PSE DUHET RUAJTUR

Sot qarkulluan në rrjetet disa foto të pjesës anësore të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, ku haptazi dukeshin dëmtimet e fasadës dhe amortizimi i përgjithshëm. Me gjasë, kryeministri Rama i ka ripostuar këto foto në Instagram dhe i ka komentuar kështu: “Me sa mend në kokë mund të luftohet për ta ruajtur?”

Fotot janë manipulative. Kushdo mund të nxjerrë një foto të një vendi të dëmtuar, edhe të Louvre-it, si provë se ndërtesa është rrëgjuar; por duhet pak guxim gazetari të shkollës shqiptare, që ta paraqitë foton si argument pro-shkatërrimit. Aq më tepër kur tashmë po bëhet gjithnjë më e qartë se shkatërrimi i tanishëm i ndërtesës është diktuar nga motive të biznesit privat.

Edhe unë mund të vete të nxjerr ca foto të fasadës së mirëmbajtur e të suvatuar të Teatrit dhe të them se kjo ndërtesë është akull e re dhe nuk duhet prekur; edhe unë ashtu do të manipuloj. Meqë ndërtesës sot po i kërkohet ruajtja për arsye simbolike, jo të inxhinierisë së ndërtimit; për çfarë ka shërbyer, jo për teknikën e suvatimit.

Një kryeministri që riposton foto të tilla të çfarëdoshme mund t’i bëhet menjëherë pyetja se cilin drejtor a ministër ka vënë me shpatulla për muri, ngaqë ka lejuar degradimin e tillë të selisë së një institucioni kombëtar. Denoncimin me foto mund ta bëjnë tabloidët, por jo personi i cili, duke qenë në krye të ekzekutivit, mban edhe përgjegjësinë e fundit për mirëmbajtjen e godinave institucionale në kryeqytet.

Kam parë dhe lexuar, herë pas here, për fonde publike që janë vënë në dispozicion për restaurimin e ndërtesës në fjalë; tek e fundit, Teatri Kombëtar ka qenë monument kulture me status të posaçëm dhe ka përligjur investime më të mëdha se, të themi, ish-klinika dentare e lagjes 9. Kushdo që sheh fotot e tanishme, bën mirë të pyesë – edhe publikisht – se si janë përdorur ato fonde dje; dhe nëse ka pasur apo jo keqpërdorime.

Aq më tepër që asnjë nga ata që kërkojnë që selia e Teatrit Kombëtar të mbrohet nga prishja, nuk kërkon që ajo të mbetet kështu siç është tani; përkundrazi, me sa kanë parë, shumë nga ata që kanë folur, kanë kërkuar pikërisht që ajo të restaurohet me rrënjë. Kërkohet ruajtja e selisë, jo ruajtja e amortizimit të selisë. Ndërtesa është degraduar sepse është lejuar të degradohet; dhe mungesa e vëmendjes për mirëmbajtje nuk mund të përdoret tani si argument në favor të shembjes. Edhe hotel Dajti pak më tutje, një godinë shumë më “solide” se teatri, është lejuar të rrëgjohet si mos më keq – mos vallë do të thuhet tani që edhe ai duhet të shembet? Po Piramida?

Dhe nuk ka nevojë që kërkesa për ta mbrojtur Teatrin siç është të jetë proporcionale me vlerat arkitektonike të godinës – pa çka se edhe këto i kanë nxjerrë në pah mjaft qartë. Çështja është gjetiu. Teatri Kombëtar nuk ka qenë monument as kur u dizajnua nga arkitekti dhe as në momentin kur u ndërtua; por është bërë i tillë, monument, në rrjedhë të viteve, falë vendit që ka zënë në kujtesën kolektive të qytetarëve.

Këtë argument ia kam parë të artikuluar Herbert Muschamp-it, kritik arkitekture, në një artikull të gjatë në The New York Times, kushtuar një problemi të ngjashëm me një ndërtesë në Manhattan (The Secret History of 2 Columbus Circle). Në krahasim me vendin që zë në historinë sociale, thotë ky autor, cilësitë artistike të monumentit janë të rastit (incidental). Prandaj edhe debati për cilësinë e dizajnit të ndërtesës në origjinë (dopolavoro fashiste, mensë për italianët, sallë gjyqi komunist, etj.) është i falsifikuar që në premisë. Teatri Kombëtar është monument jo sepse u konceptua i tillë nga arkitekti, madje as për pjesët teatrale që u vunë në skenë (të mira e të pamira, të bukura e të shëmtuara, propagandistike e subversive); por ngaqë atë rol ka marrë gjatë viteve, në kujtesën e publikut teatral në Tiranë dhe kudo gjetiu në Shqipëri.

Dhe ky publik – shkruan gjithnjë Muschamp-i – është më shumë se një grup konsumatorësh pasivë; mund të jetë edhe njësi produktive. Përfton atmosfera, kujtime, argumente, tekstura të mendimit, një klimë receptiviteti dhe skenën ku ndodhin performancat. Dhe, do të shtoja unë, është në thelb i njëjti me atë që kërkon tani respekt për Teatrin monument; i cili mund të zëvendësohet si godinë, por jo si monument në kujtesën historike të Tiranës.

Në raport me këtë argument, fotot e paparazzi-ve të fasadave të prishura e kanë vendin në koshin e plehrave; sepse nga ai kosh edhe kanë dalë.

Por ka edhe një element tjetër në ato foto, që nuk mund të lihet mënjanë. Fotografi, kushedi pa dashur por kushedi qëllimisht, ka lënë të duket, në perspektivë, ndërtesën ndoshta më agresive të “skyline-it” të Tiranës: një nga kullat prej vitesh të pambaruara, që më ngjan me një shtëllungë tymi të ngrirë; beton dhe vrima pa kuptim, pa hijeshi, pa qëllim (4 Evergreen Tower, ku emri ndoshta lë të kuptohet më shumë se ç’kishin në mendje pagëzuesit).

Ajo kullë në sfond me gjithë dritaret e zgavërta vetëm sa e bën edhe më njerëzore rrënojën e fasadës së Teatrit; sepse fasada mund të ndreqet, ndërtesa e Teatrit mund të restaurohet; por ajo kullë është që pa u ndërtuar akoma e pashlyeshme – dhe jo si monument, por ngaqë është e kundërta e monumentit, një “anti-monument”; sepse nuk gjeneron kujtesë kolektive, por e pezullon atë, e thith si vrimë gjirizi, e pezullon mendimin dhe vetëdijen qytetare të tiranasit. Thonë se e kanë quajtur “çiban”; por ndryshe nga çibani, ajo nuk hiqet më: edhe po të vendosin ndonjëherë ta shkatërrojnë, do të duhet të evakuojnë gjysmën e Tiranës. Ajo kullë e pambaruar është një cikatrice e shfaqur para se të hapet e të qelbëzohet plaga, kohë që ecën së prapthi si gaforrja, statuja e pashlyeshme e entropisë. Gati-gati prania e saj në foto po më duket sikur i detyrohet ndonjë skrupulli etik të fotografit, përndryshe të reprimuar; sikurse po më duket edhe si një projeksion djallëzor i së ardhmes që i kanoset memories kulturore të qytetit. Të dyja bashkë, brenda së njëjtës foto:  ku i ke çmimet ndërkombëtare, kur të duhen për t’ia dhënë ndonjë gjeniu aksidental?

Ironike po më duket, që në fotot e sjella si argument në favor të “prishjes” së Teatrit, të shfaqet pikërisht argumenti pse Teatri nuk duhet prishur, pse Teatri nuk mund të prishet; madje sa më shumë të amortizohet ndërtesa, aq më i fortë do të jetë argumenti për mbrojtjen e saj; dhe vetëdija se përballë atyre që e trajtojnë hapësirën urbane si truall investimi dhe burim të ardhurash, po kristalizohet edhe grupi i atyre të tjerëve, që i japin përparësi kujtesës, kulturës dhe mirëqenies shpirtërore në komunitet.

© 2018, Peizazhe të fjalës™. Ndalohet rreptësisht riprodhimi.

26 Komente

  1. Ao vrima në foto, në mos e kanë bërë qëllimisht këto ditë (le të shihet fotoja e dytë, ku shtresa e suvasë duket ca më e bardhë se e një dëmi të shkaktuar nga koha) riparohet brenda disa orëve nga një mjeshtër.

    Natyrisht që kjo është vetëm propagandë.

    Po të shihen planet që janë publikuar, vihet re menjëherë se kjo e tëra bëhet për arsye spekulimi me truallin.

    Ndërsa teatër të ri NUK KA; ka vetëm një skicë që ta bën çdo zyrë arkitekture brenda ditës dhe vizualizime 3D, edhe kjo punë që kryhet brenda ca ditëve.

    I gjithë projektimi – ç’fjalë e madhe për dy kartolina që t’i bën çdo student arkitekture në fundjavë – e tërë “arkitektura” pra e teatrit të ri është bërë për të grabitur sa më shumë truall të jetë e mundur, duke i bërë dy teatrot e vjetër në një (kursehen hapësirat, meqë nuk ke nga dy palë tualete etj.) dhe duke e rrasur objektin sa të jetë e mundur përpara, për të zgrapur sa më shumë nga pas.

    1. Kjo ka ndryshuar ne kohe. Por tani thuhet qe do ndertohet po aty, por asgje nuk eshte thene qarte se ne c’pjese tamam, dhe nese “e njejta siperfaqe si me pare” do te thote “e njejta siperfaqe trualli si me pare”. Duke qene qe qellimet jane komplekse dhe kane qene me tahmaqare se jane sot, cdo paqartesi shihet si nje manipulim per te grabitur truall me vone.

      1. Meqe do tu ndertoka po aty,dhe meqe sipas nje shkrimi tjeter tendit qe sapo lexova, “Ndrenika ka qenë gjithnjë për teatër të ri, por ama aty ku është”, më duket mision i kryer (po te konsiderojme Ndreniken si personifikim por dhe metafore te Teatrit). Paragjykimet pastaj (“cdo paqartesi shihet si nje manipulim per te grabitur truall me vone”) ça tu besh, ekzistojne kudo e kurdo…

  2. Një korrigjim i dashur Ardian: mos e quaj “anti-monument” sepse ky i fundit është një koncept artistik, dhe frika ime është se ka aq shumë kopila afër bythës së Kryeministrit që, nga një lëpirje në tjetrën, nëse do u duhet një argument konceptual-artistik për të justifikuar shëmtinë e evidentuar prej teje, mund edhe të të citojnë si një mbështetës i kësaj shëmtie … “të qëllimshme” … pra, qartësisht “arkitekturë kontemporane”!!!

  3. Duke lexuar kete shkrim, sepse pata nje déjà vu. Mu fanit Tirana me Bashkine e vjeter dhe me pazarin e vjeter. Sigurisht atehere nuk eshte se pyeti njeri shume andej ketej se c’duhej bere e nuk kishte kush te debatonte a kundershtonte, por perveç ketij elementi dhe sigurisht interesave materiale private qe tani egzistojne e atehere jo, cdo gje duket e ngjare me perpara, si ne nje cikel programimi “for next” qe ka filluar qe ne kohen e Italise e vazhdon pambarim, pavaresisht nga arsyet dhe motivet.

    Nuk besoj se ka qender kryeqyteti europian qe brenda me pak se nje shekulli te jete prishur e ndrequr, te jete shkallmuar e transformuar, te kete fituar gjoja çmime arkitekture sa Tirana jone e vuajtur. Druaj se kujtesa kulturore e brezave qe u linden e jetuan per nje kohe te gjate ne Tirane nuk egziston vecse si nje cope mike me shtresa te holla te mbivendosura qe me kohe pastaj shkrihen me njera tjetren dhe e bejne te veshtire konsolidimin e qytetit ne nje te vetem duke te bere te ndjesh sikur ke jetuar ne qytete te ndryshme, ndonese te gjithe me te njejtin emer, Tirana.

    Ja, une kur shkoja ne shkollen fillore kaloja ne nje shesh me nje ndertese te bukur e te madhe qe i thoshin Bashki, e menjehere futesha ne nje rruge te gjere me peme te kuqe. Para se te hyja ne shesh kaloja ne nje rruge shtruar me kalldrem ku degjoheshin cekicet e bakraxhinjve dhe vinte ere e mire simiteje. Shpejt keto u zhduken e ca ndertesa gjoja moderne ua zune vendin, nje gje qe i thoshin Pallati i Kultures, nje tjeter qe i thone Muzeu Historik Kombetar, e me tutje nje qe per mungese te nje termi me te qarte i thoshin 15-katshi.

    Historia vazhdon me plote heroizma te tjera qe lidhen me statuja te ndryshme e pllaka mermeri deri tek kjo palavia e sotme, qe me falni shprehjen duket si shurrtore gjigande. Tani pasi shurrtorja na mori edhe nje cmim nderkombetar, sheshit te gjere nuk kane c’ti bejne me keta te sotmit (te nesermit, ne vazhdim te tradites transformuese, me siguri do t’ia bejne dermanin), prandaj edhe i jane turrur hapsirave fqinje.

    Ne kete rast, perpos deshires narcisiste, sic e kishin edhe te tjeret me parë, per te lene portretin e tyre ngado, deshira transformuese lidhet edhe me diçka krejtesisht materiale, pra nje rruge e dy pune ose po deshe, me nje gur vrasim dy zogj, edhe e leme surratin ne perjetesi (perjetesi e perkohshme, se do te vije tjetri pas teje me po ate deshire) edhe e mbushim xhepin. Per kete mjafton te sjellim argumenta te fuqishme si ato fotografite me vërra ne mur qe demonstrojne se teatri duhet prishur.

  4. TË VRASËSH GJYSHIN

    Ruajtja a jo e teatrit nuk është çështje arkitektësh; ajo është çështje qytetare.
    Madje diskutimi në këtë formë e zhvendos vëmendjen nga ajo që po ndodh realisht: vjedhja e pronës publike (truallit) për qëllime korruptive.

    Truket që përdoren në këtë fushatë janë si të natyrës profesionale, të cilat publiku i paspecializuar nuk para i kupton dhe nuk ka as pse, si të natyrës mediatike, e jo së fundmi të asaj patetike.
    Po i marr me radhë:

    Truku profesional nis me »projektin« për teatrin e ri.

    Derimë tani shihen në media vetëm vizualizime (renderime) të objektit e një skicë për vëllimet e objektit të ri, punë këto që mund t’i kryejë edhe një student arkitekure me një program vizualizimi 3D për një javë, të themi.

    Por ky nuk është ky thelbi: truku këtu konsiston në gjymtimin që ka ndodhur pa nisur ende projekti. Trualli është ndarë qysh më parë dhe i vetmi kusht për të planifikuar »teatrin e ri« ka qenë ngjeshja sa më e mundur e tij në pjesën e përparme të truallit, për të gllabëruar sa më shumë të jetë e mundur nga ky.

    Me të ndodhur kjo është e kotë të vazhdohet të flitet për objektin e ri dhe arkitekturën e këtij, aq më tepër kur bëhet fjalë për kartolina me ngjyra ku mungojnë (qëllimisht) hijet kërcënuese të kullave 20 a më shumë kate ngjitur me të.

    Tha Ministrja Kumbaro e Kulturës për teatrin, mes të tjerash:
    (…) në vlerësimin e Institutit të Ndërtimit, të bërë në fillim të këtij viti, theksohet se: Përtej ARKITEKTURËS, QË ËSHTË JASHTË TË GJITHA NORMAVE, përtej strukturës, që bën të pavlefshme çdo ndërhyrje (…)

    Natyrisht që fjalia që kam shkruar me të shkronja të mëdha është një broçkull e padëgjuar dhe tregon më së pari injorancën e kujt është shprehur kësisoj për arkitekturën si të tillë.
    Në njëfarë mënyre ajo ngërthen edhe problematikën e prishjes a jo të teatrit, një dilemë e shtruar dhe kjo së prapthi, pasi ajo duhej të ishte: ruajtjes a jo të tij.

    Të thuash se arkitektura qenkësh jashtë normave është si të thuash se një roman qenkësh jashtë normave; kësaj i thonë jo vetëm të mos thuash asgjë, por të flasësh kodra pas bregut.
    Ashtu si letërsia, bie fjala, është art i fjalës, arkitektura është art i ndërtimit ose: art i organizimit të hapësirës. Dhe jo vetëm kaq, natyrisht. Ndaj ajo nuk ka se si të ketë NORMA.

    Mirëpo nëse i qasesh kaq jangllësh kësaj teme qysh pa nisur akoma argumentimin, gjithçka vjen më pas do të jetë pa lidhje.

    Dhe ashtu është: Kumbaro ngatërron muret perimetrale prej pupuliti me arkitekturën, ngatërron strukturën me konstruksionin e me radhë, për të dalë natyrisht te kostot që qenkëshin shumëfish më të larta, nëse objekti do të ruhej.

    Edhe ky një budallallëk me okë, pasi për të folur për kostot e një objekti të ri më së pari duhen bërë publike planet e këtij e kjo nuk bëhet me vizualizime nga perspektiva e zogjve.

    Ka fort të ngjarë që shpenzimet për objektin e ri t’i kalojnë njëzetfish a më shumë kostot për ruajtjen e të vjetrit. Me gjasë në llogaritjet diabolike të kësaj natyre përfshihen edhe kostot e truallit, e kjo pastaj jepet si argument, si diçka e dhënë, si fakt.

    Por natyrisht që çdo arkitekt e di se këto të dhëna janë të manipulueshme lehtë; mjafton të shihen për këtë tejkalimet e vazhdueshme të buxhetit fillestar nga “yjet” e arkitekturës botërore për ta kuptuar këtë.
    Filarmonia e re në Hamburg, sa për të marrë një shembull, kushtoi 11,24 herë më shumë se 77 milionë eurot, që ishte shuma e planifikuar.

    Sidoqoftë, Kumbaro ngatërron objektin me subjektin e këtij dhe ky i fundit nuk gjendet as në mure, as në bazamente e as në shifra.

    Për ta thjeshtuar disi bisedën për miqtë që nuk janë të fushës, po marr një shembull vulgar: kemi një sëpatë të vjetër që ka qenë e prindërve në shtëpi e tehu i saj nuk pret më mirë, apo bishti i është krisur.
    Nëse i ndërrojmë bishtin sëpatës me një të ri, ia mprehim tehun, e përdorim kështu për disa breza, pastaj në një kohë tjetër, i blejmë një teh të ri, ngrihet pyetja: a është kjo po ajo sëpatë e vjetër?

    Ndërsa truku mediatik ndodh kur profesionistët e një fushe tjetër, të aktrimit, fjala vjen, binden nga argumentat që sillen nga një tjetër profesion, të cilin nuk kanë se si e pse ta kuptojnë, ndërkohë që specialistët e ndërtimit të qeverisë nisin e flasin për të tjera fusha, si arkitektura apo kultura, fjala vjen.

    Nuk mund të mungojë këtu patetika e rëndomtë, nganjëherë morbide, e tabloidëve tanë dhe vetëm e tyre, parë që medie serioze mungojnë ose numërohen me gishta, e llojit:
    Kadri Roshi ëndërronte për një teatër të ri… Aktori i madh Robert Ndrenika tha: ju bëj të ditur se nuk jam Jezu Krishti, bile as Barabai … apo: Luftar Paja për teatrin, etj.

    Për fat të keq kësaj patetike nuk i shpëtojnë as kundërshtarët e prishjes së teatrit: Lulzim Basha kërcënon arkitektin si persona non grata në mëmëdheun nga i cili po largohen përditë me mijëra, një arkitekt garanton me jetën e tij, një aktor bën thirrje për luftë se e ka patur të jatin oficer e të tilla emocione të panevojshme për audiencën.

    E megjithatë: Argumentimi i atyre që duan të shembin teatrin – nënkupto: duan të zhvasin truallin e tij për arsye përfitimi – mund të krahasohej fare mirë me:

    Vrasjen e gjyshit për të lindur një fëmijë.

    Një teatër i ri mund të ndërtohej kudo: mirëpo ç’lidhje ka kjo me ruajtjen e të vjetrit?
    Pse duhen vënë përkundër ngritja e një objekti të ri dhe shembja e një tjetri të vjetër?
    Pse duhet vrarë gjyshi pra, për të lindur një nip?

    Këtë vetëm Rilindja e di. Dhe mafia e ndërtimeve.

    © Arb Elo

  5. Ka nje diskurs qesharak per mungese informacioni ose rendje mbas brimave qofte edhe ne funksion te kujteses se komunitetit.
    – çfare kerkohet nga ata qe jane kunder prishjes? Ne rast te restaurimit, te mbahet si muze i teatrit? Çfare funksioni do kete mbas restaurimit? Pyetja shtrohet pasi per te gjithe eshte e qarte me restaurim ose jo, ajo ndertese nuk i permbush kushtet per nje teater te mirefillte. E shumta mund te funsionoje si nje kino.
    – spekullimi me tjetersim te truallit, tashme ka rene. Eshte garantuar se ne truallin e teatrit do kete vetem teater te ri, as kulla e asnje meter per PP. Eshte sqaruar se PP kompensohet per investimin me truall diku tjeter. Nqs ka shkelje ligjore ketu nuk duhet te diskutohet ne lidhje me teatrin, por te denoncohet shkelja ligjore.
    – jo shume kohe me pare debatohej per censurimin e filmave te diktatures e indirekt sulmohej kjo kujtese e komunitetit qe sot vleresohet kaq shume si sherbetore propagandistike te diktatures. Aktualisht eshte Demalia qe kerkon nga kjo kujtese e komunitetit te kerkoje falje per sherbimin qe i bene diktatures dhe paralel kerkon ruajtjen e teatrit jo per shkak te kujteses se komunitetit, por thjesht se eshte kunder bastardimit te qendres historike te Tiranes. Problemi eshte se qender historike te Tiranes ne thelb nuk ka. Teatri i ri mund te behet edhe diku tjeter por i vjetri nuk i hyn ne pune as dreqit edhe me restaurim. Rrafshimi dhe fitimi i nje lulishte, hapesire me teper ne qender nuk do ishte gabim.

    1. Nuk është aspak qesharak diskursi për mungesë informacioni. Ku janë planet e ndërtimit, ku është plani rregulles i qendrës, ku janë koeficientët e shfrytëzimit të truallit? Dhe ç’hyn Demalia këtu?

    2. Odin, ke bërë shumë pyetje, shpresoj që ata që i kanë përgjigjet të ndërhyjnë.

      Në pritje të shpjegimeve, po shtoj edhe unë ca pyetje të miat: kur punët qenkan kaq të kthjellëta dhe logjike, atëherë ç’nevojë ka për gjithë fushatën e rrenave, intrigave, character assasinations, shmangieve (deflections), ligjeve ad hoc, dhe po e përsëris, rrenave që kanë ngritur në këmbë palët që duan të ndërtojnë te trualli i Teatrit?

      Mua që i ndjek këto gjëra për së largu, por me kujdes, më duket se po kërkohet të mbulohet një pisllëk. Dhe kauza e atyre që duan ruajtjen e selisë së vjetër të Teatrit më duket e drejtë.

      Shmangia e fundit: “ata që janë kundër Teatrit të Ri”. Në fakt askush nuk është kundër Teatrit të Ri; dhe vetë ky formulim të ngre qimet përpjetë. Aleanca është thjesht kundër vendimit të njëanshëm, arrogant, arbitrar për ta prishur selinë e Teatrit, për hir të një projekti kompleks që pak lidhje ka edhe me kulturën, edhe me vetëdijen urbane të Tiranës.

      Teatrin e ri, në më dëgjofshin mua, le ta ngrenë në fund të Bulevardit të ri, mu siç e ka vizatuar Bjarkeja, në trajtë papijoni. Ashtu do të mund të shkojnë njerëzia në premierat me biçikleta (rigorozisht Mobike).

      Sa për godinën ekzistuese, kjo deri dje trajtohej si monument kulture, thithte fonde publike për restaurime të posaçme, lëvdohej nga guru-të e trashëgimisë kulturore, që nuk linin arkitekt “italian” pa përmendur e lëvduar me atë sebep. Nëse sot është vërtet në gjendje për të qarë hallin, unë do të kisha dëshirë të shihja në gjyq personat përgjegjës – nga kjo administratë – për keqpërdorimin e parasë publike dhe neglizhencë në kryerjen e detyrës.

      Zgjidhja që më duket mua e arsyeshme – por e them këtë thjesht nga pozitat e një njeriu që e lidhin shumë gjëra me atë ndërtesë – është që teatri të restaurohet me themel, duke ia ruajtur me besnikëri arkitekturën.

    3. “Problemi eshte se qender historike te Tiranes ne thelb nuk ka.”

      Vertet, nese shembet Teatri, do te vihej vertet ne dyshim nese ka mbetur me qender historike ne Tirane. Por puna eshte se ju e keni pranuar kete tendence, prandaj edhe sugjeroni se do te ishte me mire te zhdukej edhe ajo ndertese, qofte edhe duke u zevendesuar me nje… lulishte (?!)… por ju duhet ta dini se alternativa e teatrit te restauruar nuk eshte lulishtja por kullat dhe betoni.

      “Teatri i ri mund te behet edhe diku tjeter por i vjetri nuk i hyn ne pune as dreqit edhe me restaurim.”

      Meqe merrem me teater, me lejo te them se nese flasim per standarde teatrore, salla e TK eshte nder te paktat ne Shqiperi qe mund te quhet salle teatri. Nese duam te jemi te ashper dhe te sinqerte, duhet te kerkojme me pare shembjen e nja nje dyzine sallash ne Shqiperi, duke filluar me ato te Teatrit te Metropolit. Kur t’i afrohemi fundit, do te shohim se te vetmet salla te mbijetuara do te jene ato qe ndertuan italianet…

  6. Eh ja, komenti i Odin-it, një shembull i absurdit se si zhvillohen “diskurset” anëve tona: degë më degë.

    – Çfarë kërkohet nga ata që janë kundër prishjes?, pyet ky.

    Jo zotëri, pyetja shtrohet kështu: çfarë mëtojnë ata që duan ta prishin?

    – Është sqaruar, thotë ky, se PP kompensohet për investimin me truall diku tjetër.

    Lind pyetja: pse nuk e ndërtojnë menjëherë teatrin e ri atje?

    – Kalon pastaj te filmat diktaturës.

    Po ç’lidhje ka kjo me këtë që po flasim?

    Nuk paska qendër historike të Tiranës, mendon Odini. Ashtu?

    Demalia paskësh thënë që… Kush është ky e ç’lidhje ka me kujtesën historike?

    Pse nuk citon zotëria Aurel Plasarin, po Demalinë?

  7. Kujtesa e publikut teatral te Tiranes perbehet sot nga vetem disa kokrra te ikurish jashte, e ndoshta ndonje edhe mund te jeta akoma gjalle ne Tirane sebashkua me ata pak aktore te vjeter, -fatkeqesisht kjo! Popullsia e sotme e Tiranes, ne mbi 97% e saj nuk ka as edhe nje lidhje shpirterore me ate godine dhe vete pjeset e luajtura aty, -eshte per te ardhur keq. Godina e tashme eshte sinkrone me godinat e tjera perreth, nderkohe qe projekti i ri, ndonese i bukur, eshte si dhe objekte te tjera te reja te Tiranes si nje arnim ne ate vend, sa do ti zhvleresoje edhe godinat ministrore te bulevardit, -biles ky i fundt po del pak nga pak ne nje rrugice te dores se dyte, -sarkaizmi u shfaqka edhe ne urbanistike dhe arkitekture!
    Tani mu kujtua gjithashtu, nje pjese e vogel nga nje emision i arte, i bere aty nga 1995-a, dhe pasi e gjeta serish tek youtube, po sjell ketu linkun, duke kujtuar se aty nga minuta e 16 tregohen ca pamje paksa te rrenuara te brendshme te tetatrit: https://www.youtube.com/watch?v=juzOrHbpWSM

    1. Nuk e di ku e ke gjetur kete statistiken “97%” por, gjithsesi, ne nje Tirane me 650 mije banore, ky “3%-shi” perkthehet ne 20 mije dhe mua me duket shifer e bukur 🙂 Nuk ka me shume shikues fanatike teatri ne Londer apo Paris… 🙂

  8. Degezimin nuk ja u solla une, ate e gjeta midis jush…
    Hyqymetit me ne fund i ra ndermend se Tirana, vendi ka nevoje per teater te ri kombetar. Duhet pergezuar, jo paragjykuar.
    Ekzistuesi eshte e qarte nuk i permbush kriteret. Monument kulture me sa di nuk eshte prej vitesh me ligj.
    Planet dhe pse duhet ligji jane publikuar per ata qe duan informacion para se te flasin.
    Qender historike Tirana nuk ka me. Ajo eshte bastarduar me kohe si çdo lagje e vjeter. Filloi me ndertimet rreth stadiumit e me radhe pergjate bulevardit deri te kullat e sotme. Bukuria e qendres qendronte te hapesirat ndermjet ndertesave ekzistuese qe sot nuk jane me. Ne vend te hyqymetit per ti dhene fund ketij debati qesharak do beja nje lulishte ne vend te teatrit e teatrin diku tjeter.
    Qesharake e gjej degezimin qe i behet ketij debati.
    Nqs eshte çeshtje korrupsioni, faktoje por nuk ka te beje me teatrin e ri apo restaurimin e tij.
    Kujtese e komunitetit siç e thekson xhaxhai jo si ndertese por nga njerezit qe kane punuar aty eshte shume e diskutueshme. Politizimi i debatit nuk ndihmon ne zgjidhjen. Perdorimi politik sipas interesave te çastit eshte per te ardhur keq. Nje nga tipiket kundershtare eshte Demalia. Demonizon aktoret si sherbetore te diktatures dhe kerkon ruajtjen e teatrit jo si kujtese e komunitetit por si ndertese historike.
    Kur flamurin e nje debati nuk e kane specialistet e fushes, historike, arkitektonike, urbanistike, etj. e marrin opinionistet(lexo thashethemexhinjte) qesharakja eshte evidente.

    1. Odin, për këtë çështje është prononcuar shoqata e arkitektëve të Shqipērisë me 70 arkitektë që kanë firmosur, është prononcuar departamenti i arkhitekturës të universitetit Polis. Maks Velo ka qënë pjesë e protestave. Por më domëthënëse, edge vet miqtë e ngushtë she partner në biznes të Ramës, Shkreli and Co. nuk janë prononcuar pro prishjes së teatrit. Dhe nuk ka asnjë arkitektë të pavarur që është prononcuar pro prishjes së teatrit.

      Vetë tek linja e komenteve në këtë shkrim janë të paktën dy arkitektë që po debatojnë me ju, dhe të paktën tre kritikë arti dhe arkitekture.

      Çfarë kredencialesh keni ju, që keni guximin t’i quani me përbuzje të tjerët si ‘opinionist’?

        1. Askush nuk po ndërton teatër të ri, sepse tatri është aty. Këta thjeshtë po e zëvendësojnë, me argumentin se nuk ka pasur histori, ndaj dhe nuk duhet të ketë histori.

          Edhe Mao Ce Dun për të cilin flet artikulli që ke sjell do kishte më respekt për historinë seç kanë disa shqiptar sot me “kinezërirat” që shfaqin.

        2. Qendra historike e Tiranës ka qenë (dhe mbetet) e përcaktuar me ligj. Nuk është më punë opinioni.

          Ndërsa ky zotëria që ka shkruar artikullin po më duket krejt “out of his depth.” Opinionet e tij mund të kenë ndonjë vlerë për antropologjinë e italianit të atyre viteve, por jo për Shqipërinë, as për regjimin e kohës, as për jetën urbane.

          Nga biografia e tij publike shoh se ka qenë minator i angazhuar në politikë dhe në lëvizjen sindikale, dhe më pas është regjistruar edhe në urdhrin e gazetarëve. Jo se ka ndonjë të keqe këtu, por nga dinamika historike e qytetit shqiptar ai nuk ka kuptuar asgjë: meqë duket sikur ka shpresuar të gjejë në Shqipëri një Pisa, një Padova ose një Assisi…

          http://www.pdtoscana.it/enzo-brogi/

        3. Jo. C’eshte e verteta keta artikujt jashte kontekstit qe sillni ju ne debat nuk perbejne argument.
          Sa per qendren historike apo percetimin e nje italiani te theshte per te, e kane shpjeguar komentuesit me poshte. Pastaj mos spekuloni me termin qender historike, Se ka qender historike por ka edhe godina historike. Teatri eshte godine historike. Por eshte edhe shume me teper se aq.

          Ne fakt, keto gjera ju i dini mjaft mire. Por eshte puna se duhet justifikuar vendimi i partise se. E kuptoj. Irracionaliteti i nje tifozi (edhe kur ky eshte nje njeri racional ne fushat e tjera)

  9. Z. Vehbiu, përgëzimet e mia jo vetëm për këtë shkrim, por për të gjithë serinë e shkrimeve në lidhje me debatin për Teatrin, që keni botuar deri tani.
    Dy vërejtje kam për këtë shkrim: E para, nuk e prisja nga ju të përdornit një fjalë të huaj (cicatrice) që e ka të barazvlershmen në shqip (vragë). E dyta, më shumë sugjerim, ju lutem mos e përmendni më as për ta kundërshtuar fjalën “dopolavoro” kur flisni për ish-Rrethin Italo-Shqiptar “Skanderbeg”, sot Teatri Kombëtar dhe Teatri Kombëtar Eksperimental.
    Opera Dopolavoro Albanese quhej ajo që sot është Universiteti i Arteve (përfshi teatrin e tij) dhe që u projektua nga Gherardo Bosio.
    Ndërsa Dopolavoro e ushtarëve italianë ishte një ndërtesë njëkatëshe fotot e së cilës mund t’jua dërgoj me email.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: