PARTITË DHE QYTETARI

Të hënën, më datë 21 qershor 2011, botova në Shekulli një opinion në lidhje me partitokracinë ose sundimin asfiksues të partive politike në jetën e shoqërisë shqiptare. Shkrimi kish dalë më parë në blogun Peizazhe të fjalës, me titullin “Kundër partitokracisë”; redaksia e Shekullit pa të arsyeshme t’ia ndërronte titullin në “A na duhen partitë politike”, duke ia modifikuar pak synimin dhe impaktin, edhe pse pa dëm.

Në të vërtetë, edhe në pyetjen “A na duhen partitë politike”, thelbësor është ajo trajta e shkurtër përemërore “na”, e cila përfaqëson publikun ose qytetarët; meqë përndryshe partitë politike në Shqipëri, si në çdo vend tjetër demokratik, u duhen atyre që i kanë organizuar dhe i përdorin, për qëllimet e tyre të ligjshme. Prandaj pyetja ime kishte më tepër të bënte me raportin midis këtyre organizatave masive dhe publikut, sesa me domosdoshmërinë e ekzistencës së tyre.

Ky raport shprehet në mënyra të ndryshme. Tradicionalisht, partitë politike i kanë shërbyer transmetimit kapilar dhe sistematik të mesazhit politik nga qendra në periferi, nga maja e piramidës në bazë, nga militantët te të paangazhuarit; sikurse i kanë shërbyer organizimit të veprimit politik masiv. Sot funksione të tilla i mbulojnë më së miri mass mediat. Nuk ka nevojë që, bie fjala, funksionarët partiakë të zbresin në bazë si komisarët qëmoti për të përçuar vendimet e një plenumi ose konference ose kongresi, sepse për ta bërë këtë u mjafton të dalin në televizion, ose më mirë akoma, të dërgojnë atje një videokasetë të pararegjistruar. Brezat e rinj përdorin gjithnjë e më gjerësisht, me të njëjtim funksion dhe për të njëjtin qëllim, Internetin dhe rrjetet sociale, ku jo rrallë veprojnë me zell të madh edhe partiakët vetë.

Nga ana tjetër, raporti i publikut me partitë politike shprehet në financimin e këtyre organizatave me fonde publike. Tani, nëse qytetari vëren se partitë politike janë rritur tej mase, duke rrezikuar t’i zënë frymën shoqërisë civile dhe vetë iniciativës politike; e duke u shndërruar në instrumente të thjeshta për marrjen dhe mbajtjen e pushtetit dhe për imponimin e vrazhdë të politikave të kuadrit në kuptimin që asnjë jastëk karrikeje nuk mund të ndërrojë vend pa miratimin dhe uratën e tyre, atëherë qytetari ka të drejtë të reagojë duke kërkuar që këtyre organizatave të mos u jepen më fonde nga paraja publike.

Synimi, në këtë rast, do të ishte ripërmasimi ose riformatimi i partisë politike, jo dëbimi i saj nga skena. Nuk ka asnjë të keqe që partia të mbështetet me kuotizacionet e anëtarëve dhe kontributet e të interesuarve ose të fondacioneve private, siç mbahen gjallë klubet e tenisit, rotarianët, ose shoqatat e peshkatarëve. Madje administrimi i përkorë i financave do t’i bënte atëherë partitë të mendoheshin mirë, para se t’i bënin paratë tym me shpenzime elektorale marramendëse, ose duke ndërtuar dhe mbajtur zyra luksoze pothuajse si të korporatave në Londër e në Frankfurt dhe komitete llamburitëse me flamuj valëvitës lavdie në çdo cep të Shqipërisë, si PPSh-ja e dikurshme.

Më kundërshtuan, në këtë pikë, duke më kujtuar se ashtu partitë do të binin në kthetrat e biznesit privat; edhe pse biznesi privat dhe partitë dihet se edhe tani veprojnë së bashku dhe hanë në një çanak. Tek e fundit, është më mirë ta dimë, bie fjala, që aksh kandidat ose deputet mbështetet financiarisht nga kompania “Lundra dhe trape”, në mënyrë që të mos habitemi kur ky të ngrihet e të propozojë në parlament lehtësira për transportin e brendshëm ujor të udhëtarëve, çfarë përndryshe, ose në rrethanat e sotme, do ta kishte bërë duke e paraqitur këtë si nevojë publike të ngutshme, ose ndërmarrje me valencë kombëtare patriotike.

Atë farë tradite që ekzistonte në Shqipëri, për partitë politike, e shkërmoqi përfundimisht eksperienca totalitare, e cila solli në kulturën politike traditën e re të një partie lubi, e cila kontrollonte gjithçka, në emër të ruajtjes së pushtetit. Nëse partitë politike sot në Perëndim vazhdojnë të jenë aktive edhe për inerci të strukturave dhe formulave të djeshme të veprimit politik, në Shqipëri kjo inerci, në atë masë që ekziston, është fund e krye toksike, meqë i referohet totalitarizmit – jo në përmbajtje, por në synimet; sa kohë që partia merr përparësi madje ekskluzivitet të pamerituar në përfytyrimet dhe veprimet politike të subjekteve politike. PPSh-ja vërtet nuk jeton më, por kulti totalitar i Partisë, me P të madhe, ka mbijetuar dhe kërcënon ta rrënojë politikën.

Përndryshe, organizimin e lirë të qytetarëve, edhe për synime mirëfilli politike, e mbron kushtetuta si një nga të drejtat civile themelore; prandaj ndërhyrja ime kishte të bënte jo me “ndalimin” e partive politike, siç u kuptua nga ndonjë koleg gabimisht dhe pa të drejtë, por me ripërmasimin e tyre nëpërmjet shkurtimit të financimit publik.

Raportet e politikës shqiptare me publikun, sot, ndërmjetësohen rregullisht nga bizneset dhe nga mass mediat; me këto të fundit që gjithashtu mund të strukturohen si biznese, private ose publike. Kundrejt edhe bizneseve, edhe mediave, partitë politike shfaqen si formacione në thelb parazitare sa kohë që përfitojnë nga fondet publike; parazitare jo sepse nuk bëjnë punë, por sepse nuk bëjnë ndonjë punë të tillë që të përligjte financimin e tyre me paranë publike – ndryshe nga, bie fjala, shkollat ose spitalet ose policia ose pastruesit e rrugëve.

Meqë flasim për fonde publike, të mos harrojmë se arka e shtetit shqiptar është kaq e zbrazur, sa spitalet publike nuk janë më në gjendje as të blejnë barna për të sëmurët e shtruar atje dhe vetë qeveria Berisha kërkon të nxjerrë në shitje florinjtë e gjyshit: hidrocentralet, rrugët kombëtare, nesër ndoshta edhe vargmalet dhe shpellat. Është e papranueshme që, në këto rrethana, të shpenzohen miliona lekë për spote televizive, koncerte dhe postera me fytyrat e një klase politike që nuk e ka përligjur vetveten – lekë të cilat, të paktën pjesërisht, vijnë nga kontributet e qytetarëve. Një qeveri dhe një shtet që nuk kanë pará të sistemojnë shërbimet publike elementare dhe vijojnë të thellojnë borxhin e jashtëm, nuk kanë arsye as fytyrë të financojnë flamurët dhe fishekzjarrët dhe shampanjën e partive politike.

Ideja ime – sado utopike dhe naive siç mund t’i jetë dukur dikujt – është që partitë politike të ripërmasohen, sepse kështu siç janë mufatur e ngjallur, po i zënë frymën shtetit dhe institucioneve të shoqërisë civile në Shqipëri, duke e shndërruar realitetin shqiptar kompleks dhe problematik në një laps kuqeblu nga ata të lashtit.

Kjo nuk është ndonjë ide kaq origjinale, së paku në debatet politike që zhvillohen në Perëndim. Mjaft të përmend se në Itali, duke filluar që nga vitet 1990 dhe deri në ditët e sotme, ka forca politike të rëndësishme që luftojnë për të njëjtin efekt: ndërprerjen e financimit publik të partive. Edhe në Shqipëri, problemin e partitokracisë e kanë cekur tani vonë Rexhep Mejdani dhe, veçanërisht Afrim Krasniqi; pa folur për të gjithë ata mijëra e mijëra qytetarë të cilët e ndiejnë, por nuk e kanë nyjëtuar akoma në termat e mi.

Natyrisht, nuk mund të pritet që një parlament tërësisht i kontrolluar nga partitokracia, të votojë ligje që ripërmasojnë forcën dhe shtrirjen e partive në jetën politike dhe shoqërore; prandaj një objektiv i tillë mund të arrihet vetëm me referendum. Në vitin 1993, Partia Radikale në Itali arriti ta fitojë një referendum me këtë temë, por vetëm një vit më pas parlamenti italian e rifuti nga dritarja çfarë ishte dëbuar nga dera dhe riautorizoi rimbursimin e shpenzimeve elektorale për partitë politike (financimi publik për partitë u rivendos në vitin 1997, me gjithë protestat e radikalëve); gjithsesi, që nga ajo kohë, qytetari italian ka filluar ta shohë me sy tjetër çështjen e financave të partive. Një gjë është e sigurt, qoftë edhe nën dritën e përvojës italiane: partitokracia, si formë e diktaturës, mund të kundërshtohet vetëm nëpërmjet veprimit politik jashtë statu quo-së partiake.

Shënim: Ky shkrim u botua dje në Shekulli. Pjesë të tij janë marrë nga komentet e mia në temën e mëparshme në blog, pjesë të tjera janë origjinale.

Ndërkohë, lexuesit të interesuar për temën, i sugjeroj të lexojë përshëndetjen e lamtumirës së presidentit amerikan George Washington, shkruar pak para se këtij t’i skadonte mandati i dytë.

Teksti është mjaft i njohur në ShBA, ndoshta më pak në Europë dhe akoma më pak në Shqipëri. Në të presidenti Washington flet, ndër të tjera, edhe për rrezikun e partive politike, të cilin ai e sheh të lidhur me rrezikun e përçarjes së unitetit kombëtar dhe gjeografizimin e politikës.

Edhe pse ai e pranon që është e natyrshme për njerëzit të organizohen në grupime me natyrë politike, ai gjithashtu vëren se sundimi i alternuar i një partie ndaj një tjetre dhe përpjekjet për të marrë revansh ndaj kundërshtarëve kanë çuar në forma të “despotizmit të frikshëm”, i cili me kohë mund të bëhet formal dhe i përhershëm.

Sipas autorit, prirja e partive politike drejt despotizmit të përhershëm vjen ngaqë ato, me kalimin e kohës dhe “gradualisht priren t’i bindin njerëzit që të kërkojnë qetësi dhe siguri në pushtetin absolut të një individi.” “Një zjarr që nuk duhet shuar,” thotë presidenti i parë i ShBA, “por që kërkon vigjilencë të vazhdueshme që të mos përhapet shumë, sepse ashtu, në vend që të ngrohë, do të shkatërrojë.”

Washington-i gjithashtu e pranon që partitë ndonjëherë janë të dobishme, ngaqë promovojnë lirinë brenda monarkive, por argumenton pastaj se partitë politike duhet të kufizohen nga një qeveri e zgjedhur nga populli, për shkak të prirjes së tyre që t’ia tërheqin qeverisë vëmendjen nga detyrat e veta, të krijojnë xhelozi të pabazuara mes grupeve dhe rajoneve, të ngrenë alarme të rreme mes njerëzve, të nxitin trazira dhe kryengritje dhe t’u japin shteteve dhe interesave të huaja akses në qeveri, në mënyrë që ato t’i imponohen pastaj vendit.

[përmbledhjen më sipër e kam përkthyer shpejt e shpejt nga artikulli përkatës në Wiki.]

Nuk ka komente

  1. Problemi eshte tek sistemi.
    Ketu dhe jo vetem partite perfaqesojne interesa qe fillojne nga hesapet shumemilioneshe per disa dhe mbarojne me nje cope vendi pune per te tjere.
    Po te shohesh vetem perqindjen e popullsise qe voton kupton se votohet vetem per mbrojtjen e interesave ( vendit te punes) nga njeri krah dhe per perfitimin ( vendit te punes) nga krahu tjeter. 50% tjeter thjesht nuk voton. Dhe ky 50% jo vetem qe nuk perfaqesohet, po as qe ka mundesi te perfaqesohet, edhe sikur te votoje.
    Nga ana tjeter nuk shoh ndnj mundesi per ndryshime kushtetuese qe t’a zgjidhin kete pisllek sepse opozita dhe pushteti dine shume mire te behen grusht bashkuar ne raste kur ju intereson.
    Kujdes xhaxha! Druaj se nqs keto artikuj mbi partitokracine, merren seriozisht nga publiku shqiptar ( gje qe s’ben vaki se duhet nje minimum mendjeje per kete) dikush mund t’i interpretoje si thirrje per revolucion

    1. Në fakt, nëse dikush do t’i merrte si thirrje për të bërë diçka, fjala kyçe nuk është revolucion, por referendum.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin