INCIDENTI NË TRENIN TIRANË-RRËSHEN

Nga një editorial i Gjergj Metës te “Panorama” mësova se kryeministri Rama, gjatë vizitës së tij në Mirditë, kish shkarkuar nga puna live drejtorin rajonal të Shëndetësisë, pasi kish zbuluar se më shumë se 30 qendra shëndetësore të kësaj zone nuk janë të lidhura me rrjetin elektrik.

Ka vite që punët e pushtetit në Shqipëri, të paktën për aq sa i intereson publikut të mass mediave, janë reduktuar në politikë kuadri: kush emërohet, kush lëviz, kush shkarkohet, kush ngarkohet. Kjo lëvizje brouniane njerëzish zakonisht nuk shoqërohet me ndonjë ndryshim në politikat, sidomos ngaqë të gjithë këta që luajnë me karriget janë, në më të shumtën e rasteve, përfaqësues të bindur të partive politike.

Pa çka se është ironike që ky asgjësim i personalitetit të konsumohet pikërisht gjatë një procesi të themeluar mbi individin dhe postin që ky merr ose, përkatësisht, lëshon.

Nga njëra anë, kjo vëmendje obsesive ndaj politikës së kuadrit duket sikur konfirmon se, për një takëm militantësh politikë, marrja e një posti është kurorëzim i përpjekjes së tyre, sikurse është shembull i qasjes ndaj aktivizmit politik, për të gjithë arrivistët out there; nga ana tjetër, le ta themi se emërimet dhe ç-emërimet nuk kushtojnë absolutisht asgjë nga buxheti, ndryshe nga veprimtari dhe mobilizime të tjera politike.

Më në fund, le të shtojmë edhe se politikat e emërimeve të palës në pushtet lënë kaq shumë për të dëshiruar, në kuptimin që shumë nga të emërtuarit në poste nuk e përligjin përgjegjësinë që u besohet dhe shërbejnë për të plotësuar kritere statistikore ose për të siguruar rrjedhshmërinë e rripave të transmetimit; çfarë edhe e bën tejet aktuale historinë e perandorit Kaligula, i cili thuhet se kish në plan ta emëronte kalin e vet, Incitatus, konsull. Aq më gjenuine do të tingëllonte kjo, po t’u besojmë atyre historianëve që thonë se Kaligula e kish planifikuar këtë për t’u tallur me senatin e vet.

E megjithatë, kjo histori e Ramës, që “pushon në vend” një gjynahqar në Mirditë – duke bërë të vetin një lloj brutaliteti protokollar të cilin shqiptarët e një farë moshe zakonisht e shoqërojnë mendërisht me legjendën e një tjetër kryeministri, Mehmet Shehut, mitin e “dorës së fortë” dhe të “arbitraritetit”, si prerogativë e atyre që pushtetin e kanë bërë pjesë të qenies dhe të mirëqenies së tyre.

Edhe pse mua, duke lexuar për këtë mini-dramë të administratës lokale, m’u kujtua jo Kaligula, as Mehmet Shehu dhe as Çinxhiz Khani, por një faqe e bukur nga romani Ushtari i mirë Shvejk, të cilën po e përmbledh këtu në vijim.

Shvejku, që tashmë punon si adjutant i togerit Lukash, është duke udhëtuar me tren, së bashku me shefin e vet, nga Praga për në Ceske-Bugjejovicë. Bashkë me këta të dy, në kompartiment, është ulur edhe një zotëri i moshuar, krejtësisht tullac, që lexon gazetën Neue Freie Presse teksa Lukashi po e bën Shvejkun për një lek, ngaqë te stacioni në Pragë u kishin vjedhur një prej valixheve të togerit.

Pas një pauze të shkurtër, Shvejku i kthehet atij burrit të moshuar dhe e pyet: “Më falni, zotëria juaj, mos jeni gjë z. Purkrabek, përfaqësuesi i kompanisë së sigurimeve Slavia?” Dhe kur ky e sheh gjithë përbuzje, por nuk i përgjigjet, Shvejku i shpjegon togerit: “Kam lexuar një herë në gazetat se një njeri normal duhet të ketë në kokë mesatarisht gjashtëdhjetë deri shtatëdhjetë mijë flokë dhe se flokëzinjtë kanë më pak, siç provohet nga shumë shembuj.” Dhe vazhdon: “Një herë, një infermier te kafeja U Spirku, tha se humbja e flokëve shkaktohet nga eksitimi emocional në fëmijëri.”

Por këtu ndodh diçka e frikshme. Zotëria tullac nuk paskësh qenë z. Purkrabek i kompanisë së sigurimeve Slavia, por gjeneral-majori Von Shvarcburg. I veshur civil, ai po udhëton për të inspektuar garnizonet dhe, pikërisht, për t’u bërë atyre të Bugjejovicës një surprizë.

Ky, shkruan Hasheku, ishte më i lemerishmi inspektor i përgjithshëm i Perandorisë; nëse i qëllonte të gjente, gjatë inspektimit, ndonjë gjë që nuk ishte në rregull, bënte bisedën e mëposhtme me komandantin e garnizonit: “Keni revolver?” “Po, kam.” “Mirë. Të isha në vendin tuaj, do të dija me siguri se çfarë të bëja me të, sepse kjo që shoh unë këtu nuk është garnizon, por një stallë e qelbur derrash.”

Dhe, në të vërtetë, pas inspektimeve të tij, gjithmonë dikush do ta vriste njëfarësoj veten, çfarë do ta bënte gjeneral-majorin Von Shvarcburg të komentonte gjithë kënaqësi: “Ja, kështu ka lezet! Një ushtarak i vërtetë!”

Dukej sikur i mbetej qejfi, po të mbetej ndokush gjallë pas inspektimeve të tij, përfundon Hasheku.

Incidenti në kompartiment pati, edhe ai, pasoja të dhimbshme për togerin Lukash, i cili pas një qortimi tërësor dhe një leksioni për mënyrën si duhet të komunikojnë oficerët me vartësit e tyre, e pa veten – jo pa llahtari – të emëruar sakaq në vijën e frontit. Në shkëmbimin që pasoi, Shvejku u shfajësua duke shpjeguar “se kurrë në jetën time nuk më kish shkuar mendja se mund të ekzistonte një gjeneral-major krejt tullac.”[1]

Natyrisht, nuk ka ndonjë ngjashmëri të madhe midis bëmave të Von Shvarcburgut, dhe atyre të kryeministrit Rama në Mirditë; ndonjëherë është e nevojshme madje me vend që dikush të shkarkohet në vend; edhe pse përmendja e revolverit do të ishte gjithnjë e ekzagjeruar. Prandaj, e vetmja arsye që e solla këtu këtë histori është se të gjithë e dimë si përfundoi Austro-Hungaria e këtyre gjeneral-majorëve dhe burokracive të tyre, sikurse e njohim edhe dekadencën e Romës, në kohën e Kaligulës. Dhe nëse ka ndonjë mësim për të nxjerrë nga historia, ky është se arbitrariteti i liderit shpesh nuk është shenjë pushteti, por spektakël i trishtimit të atij ustait që kërkon të ndreqë, me varé, çfarë ndoshta është munduar të rregullojë deri atëherë me mistri.

(c) 2018, Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat.


[1] Për fat të keq, jam duke cituar nga versioni anglisht i romanit, sepse nuk e kam në dorë shqipërimin e shkëlqyer (madje legjendar) të kësaj vepre. I vetëdijshëm për sakrilegjin, shpresoj vetëm se kujtesa e lexuesve të apasionuar pas Shvejkut shqip do të plotësojë zbrazëtitë e mia.