Reklama

RRETH KOMENTEVE

Të dashur lexues, miq dhe dashamirës, që ndiqni rregullisht revistën tonë online “Peizazhe të fjalës.”

Duke filluar nga data e nesërme, 12 tetor 2020, te shkrimet e botuara në revistë përkohësisht nuk do të mund të komentoni më.

Nëse ndonjë lexues gjykon se ka diçka të rëndësishme për të thënë, në përgjigje të një shkrimi të caktuar, mund ta dërgojë përgjigjen e vet si shkrim më vete, tek adresa email e revistës.

E marrim këtë vendim për arsye mirëfilli administrative-teknike, por edhe ngaqë numri i komenteve ka rënë ndjeshëm, njëlloj si edhe niveli i tyre; dhe kjo na detyron të shpenzojmë më shumë kohë se ç’mundemi për t’i moderuar, pa sjellë kjo kohë dhe mund ndonjë përfitim për debatet vetë.

Në vend që të shërbejnë për të nxitur diskutimet dhe për t’i çuar ato më tej, komentet tashmë janë reduktuar në batuta dhe jo rrallë na kanë detyruar që të merremi me disiplinime dhe spastrime.

Është për të ardhur keq, që shpesh komenti i parë në një shkrim dhe ai që, në parim, duhet t’u jepte tonin diskutimeve në vijim, ka qenë batuta e kujt kërkon ta përdorë hapësirën tonë si chat room.

Sikurse është për të ardhur keq që perceptimi i komenteve të këtushme si të nivelit të pakënaqshëm i ka bërë shumë bashkëpunëtorë tanët me gjëra për të thënë që të druhen dhe të mos na dërgojnë shkrime e të mos angazhohen në debate, ngaqë nuk janë gati dhe as kanë nge to wrestle with pigs.

Kur e nisëm këtë punë, kishim një përfytyrim krejt tjetër për vendin që do të zinte në revistë (aso kohe ende “blog”) mendimi i të tretëve. Çfarë edhe gjeti konfirmim në një pjesë të madhe shkrimesh të atyre viteve, të cilat edhe sot vlejnë kryesisht për diskutimet që arritën të ngjallin.

Por kjo nuk po ndodh më ashtu siç do ta dëshironim ne, dhe në mënyrë të tillë që t’u përgjigjet përpjekjeve tona, për ta kthyer hapësirën e komenteve në model si duhet të organizohet debati online. Këtë model e kemi realizuar në të shkuarën, por mirëmbajtja e tij sot po kërkon mund dhe energji pakrahasimisht më shumë se dje, çfarë ne nuk e përballojmë dot më gjatë me arsye.

Ndoshta modeli është lodhur, ndoshta lexuesit i bëjnë diskutimet gjetiu, ndoshta rrjetet sociale kanë kushtëzuar mënyrën si e prezantojmë veten online. Ndoshta edhe ka lexues që janë bindur se ky lloj angazhimi publik nuk po jep rezultate.

Ne si redaksi jemi të detyruar t’i japim një zgjidhje praktike problemit që na ka dalë – të vetëdijshëm se kështu jemi të parët që humbim një mundësi të pazëvendësueshme.

Kujtoj këtu se vetëm unë, si A.V., që nga dita kur Peizazhe të fjalës e ndërroi formatin dhe u shndërrua në revistë, kam lënë këtu mbi 1300 komente, pa llogaritur shkrimet që kam si autor.

Çdo miku, kolegu dhe dashamirësi që sërish do të na pyesë pse e vendosëm këtë, do t’i përgjigjesha me një kundër-pyetje po aq miqësore dhe dashamirëse: kur ishte hera e fundit që ti, miku/mikja ime, u angazhove seriozisht në diskutim te Peizazhet?

E gjithë kjo do të na mungojë; është një vendim që e marrim me dhimbje. Por edhe shpresojmë fort se lexuesit – të çliruar tashmë nga tundimi për të komentuar edhe atje ku nuk kanë gjë për të thënë, do të fokusohen te shkrimet dhe interpretimi i tyre, jo tek “mangësitë” e tyre të supozuara; dhe as do të tundohen për ta përdorur hapësirën e komenteve si tabelë ku të varin manifestet e tyre.

Gjithë duke u zotuar që t’i japim lexuesit materiale sa më cilësore, falas dhe në një mjedis pa reklama dhe distraksione gjithfarësh, ruajmë të drejtën që t’i rikthejmë komentet në një të ardhme të afërt, me shpresë se resetimi aq i dëshiruar do të ketë ndodhur.

Përzemërsisht,
Redaksia e revistës “Peizazhe të fjalës”

Reklama
Këtë e pëlqejnë %d blogues: