NGA REDAKSIA

Të nderuar bashkëpunëtorë të revistës,

Duam të bëjmë një ndryshim në kriteret e botimit: duke filluar nga sot, “Peizazhe të fjalës” nuk do të botojë shkrime kremtuese dhe/ose përkujtimore për përvjetorët e lindjes dhe të vdekjes të autorëve të njohur ose për përvjetorët e botimeve të veprave të shquara.

Këtë vendim po e marrim sepse duam të distancohemi nga kalendari dhe disiplina (njëtrajtësimi) që imponon kalendari. Si revistë, nuk shohim arsye pse duhen përqendruar shkrimet, për autorë të caktuar, në datat – krejt të rastësishme – kur ata kanë ardhur në këtë botë ose kur janë larguar që andej.

Kemi gjithashtu mendimin se këmbëngulja me shkrime kalendarike përkujtimore po i kamomilizon mediat tona kulturore, për t’i shndërruar në almanakë. Aq më tepër kur, një pjesë e mirë e shkrimeve të kësaj natyre, nuk sjellin gjë të re në vlerësimet, as problematizojnë; por vetëm rimarrin gjëra të njohura dhe, jo rrallë, të pasterizuara.

“Peizazhe të fjalës” u krijua dhe mbahet gjallë pikërisht për t’iu kundërvënë një modeli kremtues dhe kalendarik, që – kur dominon – rrezikon ta kthejë kulturën në diçka rituale dhe performative. Pa dashur t’u imponojmë gjë të tjerëve dhe as të përgjithësojmë, duam ta theksojmë se kalendari kombëtar dhe “shenjtët” laikë janë të huaj për konceptin tonë editorial.

Ne mirëpresim shkrime me natyrë kritike – të tilla që të marrin në pyetje strukturat e fosilizuara, ndonjëherë edhe thjesht të mykura a të kalbura, të diskursit kulturor kombëtar; dhe duam të specializohemi në përpunimin e një mendimi kritik, që sot te ne lë akoma shumë për të dëshiruar.

Kemi bindjen se panorama e botimeve kulturore shqip vetëm do të përfitojë, nga përpjekje të tilla për t’u diferencuar. Për të njëjtën arsye jemi deklaruar edhe, në të shkuarën, kundër botimit të njëhershëm, në disa media, të së njëjtave shkrime kremtuese, madje edhe për të njëjtët emra vit pas viti. Komunikimi kulturor tek ne ende ka prirje të fortë të degradojë drejt një lloj homogjenizimi dhe homologimi, të cilat nënkuptojnë premisën e paqenë të një hierarkie vlerash tashmë të gdhendur në gur.

Historia e përpjekjeve dhe kontributeve tona, këto vjet, tregon se edhe ne e kemi në vëmendje të kaluarën, traditën dhe hijen e tyre të rëndë mbi të sotmen; por qasja jonë ndaj traditës është dhe do të mbetet e tillë që ta shohë atë si sfond ose impuls për çfarë do të vijë. Besojmë se më të mirat e vlerave që kemi krijuar si kulturë deri më tash vërtet tregojnë se çfarë jemi në gjendje të arrijmë; por në vetvete mbeten të pakta dhe të pamjaftueshme, për të justifikuar obsesionin e tashëm me kremtimin e tyre.

Do t’ju lutemi ta mbani këtë parasysh, në marrëdhëniet tuaja me revistën. Shpesh e kemi shumë të vështirë të refuzojmë shkrime, ngaqë ndihemi të mikluar dhe të nderuar nga vëmendja juaj. Por “Peizazhet” ka nevojë jo vetëm të kultivojë marrëdhëniet me miqtë, dashamirësit dhe bashkëpunëtorët e vet, por edhe të mirëmbajë dhe të përsosë profilin e vet.

Juaji me respekt,
Ardian Vehbiu

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin