PARTITË NË FESTË

Thirrja e fundit për votën, partitë bllokojnë Tiranën sot dhe nesër, lexoj sot në krye të sajtit të gazetës Dita.

Edhe pse pa dashur, titulli më konfirmon çfarë e kemi denoncuar këtu në blog prej kohësh: që në Shqipëri partitokracia e ka zënë qytetarinë për fyti.

Capture

Zhurma shurdhuese e kësaj fushate i ka lënë njerëzit pa fjalë: gazetat, Interneti, Facebook-u, televizionet në shtëpitë e njerëzve dhe në lokale, mitingjet në vende publike, hapësira e ndotur nga posterat dhe ngjyrat e fushatës elektorale.

Kush ndalet për një çast dhe i “reseton” shqisat, do ta vërejë menjëherë se kjo party e partive ka tejkaluar tashmë çdo përpjesëtim logjik.

Fushata është shndërruar në një manifest katramaje të vullnetit të partive për pushtet, i cili i ngjitet në fytyrë dhe i rëndon në gjoks publikut tashmë të lënë pa mbrojtje.

Nuk dua të gjykoj se pse mediat janë bërë bashkëfajtore në këtë farsë; ngaqë paguhen prej palëve në fushatë ose varen prej parasë elektorale; ose ngaqë kujtojnë se vërtet kjo është mënyra për t’i shërbyer publikut si pushtet i katërt.

Ndoshta do ta teproja, sikur t’u kërkoja – këtyre mediave – që të mos ndjekin nga pas tam-tamet e propagandës partiake, si fëmijët qëmoti bandën festive të dielën, por të dalin nga parada, të rregullojnë frymëmarrjen dhe të fillojnë ta ndihmojnë publikun të kuptojë se çfarë është duke ndodhur pikërisht.

Ka dy muaj që Tirana dhe mbarë Shqipëria shungullon nga thirrjet për votën; aq sa duket sikur gjithçka tjetër civile, sociale dhe publike në atë vend është ndalur dhe po mban frymën.

Zgjedhjet lokale kanë rëndësinë e tyre, por kësisoj të fryra dhe të pompuara deri në denatyrim, japin efekt të kundërt; duke u provuar atyre që kanë sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar, se këtu nuk bëhet më fjalë për asgjë lokale dhe aq më pak komunitare, por për shtrirjen kapilare të partitokracisë anembanë vendit.

Dëshira për pushtet i ka kaluar madje edhe kufijtë e arsyes individuale, për t’u shndërruar në rutinë dhe për të kapur në mekanizmat e veta deri edhe vullnetet e liderëve partiakë.

Mediat, në masë të madhe, i kanë komentuar të gjitha këto sikur të bëhet fjalë për një moment vendimtar në historinë e Shqipërisë, në mos të Ballkanit dhe të botës mbarë.

Në fakt, rezultatet e zgjedhjeve mund të kenë rëndësi të madhe për dinamikat e brendshme partiake dhe marrëdhëniet e partive mes tyre; por kjo nuk përkon gjë me ndonjë interes të publikut.

Njerëzit kërkojnë vende pune, stabilitet ekonomik, liri qarkullimi, mjedis më të pastër dhe të gjelbëruar, shkolla të mira për fëmijët, shërbime shëndetësore minimalisht dinjitoze, hapësira kulturore dhe komunitare, kontroll të kriminalitetit dhe të korrupsionit; dhe sidomos e normalisht duhej të kërkonin që oktapodhi partitokratik t’ua hiqte tentakulat nga qafa.

Dhe nuk ka pse të përfshihen, me kaq pasion dhe histeri, në përpjekjet irracionale të partive për të kapur dhe konsoliduar pushtetin, qendror dhe lokal.

Kur bisedon me ta, shumë të thonë se e kanë fikur televizionin, nuk e blejnë gazetën, nuk e shfletojnë Internetin, përveçse për të parë fotografi bebesh ose kotelesh, nuk hyjnë në FB vetëm për të bërë like; por kjo indiferencë nuk është veçse shkalla zero e protestës kundër partitokracisë.

Në të vërtetë, partitë po i kontrollojnë individët duke i shantazhuar në nevojat e tyre më jetike: që nga sigurimi i një vendi pune. Mediat e dinë këtë dhe megjithatë janë bërë dhe mbeten pjesë e procesit amshues të partitokracisë.

Ky proces nuk mund të sjellë veçse rrënim, politik ekonomik dhe social, në afat të mesëm dhe të gjatë; sikurse e ka treguar historia në vende të tjera me tradita demokratike dhe pluraliste më të konsoliduara se Shqipëria.

Nëse mediat duan të luajnë atë rol që u takon në një shoqëri pluraliste dhe që pret prej tyre qytetari, le të fillojnë me zbardhjen e burimeve financiare të kësaj fushate elektorale dhe të rrugëve e mënyrave si do të shlyhen shpenzimet astronomike të palëve.

Në gjendjen ku ndodhet ekonomia shqiptare, shpenzimet financiare dhe shpirtërore të fushatës së zgjedhjeve lokale nuk mund të përligjen me asnjë argument dhe asnjë kauzë madhore.

Nëse partitë mund t’ia lejojnë vetes aq amoralitet, sa ta konsiderojnë kapjen dhe mbajtjen e pushtetit qëllim në vetvete dhe të vetëmjaftueshëm; qytetari duhet të ushtrojë të drejtën e vet legjitime, për t’i marrë ditë e natë në pyetje rreth kësaj travestie të pluralizmit.

Ky do të ishte edhe rasti i mirëpritur për mediat, që të dëshmojnë se nuk e kanë përqafuar ende plotësisht trinitetin e interesave partitokratike, klikimeve dhe pornografisë.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin