KRONIKË E NJË ZEMËRATE TË PARALAJMËRUAR

Nga Eleana Zhako

“Pylli është pararendësi i njeriut, shkretëtira pasuesja e tij”*

Çdokush që është në dijeni të personalitetit krijues shumëdimensional dhe filozofisë “sui generis” të Kornilius Kastoriadis*, bashkëthemeluesit të grupit dhe revistës legjendare më të njëjtën emër ‘Socializëm apo Barbarizëm”, nuk do mund të mos vinte re në protestat masive për Gezi Park në Stamboll në qershor të 2013-ës, shkëndijat revolucionare të Majit ’68 në Paris dhe jehonën e ideve të Kastoriadis për të ngritur krye ndaj çdolloj forme pushteti abuziv. Jean-Paul Sartre do thoshte më vonë që “Kastoriadi kishte të drejtë, por në kohë të gabuar”, ndërsa Kastoriadi do përgjigjej që “Sartre kishte nderin e të qenit gabim në kohën e duhur”.

Kastoriadis ishte ndër të parët që vërejti se si lëvizja shop-steward që nisi në Britaninë e Madhe, lëvizja e femrave për emancipim, lëvizjet antiluftarake, betejat e minoriteteve, do krijonin premisat për një revoltë të përgjithshme drejt autonomisë së shoqërisë dhe alternativave të tjera jetese. Sipas Kastoriadis, koncepti i autonomisë {nga greqishtja e vjetër: autos (ai) dhe nomos (ligj)} lidhet me nevojën vetëlegjitimuese të njeriut për t’ia arritur një qëllimi jetësor, për t’i dalë zot vetes, dhe jo me njeriun që kërkon të vetëlegjitimohet pa pasur sensin e vetëkontrollit dhe vetëfrenimit.

Sikurse shkruhet për Kastoriadis, ai besonte se njerëzit e zakonshëm mund të vetëudhëhiqen pa ndihmën e bosëve (sic), menaxherëve, politikanëve profesionistë, “partive udhëheqëse”, klerikëve, ekspertëve, terapistëve apo guruve. Sipas Kastoriadis dilema hamletiane “to be or not to be”, në kontekstin e transformimit social merr trajtën “të jesh Marksist apo Revolucionar”. Revolucionari në botëkuptimin e tij filozofik është njeriu racional, që nuk bën kompromise me teori të ngujuara dhe pseudokomuniste (në kuptimin që i dhanë marksizmit sistemet e regjimeve komuniste), por ai që kërkon thelbin dhe zhvillimin e ekzistencës së vet përmes vetëdijësimit rreth së vërtetës “filozofike” dhe vullnetit për tu cliruar nga tirania e të vërtetës së servirur nga një “forcë e jashtme”.

Lëvizja e Majit ‘68

Lëvizja e Majit ’68 nisi dhe u zhvillua si një lëvizje autonome, si një lëvizje mbi llojet, që ngrihej mbi partitë dhe organizatat politike, fillimisht nga një grup të rinjsh “të ngopur” nga realiteti i shoqerisë konsumatore dhe lulëzimi material, që më vonë do shndërrohet në një protestë masive, duke përfshirë të gjitha nivelet e shoqërisë dhe grupimet sociale e politike, pavarësisht nga orientimi i tyre politik dhe bindjet përkatëse. “Kapitalizmi” dhe “Socializmi burokrat”, dy koncepte të cilat pershkojnë thelbin e filozofisë politike të Kastoriadis, do vihen në qendër te anti-parrullave të protestuesve.

Parrullat dhe grafitët që mbushen muret e Maji francez, ishin “ ‘të goditura’, humoristike, ironike, poetike, meditative, sfiduese, të shkruara me një gjuhe zhargoni, “te përgjysmuara” dhe të mbushura me akronizma, te cilat kishin si qëllim të vetëm akuzën e përgjithshme ndaj regjimit ekzistues, pushtetit totalitar të cdo lloj forme, diskriminimit gjinor dhe racor, autoritarizmit, parashikimeve konserve per te ardhmen, shfrytëzimit, papunësisë, puritanizmit, hipokrizisë sociale, jetesës artificiale, shpërfytyrimit, edukimit arsimor te pavlerë, por edhe kundër luftës në Vietnam dhe urisë në vendet e ashtuquajtura ‘Bota e Tretë’”, shkruhet në shtypin e kohes.

Pavarësisht se Lëvizja e Majit’ 68, u akuzua fillimisht për elitarizmin e saj, duke qenë se nismëtarët e kësaj lëvizjeje ishin kryesisht të rinj që vinin nga radhët e borgjezisë, jehona e ideve të saj solli përmbysjen e mendësive konservative të rrënjosura deri atëherë në Francë dhe përtej Francës, duke sjellë një dinamizëm dhe një frymëmarrje artistike në sferën e te drejtave individuale dhe shoqërore.

Protestat në Stamboll

Lëvizjen e protestuesve në Stamboll, sikurse e vërente një pedagog në Turqi, e ndërmori një brez që nuk ka lidhje me mekanizmat e partive politike dhe që, ashtu sikurse brezi i Majit të ’68 në Francë, pavarësisht nga lulëzimi ekonomik dhe material i shoqërive konsumatore përkatëse, nuk mund të mbyllë sytë para çështjeve që kanë të bëjnë me funksionimin e demokracisë dhe shkeljes së lirive dhe të drejtave të njeriut. Sipas tij, ekziston një pjesë e shoqërise turke, që për herë të parë nuk ka frikë të flasë hapur dhe të pozicionohet për praktikat autoritare të shtetit turk.

Projektligji për transfomimin e parkut të gjelbër në sheshin Taksim në qendër komerciale, u bë shkas për shpërthimin “spontan” të zemëratës së përgjithshme, zemëratë që “flinte” në dukje, por që priste për të marrë hovin e duhur me kanosjen e rastit. Sikurse thotë Kastoriadis, kujdesi për mjedisin është shtylla mbi te cilën bazohet jeta sociale, në një kohë që zhvillimi i pafre i procesit të prodhimit dhe konsumimit ka sjellë pasoja katastrofike për ekosferën dhe ekologjia duhet marrë në konsideratë në radhë të parë si çështje politike, jo si çështje shkencore. “Asnjë katastrofë natyrore nuk mund të barazohet me katastrofat, masakrat dhe holokaustet e njeriut kundra njeriut”.

Protesta në Tiranë

Lëvizja e protestuesve në Tiranë, ashtu sikurse dhe ajo e Stambollit, pavarësisht orvatjeve politizuese të pozitës dhe opozitës, është në thelb një lëvizje urbane e cila i kundërvihet modelit urbanizues të oligarkisë politike dhe ekonomike të vendit. Kjo lëvizje duket se ka si koncept themeltar të saj, konceptin e degrowth, sipas të cilit zhvillimi ekonomik nuk mund të kapërcejë nevojat jetësore dhe rezervat natyrore të një bashkësie njerëzish apo vendi. Sipas aktivistëve dhe mbështetësve të degrowth, mbikonsumimi është shkaku i problemeve socio-ekologjike dhe i thellimit të pabarazisë sociale. Ndonëse protesta në Tiranë nuk ka përmasat e protestës turke, çka shpjegohet me interesin e kufizuar dhe kulturën lokale ende të paformuar për “çështje ambientale”, sesa me mungesën e informacionit, mentaliteti i frikës, i fajësimit, arbitraritetit dhe viktimizimit që ekziston në Shqipëri duket se funksionon si alibi për vërtetimin e profecisë popullore “S’bie rrufeja në h.. e”. ….Por bie në parkun e liqenit. Dhe kjo rrufe nuk është e qiellit, por e tokës…

Për kë bien këmbanat?

park

Sllogane nga lëvizja e Majit ‘68

Mos merrni ashensorin, merrni pushtetin!

Bëhu realist duke kërkuar të pamundurën!

Komoditetet janë opiumi i popullit!

Poshtë shoqëria konsumatore e vitrinës!

Asnjë liri për armiqtë e lirisë!

Mohoni rolet që ju veshën të tjerët!

Betoni kultivon pasivitetin!

Konservatorizmi është sinonim i dekompozimit dhe i shëmtisë!

Vrit policin brenda teje!

Monotonia është anti-revolucionare!

Politika zhvillohet në rrugë !

Edhe nëse presin të gjitha lulet, Pranvera do të vijë !

Burra, hekurosja është një ushtrim i mirë!

Zbërtheni mendjen po aq shpesh sa zbërtheni pantallonat!

Kujdes, muret kanë veshë dhe veshët kanë mure!

Sllogane nga Protesta e Stambollit

Resistanbul!

Everyday I’m capuling! (çapulcu – rrugaç, parrullë që erdhi si kundërpërgjigje ndaj cilësimit të protestuesve nga Erdogan si çapulcu)

Gas me babe one more time!

I know the rules but the rules don’t know me!

My butt has gotten thinner, thanks police!

If God gives you tear gas, make lemonade!

Revolution will not be televised, it will be twitted!

Sllogane nga Protesta e Tiranës

Mos hesht! Nesër mund të jetë vonë!

Zero Park, Zero Vota!

PARK-ING!

Shtëpitë i ndërtuat në male dhe liqenin e bëtë hale!


Shënim i autores: Një version i këtij shkrimi është botuar fillimisht para tre vitesh në gazetën e atëhershme “Impakt”, në kohën e protestave në Stamboll. Versioni i tanishëm është modifikuar dhe janë hequr disa paragrafë nga forma e mëparshme. Duke marrë shkas nga aktualiteti në Shqipëri, e pashë të arsyeshme të shtoja një paragraf për ngjarjet e tanishme në Tiranë. Pjesa e slloganeve të protestës në Tiranë, enkas është lënë e paplotë, në mënyrë që lexuesit e blogut të kenë mundësi të shtojnë parrullat e tyre apo parrulla të tjera që janë përdorur gjatë protestave.

* Një nga shprehjet e famshme të Lëvizjes së Majit ’68

** Ashtu sikurse shkruan dhe Edgar Morin, vepra e Kastoriadis do të kujtohet gjithmonë për vazhdimësinë dhe koherencën e saj, sikurse dhe per shtrirjen e saj te jashtëzakonshme. Kastoriadis ishte një njeri “enciklopedik” që ofroi një edukim sferik ose “paideia” (në kuptimin që mbart kjo fjalë në greqishten e lashtë) mbi artet dhe shkencat. Kastoriadis shkruajti ese që kanë lënë gjurmë tronditëse mbi fizikën, biologjinë, antropologjinë, linguistikën, shoqërinë sociale, ekonominë, politikën, filozofinë dhe artin duke i gërshetuar në mënyrë unike, sikurse të mos donte të humbte asnjë copëz nga puzzle-i i “psyches”* njerëzore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin