GËZUAR 2019-ËN!

Të dashur lexues, miq dhe dashamirës të revistës “Peizazhe të fjalës”,

Ky dhjetor i 2018-ës solli një kryefjalë të re në hapësirën e diskursit publik shqip: dialogun. Pas debateve të mëdha dhe protestave në fillim për Teatrin Kombëtar, pastaj për abuzimet me tenderat publikë dhe më në fund protestën masive të studentëve kundër qeverisë Rama dhe ligjit për Arsimin e Lartë, befas pushteti e zbuloi këtë fjalë në arsenalin e vet të urgjencës, si armë të magazinuar prej vitesh dhe praktikisht të lënë në harresë. Le të bëjmë dialog, tha Kryeministri. Le të dialogojmë. Le t’i drejtohemi dialogut. Le t’i kërkojmë zgjidhjet te dialogu. I përdorur kështu, termi dukej sikur i referohej thjesht metodës së bindjes, ose aftësive të pushtetit për t’ua mbushur mendjen të pakënaqurve, të zemëruarve, të revoltuarve, të shpërfillurve, se si duheshin bërë punët.

Ftesa për dialog nuk funksionoi dhe u kthye mbrapsht, por ndërkohë ngrehina arrogante e diskursit publik të përpunuar dhe të lëmuar nga lart mori të krisura të mëdha – aq sa u bë e qartë praktikisht për të gjithë se koha e parullave lejfeniste të tipit “punë jo llafe” kish perënduar, së bashku me fotografitë e pozuara në kantieret si të Realizmit Socialist, renderimet në 3D dhe statuset në Facebook të qëndisura me emotikona foshnjore.

Të vetëdijshëm se vija ndarëse mes punës dhe llafeve na kish dënuar në anën dhe territorin e këtyre të fundit, ne në “Peizazhe të fjalës” jemi përpjekur t’u japim zë palëve dhe të kultivojmë, me aq sa kemi mundur dhe aq sa na kanë dëgjuar, një kulturë të dialogut që nuk mbështetet në parimin “le të bëjmë dialog që t’ju bind unë ju”, por në parimin tjetër, të dialogut si mjet jo për t’iu imponuar tjetrit, por për të shmangur fazën ultimative, ose kur palët nuk e dëgjojnë dot më njëra-tjetrën. Protesta në mbrojtje të Teatrit, të cilën ne e përcollëm me vëmendje dhe përkushtim, ndeshi në arrogancën dhe reagimin krejt sipërfaqësor të pushtetit, por nuk u thye as u lodh, falë angazhimit qytetar, duke ua bërë, në analizë të fundit, më të lehtë studentëve që të ngrihen në mbrojtje të dinjitetit të tyre dhe kundër vizionit të universitetit publik si diplomore me pagesë.

Ndërkohë, shpresojmë t’ua kemi përcjellë lexuesve tanë idenë që dialogu nuk është fushë beteje ku dalin fitimtarë dhe të mundur, as mekanizëm për t’ia mbyllur gojën Tjetrit, por një proces pasurimi dhe zhvillimi për të gjitha palët. Suksesi i artikujve dhe eseve që kemi sjellë në fund të këtij mesazhi, të renditura si më të lexuarat e vitit, tregon të paktën një ndjeshmëri të shtuar të publikut ndaj debateve që nuk janë pjesë e cic-miceve politike dhe as e zhurmave në mediat e kapura prej interesave partikulare.

Por shkrimet gjatë vitit, madje edhe ato më pak të lexuara, dëshmojnë se jeta vazhdon dhe se interesat kulturorë të autorëve tanë dhe të publikut nuk mund të kufizohen me çështje të ditës, as me konfliktet politike dhe as me të sotmen në vetvete dhe për vetveten. Në një kohë që faqet tona vijojnë të përdoren masivisht si arkiv kulturor falas nga dhjetëra mijëra vizitorë prej anembanë hapësirës shqiptare, ne kemi vazhduar të trajtojmë tema përndryshe të rralla dhe ndonjëherë të specializuara, por që luajnë rolin e tyre për të përpunuar dhe riprodhuar profilet kulturore si të autorëve vetë, ashtu edhe të lexuesit. Kësisoj, “Peizazhe të fjalës” ia ka dalë të jetë i pranishëm edhe atje ku nuk përmendet; madje edhe atje ku prania jonë shmanget qëllimisht.  Nga ana tjetër, suksesi ynë si zë i veçantë në diskursin publik do të matet me sa ia kemi arritur të mbetemi të pavarur, por jo asnjanës, në lidhje me çështjet e mëdha që preokupojnë shoqërinë dhe kulturën në Shqipëri.

Duke ju uruar një Vit të Ri të mbarë, të lumtur dhe produktiv, shprehim edhe besimin se do të vazhdojmë të komunikojmë me ju gjatë 2019-ës, për t’u kërkuar zgjidhje dhe rrugëdalje problemeve që na shqetësojnë të gjithëve dhe sidomos për të përvijuar dhe shtruar probleme të reja.

Ardian Vehbiu dhe Elona Pira

Disa nga shkrimet më të ndjekura gjatë këtij viti:

QË KUMBARO TË SHPËTOJË LEGJENDËN E SAJ CIVILE
SONO SOLO CANZONETTE
ARTIST, NA KE ZAPTUAR ASHENSORIN!
PSE DUHET RUAJTUR
STËRGJYSHES SIME TË SHTRENJTË, EVDHOKSISË!
HERËN E DYTË SI FARSË
SPINI JOTEATRAL
KUSHTRIMI I TË PARËVE
PËR PROTESTËN E STUDENTËVE
VERTIGO


Praktika e financimit vullnetar është ndoshta e vetmja që garanton qëndrueshmërinë e një reviste online si kjo jona, përballë konkurrencës nga sajtet komerciale dhe mediave në kërkim të dëshpëruar për klike.

via GIPHY

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin