta të rrethit, e joshur me ampula morfine dhe fustane akriliku të tregut të zi, të futura në Shqipëri dorazi, nga shoferët e Albimportit.

Autobiographer

The Autobiographer

Dihet tashmë se babai i shkrimtarit Hekuran L., gjatë kryerjes së detyrës së re në kantieret e mëdha të Veriut, më parë u alkoolizua krejt, pastaj u orvat të arratisej drejt Jugosllavisë, por u ndalua në kohë nga forcat tona të kufirit; dhe pastaj mori dënimin përkatës nga organet e drejtësisë socialiste.[5]

Hekuranit, që atë kohë priste që t’i dilte e drejta e studimit për rryma të dobëta, në Fakultetin e Inxhinierisë në Tiranë, iu pre kështu ëndrra në mes, çuditërisht jo për fajin e vet; por, njëlloj çuditërisht, Partia ia dha dorën dhe e dërgoi të studionte për ekonomi agrare; me sa duket përkundrejt një marrëveshjeje për bashkëpunim me organet përkatëse, që edhe sot e kësaj dite do të jetë e groposur gjëkundi në Arkivat.

Edhe Besiani i romanit vjen në Tiranë të studiojë për ekonomi agrare; gjithnjë i ndjekur hap pas hapi prej hafijeve, operativëve dhe korrespondentëve vullnetarë të Sigurimit; student i shkëlqyer, ai dashurohet me shoqen e bangës, Afrora Z., por prindët e saj, njerëz sa të ndershëm aq mendjengushtë, nuk duan që marrëdhënia të vazhdojë dhe aq më pak të ntrashet, sa kohë që Besian G. nuk ka të ardhme. Ndërkohë Sigurimi bën përpjekje për të rekrutuar Afrorën dhe gjatë përpunimit te një shtëpi detyrimisht të mveshur me gjethe[6], kjo arrin të presë damarët me copërat e thyera të një shishjeje birre dhe jep pastaj shpirt në sallën e urgjencave të spitalit të rrethit. Lexuesit i lihet të kuptojë se vajzën e kanë përdhunuar, madje më shumë se një herë; vetë Besiani e dyshon këtë, teksa u kthehet pijeve të forta, braktis studimet dhe përfundon në shoqërinë e sëmurë të mistikut amator Pavllo B., me të cilin ndërmerr shëtitje të gjata në Kodrat e Liqenit në Tiranë, duke debatuar një numër koklavitjesh të pashkoqitura, por dytësore të metafizikës arabe.

Miqtë e të njohurit e shkrimtarit Hekuran G. mbajnë mend mirë lidhjen e tij me shoqen e bangës në universitet, Eva D., nëna e së cilës, e mirënjohura Beatrycze, ishte një polake e ardhur në Shqipëri si shumë gra të tjera të Lindjes europiane në fund të viteve 1950 dhe pastaj e mbetur aty nga dashuria për të shoqin, Ligor M.; sikurse mbajnë mend edhe që, pasi kjo grua gjeografikisht fatzezë, për ca kohë redaktore e polonishtes në Radio Tirana, ra në burg e akuzuar si agjente e KGB-së fill pas arrestimit të Ligorit për të njëjtën arsye, Hekuranin e panë të dilte më se një herë nga zyrat e hetuesisë së përgjithshme në Tiranë, por edhe të shfaqej, i rrethuar me tym duhani, në tryezat plot thërrime keku të disa prej kafeneve qendrore të kryeqytetit, në shoqëri paternaliste të oficerit të sigurimit Pano S.; dhe pastaj edhe Eva D. përfundoi e internuar në një fshat jo dhe aq piktoresk të Tepelenës, ku më vonë do të martohej me një mësues vizatimi lokal.

Polonia njëfarësoj gjen vend në romanin e Hekuran L., sepse heroi i atjeshëm, Besian G., frymëzohet pikërisht nga lëvizja sindikaliste Solidarnosc, kur organizon rrëzimin gjysmë-spektakular të një busti minor të Stalinit në Tiranë; dhe më tej në përfytje të pabarabartë me policët, gjatë grevës së urisë të studentëve në dhjetor të vitit 1990, që çon pastaj – sikurse e dimë – në formimin e Partisë Demokratike. Besiani menjëherë bën edhe ai pjesë – e si të mos bënte? – e atij grupi të rinjsh e të rejash heroikë që e krijuan Partinë; por shumë shpejt do të zhgënjehet, sapo të kuptojë se Partia e sapolindur është infiltruar dhe komprometuar tashmë nga Sigurimi i Shtetit; dhe se njerëz si ai, vetmitarë për shkak të virtytit që i shquan mes turmës, janë të dënuar të mbeten përherë të deklasuar. Fundi i romanit e lë Besianin të përlotur, në kuvertën e një anijeje të amortizuar mallrash, që sapo lë portin e Durrësit për të nisur udhëtimin drejt brigjeve të Italisë përkundrejt: jemi në pranverë të vitit 1991, por pranverë për djalërinë shqiptare nuk do të ketë.

Me interes është për lexuesin, edhe pse jo doemos atë të romanit “Rrugë me dy korsi”, roli i vetë Hekuran L. në Lëvizjen Historike të Dhjetorit. I përjashtuar që gjatë mbledhjes së parë të Partisë Demokratike, meqë një prej ish të dënuarve në sallë njohu tek ai personin që i kish dëshmuar kundër në gjyq, Hekurani do të ripranohej dhe rehabilitohej më pas, madje do të ngjitej deri në kupolën e Partisë, për të përfunduar, siç thoshin, në shkrues fjalimesh të hierarkëve të lartë.[7] Njëlloj si heroi i tij Besian G., edhe Hekurani do të merrte më pas rrugën e Italisë, por si konsull i Republikës Shqiptare në Napolin e Anzhuinëve dhe të Skënderbeut, ku ndoshta edhe do të ketë pasur fatin të takohet, sy më sy, me ndonjë sivëlla të Besianit të vet të ardhshëm.

“Rrugë me dy korsi” ishte një nga sukseset e paralajmëruara të Festivalit të Librit Shqip në 2012; duke konkurruar natyrshëm për Çmimin e Madh të Festivalit. Edhe pse diskutimet në mbledhjet e Jurisë mbetën të pazbardhura, u tha se disa anëtarë kishin propozuar që romanit t’i jepej ky çmim, për merita autobiografike; ndërsa të tjerët anëtarë kishin vërejtur se çmimi nuk mund t’i akordohej një vepre që e merrte forcën jo nga imagjinata dhe zotësia e autorit, por nga vetë jeta. Si përfundim, fitoi një autor tjetër, pastoral dhe i padëmshëm; dhe vetë Hekuran G., i interpeluar radhazi në TV, u shpreh se më mirë që ishte vendosur kështu; dhe se ai si autor nuk dëshironte që një gjest në thelb administrativ, si Çmimi, të interferonte me marrëdhënien e tij aq ekskluzive me lexuesit.



 

[1] Sidomos kur kërkon të thotë të vërtetën.

[2] Shkatërrimi i atij ikonostasi të pashembullt për nga vjetërsia dhe vlerat artistike do të dënohej më pas, si vepër e nxituar dhe majtiste, nga ministri i atëhershëm i Kulturës, shoku Kahreman C. Megjithatë, Gashoja kish vepruar në bashkërendim me organet drejtuese të Partisë në rreth, prandaj nuk mbajti asnjë përgjegjësi ndaj qytetarëve, veç asaj thjesht arti-historike.

[3] Kapriçion no. 24 në La Minor.

[4] Marta Mrika është gjallë dhe shenjat e shfytyrimit nga djegia ende i duken mirë, në fytyrë dhe në qafë; por gjithnjë ka refuzuar të shpjegojë se në ç’rrethana i ndodhi aksidenti. Për t’u shënuar, në këtë mes, se e ëma e Hekuranit, Hyrmete G., ka qenë në atë kohë shefe e kuadrit e Vatrës së Kulturës së qytetit, ose e institucionit ku punonte këngëtarja Mrika.

[5] Kjo mund të ketë qenë edhe pjesë e një loje të zbulimit, të ndërprerë gabimisht nga kundërzbulimi. Fakt është që askush nuk ka arritur ta sqarojë ndonjëherë se ku pikërisht e vuajti dënimin babai i Hekuran G; teksa të tjerë kanë vënë në dukje se fëmijës së një të dënuari për arratisje nuk duhej t’i ishte dhënë e drejta e studimit.

[6] Nuk është fjala për famëkeqen shtëpi me gjethe në Tiranë, por për një tjetër, në rrethinat e Maminasit.

[7] E tij duhet të ketë qenë shprehja “të gjithë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”, që e dëgjoje në gojën e liderëve të PD-së aso kohe.

5 Komente

  1. Nje radiografi me laps e periudhes 1980-2000, plot humor acid, gastro-intestinal✌️

  2. Rubiku s’kishte dege te brendeshme. Rresheni po. Por Rubiku kishte nje lum qe i kalonte perkarshi. Nje rruge qe i kalonte permes dhe dy ura qe i kalonin anash. Po te ecje , perpara kishe Rreshenin, mbrapa uren e Matit, majtas malin dhe djathtas lumin.

    Ne ditet e ftohta te dimrit, bora kishte raste te vinte deri ne dritaren e katit te pare. Kur ajo mbulonte cdo gje e zbardhte gjithshka, gjate dites, nje kaleidoskop ngjyrash te ndryshme ne forme zogjsh , fillonte e perdridhesh ne oborr, para syve te tu. Mjaftonte te hidhje therrime buke . Me e njohura nga ato ishte mullenja. E zeze, topolake, dhe e plote ne trup. Me ngjyrat e sorres, por shume me fisnike ne forme e ne sjellje. T e tjeret ishin zogj malesh qe nuk i gjeje dot gjekundi jashte sfondit te bardhe. Dhe kapja e tyre me tjegull apo kazan ishte art i veshtire por jo i pamundur per tu mesuar.

    Para diteve te ftohta te dimrit, vinin ditet jo aq te ftohta te vjeshtes, shpesh te mbushura me shi e me balte. Fani i Vogel, qe kesi kohe, vec i vogel s’ishte, mbushesh buze per buze, dhe me vrullin e vet merrte perpara cdo gje dhe e hidhte mu perballe qytetit, si kafsha qe sjell prene e vet ne strofkull. Ne ate kohe ishte momenti me i mire per te kerkur per trungje pemesh, qe mund te perdoreshin per dru zjarri ne dimer e t’i shpetonin familjes parate e latave te druve.Jo shume larg, ne mal, ishte nje pyll geshtenjash , qe s’i perkiste askujt, ose me sakte, u perkiste te gjitheve. Dite te djele behesh vargu i femijve qe shkonin te mblidhnin geshtenjat me thaset e trasta te linjta neper duar. Toka nen peme ishte e mbushur plot me bohce geshtenjash, qe ose ishin te hapura nga renia, ose duhej te caheshin duke i shkelur me kembe

    Para diteve jo aq te ftohta te dimrit, vinin ditet e ngrohta te veres. Dhe ato kapercenin njera tjetren midis ujit te lumit, bushit dhe sherbeles neper male, apo kallamit te peshkut neper duar. Fani i Vogel ishte plot me peshk. Ne kohe vjeshte e me uje te turbullt, kishte dhe njala. Peshku me i perhapur ishte “mustak”-u. Peshku me i mire ishte melyshi. Te parin e kapje me kryma toke. Te dytin me karkaleca bushi. Ne lum, ishte nje vend qe quhej “Boka e kuqe”, i cili perdorej si nje trampoline per tu hedhur ne pjesen e thelle te lumit nen te. Ne mbremje, vendin e lumit e zinte kinemaja. Nga filmat qe shiheshin, femrat me te bukura ishin Helena e Trojes, dhe Babeta ( qe shkonte ne lufte). Stive Rivesi ishte me burri, dhe Pitkini ishte me gallataxhiu. Inati me i madh ishte me perdoruesin e aparatit kinematografik qe disa here gjate mbermjes e nxirrte filmin jashte kuadrit ( nje zot e di se cfare ishte kuadri), dhe e bente gjithe kinemane te shperthente ne fishkellima e ne thirrje “kuader, kuader”. Kur ndodhte qe e gjithe femijeria frymezohesh nga ethet e lufte se historise se radhes Hollivudiane, ta zeme Beteja e Thermopileve, atehere beheshin planet per luften midis lagjeve, asaj se eperme dhe asaj te poshtme. Sekush pergadiste shpaten dhe mburojen e vet. Te nesermen, te dy grupet viheshin perballe njeri-tjetrit dhe nuk ngelesh ndertese e paperfunduar apo magazine e pamurosur, qe te mos sulmohesh, mbrohesh, pushtohesh apo clirohesh, duke i bere gishtat dhe kokat e njeri tjetrit cope.

    Por rreziku i nje te care ne koke apo i nje gishti te enjtur ne dore nuk eshte asgje para rrezikut qe vjen prej librave si puna e “nje udhetim me Kon-Tikin” , apo ajo e nje speleologu me aventurat e tij. Qe nga ai moment, cdo gje ishte dicka e panjohur, qe priste per tu zbuluar, dhe cdo dalje jashte shtepise ishte nje aventure qe duhesh jetuar. Qe nga fiqt e medhenj ne Katun te Vjeter, e deri tek “malet” e skorjes se zeze, qe derdheshin nga rruga deri poshte ne lum. Ne malin ne te majte te qytetit, goxha lart, ishte nje shkemb masiv, me nje te hapur jo te vogel ne mes. Po te futeshe brenda, e te ishe ne gjendje ta kontrolloje friken, nen kembet e shkembit, hapesh nje dhome shume e madhe dhe gjysem e erret. Ne fund te saj ishin disa pale kocka. Njera pale i perkiste nje kafshe te madhe, qe simbas imagjinatese se castit, duhej te ishte nje kale. Nje tjeter duhej ti perkiste nje qeni apo ujku, varet nga drite-hija. Te tjerat ishin te veshtira per t’iu dhene perkatesine.

    Kushedi ato kocka ndoshta jane akom aty. Ose mund t’i kene levizur. Por s`ka se pse…

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: