INTELEKTUALIZËM ME MJETE SHTËPIAKE

Dhe atje kur mendoj se s’dua më të përfshihem në çështjet e vendit tim, se u lodha nga muri i arrogancës që është ndërtuar vitet e fundit, një krisje e po këtij muri, me po aq arrogancë – të paktën në shikim të parë – më sjell pak dritë nga ana e përtejme (meqë po e shoh kudo këtë varg të të ndjerit Leonard Cohen).

M’u desh të prisja pak që të krijoja një mendim të qartë mbi gjestin e studentes mbi Ministren Nikolla. E para sepse nuk njihja qartësisht motivet e studentes dhe e dyta sepse “vegla” që ajo zgjodhi të krisë murin, më befasoi.

Nuk e di përse, sado “shtëpiake”, protesta e saj më solli në mendje mendime të Deleuzit mbi rezistencën, aktin e krijimit dhe protestën, të shprehura pikërisht para studentëve të Universitetit Paris VIII në fillimvitet ‘80. Më bëri gjithashtu të reflektoj (sërish) mbi domethënien e veprës intelektuale.

Vura re se shumëkush u shokua nga gjesti i studentes – të cilën zgjedh ta konsideroj vetëm si të tillë, pa marrë parasysh të dhënat personale të saj, ashtu siç zgjedh të shoh në këtë akt edhe Ministren, të zhveshur nga të qenit grua, nënë, pedagoge etj. Ky shok, që përfshiu jo pak njerëz, përbën për mua dhe impaktin e parë pozitiv të këtij gjesti, duke marrë parasysh se paraliza e shoqërisë sonë – me traditë kaq të thellë demokratike, sa i njihka mirë kufijtë e protestës – po hap dyer e dritare që të rilindim të gjithë për së mbari.

Ndaj, dhe duke e marrë këtë gjest si pasqyrues të gjithë situatës në vend (në kushte të tjera nuk mendoj se do të ishte ky mjeti i protestës së studentes), mendoj se duhet të pranojmë të gjithë se Shqipëria është kthyer në një vend ku njëra palë i hedh salcë në kokë palës tjetër, por këtë herë jo sepse kjo e dyta nuk e dëgjon, por sepse nuk duhet ta dëgjojë. Thjesht duhet të vazhdojë punën e vet, ndërkohë që pala me ligje, pushtet, pangopshmëri dhe salcë në dorë vazhdon të sajën. Në gjestin e studentes – që tashmë e konsideroj qartazi si vjelljen e salcës që po na hedhin prej kohësh – ndjej një dimension filozofik. Ndjej domosdoshmërinë me të cilën përballet krijuesi, para se të na sjellë një film, një pikturë, një koncept apo një shpikje. Në këtë pikë m’u kujtua dhe Deleuzi, i cili thotë: të krijosh është të rezistosh!

Në zgjedhjen “kulinare” të saj dhe në vendimin për ta përjetësuar si gjest, përmes një kamere, shoh propozimin e saj për një përkufizim të ri të përballjes ndaj turpit të të qenit njeri. Të gjithë e hasim këtë turp, që në sikletin që ndjejmë kur jemi dëshmitar i shprehjes së tij e deri tek ndërgjegjësimi kur jemi vetë ne që e përcjellim. Në këtë pikë, duhet sqaruar mirë kush është viktima dhe kush është “xhelati”, se nën shokun e salcës kjo gjë u harrua ose u mënjanua. Mendoj se është pikërisht pamundësia për ta pranuar turpin e të qenit në këtë pikë ku jemi, ajo që e shtyu studenten në këtë akt, që sado “vulgar” u konsiderua, për mua është intelektual. Intelektual, duke iu referuar thelbit të këtij koncepti, pra nevojës për të marrë pjesë dhe për të kontribuar në përmirësimin e koncepteve, politikave, rrugëtimit, në përgjithësi, të një shoqërie. E nëse kjo është e pamundur të konceptohet nga disa, po e zbus argumentin, duke thënë se e konsideroj këtë gjest, të paktën shumë me intelektual sesa leximi i qindra librave për të thyer në praktikë nga karrige të arta principet që janë marrë prej tyre.

Ja çka dua pra të them: ndërkohë që shumëkush ndjeu sikletin e të qenit dëshmitar të një akti të turpshëm, ajo vajzë zgjodhi t’i bëj ballë me mënyrën e saj turpit që ndjen duke qenë pjesë e kësaj shoqërie të paralizuar dhe shurdhmemece. Dhe jo, filozofia nuk është thjeshtë një gjë që ushqen biseda “intelektualësh”. Siç e thotë dhe vetë Deleuzi, filozofia (në këtë rast spërkatja me salcë) tenton të pengojë rritjen e marrëzisë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin