KUNDËR PARTITOKRACISË

Te reagimet që shoqëruan protestën qytetare kundër ndërtimeve në Parkun e Liqenit, vura re prirjen mbizotëruese për të gjetur, pas protestuesve, dorën e PD-së, si parti opozitare.

Natyrisht nuk jam në gjendje ta verifikoj këtë; por i nisur edhe nga përgënjeshtrimet e shumë prej atyre që morën pjesë në protestë, po guxoj të besoj edhe unë se PD-ja thjesht u përpoq të përfitojë, në mënyrë oportuniste, nga protesta.

Ndërkohë, dua të tërheq vëmendjen për premisën e këtyre reagimeve, kundër-kritikave dhe insinuatave, e cila më duket jashtëzakonisht toksike, për klimën politike në Tiranë: bindjen se çdo lloj gjesti politik publik nuk mund të vijë veçse nga një parti politike.

Me fjalë të tjera, monopolizimin e veprimtarisë qytetare nga partitë politike.

Kam shkruar disa herë në blog për partitokracinë dhe rreziqet e saj për jetën politike publike, mes të cilave edhe kjo dëshirë për t’i parë partitë politike si burim të veprimtarisë politike.

Për këtë edhe nuk u habita kur lexova diku se organizatorët e protestës së tanishme ishin përpjekur ta mbanin të fshehtë idenë e tyre, për të mos lejuar intruzionin e papërballueshëm të PD-së.

Të kemi parasysh: nuk ka gjë më komode, për një parti të opozitës, që të dalë në krye të çdo proteste kundër qeverisë, qendrore a lokale; duke përfituar edhe nga vëmendja që u kushtojnë mediat përfaqësuesve zyrtarë të kësaj partie, kudo që këta shfaqen.

Sikurse nuk ka gjë më komode, për një parti a koalicion në pushtet, që të shohë një parti opozitare në krye të çdo proteste kundër qeverisë, qendrore a lokale, për të njëjtën arsye.

Kjo ndarje artificiale më dysh e protestës është shenjë e një marrëveshjeje de facto, midis partive të mëdha politike, për të qeverisur jetën politike sovrane, përfshi këtu edhe atë çka do ta quaja normalizimstandardizim të protestës, që dëshmon, në fakt, një dobësi fatale të shoqërisë civile.

E megjithatë, nuk ka asnjë arsye të njëmendtë, në demokraci, që lëvizjet politike të kanalizohen nëpërmjet partive; dhe aq më e vërtetë është kjo në Shqipëri, kur partitë politike kryesore nuk shprehin aq interesa të grupeve të mëdha a shtresave të caktuara të popullsisë, por janë më shumë aparate të disiplinuara dnë shërbim të pak krye-lojëtarëve me pushtet absolut.

Me fjalë të tjera, janë ku e ku më të mëdha dallimet individuale mes Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës, sesa dallimet në programet e partive përkatëse, të kryesuara prej tyre.

Prandaj edhe partitokracia përfaqëson, në këtë moment, një tumor që ua ka zënë frymën institucioneve republikane dhe vetë publikut në Shqipëri; sidomos ngaqë kërkon ta transferojë sovranitetin nga këto institucione, te vetë partitë.

Aq e vërtetë është kjo, sa edhe kur ndodh që të gjallërohet një lëvizje e mirëfilltë proteste nga shoqëria civile, siç besoj është rasti i tanishëm, atëherë ose do të dalin ata që kërkojnë dorën e fshehtë të kësaj apo asaj partie politike pas saj; ose do të dalin të tjerë, që të shohin atje embrionin e një partie të re politike dhe do t’ua bëjnë gati protestuesve uniformat e reja me ngjyrat përkatëse.

Përkatësia partiake shndërrohet kështu në licencë për veprimtari politike; çfarë ia zë frymën demokracisë, sikurse ia zë frymën parimeve kushtetuese, mbi të cilat është themeluar republika dhe vetë jeta publike në Shqipëri.

Kjo karikaturë e demokracisë ka nevojë të nxirret në dritë, me diciturën që meriton: poshtë partitokracia!

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet çdo lloj riprodhimi.

5 Komente

  1. partite politike ate pune kane, te pervetesojne ceshtje, ngjarje etj. per ti shnderruar ne kapital politik. Por besoj se keta elemente te shoqerise civile po shpenzojne energji kot te shpjegojne se nuk jane te opozites, nderkohe qe mund te bashkepunonin me kete nese do tu interesonte qellimi.

    Keto levizje sociale qe mobilizojne kolektive per qellime te caktuara e kane jeten e shkurter, sa edhe jetegjatesia e qellimit, dhe nese do tu vishnin roba partie. Keshtu qe qellimi justifikon instrumentin. Dhe nese PD-ja mund ti asistoje per te realizuar qellimin, shume mire. Perndryshe qeveria do te vazhdoje te ndertoje naten, nderkohe qe keta lodhen te shpjegojne se nuk kane lidhje me PD-ne. Pervec se edhe i shaluan ne dajak, perkunder opozites qe as nuk iu qasen.

  2. Ju z. Vehbiu sot mendoni se “Prandaj edhe partitokracia përfaqëson, në këtë moment, një tumor që ua ka zënë frymën institucioneve republikane dhe vetë publikut në Shqipëri; sidomos ngaqë kërkon ta transferojë sovranitetin nga këto institucione, te vetë partitë.

    Aq e vërtetë është kjo, sa edhe kur ndodh që të gjallërohet një lëvizje e mirëfilltë proteste nga shoqëria civile, siç besoj është rasti i tanishëm, atëherë ose do të dalin ata që kërkojnë dorën e fshehtë të kësaj apo asaj partie politike pas saj; ose do të dalin të tjerë, që të shohin atje embrionin e një partie të re politike dhe do t’ua bëjnë gati protestuesve uniformat e reja me ngjyrat përkatëse..”

    E pra per ke ka kujtese e di jo me larg se 2 vite me pare ju keni qene vete ushqyesi i kesaj filozofie kur ne artikullin tuaj KRUSHQI TË ZEZA, VOTA TË BARDHA te dates 10 prill 12013 shkruanit se “Prandaj ftesa për të votuar me fletë të bardhë, siç po ofrohet në momentin e tanishëm, është objektivisht pjesë e fushatës elektorale të PD-së; meqë synon të pakësojë elektoratin e majtë, t’i heqë koalicionit të majtë zgjedhësit e lëkundur, ose të gjithë ata qytetarë të majtë, që ende shpresojnë se politika mund ta ruajë, të paktën, moralitetin e vet.

    Prandaj, në rrethanat kur sistemi nuk mund të refuzohet me grevën e votës, as me ndonjë formë tjetër të mosbindjes civile – meqë asnjë forcë politike madhore nuk e kërkon këtë – atëherë zgjedhja duhet bërë midis konsakrimit të grupit Berisha edhe katër vjet të tjera në pushtet dhe alternativës për të sjellë në pushtet dikë tjetër; qoftë edhe çiftin e shumëpërfolur Rema, në krye të një koalicioni që, për fat të keq të moralitetit politik si të tillë, mbetet i vetmi që mund të largojë, nga institucionet, shkaktarët e dështimeve të shtetit shqiptar në këto tetë vjet.”

    Megjithate ne Shqiperi shumica e lexuesve jane te pakujdesshem e me kujtese te shkurter keshtu qe mund ta hidhni vallen si t’ju vije me per mbare.

    1. Z. Nelaj,

      Z. Vehbiu mund të ketë alibinë e Adenauerit, i cili iu përgjigj një herë një gazetari, i cili i kontestoi mendjen e sotme me atë që kishte thënë vetë ca ditë më parë, përgjugje që ishte: “E ç’më intereson më mua llomotitja e djeshme”. Në një rast tjetër ai përgjigjej: “Unë jam tani më inteligjent se dy vite më parë”.

      Mundësia e zhvillimit i duhet lënë kujtdo, përndryshe e dënojmë tjetrin me gojëmbyllje.

  3. Meqë ju, zotëri, e keni kujtesën të gjatë, atëherë me siguri do ta mbani mend edhe që në këtë blog, gjatë viteve, ka pasur një numër shkrimesh prej meje kundër partitokracisë.

    Ja disa prej tyre, sa për freskimin e kujtesës suaj:

    https://peizazhe.com/2015/06/18/partite-ne-feste/

    https://peizazhe.com/2015/05/05/dy-krimba-shume-krimba/

    https://peizazhe.com/2015/04/19/zgjedhje-apo-gare/

    https://peizazhe.com/2011/06/24/partite-dhe-qytetari/

    https://peizazhe.com/2011/06/19/kunder-partitokracise/

    https://peizazhe.com/2011/03/21/partite-dhe-parate/

    https://peizazhe.com/2009/03/31/makijazhi-pluralist/

    https://peizazhe.com/2009/03/11/demokraci-e-perkthyer/

    Në vend që të merreni me mua, ri-lexojini këto shkrime, se mbase mësoni ndonjë gjë të re.

    Nga ana tjetër, shkrimit që citoni ju nuk do t’i hiqja asgjë as sot, sepse ai lidhej me një moment kritik të fushatës elektorale, kur nuk ishte koha të hapej debati për partitokracinë.

    Le të mos e ngatërrojmë taktikën me strategjinë. Dhe le të mos e shndërrojmë objektin e këtij debati nga ngjarjet në Tiranë te konsistenca e qëndrimeve të mia në kohë. Unë jo vetëm që i mbaj mend qëndrimet e mia në kohë, por kam edhe eksperiencë në marrëdhëniet me trollët si ju.

  4. Une mendoj se prania e partive ne protestat qytetare eshte rezultat i zhvillimeve te “demokracise se imponuar” ne Shqiperi. Duan apo jo, kush organizon protesta qytetare do te kaloj patjeter nga “oborri” i partise opozitare sepse ne malet tona per te kaluar do shfrytezosh shtigjet e keto i kane zene partite. Demokracia nuk ka krijuar autostrada e mundesi te shumta, cdo levizje edhe se duket kundra partive per momentin eshte e frymezuar e mbeshtetur nga ato. Kujtoj Mjaft-in ose levizje te tjera.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin