BOTË PARALELE (I)

Gazetari im i preferuar… kush tjetër? Zoti Mustafa Nano, ka një shkrim në gazetën Shqip, që flet për (ri)ballkanizimin e Greqisë. Meqë tema është interesante dhe ngacmuese, dhe meqë jetoj në Greqi për shumë vjet, e ndjej me vend t’i them dy fjalë për mënyrën sesi e perceptoj unë gjendjen në Greqi. Ka shumë mënyra për ta parë gjendjen në fqinjin jugor, po meqë mua më pëlqen këndvështrimi kulturalist, po i avitem prej këtij prizmi.

Si fillim, po përshkruaj gjendjen politiko-sociale dhe mënyrën sesi lidhet kjo me krizën greke. Greqia është realisht në këto momente një shoqëri e përthyer, sipas tezës së Huttington-it  – torn country. Është e vendosur midis dy pllakash, asaj konservatore dhe asaj liberale. Do të doja që ndarja të ishte në “më evropiane” dhe “më ballkanike”, por partitë politike në Greqi, nuk janë qartësisht të ndara sipas kësaj mënyre. Ka dy grupime tejet konservatore të përkundërta, dy strehë politike identitare të ndryshme ideologjikisht, por në thelb njësoj konservatore dhe reaksionare. Këto janë: partia e të djathtëve ekstremë “Agimi i Artë”, dhe komunistët konservatorë marksistë-leninistë të KKE. Këto dy parti politike, përfaqësonin deri më dje shtresa të margjinalizuara shoqërore. Fashistët ishin vendosur shumë në periferi të politikës greke deri para dy vitesh, organizata e tyre ishte shumë underground dhe ndërvepronte shumë herë në hije. E kishte jashtë mase të vështirë të bëhej protagoniste – qoftë lokalisht – në politikën greke. Deri para dy vitesh, fitorja e vetme politike e ekstremistëve të djathtë, ishte një vend këshilltari në një minibashki të Athinës.

Ndërsa komunistët e Aleka Paparigës, vetëmargjinalizimin e kanë përftuar kryesisht për arsye ideologjiko-historike. KKE është llogaritur gjithnjë si një forcë politike tradicionale, historike dhe me lidhje të shumta sindikaliste në mbarë Greqinë. Identiteti komunist tradicional dhe historik, ka popullaritetin e vet, një grup shumë aktiv studentësh nëpër universitete, një identitet të kalcifikuar dhe stoik, një lidhje të përjetshme dhe të pandarë me forcat partizane gjatë L2B, dhe një historik persekutimesh më pas, menjëherë pas lufte.

Dy grupimet e mësipërme kanë një lloj përfaqësimi social në shoqërinë greke. Breza të tërë punëtorësh dhe studentësh, rregullisht militojnë në KKE, ndërsa Agimi, ruan lidhje të nëndheshme me forcat e armatosura, policinë, dhe mbase lidhje të natyrës trashëgimore me “Batalionet e Sigurimit” gjatë L2B, apo si do i quanim ne shqiptarët, kolaboracionistët. Gjithashtu shumë njerëz dyshojnë se Agimi ka lidhje trashëgimore me atë pjesë të popullit grek që iu bë krah Juntës së kolonelëve.

Nëse shkojmë drejt qendrës politike, asaj mainstream, aty do të dallojmë dyshen deri dje tradicionale të Nea Dimokratia dhe Pasok. Njëra e djathtë konservatore, tjetra e deklaruar e majtë, por me një anim gjithnjë e më shumë drejt qendrës. ND është partia e parë në pushtet pas Juntës, ka lidhje historike me krijuesin e saj, Konstandinos Karamanlis, dhe një elektorat të gjerë përfaqësues, të shtrirë në të gjithë Greqinë. Pasok është partia e Andrea Papandreut, partia e revanshit politik ndaj të djathtës, menjëherë pas ardhjes në pushtet në vitin 1982. Përgjatë historisë politike të Greqisë, qëndron një fakt i pamohuar, se që prej fundit të luftës deri në vitin 1982, e majta është penalizuar gjithnjë dhe i është mohuar vullneti për të ushtruar pushtetin. Kjo ka ndodhur shumë herë me pretekstin e luftës ndaj komunizmit. Kështu një masë e madhe njerëzish me Andrea Papandreun, arritën të kishin në dorë shtetin. Dhe Papandreu e shfrytëzoi këtë fakt për të ndërtuar një politikë diversioniste ndaj të huajve, kryesisht evropianëve dhe Amerikës, shoqëruar kjo me një retorikë dhe politikë populiste brenda vendit. Tek kjo lloj politike, greku mesatar e gjen veten të shndërrohet nga i përulur dhe margjinalizuar në prepotent. Si për të vërtetuar për të shumtën herë se skajet bashkohen. Këto dy forca politike janë shkëmbyer në pushtet me njera tjetrën sidomos 30 vitet e fundit, me avantazh të theksuar të Pasok kësaj herë, përsa i përket kohës së qeverisjes.

Qëndrimi i Perëndimit ndaj Greqisë, është treguar diferencues ndaj politikës së brendshme të vendit fqinj. Ka sponsorizuar një pjesë të forcave politike greke, kryesisht të djathtën, dhe është treguar përbuzës ndaj të majtës. Klima e mobesimit dhe kompleksitetit të Greqisë ndaj Perëndimit, qëndron pikërisht këtu, dhe është rezultat i këtij fakti. Fakt të cilin unë e kam përshkruar më gjerësisht këtu.

Për Syriza, dhe pretenduesin e rradhës të kryeministrisë, zotin Aleksis Cipras, do them gjithashtu dy fjalë. Syriza ka pak vite që është krijuar, është parti relativisht e re. Është një koalicion partish në vogla në thelb, me përbërje të larmishme; që prej disa rezultantesh me sfond komunist, dhe deri pjesëza ambjentaliste, apo të majtësh progresistë. Deri para 5 vitesh, Syriza nuk kishte identitet të qartë ideologjik, dhe më shumë shërbente si fidanishte e Pasok-ut. Nuk ishin të pakta herët që një politikan që shquhej nga Syriza, ndërronte kamp dhe hidhej tek mainstream i elektoratit të Pasok-ut. Paradoksalisht vitin e fundit, po ndodh e kundërta. Politikanë të njohur vetë-përjashtohen prej Pasok, për të aderuar tek Syriza.

Syriza ishte ajo pjesë të majtësh liberalë, por me stigmën e kultivuar ndaj Evropës – sidomos Amerikës – dhe prej kundërshtarëve shumë herë shiheshin si këta të turbullkulturës (tholokultura). Nuk ishin të majtët klasikë ballkanas grekë, të përfaqësuar më së miri prej Pasok-ut. Nuk ishin as komunistët marksistë-leninistë të Paparigës, nuk ishin as politikanët ballkanas tipikë të “gju më gju me popullin”. Ndoshta prej këtyre të fundit, shiheshin si arlekinë dhe kllounë të post-modernizmit, bezdisës fund e krye të rehatisë ballkanase të identitetit kombëtar dhe krenarisë së ligjshme kombëtare. Këta ishin Syriza, pra. Frymë kozmopolite sociale, rrënues të miteve kombëtare, mbështetës të emigrantëve, antinatoistë, antiamerikanë, por jo antievropianë, me identitet të ngurtë politik veç, kryesisht neomarksist dhe kompleksitet të trashëguar historik. Deri para dy viteve, ky grupim politik, i konsideruar gjerësisht prej masave greke si një cirk me shumë ngjyra merrte 4-8% të votave. Nuk e di nëse ka ndonjë gjë për të shtuar rreth Dimar, një parti e ngjashme dhe diversioniste me Syriza, por me politikanë më pak radikalë se ajo.

Pas përshkrimit të sfondit ideologjiko-kulturor të Syriza dhe Dimar, besoj se e merrni me mend se prej kujt përfaqësohen, nga ana elektorale. Kryesisht të rinj të majtë liberalë, të shkëputur prej historicizmit dhe dogmës së KKE, po ashtu klientelizmit të Pasok, elektorat urban, rebel – ndonjëherë anarkist. Kjo kryesisht për Syriza, ndërsa Dimar përfaqëson po të njëjtët, përveç anarkistëve dhe ndoshta një elektorat më të pjekur në moshë dhe ide.

(vijon)

Nuk ka komente

  1. “po meqë mua më pëlqen këndvështrimi kulturalist, po i avitem prej këtij prizmi…”

    mos na ler te presim, nxirri koken muhabetit 🙂

      1. Doemos qe ke thene, por ne fillim permende artikullin e M. Nanos, ku ai e quan Greqine “një demokraci te papjekur, jofunksionale, te korruptuar dhe iliberale… nje Greqi qe po riballkanizohet me shpejtesi”.

        Dhe more persiper ta shkoqitesh ca me mire kete Greqi per lexuesit e blogut. Ato qe ke thene deri tani une i kuptova si premisa te domosdoshme per te shtjelluar me tej perfundimet e M. Nanos. Apo jo?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin