PËRTEJ RENDIT PUBLIK

Vranë një 17-vjeçare në Dukagjin: Marie Cuku quhej. U tha se e vranë “për gjak” ose “me Kanun”, së bashku me gjyshin e saj.

Natyrisht, Kanuni sot është katandisur në një motivim publik të çdo vrasjeje për motive të dobëta: në Mesjetë thonin se më bëri Djalli që të vras ose të vjedh; këta tani e kanë zëvendësuar Djallin me Kanunin, aq më tepër që ky i fundit tingëllon si më fisnik ose më kombëtar.

Me demek, vërtet bëra një krim nga më të ndyrët, por ama vura në vend ligjin e Maleve.

Që kjo vrasje s’ka fare të bëjë me Kanunin e mirëfilltë, këtë e shpjegoi sot Alfred Lela, në MAPO, duke cituar edhe nenet përkatëse.

Analiza e Lelës do të tingëllonte bindëse, bie fjala, për ndonjë kanunolog, ose edhe për Gjeçovin vetë; por ata që vrasin sot “për Kanun” zor se kanë kohë, këllqe dhe cirkumvolucione të mjaftueshme për t’u marrë me kazuistikë kanunore.

Ndërkohë, dhë njëkohësisht me këtë vrasje të trishtuar, ia behën edhe lajme të tjera nga Shqipëria: diçka kishte ndodhur, në territorin e lirë të Lazaratit, ose diku rrotull – me policinë që tani nuk lejon mëditësit të shkojnë atje dhe të nxjerrin bukën; një ujësjellës e hodhën në erë në Malësinë e Madhe, për arsye të panjohura; në një fshat të Fierit ku u ndien disa lëkundje tërmeti, banorët sulmuan pronat e një kompanie që po bën atje kërkime nafte.

Fshat e zanat, thotë populli. Krimi merr fytyra të ndryshme, sipas krahinave; madje dikush diku do të jetë duke u mburrur, ose duke u ndier “krenar” edhe me këtë farë diversiteti. Diku vrasin një vajzë krejt kot; diku tjetër shkatërrojnë ujësjellësin që furnizon me ujë nuk di sa mijë familje; ca shkelin këmbëzën e pushkës, ca vjedhin, ca shkatërrojnë.

Çfarë kanë të përbashkët këto ngjarje, është mungesa e shtetit ligjor, ose e kontrollit të shtetit ndaj territorit. Në shumë zona të Veriut, ka vite që jeta e njerëzve sillet rrotull “kanunit”, me njerëz që vriten, njerëz që zhduken për të shpëtuar kokën, fëmijë dhe familje të ngujuara; në një kohë që në Jug, Lazarati kultivon hashashin pothuajse hapur, mu në hundë të autoriteteve të ruajtjes së rendit.

Para një muaji e gjysmë u shkatërrua një tjetër ujësjellës në një fshat të Librazhdit; atë herë motivet sikur u morën vesh – autorët protestonin për mënyrën si po administrohej një pasuri e përbashkët: uji. Gjasat janë që edhe shkatërrimi i tanishëm në Malësinë e Madhe të ketë ndodhur për të njëjtën arsye: si protestë.

Nga njëra anë, shteti nuk është i pranishëm; nga ana tjetër, komunitetet e gjejnë vetveten në gjeste nga më primitivet: konteksti është i tillë, që të sugjerojë shpjegime sociologjike, përtej thirrjeve – të vetvetishme – për zbatim ligji.

Komenti më epidermik që bëhet, në raste si ai i vrasjes së një vajze të re “për Kanun”, ka të bëjë me shkallën e zhvillimit të komuniteteve përkatëse. Thonë: janë të prapambetur, janë të degraduar, janë kafshë, nuk bëhen njerëz, etj.

Natyrisht, këto i dëgjon në muhabete informale, mes komunitetesh të tjera, që nuk e shohin veten si të prapambetura, si të degraduara, si kafshë, etj.

Përndryshe, të thuash diçka të tillë në publik, gjithnjë do të dalë dikush e të reagojë, duke shpjeguar se duke folur kështu, ti “po fyen” një komunitet të tërë.

Kjo s’ka të bëjë vetëm me Veriun, as vetëm me kanunin. Edhe po të thuash se lazaratasit janë “delinkuentë”, të njëjtin qortim do të dëgjosh: si guxon ti të përdhosësh një komunitet të tërë?

Dakord me këtë; por një komunitet që “fyhet”, pavarësisht se për ç’arsye dhe me sa të drejtë, riprodhon edhe vetveten, komunitet, pikërisht duke u fyer; ose duke rivendikuar një të drejtë elementare për dinjitet.

Një komunitet që fyhet, dhe që e pranon këtë publikisht, ekziston si komunitet; dhe nëse është kështu, atëherë kemi të bëjmë me një komunitet që toleron, në gjirin e vet, fëmijët e ngujuar; ose shkeljen flagrante të ligjit ditën për diell (me hashashin); ose ndëshkimin e individit, ose edhe të një entiteti kolektiv, nëpërmjet shkatërrimit të pasurisë së patundshme.

Dua të them: një komunitet që i gjen brenda vetes forcat për t’u fyer, është në gjendje edhe të mënjanojë shkakun për të cilin është fyer; dhe e provon që është në gjendje, pikërisht ngaqë është në gjendje të fyhet.

Shteti shqiptar është ai që është; por e dimë edhe se shteti trashëgon, nga njëra anë, patologjitë sociale, të vjetra dhe të reja, të komuniteteve që përbëjnë shoqërinë shqiptare; dhe nga ana tjetër, është tepër i zënë me kabalistikën eurocentrike, ose me përpjekjen për t’i recituar saktë formulat magjike, që do t’ia hapin portat dhe kasafortat e bankave të Bashkimit Europian.

Më në fund – shoqëria civile: duhej të kishte protestuar, përballë krimit që tolerohet nga shteti: por jo duke shkatërruar. Një protestë jo e dhunshme, por masive dhe e qartë në mesazhet e veta, për të treguar se njerëzve u ka ardhur në majë të hundës me shpërfilljen që i bëhet ligjit. Deri më sot kemi krimin, kemi shtetin abuziv dhe të pazotin për të kontrolluar territorin, kemi viktimat e panumërta të këtij krimi dhe të kësaj pazotësie, kemi edhe zemëratën e përgjithshme të qytetarëve; por kjo zemëratë ende nuk është koaguluar, as është nyjëtuar deri në atë shkallë, sa të shprehet në trajta konkrete dhe efikase brenda shoqërisë civile. Njerëzit e kanë më të lehtë të shkatërrojnë një ndërtesë ose një ujësjellës, sesa të sulmojnë një institucion social të padrejtë ose të vjetëruar. Me fjalë të tjera, askush nuk guxon t’ia vërë dinamitin “kanunit” (si agjenci që përligj krimin, jo relikes etnografike të Gjeçovit).

Gjeste të tilla masive janë doemos më të rëndësishme e të nevojshme se veprimtaritë dhe paradat e Gay Pride; madje, bash për këtë arsye, shoqatat që merren me të drejtat civile të pakicave, duke përfshirë edhe të drejtat e homoseksualëve dhe të romëve, duhej të dilnin në krye të protestave kundër paligjshmërisë dhe viktimave të krimit: për t’u treguar qytetarëve se i përkasin seriozisht shoqërisë civile pikërisht në Shqipëri; dhe për të shpresuar që nesër qytetarët të dalin në protestë, për të mbrojtur të drejtat e një homoseksuali të nëpërkëmbur.

Shënim: Në lidhje me hashashin, unë i mbetem pozicionit që e kam shprehur disa herë më parë – hashashi duhet legalizuar, meqë nuk ka arsye mjekësore për ta penalizuar (për shembull, është më pak disruptiv se alkooli dhe më pak toksik se duhani). Megjithatë, sa kohë që kultivuesit, tregtarët dhe ndonjëherë edhe përdoruesit e hashashit përndiqen nga ligji në fuqi, atëherë ky ligj duhet të ketë fuqi edhe ndaj Lazaratit.

Nuk ka komente

  1. Po sikur… ta shikojmë Kanunin jo si shkak as si katalizator të vrasjeve për gjakmarrje, por si një përpjekje të përgjithshme për t’i kufizuar këto vrasje, për t’i rregulluar; pra jo si nxitje dhe kult të mortit, por disiplinim të tij?

    Në qoftë se e pranojmë këtë, do të pranojmë edhe që komunitetet që kujtojnë se veprojnë sipas Kanunit kanë një problem endemik me dhunën vrastare – ose e përdorin vrasjen ose eliminimin fizik të dikujt si mënyrë rutinë për të zgjidhur konfliktet (edhe pse vrasja për gjakmarrje nuk e zgjidh konfliktin, por vetëm e normalizon, ose e bën të parashikueshëm).

    Pastaj, në qoftë se Kanuni e disiplinon dhunën, përveç edhe gjërave të tjera që synon të bëjë, atëherë komunitetet përftohen duke iu referuar këtij disiplinimi të dhunës dhe vrasjet rituale janë kusht që këto komunitete të ekzistojnë dhe të ripërtërihen.

    Kjo nuk është se e bën vrasjen më të pranueshme por vetëm e bën vras folje jokalimtare, sa i përket pikëvështrimit komunitar.

    Vrasja për “kanun” krijon vetvetiu një rreth vicioz, sepse çdo krim për gjakmarrje është edhe premtim ose paradhënie (kapar) për krimin që do të bëhet nesër, në përgjigje të tij. Për më tepër, në kontekstin e gjesteve të tilla fatale, është vrasja pasuese ajo që e legjitimon – në sytë e komunitetit – vrasjen paraprirëse, duke ia sanksionuar vendin në serinë ose zinxhirin e vrasjeve.

    Dhe jo vetëm: çdo vrasje për gjakmarrje legjitimon edhe mekanizmin e vrasjeve për gjakmarrje, duke e aktualizuar.

    Nga ky rreth vicioz mund të dilet, besoj, duke e ritualizuar edhe më tej vrasjen, derisa likuidimi fizik i Tjetrit të sublimohet dhe të konsumohet në nivelin simbolik. Deri më sot, kjo është realizuar nëpërmjet faljes së gjakut – por falja e gjakut nuk është e vetmja mënyrë sublimimi.

    1. Qe Kanuni nuk e nxit vrasjen por synon ta minimalizoje dukurine eshte logjike, se eshte kod ligjesh. S’ka shoqeri ne bote, te çdo lloj stadi, qe ka nxjerre ndonjehere ligje per te nxitur vrasjen, eshte nonsens.

      Edhe vete kodet apo marreveshjet e mafiozeve synojne ta ulin gjakderdhjen jo ta shtojne.

      Problemi themelor, praktik i kanunit fillestar qe mbeshtetej tek parimi i pergjegjesise vetjake (gjaku shkon per gisht), ishte se duke qene shtepia vend i shenjte, vrasesi rrinte mbyllur me vite e nuk vihej dot ne vend drejtesia.
      Kjo solli stres shoqeror dhe duke u bazuar tek parimi i moçem i pergjegjesise se zotit te shtepise per krimet e familjareve si dhe parimi i gjakut, u futen gjithe meshkujt mbi 15 vjeç, dmth u pa si papraktikueshem parimi i pergjegjesise vetjake.

      Cnatyrimi i sotshem eshte i metejshem, sepse ne kohen e komunizmit u shperbe komuniteti.

      Meqe eshte produkt i rrethanave, por qe ne thelb bazohet tek ndjenja e drejtesise, me ndryshimin e rrethanave do te vije natyrshem edhe zhdukja e gjakmarrjes.

      Rrethana baze, arsyeja e ekzistences se gjakmarrjes eshte mungesa e rolit qe luan shteti ne ruajtjen e rendit dhe vendosjen e drejtesise.
      Pastaj ka edhe kushte te nevojshme, por keto nuk mjaftojne per t’i dhene jete dukurise pa arsyen e ekzistences.

      Nje nga problemet madhore eshte ekspoirti i dukurise ne qytete, komuniteti riprodhohet neper qytete, qe do te thote se shteti nuk eshte ne gjendje as te ruaje rendin e drejtesine se qytete, jo me ne fshatra, aq me pak ne fshatrat malore.

      Te ishte per mua, do merrja gjithe burrat qe mbahen per me te mençurit e katundeve dhe do u thoja, zonat tuaja do te kene autonomi, vendosni vete ligjin dhe praktikojeni. Sipas meje, ata do ruanin emrin kanun po do e hiqnin gjakmarrjen sepse eshte obsolete, si nga praktike ashtu edhe morale.

      Problemi eshte se atyre u eshte ndaluar te mendojne prej 70 vjetesh, s’ka debat publik, s’ka me komunitet ne kuptimin e mirefillte, per me keq s’ka as shtet.

      1. Rrethana baze, arsyeja e ekzistences se gjakmarrjes eshte mungesa e rolit qe luan shteti ne ruajtjen e rendit dhe vendosjen e drejtesise.

        Per mua rrethana baze eshte qe per disa zona ish-tribale ne Shqiperi shteti eshte i ‘tjetrit’. Thjesht keta njerez duhet te mesohen te jetojne ne qytet e ne nje zone me rreze me te madhe se sa shtepi-kotec pulash. Perndryshe, do te ndihen gjithmone si keta aborigjenet qe kam une verdalle ketu ne Kanada, e qe ecin xurxull neper rruge, por me aq krenari sa te veshin T-Shirts me deklarimin “There is too much blood in my alcohol system’

        1. Nuk eshte se the ndonje gje ndryshe tek koncepti shteti eshte ‘i tjetrit’. Ruajtja e veteqeverisjes ka qene esenciale per ta, ose motorri i historise. Por mos harro, se shteti i pare i Arberit ishte ‘i tyre’ dhe 2 nga 3 principatat me nam te shek 15, te Kastrioteve e Dukagjineve ishin ‘te tyret’.

          Problemi eshte qe as shteti turk dhe per fat te keq as Shqiperia Londineze, nuk u perceptuan si ‘te tyret’ dhe as u be ndonje perpjekje serioze ne keto 100 vjet qe shteti te perceptohej edhe si ‘i tyre’, perkundrazi shteti eshte konceptuar gjithnje si nje entitet sa me larg ‘tyre’.

          E ke shume gabim kur i sheh si te paafte per te ndertuar shtet, jane shqiptaret qe kane ndertuar shtetin e pare te Progonit dhe pastaj me famshmin te Skenderbeut.
          Ne ‘u vjedhim’ historine shteterore dhe pastaj u shesim mend.

          Jane problematike sepse e kane veteqeverisjen ne gjak. Sipas meje duhet hequr dore nga endrra e nje shteti te centralizuar, duhet rimenduar Shqiperia qe te gjehen ekuilibra me te pershtatshem. Ndoshta mund te behet pas bashkimit kombetar, biles duhet bere, se ky model shume i kushtueshem i centralizimit, me kostot qe bien mbi shpatullat e shqiptareve periferike, nuk do kete arsye pse te ekzistoje pas bashkimit.

          1. Shkruan:

            Por mos harro, se shteti i pare i Arberit ishte ‘i tyre’ dhe 2 nga 3 principatat me nam te shek 15, te Kastrioteve e Dukagjineve ishin ‘te tyret’.

            Në fakt jo. Vijueshmëria gjeografike (edhe sikur) s’ia jep kujt të drejtën për ta pronësuar historinë. Shteti i parë i Arbrit dhe principatat me nam te shek. 15 ishin të atyre që i ngritën. Këta të sotmit, e kam fjalën për “kanunorët”, nuk janë veçse nënprodukt periferik i Perandorisë Osmane, në të gjitha pikëpamjet, përfshi këtu edhe fenë katolike për ata që e kanë ruajtur.

            1. Varet se ç’merr si vit 0. Ti zakonisht per disa dukuri politike merr vitin 1945, une marr vitin 1878 ose 1912, per disa te tjera ti merr pushtimin osman une marr epoken e dyndjeve barbare.

              Per rastin ne fjale per mua eshte jashte çdo dyshimi qe pa ‘ta’, ‘neve’ hyjme ne histori ne shek 14 dhe s’bejme ndonje gje te madhe deri tek Rilindja. ‘Beme’ Rilindjen, ‘beme’ edhe shtetin, te shikojme kur do ta nxjerrim ne drite.
              Po flasim per djepin e identitetit xha xha, jo per pyjet e Amazones apo te Siberise.

            2. Nuk ka shumë rëndësi se ç’marr unë ose ç’merr ti për vit zero – rëndësi ka se ç’marrin vetë banorët e atyre viseve. Shko shih nëse mbajnë mend gjë, si komunitet, për Progonin ose Skënderbeun – dhe pastaj e vazhdojmë këtë debat. Nuk është faj i këndvështrimit tim, që ato komunitete janë përftuar dhe pastaj riprodhuar për shekuj me radhë, në kundërvënie me Perandorinë Osmane.

            3. Po banoret, asgjekundi ne bote nuk mbajne mend çfare nuk fusin dot tek folklori dhe çka arrijne te fusin eshte gjithnje shume pak. Edhe Osmanine nuk eshte se e mban mend kush sot, thjesht nepermjet librave shkollore, se kane kaluar 100 vjet.

              Po te gjykohet ne kete menyre historia nuk ekziston fare per asnje popull te planetit, per me teper sot kur qyteti eshte ndertuar qe kujtesa e individit te mos mbaje mend as emrin e stergjyshit.

              Nqs ‘panta rhei’ atehere ashtu ka rrjedhur edhe Osmania, se nuk mund te rrjedhe gjithçka e te ngelet çka deshirohet.
              Po keshtu nuk vihet asgjekundi, vetem mbushen radhet me argumenta e kunderargumenta pa mberritur askund.

              Psh dikush mund te ngrihet e te thote qe ne formen e sotme eshte perftuar ne kundervenie me regjimin komunist dhe te thoshte, pyet banoret e mbajne mend Abdyl Hamidin apo xhonturqit , per te mos u shtyre tek Sulltan Sulejmani apo roli i kalifit Abu Bakr ne islam.

            4. Historia në kujtesën kolektive – kjo temë kërkon shumë hapësirë, kujdes dhe kompetencë.

              Komunitete tradicionalisht analfabete, si këto që praktikojnë Kanunin sot (duke u therur mes vedi), nuk kanë histori, përveç asaj që ua kanë mësuar me zor elitat manipuluese.

              Historia, që të mbahet mend, ka nevojë për disa ankorime: shkrimi, librat, ndërtesat, monumentet, veprat e artit.

              Historia ka nevojë për qytete.

              Kanuni praktikohet në fshat dhe vizioni i fshatit për kohën është ciklik, jo historik.

              Ka një premisë në arsyetimin tënd, Hyllin, që e ndan trashëgiminë historike nga historia – duke e lidhur me kodin gjenetik, ose me racën.

              Ti këtë nuk e thua haptazi, sepse do të tingëllonte groteske; por për ta nënkuptuar e nënkupton.

              Ti thua: këta njerëz kanë krijuar shtetin e parë shqiptar, etj. Në fakt, kjo duhet lexuar kështu: kjo trashëgimi gjenetike, kjo racë, etj.

              Ka dy probleme me premisën në fjalë: e para, që nuk është fare e provuar që raca e Progonit është e njëjtë me atë të këtyre që po theren sot për një vijë uji. E dyta, që nuk është provuar gjëkundi se virtytet e një komuniteti (a të një populli, nëse dëshiron) transmetohen në vijë gjenetike.

              Unë e marr vesh që ndonjëherë do të themi edhe se “ne jemi pasardhësit e Agronit e të Teutës” – por kjo është metaforë, diçka që funksionon në mënyrë të ngjashme me një poezi ose një himn.

              Nuk mund të përdoret si argument kur flitet për një problem social si gjakmarrja.

              Këto komunitete, për fatin e tyre të keq, kanë mbetur jashtë historisë, për një kohë të gjatë – gjë që, me mënyrat e tyre, e provojnë edhe gjakmarrja, edhe vetë Kanuni. Janë thjesht viktima.

            5. Mesa di une me 1800-n Franca kishte vetem 10% ne qytete dhe fshatrat ishin kryekeput analfabete, ashtu si shumica e qytetareve. Ne 1900 ne qytete kishte nja 20% (Gjermania me e industrializuar kishte 30%) dhe vertet analfabetizmi kishte rene, po zor se ky 80% ne fshat do dinte te shkruante e lexonte pertej emrit te vet dhe as u duhej ne fakt, mund te shkonin ne qytete per te shtuar proletariatin analfabet te fabrikave, pa pasur shume nevoja qe lidhen me intelektin.

              Tani si duhet te arsyetohet me keta, gjithnje lidhur me historine e Frances dhe kendveshtrimin tend ?

              Persa i perket premises time, komuniteti nuk eshte abstrakt, por me njerez prej mishi e eshtrash. Kur riprodhohet komuniteti, ne radhe te pare riprodhohen mishi e eshtrat, pastaj gjuha e traditat. Prandaj eshte logjike qe te pretendohet vijueshmeria biologjike e komunitetit, ne mos ne kuptimin absolut ne ate relativ, duke pranuar ca ‘hyrje te reja’.

              Do thuash ti, po si do ja bejme me keta qindra miliona amerikanet, qe s’kane lidhje biologjike me Indipendence Day ? Ose me dhjetra miliona europianet e rinj, qe s’kane lidhje biologjike me historine e Europes, biles as me L2B ?

              E veshtire eshte, por mendoj se s’duhet te biem ne kurthin e shume filmave dhe telefimave amerikane ku personazhet e Greqise se lashte, paraqesin realitetin biologjik te Amerikes se sotme dhe jo te Greqise se lashte.
              Keshtu e verteta historike masakrohet per hir te se ardhmes.

              Si realiteti fizik ashtu edhe ai metafizik, duhen peshuar mire, pa mohuar as njerin e as tjetrin, se historia eshte sa e mishit aq e mendjes.

            6. Ju nuk duhet ta lidhni vrasjen ne fjale, qe si do te jete eshte nje gje e ndyre, me zbatimin e Kanunit. Duhet te merrni ne konsiderate edhe elementet rrethanore qe s’kane te bejne fare me Kanunin( bie fjala, vrasesi ne bresheri e siper vrau pa dashje edhe vajzen e gjore.) Une jam nga ato vise dhe Kanuni shprehet qarte ne lidhje me vrasjen e femres ne ciklin e hakmarrjes, dhe eshte nje tabu aq e pashkelshme sa une mund te them me siguri qe vrasesi nuk ka pasur synim vajzen. Ju beni analize psiko-historike nga kendveshtrimi i ceket qe te imponon rehatlliku metropolitan i qytetit, duke e lene jashte vrasesin si faktor; A ishte i ndergjegjshem per çfare po bente? A i dridhej dora apo ish i ftohte? A kish frike apo ndoht nga vepra e vet? Ish djale i ri apo burre i pjekur? Merrini parasysh keto, dhe do e shihni ne nje kendveshtrim me te gjere fenomenin( ndoshta nuk do ju hyjne me ne pune argumentet historike, gjeografike,kanunore, kulturore etj.etj)

            7. Xhaxhai i ka marre parsysh te gjitha cka permende Bard, kur shkruan:

              …”por ata që vrasin sot “për Kanun” zor se kanë kohë, këllqe dhe cirkumvolucione të mjaftueshme për t’u marrë me kazuistikë kanunore…”

              Kanunin neper male eshte bere si ajo kanocja e shtypur e Coca-Cola-s, qe u ra nga lart fshatareve ne nje fshat te Afrikes, dhe me pas e mbanin si gje te shenjte.

              Kanuni ne malesi, ditet e sotme, as nuk njihet, as nuk respektohet, e as nuk kerkohet (“dashurohet”/ mesohet). Por eshte thjesht nje kanoce ornamentale, ku virtytet e presumuara ( te marra me mend) perdoren si PRETEKST ne sherbim te marrezise se njeriut.

              Me e keqja ne kete histori eshte fakti se pse njerezit te kene akoma nevoje per kete.

  2. Sot me kapen syte nje deklarate te dates 6/20 te OJQ-se PRO LGBT ne lidhje me gjakmarrjen si dhe nje thirrje per tubim tek Piramida te njejten dite “per te dhene nje mesazh kundra gjakmarrjes dhe vrasjeve jashtegjyqesore!” Ndonje lexues nga Tirana mund te na informoje nese tubimi ishte i organizuar nga te tjere dhe PRO LGBT i bashkengjitej, apo nese ata e kishin organizuar vete.

    Deklarata mund te lexohet ketu: https://www.facebook.com/notes/pro-lgbt/gjakmarrja-turpi-yne/484170431596933

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin