VUVUZELAT

Ngjarjet e fundit në blogun tonë po përcillen edhe te një debat në një forum tjetër; ku një prej të përjashtuarve, të cilin s’po e përmend këtu, i ka komentuar kështu:

Sa për Xha Xhain, ai po bën fushatë përzurjesh të tipit ideologjik.  Po hegjemonizon blogun rreth kozmopolitizmit dhe antikombëtarizmit.  S’jam unë i vetmi që ka përzënë.  Praktikisht po i tregon derën edhe Akëistit që atje poston me Hyllin.  Në zellin e tij per ta etiketuar kombëtarizmin si totalitar, po kthehet vetë në një totalitar të vogël virtual.

Nuk do t’i kisha dhënë rëndësi kësaj pasthirrme të radhës, sikur të mos dalloja aty një simptomë të cilën njëfarësoj e kisha parashikuar prej kohësh.

Vëreni si ky person më akuzon se “po hegjemonizoj blogun rreth kozmopolitizmit dhe antikombëtarizmit” – edhe pse unë nuk është se kam thënë gjë veçanërisht antikombëtare këtu (po edhe sikur, cili është ai sy që do ta pikaste?), as kam propaganduar kozmopolitizmin (çfarë është ky, xhanëm?).

E vetmja gjë, që i jep shkas akuzuesit të nxjerrë këtë përfundim, është kritika ime ndaj mënyrës si ka zgjedhur ta prezantojë veten AKZ-ja – si lëvizje “apolitike” dje, si parti politike sot; dhe pikërisht, ndaj përvetësimit që ajo kërkon t’u bëjë simboleve dhe virtyteve kombëtare, të cilat me përkufizim janë të të gjithëve, edhe të kundërshtarëve të saj.

Akuzuesi, nëpërmjet një kapërcimi marramendës, më akuzon mua si antikombëtar, ngaqë u jam kundërvënë të gjithë atyre, të cilët duke i dalë me vend e pa vend në mbrojtje Kreshnik Spahiut dhe partisë së tij, e kujtojnë veten luftëtarë ose kalorës të kauzës kombëtariste në Internet.

Pra, të jesh kundër megafonëve të AKZ-së dashka të thotë të jesh antikombëtar dhe kozmopolit.

E kam përmendur edhe herë të tjera: mua më duket engimatike që disa njerëz, duke përfshirë ndoshta edhe këta psalltët e një feje pa Perëndi, siç është kombëtarizmi, e vënë si pa të keq shenjën e barazimit midis atyre që i shërbejnë atdheut dhe popullit të tyre, dhe atyre të tjerëve, që betohen se e duan atdheun dhe janë gati të derdhin gjakun, ose të bëjnë gjeste të tjera të bujshme, Mic Sokola të llapës së gjatë, llafazanë të pashembullt dhe të mërzitshëm; dhe, të paktën siç më janë prezantuar mua këtu, fashistë dopolavoro-sh nga më monotonët.

Ironia e gjithë kësaj është se unë, pa e pasur për qëllim, as pa e varur këtë në gjoks si medalje, kam vite që përpiqem, me mënyrën time dhe mjetet e mia, të jem i pranishëm, si forcë e pavarur, në diskursin publik shqiptar – duke botuar libra dhe artikuj në gazeta, duke përkthyer, duke administruar këtë blog i cili vizitohet nga më shumë se 1,000 vetë në ditë; pra duke kontribuar, gjithnjë nga pikëvështrimi im, në gjallërinë e këtij diskursi.

Vërejeni pra, fashizmin intuitiv të këtyre entuziastëve, të cilët rendin t’i vënë etiketën e antikombëtarit kujtdo që nuk i bashkohet korit të tyre prej stadiumi të provincës; aq më tepër në kontekstin ku dalja në skenë e AKZ-së, një parti politike e sapoformuar dhe me retorikë të bujshme, u ka dhënë këtyre mundësinë që të ndihen luftëtarë të kombit thjesht duke u pozicionuar në mënyrë ekstreme (ekstremizmi si Ersatz i heroizmit), nga një forum në tjetrin.

Një klikë anonimësh, trollësh, dështakësh dhe keqdashësish duan të kompensojnë inferioritetin e tyre duke më etiketuar mua si antikombëtar!

Nëse kjo është shenjë paralajmëruese e çfarë do të ndodhë nesër, kur AKZ-së t’i duhet vërtet të zhveshë kostumin festiv prej flamuri kombëtar dhe të tregojë se çfarë është në gjendje të bëjë në tapet, atëherë na presin kohë të vështira – dhe jo aq mua, sesa ju që më lexoni dhe nuk e ngrini zërin me mua, por e lini Hyllinin, për shembull, që na shkruaka edhe si Akëisti, të figurojë si komentuesi kryesor në blog, me 144 komente (më shumë edhe se unë, që detyrohem t’u përgjigjem shumë kolegëve).

Statistikë e dt. 22 mars 2012

Një gjë dua ta bëj të qartë: Peizazhe të Fjalës nuk është konceptuar si teatër ku unë, autori kryesor, të bëj dialog (të rrah ujë në havan) me ekstremistë si këta që hiqen si të AKZ-së, dhe që kundërvënien me mua duan ta konfigurojnë si kundërvënie të kombëtares me antikombëtaren, shqiptares me antishqiptaren, patriotizmit me tradhtinë. Asnjë shërbim nuk i kanë bërë as publikut, as shqiptarëve, as shqiptarisë këta njerëz (veç në e konsiderofshin shërbim luftën që u bëjnë Peizazheve të Fjalës); dhe roli që kanë zgjedhur të luajnë, qoftë edhe në kontekstin e blogut, nuk i nderon; sikurse nuk i nderon fakti që një konflikt thjesht personal që kanë me mua, e kanë transformuar dhe mistifikuar, duke e paraqitur si konflikt të vetë së mirës me të keqen.

Unë nuk di se ç’do të bëjë AKZ-ja, kur të lodhet së tunduri e së vringëllituri simbolet kombëtare; por shoh se mënyra si po veprojnë ithtarët e saj, trupat e saj vullnetare, bashibozukët e saj në Internet është e tillë që të kërkojë largimin nga skena të mendimit ndryshe (nga i tyri), për ta zëvendësuar debatin intelektual me uniformat e tyre, kokardat e oksiduara dhe shqiponjën në sfondin kuqezi. Le të reagojmë, ashtu siç dimë e siç mundemi, që kjo të mos përsëritet nesër gjetiu, në debatin publik dhe në Internet. Askush nuk e ka monopolin ndaj çështjes kombëtare, dhe aq më pak e kanë këto lopë që pëllasin për të nga mëngjesi në darkë; askush nuk duhet të gënjehet dhe t’i besojë retorikës përjashtuese të pseudo-patriotëve, të cilët nesër, kur të marrin fuqinë, do t’u kërkojnë të gjithë qytetarëve të paguajnë, për kostumet e tyre kombëtare me të cilat do të kapardisen në tryezat e shtetit.

Nuk ka komente

  1. Meqe sapo e lexova ate teme tek Peshku, per saktesim: I_Pakashmi aty reagon ndaj nje tipi qe shkruan tek Peshku me nofka te reja cdo 3 mujor, e me gjase dhe ketu, i cili ja paraqiti perjashtimin qe ti (nese) i ke bere atij ket (I Pakashmi) si deshmi qe ky eshte tip ja vlen te perjashtohet/censurohet.

    Pra muhabeti aty ishte per Peshkun, ky tipi e solli muhabetin e faqes tende si shpulle per te, dhe ai reagoi. Kjo vlen te saktesohet.

    Nuk po them se s’ke te drejte te reagosh, afermendsh, se ai gjithsesi po te ben nje akuze aty, ashtu si ke te drejte ta konceptosh dhe lejosh e perjashtosh ke te duash nga faqja jote, afermendsh gjithashtu; eshte faqja jote.

    Por, me le shije te hidhur ky koment: “Një klikë anonimësh, trollësh, dështakësh dhe keqdashësish duan të kompensojnë inferioritetin e tyre duke më etiketuar mua si antikombëtar!”

    Tjetri sado i keq apo i merzitshem, te begenis qe te bujt tek faqja jote, e nese e meriton ne mendjen tende perjashtimin apo bllokimin, ok, bllokoje ose perjashtoje, por nuk me duket e drejte te etiketohet bujtja e tij e shkuar (persa e lejove) tek faqja jote si shprehje e deshtimit apo epitetetesh te tilla. As qitja ne tabele e ketyre qe komentojne shume, duke paraqitur nr e komenteve te tyre si dicka negative.

    Mbase ndihem dhe pak fajtor se I Pakashmi-n ne fakt e ftova une ketu, nga Peshku, ca kohe atehere kur Peshku e mprehu keq fare censuren, dhe meqe ne disa ceshtje historike ai me dukej i kenduar dhe i zellshem, dhe i reklamova faqen ketu. Nejse, kjo e fundit qe me shume per disclosure dmth, nje fare mendimi me ze te larte.

    1. Xhib, një njeri që më ka akuzuar si “antikombëtar”, më ka dhënë edhe autorizimin ta quaj çfarë të dua unë. Nuk desha t’ia përmend nofkën këtij personi, meqë ai nuk shkruan më, as lejohet të shkruajë më në këtë forum – por mos harro se unë jam person publik, që kam një fytyrë për të mbrojtur në publik, ndërsa këta të pakapshmit nesër ndërrojnë pseudonim dhe, po të duan, edhe flamur, pa lagur fare (prandaj edhe quhen të pakapshëm, xhanëm). Prandaj, në vend që të shqetësohesh për dinjitetin e një maske prej kartoni, përpiqu – nëse mundesh – të kuptosh se unë s’mund t’i lejoj këto gjëra të kalojnë pa u vënë re.

  2. Keto termat si fushate, hegjemonizim, antikombetarizem, totalitar, une s’di si t’i adresoj. Jemi ne nje blog ku shkembejme mendime, mbi shkrime e analiza nga me cilesoret e me stimulueset, e nuk me korrespondon veprimtaria intelektuale e kryeautorit te blogut, ne blog e jo vetem, me asnje prej domethenieve te atyre termave. Keta akoma s’kane mesuar te perdorin fjalet lere pastaj etiken e komunikimit e te dialogut.
    Ose ndoshta duhen pare si zgjedhje fatkeqe, pashije, por edhe te pritshme nga kategorite e veshura me kombetarizem te shpuplosur, qe shperdorojne qe ne hapat e pare te njejtin flamur qe thone se kane ne zemer, duke i mohuar ne mos tjeter, te pakten dinjitetin e simbolikes, me dizegno autodidakto-karikaturore.

  3. Une per vehte e shoh kete blog si shume perparimtar, qe sjell probleme te rendesishme per diaskutim, dhe tej mase tolerant e intelektual. Xha Xha une te njoh qe nga rinia dhe ta di e ta vleresoj mendjen, port te lutem ca budallalleqe te tilla nuk kane nevoje per pergjigje. Ke te drejte ne mendjet e shumices ne atdhe e jashte athdheut te qenit asnjanes eshte i padurueshem dhe i frikshem. Ca njerez kane nevoje per “idhuj pa krena” ose me krena te rreme. Te falenderoj per informacionin qe dhe ne drejtim te Arthur Koesler. Po e lexoj me endje dhe them se duhet ta perkthesh. Shqipetaret e sotem kane nevoje per kete liber tani qe te rivlerosojne idhujt e tyre pa krena, edhe pse libri eshte shkruar ne vitet para luftes se dyte boterore.

  4. Pa te keq, po kjo se orientohesh drejt kozmopolitizmit dhe antikombëtarizmit me rezulton edhe mu. Nuk arrij me ta kuptu gjithe rezerven ndaj veriut, Kosoves, gegnishtes, nuk ia kap dot thelbin, por as nuk di se ku e nga e ke pikesynimin e prirjes kozmopolitane qe propagon.

    1. Pa të keq edhe nga unë: ti e ke premisën të gabuar, prandaj nuk arrin te kuptosh. Madje jo një premisë, por dy: (1) që unë orientohem drejt kozmopolitizmit dhe (2) që ata që orientohen ndaj kozmopolitizmit nuk kanë simpatizantë në Kosovë por vetëm në Shqipëri. Dy premisa gabim në dy rreshta lënë shteg për diagnozë të trishtuar.

  5. Kete te dyten nuk di se nga e nxore. Eshte fort afer mendjes qe te kesh bashkemendimtare jo vec ne Shqiperi, por edhe ne Kosove (shpresoj te mos jesh ne kerkim te simpatizanteve). Une thjesht dhashe, nga sa shoh tek afishimet e tua, shijen qe me len gjithe argumentimi yt. Shoh te sulmohen disa grupime, parti e nisma qe bejne thirrje vertet shpesh te vrazhda per integrime mes Shqiperise e Kosoves, po nuk shoh nga rreshtat e tu se si keto integrime do te mund te beheshin mbi ndonji baze me te shendoshe a platforme me te logjikshme. Nuk shoh konstruktivitet tek ti per kete ceshtje, kaq. Kjo eshte pershtypja. Mbase nuk eshte e plote. Secili len nje shije te tjetri, ndonjehere te gabuar. Sikurse kjo qe me sa duket e paskam lene une tek ti, tek formulove edhe kete piken e dyte.

    1. Po a nuk ishe ti që konstatove (pa bazë) se PTF kishte pak lexues në Kosovë? Dhe pastaj e shpjegove këtë me orientimin që paskësh pasur blogu? Dhe a nuk je ti tani që thua se të kritikosh disa grupe politike që bëjnë thirrje për bashkim kombëtar do të thotë (ose të paktën të le shijen), se je antikombëtar? I ke të gjitha gabim këto që thua, nuk mund të arsyetohet kështu.

      Unë besoj se në Kosovë këtë blog e lexojnë po aq sa edhe në Shqipëri – proporcionalisht. Megjithatë, besoj edhe se, sikur të mos e lexonte askush në Kosovë (situatë hipotetike), humbja do të ishte e lexuesit në Kosovë jo imja. Unë nuk jam politikan, që të shqetësohem për votues dhe simpatira; dhe më mjafton që blogun ta lexojnë ata pak miq e të njohur e kolegë, me të cilët kam kënaqësi të rri në kontakt. Sa për të tjerët – it’s a free show.

  6. Une nuk e kuptoj mire kete pretendimin qe kane keta hater-mbetur se pse qenkan perjashtuar nga blogu. Tek e fundit, ne dallim te ndonje forumi qe e ka shpallur veten “mbare shqiptare,” ky blog njihet publikisht si “prone private.” Nuk e kuptoj se pse paska i zoti i shtepise detyrimin qe te jape hapesire per njerez qe po jetojne kete adrenaline rush te AKZ, qe te sjellin parrullat e fleterufete e tyre.

    Duhet nisur nje iniciative e shpetimit kombetar qe sensibilizon popullin shqiptar mbi rrezikun e kombetaristeve qe duan te percajne popullin shqiptar (nje mik ne dasem me tha qe marin para nga serbi dhe greku) dhe kushdo qe dedikon kohe e energji ne kete perpjekje ne demaskimin e ketyre perpjekjeve do jete duke kryer nje akt patriotik. Parrula e iniciatives duhet te jete Shqiperia e te gjithe shqiptareve (te cfaredolloj etnie, ideje, dhe ngjyre).

  7. Xhaxha ne rradhe te pare deshiroj edhe une te te shpreh mbeshtetjen kunder atyre qe te akuzojne se punon kunder kombit apop per ndonje gje tjeter. Besoj se perkundrazi ti ben pjese nder ata njerez qe kane bere me te vertete diçka te mire per vendin tone, dhe veçanerisht per gjuhen shqipe. Thene kjo, kam frike se ndonjehere po e ngarkon AKZ me shume se ç’duhet me negativitet. Ne kete rast (ndonese nuk jam i mireinformuar mbi Te Pakapshin dhe perplasjen tuaj me te,) kam frike se ai nuk i perket AKZse madje as nuk eshte ndonje simpatizant i saj. Po ashtu drejtuesit AKZ perveç ndonje broçkulle mbi nderrimin e emrave te fshatrave apo ndonje tjeter, i kane bere edhe disa pune te mira si ngritjen e problemit te kufirit detar apo ate te ndryshimit korruptif te kombesise. Pra nuk e meritojne te anatemohen ne kete fare mase.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin