P SI PROSTITUTË, POLITIKAN etj..

Shkruan shtypi i Tiranës se javën që shkoi ranë shpresat për fillimin e një lloj legalizimi a matarimi ligjor të prostitucionit. Ka një farë paqartësie për të kuptuar mirë përse ishte fjala dhe nëse pati apo jo debat në komisionin përkatës (kronikat thotë se u fol vetëm për domate dhe kastravecë, por në funksionin e simboleve seksualë), gjithsesi mësohet se ligji, projekt-ligji a ideja në fjalë u hodh poshtë nga socialistët ndërkohë që ai mbështetej nga shoqëria civile.

Me një akt të tillë në mushkëritë e Shqipërisë shfaqen hijet e vazhdimit të një politike ndaluese (prohibicioniste) e cila në personin e prostitutës (jo domosdoshmërisht femër) sheh as më pak e as më shumë po një kriminel. Me këtë Shqipëria vazhdon të qëndrojë në një radhë me Egjiptin, Arabinë Saudite, Iranit, Mongolinë, Nepalin, Jemenin etj., vende këto që nuk pranojnë legalizimin e prostitucionit. Ndonjëri mund të shtojë edhe Amerikën, por nuk besoj të gjithë Amerikën, ndërkohë që me ketë rast nuk bëhet fjalë per të mbrojtur të kaluarën  “puritane”  të Shqipërise më shumë se për të parë më qartësisht në një realitet, që  ka egzistuar gjithnjë.

Zbritja e një gruaje apo burri deri te trotuari është një proces i gjatë dështimesh në jetë, por edhe pasojë traumatizmash dhe mungese afeksioni në fëmini etj…

Natyrisht është edhe zgjedhje personale. Por përgjithësisht mund të thuhet se është një vendim që nuk merret në kushte optimale. Mund të flitet edhe për një zgjidhje të detyruar, sikundër mund të flitet edhe për një rrugë të cilës i hyhet me vetëdije të plotë, një praktikë që ushtrohet si profesion. Kjo është arsyeja që në shumë vende evropiane flitet edhe për punonjës të seksit. Puna e tyre mbrohet nga sindikata përkatëse dhe me ligj. Madje kanë edhe detyrimin e pagimit të taksave.

Tema është tmerrësisht e gjerë, por me të drejtë opinionistë të ndryshëm në Tiranë shprehën habinë që pengesa e legalizimit erdhi nga e majta shqiptare, nga pjesa e saj më e organizuar. Vërejtjet nuk janë të padrejta. E majta (të paktën ajo evropiane) kurdoherë ka patur vështrim më të kthjellët e realist në problemet sociale, ndërkohë që e djathta tradicionaliste përpiqej ta injoronte ekzistencën e disa dukurive shoqërore, si një mënyrë për të mbrojtur me gjethe fiku moralin e një shoqërie të caktuar apo edhe nje realitet që bënte sikur nuk e shihte.

Shfuqizimi i dënimit do të ishte një shans që ushtruesit e atij profesioni të lehtësohen njëfarësoj nga dhuna e ligjit dhe e zbatuesve të tij (që shpesh është më e ashpër se ajo e vetë ligjit), do t’i lehtësonte në përballimin më mirë të dhunës natyrale të zgjedhjes që kanë bërë dhe tërheqjes në zgafellat e një ilegaliteti që vetëm se malcon më keq problemin dhe e largon nga duart e çdo lloj kontrrolli të shoqërisë.

Në të vërteta po të shohësh kompleksitetin e problemit legalizimi ishte vetëm një hap i vogël, por i çelte rrugën dënimit të përfituesit të vërtetë, se dikush duhet dënuar (këtu përqëndrohen diskutimet në të gjitha parlamentet e botës që shqyrtojnë këtë problem), qoftë ky prokseneti, përfituesi i shërbimit, strehuesi a ku ta di unë. Ishte rasti të vihej pak rregull në një botë paralele makthi e dhune. Nuk qe e thënë të ndodhte kështu. U parapëlqye të mbyllen sytë. Ligjit iu la një subjekt i vetëm ndëshkimi:  viktima.

Nga shënimet që mu desh të mbaj një kohë kur bëra përkthyesin e UNICEF për gjendjen e prostitutave nëna më fëmijë në disa vende të Evropës Lindore, më del edhe « dobishmëria » e tyre shoqërore. Një pjesë e tyre më flisnin për klientët që ishin burra të martuar por që shkonin rregullisht me to sepse gjenin aty dhëmshurinë që nuk e gjenin në familjen e tyre, të tjera ishin të ndërgjegjëshme se  mjaft  të tjerë vinin te ato sepse donin tu bënin disa gjëra që nuk ua bënin dot grave të tyre. Këto të fundit ndiheshin dyfish viktima.

Por veç ligjit dhe praktikave seksuale të dyshimta,  mbi to do të vazhdojë të veprojë sjellja e një politike hipokrite njerëzish hipokritë, mentaliteti i të cilëve nuk ka lëvizur as edhe një presje që nga viti 1967.

Nuk dua të nxitohem e të them se këtu kemi një provë që e majta shqiptare ende nuk ka asnjë gjë të përbashkët me të majtën evropiane, se lufta e saj është fiksuar vetëm te marrja e pushtetit, se nuk ka kuptuar asgjë nga vlerat dhe misionet e saj historike, se nuk e di se pushteti merret çdo ditë duke  u bërë e pranishme atje ku e kërkon problematika e kohës. Më fort jam i prirur të mendoj se këtu kemi të bëjmë me një incident de parcours dhe se gjithçka mund të rregullohet më vonë, nga njerëz me vizion tjetër që nuk mungojnë as edhe midis socialistëve shqiptarë (Të paktën shpresoj).

Gjithsesi mua nuk mund të mos më tërhiqte vëmendjen se këtë pozicion prohibicionist e mbronte Fatmir Xhafa, madje me sa u shpreh, ai e mbronte personalisht, nuk mu duk se shprehte mendim partie. Habija ime ishte më e madhe sepse nuk e dija se ky hibrid regjimesh shkaktonte ende valë në politikën shqiptare.

Në Tiranë gjithnjë është folur se lidhjet e Xhafës me prostitucionin ishin disi komplekse. Edhe pse nuk dua t’i besoj si të vërteta shënoj se nga zëra të brendshëm këmbëngulej se  një kohë që ishte pranë kabinetit të një kryeministri Xhafa organizonte mbrëmjet galante të shefit të tij. Për profesionalizëm të lartë ky i fundit e propozoi për ministër të brendshëm, gjë që revoltoi edhe vetë deputetët socialistë, të cilët u ngritën kundër. Nuk e di nëse me këtë rast ai e meriton emrin e kryeprostitutorit, por zërat thonë se repertori i tij telefonik ishte plot emra femrash të faqeve të mesme të gazetave shqipare. Pastaj kemi emrimin e tij ministër Drejtësie  në një kohë kur askush nuk gjente ndonjë heroizëm që ta shquante Xhafën në fushën e jurisprudencës dhe të përshtatshëm për atë funksion. Ka ndokush ndonjë shpjegim tjetër?

Sot Xhafa ka marrë përsipër të ruajë namuzin republikan të prostitutave. Propozimi i ardhur që të shfuqizohet kjo dispozitë (dënimi i prostitutave me gjobë a burg), në logjikën time është e papranueshme, tha me solemnitet Xhafa.  Logjika e Xhafës!!! Ndërkohë me logjikën time unë jam i bindur se sot PS  nuk ka  arsye të ndjejë  nevojën e shërbimeve të dyshimta e kompromentuese të Xhafës.

Po ashtu jam i bindur se njeriu nuk duhet gjykuar nga e kaluara e tij, por kam përshtypjen se kur e kaluara e një individi peshon mbi të gjithë shoqërinë  atëhere të gjithë bëhemi përgjegjës  të gozhdimit të vendit te e kaluara .  I kam si tani parasysh riprodhimin e skenave të revolucionit kulturor kinez në rrugët e Tiranës, e kam si tani parasysh lejfenin Xhafa që në krye të gardistëve të tij të kuq u vërsulej të rinjve dhe të rejave dhe u griste pantallonat e fundet e  “degjeneruara” ne rrugë, u priste flokët, i poshtëronte në mitingje publikë! E  kujtoj si tani si ulërinte nëpër mitingje e aksione. Kishte një zë të koke, një ton nazisti të papenduar të cilit kishe qejf t’i veshje një shuplakë surratit dhe le të të pushkatonin pastaj! Me që ra fjala a është e rastit që vetëm komunistët dhe nazistët  ngriheshin e ndëshkonin  prostitutat?

Kisha menduar se gjërat tashmë do të ishin kthjelluar dhe vendi kishte nisur të kërkonte llogari për të kaluarën e gjithkujt. Në këtë kuadër, shërbimet e fshehta do të ishin organizuar për arrestimin e Xhafës si ish kreu kombëtar  i rinisë enveriane. Sipas të dhënave operative do të qe zbuluar se ai ishte strehuar me emër të rremë  në Kolumbi, ku ushtronte legalisht funksionin e drejtorit të një shtëpie publike. Nuk them se domosdoshmërisht duhej pushkatuar, por ca muaj punë të detyruar për të pastruar trotuaret e frekuentuara nga prostitutat i meritonte, them.

Jo ore, kujt i flet! Ai edhe  pa ndryshuar emrin ka rol ligjvënës në Shqipërinë e ditëve tona. Bota së prapi! E ëndërr e keqe. Edhe 40 vjet më parë ai kishte cilësitë e një nënnjeriu të formatuar  e  kufizuar ideologjikisht.  Unë nuk e kuptoj se çfarë të keqe ka bërë ai vend që mban ende në qafë të tille kultivarë për të cilët evolucioni ka kaluar si ujët në kurriz të patës? Vetëm se ndjej një habi të madhe që z. Rama paska afër këtë njeri dhe për më tepër i besonka misione kaq delikate.

Që të rezistosh prej 40 vjetësh në gropën thithëse të politikës shqiptare të rangut të parë duket se nuk ka nevojë të jesh profesionalisht i zoti (ka më kërkesë për prova?), nuk ka nevojë të kesh  mendësi të hapur,  arsim të mirë, nuk ka nevojë t’i bësh shërbime kombit, të tregosh përvujësi ndaj plagëve të tij,  nuk ka nevojë të kesh dinjitet. Mjafton të jesh prostitutë në skënën më të madhe të prostitucionit kombëtar, në politikë, ku edhe këmbimet e posteve ministrore, pazaret dhe  aleancat e dyshimta më duken si transakcione seksuale. Kaq mjafton dhe mrekullia realizohet para syve të tu: ti je i pranishëm kudo, në çdo regjim, ti jeton, ke përfitime të panumërta në natyrë, t’i i bën të pëlcasin komshijtë që nuk të duan, ti merr portofole ministrore ndërsa ata dhjetëra djem e vajza specilistë e juristë të shkëlqyer, që shpresonim se do të përshpejtonin fatet evropiane të atij vendi,  ata sillen të papunë a të punësuar jashtë profesionit sepse në atë capharnaum që quhet Shqipëri edhe për fatin e  ligjeve vazhdojnë të vendosin xhafat!

Dhe të mendosh se ka ende idealistë që mendojnë e bëjnë plane të kthejnë rininë e shkolluar në Shqipëri!

Qëllon në jetë që prostitutat të kenë nevojë për solidaritetin e prostitutave të tjera. Ishte rasti më i mirë për politikanët tanë të tregonin se nuk janë aq egoistë, se janë disi më të ndjeshëm se sa duken tej makinave të tyre të fuqishme e me xham të errët, se pranojnë të ndajnë diçka nga përfitimet e atij profesionit të vjetër. Ajme, thotë Noli, asgjë nuk ndodhi.

Me këtë rast kam frikë se jemi para provës se edhe në mjediset e prostitucionit disa prostituta janë më të barabarta se të tjerat.

Nuk ka komente

  1. Jo vetëm në vëndet totalitare, ku prostitucioni considerohet si veprimari ilegale/ e jashtligjëshme, por edhe në vendet ku dualiteti i politikës është i stazhionuar, prostitucioni edhe në mos qoftë ilegal (gjithkush është i lirë të bëjë ç’të dojë me trupin e tij), dënohen format e shfrytëzimit dhe të favorizimit të tij (do t’i mjaftonte vetëm që të ndalej dhe të pyeste se “sa është ora”, një prostitute, që policia ti jepte një gjobë rreth 500eurshe, autorit, edhe në Itali).

    Në rastin e dytë, ku monopoli i politikës është dypolarist, qëndrimi i prerë ndaj prostitucionit nuk ka të bëjë aspak me moralin, ideollogjinë, apo qëndrimin politik të forcave politike, por është thjesht një qëndrim i marrë nga nevoja për të mos humbur pikë përpara elektoratit… dhe kur në parlament luhet për 2-3 vënde më shumë ose më pak për të fituar apo humbur, është e vështirë që një forcë politike, sado e emancipuar që të jetë, të mund t’ja lejojë të humbasë qoftë edhe 10 zgjedhës (që jo domosdoshmërisht janë bigotë komunistë në ruajtje të moralit, por edhe besimtarët e feve të ndryshme apo ata që familjen vazhdojnë ta konsiderojnë akoma si diçka të shenjtë).

    Një gjë e tillë do të mund të realizohej në Shqipëri (si dhe shumë gjëra të tjera të parealizuara vetëm për shkak të përplasjes së vazhdueshme pozitë-opozitë), vetëm në një rast hipotetik të një qeverie teknike (shih qeverinë Monti, në Itali) të pranuar dhe të mbështetur nga forcat politike që t’ju heqë nga zjarri ato gështenja ku vetë politika nuk do të guxonte kurrë që të fuste duart vetë.

    1. Kjo që thua Edrus, mendoj se ka vlerë në kushte pak më të ndryshme, gjendja e këtij problemi në Shqipëri kërkonte masa urgjente. Si hap i parë nxjerrja nga ilegaliteti. Nuk e di sa është e vërtetë, por flitet për skena haluçinante te ura e Lanës, te gropa e Sejdisë. Mbas njohjes (legalizimit) këshillat bashkiake caktojnë kushtet e tyre. Para pak kohësh në Barcelonë i shihje ngado, por meqë ishin të njohura profesionalisht (një shoqëri aq katolike nuk kishte pranuar të fshihej më gjatë pas gishtit!), ligje të veçanta përcaktonin në çfarë distance nga banesat, shkollat, rrugët etj., duhej të zhvillonin biznesin e tyre. Nuk është se argumenti i votës nuk ka vlerë, por me dinjitetin që fiton politika duke e nxjerrë këtë çështje nga kanalet, jam i bindur se fiton më shumë. Gjithsesi më bëhet qejfi që ishte Shoqëria civile në origjinë të propozimit në fjalë. Mbase po lind ai poli i tretë që po e presim prej njëzet vjetësh dhe (perseri) mbase gjërat do të lëvizin më kollaj. Pergjithsisht shpresohet që nje force politike progresive te ndihmojë në progresin e shoqërisë, ne le tê shpresojme se shoqëria e zhvilluar shqiptare do te nxjerre politiken nga prehistoria e saj. Amen!

  2. U desh te vinte ky rast per te shkrua nje flete rrufe kunder Fatmir Xhafes? Kur do te behemi aq te emancipuar dhe te heqim dore nga qasjet biografike ne analizat e nje fenomeni, sjelljeje apo qendrimi politik ?
    Mendoj se legalizimi dhe dekriminalizimi prostitucionit eshte nje ceshtje komplekse dhe dilemat jane pjese e problemit. Aq me teper ne nje vend me nje matrice sociale te pa urbanizuar. As PD dhe as PS nuk jane aq progresiste sa te kalojne “Rubikonin moral” te nje shoqeri ku njerzir vriten akoma per nder.

    1. Eshte pa vend ti vesh per oportunizem te dy partite ne nje nivel emancipimi e gjoja Fatmir Xhafa paska patur pergjegjsine e tere shqiperise mbi krye. Ajo qe nuk di as autori e as Turi eshte se propozimin e paraqiti PD dhe Shoqeria civile dhe e hodhi poshte Xhafa i PS.
      A ka rol e kaluara revolucionare e Fatmirit ne kete mes? Le te dale e ta kundershtoje por qe opinioni eshte me i avancuar se ca politikane si Fatmiri Xhafa per kete nuk duhet shume mend.

    2. Ne fakt se jemi te emancipuar lidhim biografine, perjetimet dhe pervojen individuale paraprake, me qendrimin politik. Se perndryshe lidhet perkatesia farefisnore me ate partiake, dhe ketu jemi aspak te emancipuar, pasi lidhet pervoja kolektive, jo individuale, me perkatesine e grupit.

      Sidoqofte, ideja eshte shprehur qarte, e majta eshte gjithkund progresiste, por ne Shqiperi, jo vetem qe eshte ende konservatore, porse edhe bajraktare (me shume te pasur gjenden ne grupin parlamentar te PS sesa te PD).

  3. Me thone nje histori te vockel: ne Sarande kane nisur te shkojne meshkujt drejt Janines fundjavave se aty ka prostituta. D.m.th i ka dale zeri edhe kesaj meseleje. Cfare motivi dimeror! Burra qe marrin makinen, behen bashke dhe Marrin rrugen per Janine. Me siguri e kthejne ndonje gote ne Jergucat te behen hazer. Te vjen ndermend Kadareja kur thote se per Gjeneralin u frymezua nga nje histori e kohes se luftes me nje shtepi publike ne Gjirokaster. Une them te legalizohet prostitucioni, madje sa me shpejt; madje shtepia e pare publike duhet hapur ne Qender te Tiranes, me kolonda dhe cati, aty afer Skenderbeut. Edhe PS-se. Keshtu edhe protestat do jene me masive, se helbete do vijne ne Tirane se “nuk shtyhet me keshtu”. Qe ketej, Fatmiri nuk qenka i qarte politikisht.
    Perhere e kam vrare mendjen se pse i martonin femrat me pare qe 15 vjec. Te shkretat! I kam gjetur nje pergjigje vetes. Pergjegjesia i bie po femrave: nismetare kane qene tezet dhe gjyshet qe e dinin mire hararetin qe e ze femren ne ate moshe dhe hop gjeji burrin. Tani ketij morali i ka dale boja; u nxifshin me boje harpiet e universiteteve qe vijne ne Tirane te gjejne burre. Pastaj edhe pas gishtit nuk ka pse fshihemi: eshte sheshit, me mire te legalizohet. Keshtu edhe leket mbeten brenda vendit, pra eshte me patriotike. Ja dhe nje tjeter gojedhene nga Vlora e ketij santomirit: Shkon dikush ne hotel dhe i kerokon te zotit ndonje femer.
    Ik ore, ku ka ketu nga ato-ia kthen ky.
    Po mire ndonje djale-vazhdon ai.
    Ore je ne terezi? Je ne Vlore ketu nuk ka ashtu ketu.
    Mire o mire, une kisha nja 2000 euro dhe doja ti shpenzoja.
    2000 euro? Po me aq vij une.
    E shikon qe ka, por mungojne investimet?!

  4. Artikull i mire qe ve pikat mbi i.

    Doja te ndalesha pak tek pjesa ku ke thene qe nuk do doja te nxitohesha e te thoja qe kjo perben nje prove qe e majta shqiptare (nenkupto PS-ja si pjesa derrmuese dhe dominuese e saj) nuk ka ende asgje te perbashket me te majten europiane.

    Nuk eshte aspak nxitim te pohosh qarte e me vendosmeri qe majta shqiptare nuk ka asnje te perbashket me te majten europiane, jo vetem prej rastit te mesiperm por edhe prej nje mori faktesh te tjera.

    E majta shqiptare eshte ende e dominuar nga partia e themeluar 70-te vjet me pare nga emisaret serbe Popovic e Mugosha, sot ne rimisherim e saj te dyte qe daton prej qershorit te 1991-shit, kur realisht kjo parti duhet te ishte shperbere dhe shpallur e paligjshme sic pohonte ne librin e tij “Refleksione” (botim i 1991-shit), sot kryetari i kesaj partie Edi Rama. Ajo eshte partia e princave trashegimtare, qe e trasheguan ate prej baballareve funksionare te rimisherimit te saj te meparshem, si te ishte nje prone e patundshme e bashke me te edhe gjithe privilegjet dhe pushtetin politik e ekonomik te postmonizmit. Eshte partia e pjeses derrmuese te deputeteve me te pasur te kuvendit te republikes (te pakten ligjerisht dhe zyrtarisht). Eshte partia qe ka si numer dy ministrin e fundit te brendshem (i.e. sigurimit) te regjimit monist, dhe nje tjeter ish sekretar partie (keta jane me bollek ne politiken shqiptar). Eshte partia qe ende ka antare te KQ-se brenda ranqave te saja. Eshte partia e lejfenit te rinise komuniste Xhafa, e vullnetarit te Enverit Brace e plote fuksionareve te epokes PPSH. Eshte partia e trafikanteve te droges, kotrabandisteve, pastruesve te parave, mafiozeve, mundsave te kthyer ne “te forte” e me tej ne shefa policie e biznesmeneve te dyshimte. Eshte partia e tarafit, klienteve, klanit, bandes, krahines, fisit etj etj. Me pak fjale eshte klepto-banda kriminale me e madhe ne vend (edhe pse perkohesisht jo ne pushtet).

    Pra nuk ka pse te ndiesh Habi te madhe pse Rama mban afer e ju beson misione delikate njerzve si Xhafa, apo Ruci, Brace, Doshi, Dokle etj etj.

    1. I dashur, nuk është se nuk i kuptoj emocionet e rastit (shpesh edhe vete jam viktime e tyre), por përgjithësimet jo rralle dalin jashtë suazës së temës. Dhe për ketë nuk është i interesuar asnjë autor shkrimi. Megjithatë ju me të drejtë sillni atë citimin te libri i Ramës, që unë nuk e dija. Kjo është gjësendi interesante për të shtruar pyetjen përse Rama i mban ende ato njerëz rrotull vetes. Ai, siç del, nuk aderon në ideologjinë dhe motivet e moralit të tyre politik. Për oportunizëm? Për ti patur si kartë garancie për kasketat që votojnë ende për ta? Sepse te dobtit jane me besnike ndaj shefit? Nuk e di. Kam përshtypjen se ai nuk e njeh fuqinë e vet dhe nuk e di se mund të bëjë edhe pa ato emrat që përmendni ju. Pa ta, dans l’immédiat, mund të humbase ndonjë votë kaskete, por do të fitojë në perspektivë, do të fitojë votat e të zhgënjyerve, votat e të lekundurve, e mbi te gjitha të atyre që janë të majtë, por nuk duan tu shoqërohet emri me braçet, xhafat e rucat, sidomos me keta tê fundit…

      Pas kaq vitesh dhe me vizionin qe kam sot per politiken, une mund te votoj edhe majtas (zaten ketu votoj majtas dhe ne Tirane, djathtas), po a nuk eshte me te vertete nje mungese respekti per hallet e atij vendi kur hedh voten per nje parti qe ka ende ne radhet e saj ata miqte e mesiperm?
      Shkurt, nga e gjithe kjo histori dashurie me fort ka perfituar PS-ja nga Rama se sa e kunderta. Shpresoj te kem afersisht te drejte se sa saktesisht gabim:-))

  5. Lyss, nuk hyjne emocionet me ndonje vend ketu. Une bera nje renditje faktesh qe qendrojne pavaresisht emocioneve.

    Si mbas asaj qe ka shkruar Rama ne Refleksione dhe qendrimeve te tija ne vitet 1990-1992, nqftse ky do vinte ne krye te PS-se llogjikisht i bie qe e pakta qe ky do bente ishte pastrim i gjitheanshem i saj nga funksionaret e regjimit, nga nostalgjiket, nga percuesit e trashegimise te PPSH-se etj. I bie qe Rama do distancohej qarte nga e kaluara kriminale e tradhetare e PPSH, do denonte krimet e saja, do denonte faktin qe LANC-i i propaganduar nga PPSH-ja e me vone PS-ja s’ishte vecse nje lufte civile per pushtet e nisur e nxitur nga komunistet te drejtuar nga emisaret sllave (sic ka bere ne Refleksione) etj. Kjo natyrisht do kerkonte ato ashtushet te medhaja fare, dhe mund te conte ne shkaterrimin e partise komplet e Rama duhet t’ia niste nga e para per te pasur shpresen e marrjes te pushtetit ndonjehere.

    Sic e dime tashme, Rama nuk e zgjodhi kete rruge. Te vetmit njerez qe ai largoi ishin Nanoistet e te tjere qe mund t’i sfidonin realisht pushtetin e tij autoritar. Ai mbajti Rucet, Xhafat, Doklet, Bracet etj. por dhe afroi lloj lloj servilesh, karrieristesh e oportunistesh nga bashkia, Mjafti/G99 e keshtu me rradhe. Perse i mbajti dhe ende i mban njerez te tille rreth e rrotull vetes? Besoj se arsyeja kryesore eshte nje kombinim i peshes se tyre politiko-elektorale dhe gatishmerise se tyre per ti qene besnik Rames e per te mos e sfiduar pushtetin e tij autoritar. Cfare ndodhi me Ramen nga Refleksionet tek ardhja e tij ne krye te PS? S’di c’te them. Mbase thjesht pushteti. Mbase ato qe shkroi ne Relfeksione ishin thjesht vrulli i tij rinor i asokohe. Nje gje eshte e sigurte ama, qe askohe Rama konsiderohej nga Berisha si teper ekstrem, ne anen e djathte te spektrit politik.

    Dicka tjeter qe eshte e sigurte, eshte fakti se Rama e pa PS-ne si kal per t’u kaleruar drejt pushtetit, dhe jo si nje karabina prej se ciles mund te ndertohej nje e majte moderne europiane.

  6. Mbasi lexova kete shkrim dhe dua ta pohoj qe ishte shume interesant, si per stilin e autorit dhe pr c’ka kumtonte, mua mu kujtua poezia e Kadarese
    Mesueset e fshatit.
    po shkrua vetem dy strofa:

    Në udhëkryqe, ndan’ xhadeve
    Ditët e shtuna dalin shpesh,
    Dhe zgjatin dorën nga makinat,
    Herë dy nga dy, herë veç e veç.

    Po s-ngrenë ato botën në këmbë
    N[ komitet, në ministri
    Ato të urtat gjer në dhimbje,
    të thjeshtat gjer ne madhështi

    Sa mirë e gjej veten në këtë poezi.
    Liljana

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin