VERTIGO

nga Elsa Demo

E provoj vertigon në teatrin e ri. Vështrimi ndesh së pari një oborr betoni i kufizuar në tri anë me pallate banimi. Drita të verdha dhe të kuqe vijnë nga e djathta dhe ndriçojnë fjalën “Turbina”, një kafene eksituese e modës. Në të majtë ekspozohet pas xhamave një banak i gjatë gri. Është shërbimi i biletarisë ku marr ndjesinë e kontrollit të pasaportës – ndjesi e vagullt për një brez më të ri. Dhe të rinj rrotull paskësh jo pak!

Holli, dritat neon, bojatisja e mureve nga gri në tepër gri, krijojnë një lloj ajri terminalesh aeroporti. Ja edhe sinjalistika në hyrjen e sallës së madhe: “Centrali 400”. Emërtim i goditur për ndonjë lloj dezinfektanti që do mbante larg çdo aromë teatri e cila mund ta lidhte publikun e vëmendshëm me epokën para ardhjes së Rilindjes. Emri do t’i ngjitte edhe një salle operacioni ku bëhen ndërhyrje për të asgjësuar imagjinatën njerëzore (si në romanin e Yevgeny Zamyatinit).

Kërkoj një reminishencë. Për shembull, ndonjë nga portretet e shoqërueseve që kanë shërbyer në Teatrin Kombëtar. Sa herë u kam dhënë atyre portreteve sytë, hundën, qafën, flokët, vibrimin e një karme personazhi dhe trupin e një aktoreje e cila mban frymën pas kulisash nga ankthi krijues i asaj skene ku sot nuk pipëtin zë njerëzor!

Shoqërueset e teatrit të vjetër, me dorën që zgjatnin drejt dorës tënde, pa të prekur, të tërhiqnin ngadalë si me fije të padukshme nga fuajeja drejt hollit të vogël që lidhej me platenë gjithnjë e zhytur në një gjysmë ndriçim, në një gjysmë mendim, në një gjysmë dashuri, në një gjysmë jete, në një gjysmë agoni, në pritje për t’u bërë një e tërë kur dritat të fikeshin, skena të ndriçohej dhe aktori të shfaqej.

Jo. Asnjërën nga ato vajza nuk më zënë sytë. Ose nuk po arrij t’i njoh sepse të këtushmet, brenda të njëjtave kostume të zeza me fjongo të kuqe, si të futura në parafinë, të thonë “mirëmbrëma” në mënyrë higjienike dhe të lënë të biesh në një sallë skizoide, në ftohtësi dhe vetmi.

Plateja qenka një rrafsh që krijon kënd të pjerrët, gati të thepisur, me skenën. Po i ngjitem një kryengulthi. Në fakt, në majë, janë vendosur si shpendë të egër në kushte të improvizuara teknikët e zërit e të ndriçimit të cilët duken të kapur në hapësirën e ngushtë ku tavani takohet me fundin e pingules së sallës. Tavani me arkadat e betonit është lënë i zhveshur, jo për të kujtuar se këtu ngrihej “centrali 400 i Laboratorit Hidroteknik”, por për të dëshmuar atë që po ndodh: vullneti qeverisës për të arritur me çdo çmim të pamundurën e ka përshtatur teatrin si vend për një ideologji që po i shërben një eksperimenti mbi njeriun. Sepse ajo që thuhet për arkitekturën si vazhdim i trupit njerëzor këtu gjen praktikë si mohim.

Në krahun tim të djathtë kam tri vajza rreth të njëzetave. Janë të sinkronizuara në sjellje, në veshje, në krehje. Hedhin sytë përqark pa përqendrim, komentojnë me zë të lartë, flasin shpejt dhe me fjalë të ngrëna, u mëshojnë karrigeve të reja.

“Të dhjefsha mu në histori! Ky është komoditet, lal!”

Vajzën që hedh këto fjalë e pyes: “Të ka ndodhur ta frekuentosh shpesh atë historinë e dhjerë”? Ajo më shikon siç mund të shihet një i vdekur dhe ma kthen: “Pa lidhje kjo!”

Nga situata më nxjerr tingulli i zërit të Fatos Selës i cili lutet të fiken celularët. Është i vetmi element shpirtëror-arkitekturor që e kanë marrë nga ajo anë e “historisë së dhjerë”. Ndaj tani dua të izolohem në karrigen time dhe të bëj detyrën sonte: të shoh një shfaqje teatri në këtë vaskë të zbrazur të kthyer brinjazi ku 300 e kusur njerëz u ngjajnë specieve në një habitat të denatyruar, specie në kushte laboratorike.

Dua të zhytem në karrigen time, por nuk do ajo! Krahët e mi, si pjesa fizike që zakonisht “ndërvepron” nën efektin psikik të asaj që ndodh në skenë, nuk kanë ku mbërthehen, mbështeten, lëshohen. Karriget janë pa krahë dhe janë aq afër njëra-tjetrës sa, në lëvizjen më të vogël të tjetrit ngjitur, ndjen si ngrihet era e trupit njerëzor kontaminuar me parfume.

Lutja kompjuterike e Fatos Selës duhet të jetë harruar “ndezur”. Zëri i tij që përsëritet pa pushim po ngatërrohet me një këngë që është futur për sfond, një këngë zijafeti që e dëgjon në rrugë, në bar, në autobus e që ka gjetur vrimë dhe ka hyrë në teatër.

Po më goditet dëshira, dëshira e cila kërkon nga teatri atë mistikë, atë ceremonial, atë të brendshme që e marr nga ky lloj arti sado në nivelin e aberracionit ku është teatri shqiptar, ku është kultura e këtij vendi pa ndërtesa teatri, pa kinema e muze, pa galeri e salla koncertesh. Po më goditet privatësia, kjo gjendje mendore të cilën teatri ka aftësinë ta krijojë dhe ta ruajë brenda hapësirës së tij publike. Është një cilësi që e bën të dallueshëm teatrin nga artet e tjera dhe e vendos në kundërshti me hapësira publike si mediat sociale, ku argëtimi, informimi madje dhe formimi përbëjnë një forum ekzibicionizmi për të ndarë me të tjerët intimitetin e përditshmërisë, e asaj çfarë ha, çfarë vesh, çfarë ndjen, çfarë lexon, çfarë sheh në TV. Njerëzit duan garancinë dhe sigurinë që ua jep ndarja me të tjerët e një privatësie në nivelin e banalitetit. Ata nuk duan të rrinë në zonat e misterit, e asaj që s’kuptohet me të parë, që ngjall dyshime dhe trondit, që rikthehet më e bukur se gjithë kujtimet e humbura dhe më e fortë se vdekja, siç ndodh në vetmi dhe në skena të vërteta si ajo e Teatrit Kombëtar.

Në këtë tribunë stadiumi që e quajnë teatër, publiku ndihet një dhe solidar në të njëjtën mënyrë që e bën të ndihet përdorimi i hapësirës virtuale. Efekt i estetikës së re skenike? “Reforma” në arkitekturën teatrale si në skenë edhe në sallë rezulton me kushte të këqija shikueshmërie dhe dëgjimi, ku është e pamundur ta shohësh spektaklin në mënyrë integrale. Struktura arkitekturale e tribunës nuk i garanton shikueshmëri të barabartë spektatorit, por i krijon atij një gjendje ankthi, shkakton mungesë vëmendjeje, shmangie, iluzion optik dhe deri gabim në perceptim. Salla dhe skena nuk i përgjigjen njëra-tjetrës. Është në kufijtë e qesharakes të shohësh aktorët që recitojnë me vështrimin përpjetë drejt spektatorit që nuk e kanë përballë.

Dritat fiken dhe pak nga pak konfirmoj se ndjesia e marramendjes dhe e humbjes së ekuilibrit nuk ka të bëjë me akrofobinë, dhe as vetëm me shikimin nga një lartësi e madhe poshtë. Përgjatë 90 minutave që shfaqet “Terror” me regji të Gëzim Kames, një tjetër vertigo krijon shtjellë në skenë dhe përplaset në sallë. Është një alibi që sillet si fugë mbi kokat e publikut.

Gëzim Kame prodhon një shfaqje në disa vjet. Zgjedhja e tij e fundit është nga autori gjerman Ferdinand Von Schirach, i cili ka shkruar për teatër vetëm “Terrorin”. Bëhet fjalë për një vepër mainstream-i ideologjik që ka prodhuar aktualiteti politik dhe mediatik pas 11 shtatorit 2001, që do të thotë se shoqëria, marrëdhëniet dhe konfliktet njerëzore shfaqen si një realitet krejtësisht i jashtëm, të trajtuara si një diskurs monolit mbi ligjin dhe moralin. Tematika “e orientuar” nga rrethanat traumatike dhe të panikut shoqëror, kufizohet tek qëndrimi i njëanshëm dhe njohja e sipërfaqshme e natyrës njerëzore.

Shkurtimisht: një pilot luftarak po gjykohet për hedhjen në erë të një avioni me 164 vetë. Avioni i marrë peng nga një terrorist do duhej të shpërthente në një stadium futbolli me 70 mijë njerëz. Është vrasës apo hero piloti? Me këtë diskutim mbahet shfaqja e cila lëviz brenda një kuadri monoplan që fokusohet tek kryetari i trupit gjykues (Viktor Zhusti) zbret tek i pandehuri (Lulzim Zeqja), kalon tek avokatja (Yllka Mujo), ndalet tek prokurorja (Eva Alikaj) e sërish në kthim e njëjta lëvizje. Në finale, kuadri i ngjarjes hapet dhe publiku ftohet të votojë: Po ju ç’do të bënit në një situatë të tillë?!

Në historinë e teatrit, ideja për ta bërë spektatorin aktiv, që ai të dalë nga gjendja që ia jep qëndrimi statik dhe ndarja që ekziston midis tij dhe lojës së aktorit, filloi të lëkundej në vitin ’68. Living theatre me parimin “teatri është jeta”, shtoi pretendimet për çarjen e këtij muri, për një spektator pjesëmarrës në lojë. Rezultatet që pretendoheshin nuk u arritën, sepse aktiviteti i spektatorit nuk është fizik, është aktivitet shkëmbimi psikologjik dhe shpirtëror me aktorin. Pa pjesëmarrjen aktive mendore të spektatorit nuk ka lojë teatrale. Kur loja teatrale vjen në formë didaktike, predikimi moralizues bëhet i pashmangshëm.

Ja çfarë thotë për gazetarët regjisori Gëzim Kame: “Kjo vepër është shumë aktuale për momentet që po kalon drejtësia shqiptare, ku mendoj që të gjithë specialistët e jurisprudencës duhet ta trajtojnë si një masterklas këtë shfaqje.”

Çfarë thotë aktorja Yllka Mujo: “Ky është një teatër i angazhuar, nuk është një teatër që të lë indiferent. Kjo shfaqje do t’ju bëjë që të vini trurin, syrin, shpirtin në funksion të vetes në radhë të parë dhe pastaj në funksion të shoqërisë.”

Çfarë thotë aktorja Eva Alikaj: “Dinjiteti i njeriut që është një nga temat kryesore të kohës së sotme.”

Çfarë thotë aktori Viktor Zhusti: “Është një mënyrë për t’i thënë publikut se nuk duhet të jetë indiferent, se nuk duhet ta gjykojë këtë si një çështje që është jashtë nesh.”

Çfarë thotë aktori Astrit Hasani: “Organet kompetente të rishikojnë Kushtetutën në raport me veprimtarinë e përditshme të terroristëve. Duhet të shqyrtohen situata të tilla sepse terroristët na i kanë sjellë te dera dhe kjo është një gjendje terrori e përditshme!”

Aktori Lulzim Zeqja, si zakonisht, bie dakord me parafolësit.

Kësaj i thonë t’i shmangesh realitetit si lepuri qenit, sepse ky grup artistësh i përket një komuniteti të tërë teatror i cili gjatë këtij viti (jo kaq hapur në vitet e shkuara) ka provuar me fjalë e me të bëra të kundërtën e angazhimit, indiferencës, dinjitetit, respektit për Kushtetutën. Ata janë firmëtarë të letrave dërguar autoriteteve të larta të shtetit që Teatri Kombëtar të shembet, toka publike të grabitet, identiteti i zonës historike të Tiranës të tjetërsohet përgjithmonë që një teatër i ri të shkëlqejë mbi këtë mjerim. Në të keqen më të vogël ata kanë heshtur. Të dyja palët, ja ku gjejnë rastin ta shfrytëzojnë skenën si alibi, të manipulojnë lojën, të rindërtojnë mesazhin drejtuar qytetarëve, të legjitimojnë një sistem që ngre në sipërfaqe ata që e përdorin profesionin për të bërë moral dhe që në jetë praktikojnë tjetër standard. Nuk mund të jetë shoqëri e teatrit kjo! Shoqëri e spektaklit, po!

Secili prej tyre e di që kur një artist luan keq, kur harron dimensionin e reales, e jetës, e realitetit, ai është teatral dhe teatri kthehet në gënjeshtër, verbëri, maskë. Përballë teatralitetit spektatori nuk është më dëshmitar i një të vërtete, por është subjekt i përpunueshëm, shijet e të cilit krijojnë varësi nga shoqëria e spektaklit.

Kujtoj gjendjen e artistit që jep Tarkovski tek “Andrei Rublev” (1966). Ka një dialog mes dy murgjve ikonografë, Theofan Greku dhe nxënësi i tij Andrei. Janë tërhequr në pyll, nuk munden të bëjnë art për shkak të gjendjes që kalon Rusia, regjimi carist nga njëra anë, dyndja e tartarëve barbarë e të pafe në anën tjetër:

Theofan Greku: “I kam shërbyer Zotit, jo njeriut. Sa për lëvdatën, ajo që sot lëvdohet, nesër tallet… Gjithçka është kotësi dhe kalbëzim. Njerëzimi ka arritur çdo marrëzi dhe poshtërsi… tani vetëm sa i përsërit. Gjithçka është cikël i përjetshëm. Nëse Jezusi do të rikthehej në tokë, ata prapë do ta kryqëzonin.”

Andrei Rublev: “…sigurisht njerëzit bëjnë të këqija. Juda shiti Krishtin, po kush e bleu? Njerëzit… Ata ishin mësuar si të fitonin pushtet dhe të përfitonin nga injoranca e njerëzve. Duhet t’ua kujtojmë më shpesh njerëzve se ata njerëz janë… Djalli është kudo. Dikush do t’ju shesë gjithnjë për tridhjetë aspra.”

E rikujtoj dialogun dhe them se po ta risillte e keqja të njëjtën situatë në një kohë tjetër, këta artistët tanë prapë do të shisnin dhe do të shiteshin. Nëse kryeministri është syhapur sot, është edhe në sajën e tyre. Ramën e bezdis kultura dhe artet në këtë vend jo nga pakënaqësia dhe shqetësimi i nivelit ku janë. Thjesht i përçmon që ekzistojnë dhe i refuzon.

Nga ana tjetër artistët e skenës bëjnë sikur bëjnë kritikë ndaj pushtetit. Shikoj pjesë që autorët dhe regjisorët i hapin si fizarmonikë sa kanë gjatësi krahu dhe ndërfusin potpuri politike: “kazan mediatik”, “Shqipëria që duam”, “kemi shtuar gjelbërimin në tarraca pallati”. Fjalë të fjalorit politik që nuk kanë të bëjnë me kritikën politike dhe as me kritikën shoqërore, siç po më shohin sytë në vizitën time të dytë tek Turbina ku luhet “Tag” (si mund të ketë tekst letrar apo dramatik me një titull si ky?!). Një tekst i varfër, njëdimensional që mbetet tek komikja, pa u shtrirë dot në ironi apo satirë, e jo më në tone tragjike, çka e bëjnë autorefleksive një komedi. Bashkim Hoxha ka qarkulluar një xhaketë të realizmit socialist të kthyer mbrapsht. Megjithatë spektatori po çapëlohet së qeshuri.

Teatraliteti, që në këtë rast ka të bëjë me shfrytëzimin që regjisorja Andia Xhunga i ka bërë hapësirës skenike, burimeve skenografike po edhe artit të kostumografisë, është gjithashtu një alibi që maskon nivelin e dramës shqipe propozuar nga Teatri Kombëtar. Në këtë drejtim, TK po e kthen në normë “karuselin e shijeve” personale të njerëzve kalimtarë në këtë teatër, por me fuqi vendimmarrëse.

Me vepra si “Tag” dhe “Terror” (produksion privat me fonde publike, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Brendshme dhe dy bashkive të Tiranës dhe Fierit), të cilat hapin sezonin, Teatri Kombëtar do të zvarritet (siç e ka treguar praktika viteve të fundit) edhe katër vjet të tjera, aq sa zgjat mandati i drejtorit aktual.

Pa folur për zhdukjen e publikut të teatrit, e atij spektatori besnik dhe me nivel të kultivuar. Turbina më përballi me një fakt të trishtueshëm: publiku si një kolektiv i padiferencuar në aspektin e përbërjes, motivacioneve, shijeve, pritshmërive, sjelljeve. Një spektator që përfshihet tërësisht në vepra kaq të dobëta dhe kaq simuluese, tregon se nuk ka minimumin e distancës nga ajo që sheh në skenë dhe ajo që ndodh në jetën reale. Një spektator pa aktivitet mendor. Një publik in vitro që i përshtatet estetikës së re skenike të Rilindjes. Kur teatri përdoret në këtë farë feje nga niveli qeverisës dhe nga niveli i publikut, do të thotë se po ndodh ushtrimi i tiranisë. Një lloj teatrokracie sipas Platonit.

Kujtoj Stig Dagermanin. Në esenë “Nevoja jonë për ngushëllim nuk ka të ngopur” ai refuzon ta konsiderojë demokracinë një makinë që qeveris. “Dikur fjala demokraci do të thoshte shumë më tepër se kaq. Dikur kishte një kuptim shpirtëror. Përcaktonte një ndjenjë dhe një mënyrë të jetuari, një stil dhe një dinjitet. Ishte shprehje e karakterit të shenjtë të individit.” Po edhe ky arsyetim del huq në pikën ku jam. Shqipëria nuk e ka njohur ndonjëherë demokracinë qeverisëse, ndërsa individët që e kanë mishëruar atë me mënyrën e të jetuarit dhe e të bërit, janë qitur jashtë realitetit dhe mundësisht jashtë kohës.

(c) 2018, autorja. Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet riprodhimi pa lejen eksplicite të autores.

25 Komente

  1. Eshte ndoshta shkrimi me i bukur nga nje gazetar shqiptar per vitin 2018. Madje mund te jete shkrimi i pare i nje zhanri te ri: reportazh filozofik

  2. Teatri “Turbina”, teatri i pandërtuar ende i Bjarke Ingels dhe Teatri Kombëtar ekzistues, i restauruar me kujdes dhe i mirëmbajtur, nuk zëvendësojnë dhe as përjashtojnë njëri-tjetrin, siç duan të na mbushin mendjen Rama, Veliaj dhe aradha e Merove që u mbajnë ison. Përkundrazi, ato janë plotësuese. Kush preferon ambiente teatri si të klinikës dentare, le të shkoj te “Turbina”, kujt i pëlqen loja në ambiente moderniste (futuriste, avangardiste e -iste të tjera) do të shkoj te teatri i ri i Bjarkes, por kujt i shijon teatri në ambiente klasike, nuk mund dhe nuk duhet t’i mohohet mundësia e vajtjes te teatri ekzistues.

    Në Tiranë ka vend dhe para për të tre teatrot, nëse duan qeveritarët tanë. Teatrit i Bjarkes le të ndërtohet te Bulevardi i Ri dhe të financohet me shitjen e tokës përreth (po aty, te Bulevardi i Ri) te firmat private për të ndërtuar hotele, komplekse tregtare apo pallate banimi – pak rëndësi ka. Teatri Kombëtar të restaurohet nga një firmë kompetente, me përvojë në kësi punësh – paratë mund të vijnë po ashtu nga toka e shitur në Bulevardin e Ri – dhe të mirëmbahet më pas me të ardhurat nga shfaqjet teatrore, aktivitetet e tjera dhe nga buxheti, nëse këto nuk dalin. Teatri Kombëtar është e mirë publike, si shkollat, spitalet, parqet etj, dhe mbahet po ashtu me paratë e publikut (taksapaguesve).

    Nuk ka asnjë arsye racionale – kulturore apo ekonomike – për prishjen e Teatrit Kombëtar por vetëm një kombinim pervers të egos (lexo: fiksimit) të kryeministrit, të grykësisë së një kompanie private për të ndërtuar në një zonë të mbrojtur në qendër të Tiranës dhe kthimit nga kryebashkiaku të nderit që iu bë me mbylljen e çështjes Gjoklaj nga prokurori Fusha.

    [Nuk po hyj te vlerat historike, kulturore dhe arkitekurale të godinës, në vetvete mëse të mjaftueshme për mbrojtjen e godinës ekzistuese, çka e kemi debatuar dhe herë të tjera këtu në PTF.]

  3. Autorja nje ze kritik shume i sofistikuar ne kete lemi, qe ka nje lloj autoriteti te fituar prej shafaqjes se saj, si dikush qe shkruan nga katet e eperme te godines ku banon intelektuali.
    Per teatrin e ri m’u duk se ka shkrojtur me ate ndjenjen e ishit, per dashnoren e re te te dashurit qe i ka zene vendin.
    Inati nuk i del edhe me spektatorin, sa na kujton ate batuten e Robert Ndrenikes tek nje film, “ne kete province mes injoranteve do te me shkoje jeta mua!”.

  4. Une nuk jam dikush qe mbart vlera intelektiale, per te marre pjese ne debate me peshe, sic ky blog i ka egzigjencat e veta.
    Jam nje dashamires i teatrit. Udhtoj nga provinca ku jetoj, vetem per te pare nje shfaqje teatri ne Tirane. Edhe une po te me prishet pallati, ne oborrin e te cilit ka kaluar femjerine, do me thyhej zemra dhe do cirresha deri ne kupe te qiellit. Por nostalgjia ime nuk me jep mua te drejt automatikisht.
    Teatri i vjeter ishte nje barake, qe per turpin tone e patem pagzuar si “Teater Kombetare”. Kaq. Pertej nostalgjise,neve ndoshta na duhet te fshijme ca gjera nga e kaluara, qe s’i bejne mire memories se kombit, pamvarsisht nga memoria individuale, se ndertesa e teatrit nuk i perket shekullit te XV, por perben historine tone moderne.

    1. Gjin, nuk ka nevojë të mbash vlera intelektuale të spikatura, për ta ndjekur këtë debat. Mjafton që ta ndjekësh.

      Ky mund të jetë shkrimi i 5-të ose i 6-të me këtë temë, te kjo faqe, gjatë këtij viti. Po të bësh një kërkim me fjalëkyçin Teatri Kombëtar nga faqja hyrëse (duke klikuar mbi ikonën e xhamit zmadhues lart djathtas), të dalin të gjitha shkrimet që duhen lexuar – besoj unë – para se të arrihet në ndonjë përfundim.

      Edhe Elsa ka shkruar më parë, edhe autorë të tjerë që i janë afruar çështjes nga këndvështrime të ndryshme. Elsa është kritike e teatrit dhe fjala i zë vend; por edhe eseja e saj duhet lexuar në kontekst.

      Nga sa shkruan, më duket sikur përcjell propagandën – që mua më duket bajate – e atyre që duan ta prishin Teatrin jo se është i vjetër, as se është barakë, por për synime që s’kanë lidhje fare me artin dhe kulturën.

      Përkundrazi, ata që e mbrojnë Teatrin (ndërtesën) nuk kanë – nuk më rezulton të kenë – synime të tjera nga ato që lidhen me kulturën dhe artin.

      Të gjitha këto them se i kemi sqaruar te Peizazhet; por duhen lexuar për të hyrë pastaj në debat. Aq më tepër kur ti je, siç thua, dashamirës i teatrit. Të siguroj se ata që i kanë shkruar, i kanë shkruar pikërisht për ty.

    2. Gjin…
      Problemi i vetëm i autores si intelektuale është se nuk i ka hipur Lasgushit për të parë Stambollin, siç kanë bërë një pjesë e mirë e elitës së ndriçuar shqiptare. (You can’t make this stuff up!).

      Ndërkohë ata që mbajnë radhën tek Turbina, nuk janë tamam popull i thjeshtë që mban radhën tek trau i rrugës së Kombit në Kukës. Këta janë “wanna be’s”‘ dhe “social climbers”. Synojnë komoditetin që të ofron pushteti. Nuk janë aty as për të shijuar art, as sepse janë të uritur nga ana intelektuale.

      Përndryshe, intelektuali nuk mund dhe as duhet të lejohet të shëmbet nga pozitat e injorancës, siç bënë brezi para nesh për 50-të vjet.

      Komenti juaj i fundit demonstron pikërisht këtë. Ju e quani ndërtesën e Teatrit Kombëtar barrakë, pa pasur njohuritë më elementare rreth arkitekturës. Arkitektura racionaliste dhe futuriste italiane, ku kjo ndërtesë bën pjesë janë jo vetëm pjesë shumë e rëndësishme e arkitekturës moderne, por edhe çka vjen më pas as nuk mund të kuptohet pa to. Kjo arkitekturë ka për paraardhës artin e De Chiricho, dhe është unike në formë, dhe në përmbajtje në gjithë ansamblin arkitektonik të qëndrës së Tiranës, dhe një teknikë ndërtimi shumë të veçantë. Për të mos folur për historinë e saj, që ndonëse nuk kam kompetent, mjafton të lexosh vetëm Aurel Plasarin për të kuptuar sadopak rëndësine e saj.

      Por për fat të keq këto janë aspekte të të kuptuarit që vetëm nëpërmjet mendimit intelektual mund të arrish në perfundime që nuk të lënë, të paktën, të lajthitësh dhe lësh mënd e kokës, pa lëre të bësh ndonjë prokopi.

  5. Une jam nje qytetar teper i rendomte per te percjelle ndonje propagande. Keto qe shkruaj i kam bindje te mija dhe disa argumenta qe i kam perdor ne debate ne rrjetet sociale per kete ceshtje, i kam pare ti artikulojne edhe paria zyrtare. E vertete qe nuk marr vesh nga arkitektura, por godina nuk jep asnje lloje impresioni nga pikpamja estetike. Gjithe problemi qendron tek vlerat historike dhe ketu edhe une jam i dyzuar, prandaj them te komenti siper, se nuk eshte ndertese e shekullit XV, po prap eshte aq e vjeter sa c’eshte Tirana moderne. Jo se e thote propaganda, por ajo godine nuk mund te jete nisur per teater, pasi duke njohur sqimen italiane ne kete fushe, si dhe traditen e pashoqe ne bote, ata do te kishin bere dicka krejt tjeter si godine teatri, e per ne edhe per kryeqytetin, do te ishte nje reference per t’u krenuar.

    1. Dhe unë qe gjithmone kam patur frike të pyes: ajo godine, vertet ka qene nisur për teater?? Për fat nuk paskam qene i vetem.
      Ndersa pasionin e atyre qe insistojne ta ruajne, deri kur të mbyll syte nuk kam për ta kuptuar…

      1. Pasioni eshte politik, Stalker, ti e di mire, nje tjeter arsye per t’u futur ne llogore. Elsa eshte pa dyshim gazetarja me e mire e kultures ne keta 30 vjet, megjithese vete eshte nja 40 vjece, po kot futet per mendimin tim ne nje debat qe nuk eshte kulturor, sado e cuditshme te duket, po eshte i ndotur politikisht.

      2. Kinoditar,

        Varet se kë pyet dhe kë beson. Nëse pyet Lali Erin do të të thotë se ka qënë Dopolavoro. Nëse pyet Aurel Plasarin do të të tregojë se kjo sallë teatri ka qënë pjesë e kompleksit kulturor Skëndërbeu, e projektuar dhe e ndërtuar si teatër, ndonëse jo kombëtar (aka jo monumental).
        Nëse disa, që duket se janë shumë, kanë vendosur të besojnë Lali Erin përpara atyre se cfarë thotë Aurel Plasari dhe Elsa Demo, God bless their heart, ose në shqip, Zoti ua shtoftë inatin.

        Personalisht do shkoja me mendimin e Aurel Plasarit dhe Elsa Demos, sepse i konsideroj expert witness, dikush që e ka edhe ekspertizën por edhe arrin të komunikoj në mënyrë të ndershmë me publikun. Sado që të përpiqet dikush ta barazojë mëndimin e këtyre me atë të ndonjë politikani, si për t’i ndotur “by associations”, këta zëra duhen inkurajuar, në vënd se t’ua lësh komunikimin me publikun vetëm politikës. A thua se paska ndonjë debat shoqëror që nuk implikon politikën, dhe anasjelltas!.

        Edhe dicka tjetër. Nga pikpamja arkitektonike kjo ndërtesë është e keqkuptuar sepse në imagjinatën popullore, meqënëse është Teatër Kombëtar, duhet patjetër të jëtë ndërtesë monumentale, por edhe sipas sqimës italiane. Unë në fakt kam shkruar për këtë, se sa absurde dhe e vështirë është të përballesh me këtë lloj argumenti. E vërteta është që kjo ndërtesë është pjesë e një stili arkitektonik pothuajse unik, që ia gjen origjinën tek arti metafizik i De Chirico, dhe që i ka paraprirë gjithë arkitekturës së post modernizmit, dhe vecanërisht atij Italian me përfaqsues si Aldo Rossi, Mario Botta, Massimiliano Fuksas.

        Problemi është që këto nuk kanë se si t’i interesojnë “popullit”, përsa kohë që nuk ka asgjë monumentale për tu parë dhe ngazëllyer, dhe barra u ngelet intelektualëve dhe expert witness.

        Përndryshe politikanët aty e kanë Shqipërinë, dhe në mos e kanë marrë plotësisht, do e marrin.

        1. Personalisht konfirmoj lidhjen midis ndjesisë së të parit të një vepre të artistit De Chirico -s dhe shëtitjes përballë teatrit (në një ditë të nxeht dhe jo të zhurmshme).
          Përgëzime Elsa Demos për këtë shkrim/kritikë që fatkeqësisht janë të rralla.
          Nuk do shumë mend për ta kuptuar se ajo ndërtesë (do ishte më mirë të përdorej për hapsirë interaguese a ku di unë, ndonjë klub-techno, tip Berghain), nuk është teatër. Është një kinema sade! Bile nga këto kinema moderne që duhet të blesh kokoshka dhe patatina se pa to nuk shihet ndeshjen. ..mh, më falni filmi!
          Nuk duhet shumë sforco intelektuale apo zhdërvjelltësi mendimi të kuptosh se nga cila anë duhet të jesh për prishjen e.teatrit. sado I rëndomtë të jesh, mjafton të lexosh dy a tri shkrime (po shkrime ama, jo propagandë), dhe të diktosh mendimin tënd me.plot bindje se asgjë nga e kaluara jote kulturore nuk duhet shëmbur.

        2. Kinoditar,

          Askush nuk po ua imponon mendimin, kështu që nuk ka nevojë të protestosh me jo-të e shumëfishuara. Aq më tepër që pyetjen, qoftë edhe retorike nëse ishte, e bëtë ju në një koment të mëparshëm.
          Ndërkohë në një shoqëri paksa të sofistikuar, njërzit nuk kanë nevojë të djersiten për të marrë përgjigje për cdo lloj pyetje, spese në këto shoqëri rolet ndahen, dhe përgjigjet kërkohen tek ata që shoqëria I ka specializuar. Ne të gjithë kemi investuar në talentin dhe ambicien e një grupi njërzish që ata të na përfaqsojnë në fushat perkatëse dhe të na japin përgjigje që ne të mos lodhemi duke e shpikur rrotën nga e para. Por nëse vendosim të mos i besojmë autoritetit, sidomos atij të dijes, të atyre që shoqëria ka investuar, por përkundrazi përpiqemi pa argumenta dhe me inuendo t’ua vëmë në dyshim autoritetin, nuk bëjmë gjë tjetër veçse vëmë në dyshim vetë ekzistencën dhe funksionimin e një shoqërie që supozohet të ndërtohet mbi njohuritë që i siguron tradita dhe investimi i mëparshëm.
          Në qoftë se ju i dini këto që them unë, atëherë dyshoj se në të vërtet jeni duke bërë trollin, për ta kthyer me ndërgjegje seksionin e komenteve këtu tek PF sikurse seksioni i komenteve të Gazetës Tema, sa për të marrë një shembull.

  6. Po ky zotria din ndonje gje rrth historikut te nderteses, apo edhe ky ka degjuar lali Erin?
    http://shqiptarja.com/lajm/promovohet-vepra-te-zgjedhurate-midhat-frasherit-ismail-kadareshqiperia-i-vetmi-vend-ne-europe-qe-ska-teater-te-denje

    PS
    shoh qe me eshte fshire nje koment. Ne menyre qe te jeme brenda rregullave te vena ktu dhe te mos e perseris me, mund te me shpjegohet se ku nuk i respektova keto rregulla? Nese shkak eshte bere shprehja me karakter seksual e vene ne thonjeza, ajo shprehje eshte thene fjale per fjale nga Plasari ne studion e “Opinion” me audiencen perkates, qe ju e merni me mend. Nese eshte e ndaluar te shprehen opinione negative per zoterine, dakord, ky eshte nje rregull qe s’e dinim. Mendoj se kam qene etik deri ne fund, madje deri ne fundin e fundit te komentit.

    1. Komenti i mëparshëm ju është fshirë për arsye etike. Lutem mos e vazhdoni më këtë lloj debati, në këtë hapësirë. Lutem kini parasysh se këtu nuk mund të komentohet si gjetiu në mediat dhe portalet shqip dhe as të merren njerëzit nëpër gojë, sikurse bëtë ju me Plasarin. Përpiquni t’i mësoni rregullat duke ndjekur komentet e të tjerëve – përndryshe do të viheni në moderim.

    2. gjinbueshpata,

      Mprehtësia është si thika: me të pret bukën, po mund edhe t’i marrësh jetën ndokujt.
      Si teatërdashës, që duket se jeni (pa dashur t’ju paragjykoj prej shpatës së nofkës tuaj), po dua t’ju konsideroj paqësor (teatërdashësit zakonisht i shkarkojnë impulset negative duke parë teatër) dhe po ju ftoj të lëçisni me qetësi e durim, gjithë çfarë ka shkruar Kadareja, këtu e tetë vjet të shkuara.

      Shkrimeve të gazetave që na e servirën vaktin e ftohur, si të sapodalë nga furra dhe gatuar enkas për ne, do t’i vija titullin:

      “Seriozë nuk janë provokatorët e këtij diskutimi, por serioz është ndërkaq, problemi.” – I.K.

      http://www.panorama.com.al/kadare-teatri-ngrehine-per-te-argetuar-ushtaret-italiane-pa-moral-ata-qe-i-hedhin-balte-skenderbeut/

  7. Ky shkrim eshte nje kulm,i arritur dhe I tejkaluar me dhjetra here,te pakten ne dy dekadat e fundit.Autorja qyshse shkruante tek gazeta”Shekulli”,nuk ka pasur lëmi te lidhur me artin kulturen,qe te mos ketë shkruar,diçka goditese.Per kinemane,letersine,teatrin,pikturen,fotografine,vendase dhe te huaj,artin e perkthimeve,artin e vetë gazetarise,permes shkrime te shkurtra,por me nje shpoti thumbuese,te Mark Twain.Autores i heqim kapelen,qe madje,permes rubrikave pikante,na ka njoftuar,orientuar,drejt veprave,shfaqjeve te mirfillta artistike,ne saje te shijes se saj te holle,qe ka ardhur,duke u kultivuar,çka edhe ne si dashamires te artit e kultures,kemi perfituar shume.Edhe ky shkrim i autores,mund te jete,befasues per shumkend,por ne vazhden,e sa e sa shkrimeve te shkelqyera,nder vite.Autores nuk i ka munguar pasioni,guximi,perkushtimi,per te thyer barrierat,duke sjell risi te panumerta,ne hapesiren shkretinore,te gazetarise shqiptare.Autorja bëhet pjese e tortures,te se ashtuquajtures”Shfaqje Teatri,prodhim nga Turbina”per te na hequr,edhe medyshjen me te vogel,se çdo te thote teater i mirfillte,krahasuar me spektakel kitch,madje na ftillon qartazi,se Teatri Kombetar,flijohet bashke me tere,hapesiren rreth e perqark,per tjetersimin e prones publike,dhe aspak per pasjen,e nje teatri me komoditete cilesore per aktoret,regjizoret,skenografet,kostumografet dhe publikun besnik te vlerave te njëmendta,ku te dyja palet,te shijojne shfaqje cilesore teatrore.Autorja vetvetiu ngre pyetjen;Pse mos te restaurohet Teatri Kombetar i tanishem,dhe krahas te ndertohet,nje teater i ri meqë Ramës i dhebka së tepërmi,se nuk u plotsokan nevojat,per publikun artedashes kryeqytetas.Autorja Elsa Demo me kete shkrim siperor,na tregon se gazetaria eshte art me vete,jo zanat per tu pasuruar,dhe se gazetaria e vlerave te themelta,eshte e paçmuar per lexuesit,por ne Shqiperi,mjerisht,shume pak e vlersuar,si nga ana kulturore,ashtu edhe nga ana financiare,ndaj te besh gazetari te ketij lloji,qe sherben si gjedhe-model,per tere gazetarine shqiptare,eshte nje heroizem i pashoq.

  8. Shkrimi eshte shume i mire dhe realisht e gjej te goditur. Kam qene vete tek Turbina, teksa pashe “Tag” dhe kjo per nje pasdite me ca nota humori per t’iu larguar paksa perditshmerise. M’u duk sikur po shihja nje film te dobet amerikan qe rreket te beje humor. Ne momentin qe teattrit i duhen shprehje politikanesh (te rendomta per me teper) per te bere art, atehere ky i fundit ka vdekur. Isha pothuajse ne fund te salles dhe zeri nuk vinte aspak mire. Per te mos folur per rehatine pastaj se do ishte vertet luks. Eshte e qarte qe ajo godine eshte bere sa per t’i dhene nje ambient te perkohshem aktoreve, paçka se ministresha e kultures e bertet me te madhe sikur na ka bere nai thagme. Perla madje ishte kur degjova dike: -“Ja ata qe gjoja protestojne! Po s’u pelqe e reja atyre, duan te vjetren… 🙁

    Sa i perket Teatrit Kombetar, eshte absolutisht e papranueshme, madje dhe fyese ta emertosh “barake”, e te tjera nofka si keto, per aq kohe sa ajo ndertese flet me historine qe ka. Relativisht te flasim, na pelqen ose jo, na duket fashiste apo e ndonje stili tjeter, identiteti qe ka ky qytet, eshte zvargur e venitur aq shume, sa duhet medoemos t’i ruajme edhe ato 2-3 vlera qe kane mbetur. Jam lindur dhe rritur ne Tirane. Kam pare ndryshime, deshira dhe çmendurira politikanesh e kryebashkiakesh per ta bere kete qytet si kane dashur, fonde qe kane shkuar 3-4 here per te njejten gje, madje deri dhe perdhunime e injorim sikur ata dine gjithçka, e per kete te fundit te vjedhin dhe me ligj. Turp!

    Teatri duhet mbrojtur me çdo kusht.

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: