NË KOHËN E DUHUR

Sot ju kam thirrur, tha Kryetarja, sepse dua t’ju propozoj krijimin e një organizate të re.

I thoshin Kryetare jo sepse kryesonte gjë, por sepse herët a vonë do të bëhej Kryetare – e kishte të shkruar (edhe në letra, edhe në yje).

Sot ju kam thirrur, tha Kryetarja, për t’ju folur rreth rrezikut të një fenomeni i cili po shqetëson botën mbarë: antipatizmit.

Një kamerë televizive u shfaq papritur agresive mbi një trekëmbësh, teksa mikrofonat ngritën kokën si gonxhe trëndafilash të kapura në fllad.

Të pranishmit u kapën në befasi. Antipatizmit?

Sot ju kam thirrur, tha Kryetarja, sepse është koha që edhe ne si shoqëri ta denoncojmë me forcë antipatizmin.

Çfarë është antipatizmi? – tha njëri.

A ka antipatizëm tek ne? – tha një tjetër.

Antipatizmi ka si veçori kryesore aftësinë për t’u kamufluar, tha Kryetarja. Të pyesësh nëse ka antipatizëm te ne, ose të dyshosh nëse antipatizmi te ne ekziston, është prova e patundur se antipatizmi ka hedhur rrënjë.

Po çfarë është antipatizmi, xhanëm? – tha prapë ai njëri.

Ç’lidhje ka me njerëzit antipatikë? – tha një tjetër.

Po me antipatinë vetë?

Antipatizmi merr forma të ndryshme, shpjegoi Kryetarja. Madje është karakteristikë e tij që si shfaqet sot, nuk shfaqet nesër. Ka studime të thella për këtë punë, të cilat po përkthehen në shqip tani që flasim. Nuk ka lidhje me antipatikët, por maskohet pas tyre. Gjithsesi, është një dukuri sociale që luftohet në mbarë botën, tani do të fillojmë ta luftojmë edhe ne.

Le ta bëjmë pra, tha njëri nga të rëndësishmit. Po të ngremë ne shoqatën tonë kundër antipatizmit, nuk do të mbetemi keq për antipatistë xhanëm!

Keni menduar për financimet? – pyeti njëri nga skeptikët. Lufta kundër antipatizmit do të kushtojë.

Kemi menduar, tha Kryetarja. Lëvizja kundër antipatizmit është nga më të fuqishmet, anembanë botës. Viktimat e antipatizmit kanë vënë në dispozicion miliona. Ne duam të jemi pjesë e familjes së madhe të të gjitha organizatave, shoqatave, grupimeve që luftojnë kundër antipatizmit: prandaj fondet nuk do të na mungojnë.

Pikërisht për këtë arsye, organizata jonë do të jetë pa qëllim fitimi, tha njëri që gjithnjë fliste kur Kryetarja kish nevojë për mbështetje.

Vetëm fondet nuk do të na mungojnë, tha Kryetarja. Ashtu do të kemi mundësi ta zgjerojmë rrjetin tonë brenda vendit dhe jashtë. Do të bashkëpunojmë me OJQ-të simotra në Ballkan dhe në Kaukaz. Do ta kthejmë luftën kundër antipatizmit në një objektiv madhor të lëvizjes progresiste te ne, për vitet e ardhshme.

Do të kemi portalin tonë informativ në disa gjuhë, tha ai që gjithnjë fliste kur Kryetarja kish nevojë për mbështetje. Do të kemi revistën tonë dhe dritaren tonë televizive. Së shpejti edhe botimet tona dhe një katedër tonën në një universitet prestigjioz. Do të kemi logon tonë. Lufta kundër antipatizmit do të përfshihet në tekstet shkollore: kam biseduar tashmë për një grup pune me Ministrinë e Arsimit.

Ashtu antipatistët nuk do të gjejnë vrimë ku të futen, thanë disa vetë njëzëri nga salla.

Do të kemi edhe zyrat tona dinjitoze, në një nga kullat e reja të kryeqytetit, tha Kryetarja. Do të dërgojmë kolegë për t’u specializuar në vende dhe kultura që kanë vite, në mos dekada, që përfyten me antipatizmin; dhe që kanë përvojë të gjatë në këtë fushë. Do të mikpresim ekspertë nga këto vende dhe kultura.

Poshtë antipatizmi! – thanë disa vetë njëzëri nga salla.

Do të hartojmë regjistrin e viktimave të antipatizmit, tha Kryetarja, dhe do t’u japim mundësi të ngrenë zërin dhe të na ndihmojnë në përpjekjen tonë. Edhe pse, në një farë mënyre, të gjithë ne kemi qenë dhe jemi viktima të kësaj murtaje të shoqërive moderne, pa e marrë vesh fare.

Unë jam viktimë e antipatizmit! – tha një grua e hajthme, nga radhët e mesit.

Bravo, zonjë! Ju ftoj të uleni këtu në presidium me ne, i tha Kryetarja, duke i shoqëruar fjalët e saj me duartrokitje të lehta dhe me disa lëvizje energjike të vitheve të bëshme horizontalisht, për t’i hapur vend viktimës. Le ta dëgjojmë të gjithë historinë tuaj të dhimbshme.

Poshtë antipatizmi! – thanë prapë ata të njëzërit.

Kam një propozim, tha ai që gjithnjë fliste kur Kryetarja kish nevojë për mbështetje. Luftën kundër antipatizmit le ta fillojmë duke identifikuar dhe diskredituar në publik të gjithë ata që thonë se antipatizmi te ne nuk ekziston. Rimohuesit e antipatizmit. Ata që paguhen për të na hedhur hi syve!

Amen, tha Kryetarja; dhe u mat të shtonte diçka edhe më të rëndësishme, por e ndërpreu zilja e celularit. E vuri aparatin në vesh, dhe që andej u dëgjua një zë si gërvishtje e kontrolluar, që dha një varg porosish të shkurtra në një gjuhë ndërkombëtare, teksa ajo pohonte thjesht duke mbyllur ngadalë kapakët e syve të lyer.

Janë duke ardhur, tha Kryetarja me buzëqeshjen e kujt di diçka më shumë se ç’tregon, teksa hoqi nga goja çamçakëzin dhe e mbështolli me një shami prej letre, për ta fshehur përkohësisht në çantën luksoze. Janë duke ardhur! Ambasadorët janë duke ardhur!! Le t’u bëjmë vend mes nesh në radhët e para, dhe t’u flasim për projektin tonë, t’u shpjegojmë çfarë duam të bëjmë dhe pse. Mos harroni: kemi aleatë të fuqishëm!

Një vajzë e hijshme filloi të rreshtonte, te një tryezë e vogël në skaj, gotat e shampanjës, që tringëllinin lehtë herë pas here, si kambanëzat në erë.

1 Koment

Lini një Përgjigje

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: