FATI I KORISTIT

 

Për Ramadan G., mësues i lëndës së muzikës në shkollën tetëvjeçare “Fitorja e Kongresit”, thuhej se sillej jashtëzakonisht ashpër me fëmijët e pabindur, kryeneçë, të padisiplinuar, gojëprishur dhe trazovaçë, jo në sy të të tjerëve, por kur i fuste në një kthinë të vogël që ia kishin dhënë për të mbajtur dy tre mandolina të pluhurosura herë me tela e herë pa tela, dhe një fizarmonikë pak të shpuar, së cilës edhe nuk i punonte njëra prej Fa-ve.

Përndryshe prof. Ramadani dukej nga pamja si shpirt njeriu – pak i rrumbullakët, me sy bojëqielli, me këmishë pupline të bardhë të vjetër e kravatë kokërrjepur nga qimet e mjekrës, gjithnjë i skuqur në fytyrë, ndoshta sepse i këndej ta kthente ndonjë gotë mbrëmjeve, përndryshe i vetmuar dhe ëndërrimtar, me ballin e vogël gjithnjë të rrudhur, si ftua të vjetër.

Flitej edhe se profesorit i pëlqente që, pasi t’i siguronte viktimat e veta në të vetmen karrige kërkëllitëse në kthinë, t’i godiste në shpinë dhe në krahët me një vizore prej çeliku inoks, dhe t’u shkulte cullufet e flokëve që u vareshin anash veshëve të flakëritur. Mësueset e shkollës, kur u vinte në majë të hundës nga prapësitë e fëmijëve, i kërcënonin se do t’i çonin te prof. Ramadani; recidivistëve gjithnjë u thuhej se ishin bërë për dhomën e muzikës; dhe kur profesori kalonte me çap të ngadaltë në oborr të shkollës, e rrethonte një hapësirë heshtjeje, fëmijëve u ngecte në fyt buka me vaj e me sheqer, të tjerët ndalonin futbollin ose lojën ngriva-shkriva, ose zbrisnin me të shpejtë nga muri ku kishin hipur për t’u freskuar. I vetëdijshëm për pushtetin e vet të natyrshëm, prof. Ramadani e ruante pamjen hijerëndë derisa futej në kthinën e vet, ku ndoshta e kalonte kohën duke pastruar dhe vajisur instrumentet e torturave.

Pastaj një ditë prej ditësh erdhi urdhër nga seksioni i arsimit për t’i çuar fëmijët e shkollës në një shfaqje të Ansamblit të Këngëve dhe të Valleve, për të cilën kishin mbetur biletat pa u shitur. Kur u ngrit perdja, të gjithë vunë re se një nga koristët e ansamblit qenkësh prof. Ramadani dora vetë, i veshur me kostum popullor e me qeleshe të bardhë si bora në kokë. Të pranishmit në sallë qeshën.

Kur i erdhi radha korit për të kënduar, të gjithë e njohën zërin e fortë prej tenori të prof. Ramadanit mes zërave të tjerë anonimë, gjatë këngës “o mi kumrije, mi gush-pëllumbe”. Të pranishmit në sallë qeshën përsëri, aq fort, sa u desh të ndërhynte personeli i teatrit. Që nga ai moment, histerinë e të qeshurave nuk e ndalën dot më, me gjithë pauzat e shkurtra gjatë valleve me tupan dhe këngëve majekrahi.

Të nesërmen, në shkollë nuk bisedohej për asgjë tjetër. Kur hyri prof. Ramadani në oborr, me çantën e vet të vjetër nën sqetull, çunat kënduan “o mi kumrije, mi gush-pëllumbe”, ndërsa gocat qeshën. U tha se edhe në sallën e mësuesve kishin qeshur nën zë, derisa kishte ndërhyrë drejtoresha e shkollës, Vefi P, xitelë e fishkur dhe autoritare. Të qeshurat vijuan edhe gjatë orëve të mësimit. Zana V., mësuese e matematikës, i kërcënoi disa fëmijë që nuk po pushonin së kukurisuri, se do t’i çonte fjalë prof. Ramadanit; nuk kishte ditur gjë për incidentin e një nate më parë, prandaj mbeti gojëhapur kur, pas kërcënimit pothuajse rutinë, fëmijët desh ishin mekur.

Vetë profesorin e panë të pastronte me zell të madh kthinën e vet, të nxirrte një tog me libra të vjetër dhe partitura në korridor, dhe më në fund të hidhte një gjysmë kitare në plehra, së bashku me vëllimin e dytë të romanit “Tri ngjyrat e kohës”. Më pas nuk e ndeshi kush më. Orët e muzikës iu besuan një mësueseje zëvendësuese, së cilës i vinte era borzilok nga gusha e bardhë prej pëllumbi. U tha se prof. Ramadani kishte shkuar në seksion të Arsimit dhe kishte kërkuar të transferohej nga shkolla “Fitorja e Kongresit”, për arsye personale; u tha edhe se e kishin shkarkuar me ceremoni, pasi prindët e një fëmije të rrahur paq në dhomën e muzikës ishin ankuar në organet përkatëse, duke vënë në dukje se në shtetin e proletarëve dhuna fizike ndaj fëmijëve nuk duhej toleruar.

 

1 Koment

  1. Me kujtoi nje moment ku vihet ne raport “grupi” me individin.Ne nje fushe te gjelberuar pranverore nje pele,e cila gjendej nen peshen e nje kali,hapte dhe mbyllte gojen nga kenaqesia.Nje grup te rritursh qe po shikonin skenen ne ne menyre te pavullnetshem benin te njeten levizje ne gojet e tyre,ndersa nje grup femijesh pak me tutje qeshnin.Individi pele nuk donte t’ja dinte,vazhdonte ne kenaqesine e saj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin