GËZUAR 2024!

Të dashur lexues, ndjekës, miq dhe dashamirës të revistës “Peizazhe të fjalës”,

I shkruajmë këto radhë me frikën e arsyeshme se nuk do t’i lexojë njeri; përshëndetjet e fundvitit nuk shkojnë më tej se performativi, madje ka shumë që thj​esht i hedhin në kosh, pa i prekur fare. E megjithatë, ky është ndoshta i vetmi rast, që ne si redaksi e revistës mund të ulemi dhe të flasim me ju, si bashkudhëtarë.

“Peizazhe të fjalës” ndryshon vit pas viti, sepse na shtohen autorë të rinj, na humbasin autorë deri dje të rregullt, dhe ata që shkruajnë gjithnjë kërkojnë gjithashtu të thonë gjëra të tjera nga ç’kanë thënë dikur. Por edhe sikur të merrnim dhe të riprodhonim këtu kontribute të katër a pesë vjetëve më parë, ato sërish do të tingëllonin ndryshe, sa të rënduara siç do të ishin nga pesha e tashmë së thënës, aq edhe sikur të ishin shkruar sot.

Vërejmë se numri i autorëve që shkruajnë te ne dhe i lexuesve të faqes është shtuar; ngaqë interesi për temat dhe qasjet tona vjen e rritet, por edhe ngaqë alternativat janë zbehur, kanë dalë nga qarkullimi, janë vënë në shërbim të politikës së përditshme. Modeli që pompohet nga institucionet publike të kulturës dhe të dijes, i fokusuar në kremtimin e kitsch-it propagandistik dhe të kombëtarizmit folklorik, mbetet i huaj për ne; po aq sa ç’jemi ne provë, se atij modeli mund t’i bëhet rezistencë e suksesshme.

“Peizazhe të fjalës” nuk është as revistë e bazuar në truallin shqiptar, as botim tipik i diasporës “së përmalluar”: materialet tona, të sotmet dhe të arkivit, u ofrohen të gjithë atyre që duan të çojnë përpara mendimin shqip dhe të artikulojnë një vizion kritik, të gjësë shqipe. Ne nuk duam t’u ngjajmë as botimeve të shtrenjta e të super-sponsorizuara që sanksionojnë dhe kremtojnë hierarkitë kulturore të zgjedhura nga politika, as portaleve patriotike, që përpunojnë folklor kombëtarist dhe lokalist të shfrenuar.

Mes artikujve tanë më të lexuar të vitit 2023, spikat angazhimi i lexuesit me tema të identitetit kombëtar, të trajtuara në rrafshin historik dhe historik-gjuhësor; edhe pse specialiteti ynë, që e kemi përpunuar në vite, është reflektimi ndaj mënyrës si po e imagjinojmë të kaluarën tonë si shoqëri, si komb dhe si etni; dhe ndaj rolit që luan dija e institucionalizuar, në formësimin dhe përpunimin e këtij imagjinimi.

Ky reflektim nuk ka lënë jashtë problematikën e historisë së kulturës – që nga ajo e teatrit dhe e filmit, tek ajo e arsimit dhe e albanologjisë. Për arsye që ende përpiqemi t’i ftillojmë e t’i shtjellojmë, publiku i gjerë po kultivon një interes të tepruar për çështje të pre-historisë dhe të historisë së hershme të etnisë dhe të gjuhës shqipe, i nxitur këtu sa nga aktivizimi mbresëlënës i amatorëve promovues të vizionesh historike alternative, sa edhe nga mefshtësia e institucioneve publike që merren me mirëmbajtjen e dijes, nga Akademitë e Shkencave në Tiranë dhe në Prishtinë, tek Universitetet kryesore publike dhe Televizionet Kombëtare.

Viti që shkoi ishte edhe viti i rezultateve të raportit PISA 2022, të cilat vunë në dukje që arsimi në Shqipëri dhe në Kosovë nuk po u përgjigjet nevojave as të nxënësve e të familjeve, as atyre shoqërore; dhe se në shkollat po formohen breza të kërcënuar nga analfabetizmi funksional, të cilët nesër rrezikojnë që të dështojnë si qytetarë. Këta do të jenë edhe lexuesit tanë të nesërm – çfarë na e sjell shqetësimin te dera e shtëpisë. Ajo kulturë, për të cilën ne si revistë po përpiqemi tashmë prej 16 vjetësh, nuk mund të mbijetojë me këtë shkollë, me këto programe, me këto institucione publike dhe me këtë qasje të papërgjegjshme ndaj arsimit, edukimit qytetar dhe dijes. Të vetëm ne nuk e ndalim dot drift-in drejt padijes dhe thjeshtimit mendor; por jemi gati të punojmë me palë të tjera, në emër të një kauze me rëndësi kritike edhe për mbijetesën tonë, si faktor ndikues publik.

Gjatë 2023-shit u fol shumë, mbase jo siç duhej, për lirinë akademike; një argument që na prek tërthorazi edhe ne. Lirinë akademike e kemi menduar jo vetëm si pavarësi të dijes ndaj politikës dhe grupeve të interesit, por edhe si hapësirën ku përpunohet e vetmja formë e dijes, që meriton të kultivohet dhe të mbrohet; dhe nuk ka masë a ndërmarrje administrative që të mund ta garantojë, pa qenë dijetarët dhe hulumtuesit të investuar në mbajtjen gjallë të frymës shkencore, përtej preokupimeve për karrierë dhe kolltuk. Si revistë që ushqehet me produkte të mendimit akademik, e kemi vuajtur zhvendosjen e vëmendjes nga shkenca, te politikat e kuadrit dhe të riorganizimit – dëmet po duken që tani.

Vitin që shkoi, si dhe herë të tjera, patëm mundësinë të angazhohemi, si redaksi e revistës, edhe me veprimtari publike që kërkojnë prani fizike. Përveç një bisede live për filmin me studiues të Akademisë së Studimeve Albanologjike në Tiranë, botuesi i revistës, Ardian Vehbiu, u ftua në disa emisione televizive kulturore në RTSH dhe gjetiu, për të folur mes të tjerash jo vetëm për sfidat e botimit dhe kontekstin ku lexohet revista, por edhe për projektet me natyrë albanologjike të Akademisë së Shkencave dhe tema të tjera tashmë familjare për lexuesin e “Peizazheve”. Elona Pira organizoi një takim me kritikun amerikan Christian Lorentzen, një nga zërat më autoritarë dhe firmat më të ndjekura në panoramën letrare në vendet anglofone, ku u fol për një mangësi serioze të komunikimit kulturor në viset tona: reflektimin kritik ndaj eventit letrar dhe kulturor. Privilegj që patëm mundësinë të bashkojmë forcat me shtëpinë botuese BERK dhe Zeta Galeri për të promovuar librin “Te Teatri” të Elsa Demos, pjesë të së cilit kishin dalë tashmë edhe në revistën tonë.

Ju jemi mirënjohës të gjithë atyre që na kanë ndjekur dhe janë bërë pjesë e veprimtarive tona sa online aq edhe në takimet fizike; dëshmi se përveçse revistë, “Peizazhe të fjalës” është tashmë edhe komunitet – autorësh, lexuesish dhe mbështetësish, por sidomos komunitet mendjesh, që ka gjetur veten te revista dhe që merr pjesë në jetën e saj. Mes këtyre, po aq sa edhe esetë dhe artikujt që na vijnë për botim, gjithnjë vlerësojmë dhuratat e vyera financiare, nga miq e dashamirës që shpesh nuk duan as t’u përmendet emri. Bujaria e tyre, për të cilën u jemi aq mirënjohës, na bën të mendojmë se revista jonë dhe të gjithë ata që na janë bashkuar, kanë përftuar tashmë një konstelacion të së mirës, që shndrit edhe netëve më të errëta.

Duam fort që vijueshmëria e revistës të mos rrezikohet për arsye thjesht financiare dhe, për të siguruar mbajtshmërinë (sustanability) në afat të mesëm dhe të gjatë mirëpresim çdo ndihmë, për të vazhduar ta ofrojmë këtë hapësirë falas për të gjithë. Në një ueb shqip ku spikatin qindra portale të braktisura për shterim fondesh a interesi; e tashmë të vdekura ose të komercializuara përtej çdo lloj tolerance të lexuesit, duam të mbetemi shembulli i kundërt dhe të provojmë se jetëgjatësia është edhe vlerë kulturore, edhe faktor besueshmërie për lexuesit.

Gëzuar, pra, Vitin e Ri 2024: le të gatitemi për të kaluar së bashku një vit që e urojmë të jetë për të gjithë produktiv, i lirë, i shëndetshëm dhe i mbarë.

Ardian Vehbiu dhe Elona Pira

2 Komente

  1. Elona dhe Ardian, Gezuar 2024 nga Zealanda, se ne arrijme te paret ketej. Kam filluar te lexoj artikuj e shrime nga Pejsazhe te Fjales vetem kohet e fundit dhe me behet qejfi qe kemi intelektuale te tille ne komunitetin shqiptar ne emigracion qe me anen e ketyre artikujve perçojne edukimin dhe informacionin letrar tek pjesa tjeter e interesuar dhe e etur per diçka te tille. Faleminderit

  2. Arsyeja nuk duhet të jetë kurrë rituali. E gjithsesi, ja ku jemi.
    Iu jam mirënjohës për punën e angazhimin tuaj të pashembullt – mirënjohje, që (kur?) tani e ndaj e sinqerisht me ju, a priori valës së performancave mes shërbetit e përsheshit. Mirënjohës, sepse e mira duhet të njihet. Është ndoshta ky detyrim etik, i cili detyron nevojën për shpresë.
    Shpresë për një vit edhe më të mirë, një vit më kritik, një vit më të arsyeshëm.
    Sepse arsyeja nuk duhet të jetë kurrë rituali. E sepse, këtu, ritual është vetëm arsyetimi.
    Ju paçim e qofshi!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin