Fashizmi i rivështruar

Kur flasim për fashizmin në historinë e Shqipërisë duhet të kemi kujdes e të mos biem robër të fjalëve që përdorim. Fashizmi në Shqipëri është më shumë një shkurtesë praktike që i referohet periudhës kur Italia e Mussolini-t dërgoi ushtritë në Shqipërinë e Mbretit Zog dhe e shndërroi këtë në një provincë të perandorisë. Përndryshe, fashizmi është një doktrinë politike dhe një formë pushteti që ishte tipik për Italinë e Duce-s, e deri një një farë shkalle për ca vende të Evropës Lindore në periudhën midis dy luftrave, e për një numër vendesh të Amerikës Latine pas Luftës së Dytë, pa përmendur Spanjën e Portugalinë deri në vitet 70 e të tjera shtete – por jo për Shqipërinë. Si formë regjimi, fashizmi është i mirënjohur, dhe përgjithësisht besohet se konsiston në pranimin e epërsisë absolute të Shtetit ndaj individit, në darvinizmin social të aplikuar në marrëdhëniet ndërkombëtare (shtetet ose kombet e dobëta janë të destinuara të skllavërohen dhe/ose të zhduken), kultin e një udhëheqësi totalitar që mishëron idealet kombëtare, kultin e kombit e të kombëtares, kultivimin e një strukture sociale ku klasat të kenë pozicione e role të kristalizuara mirë dhe strukturimin e shtetit vetë në bazë të këtyre diferencave klasore (korporativizmi), militarizimin e ekonomisë në emër të luftës dhe rregullimin e planifikuar të ekonomisë (proteksionizmin), e më në fund ndërthurjen e afarizmit me pushtetin politik dhe të pushtetit politik me afarizmin. Të gjitha këto dihen.

Kuptohet se dukuri të tilla në Shqipërinë e viteve 1939-1943 ose nuk ka pasur fare, ose ka pasur, por vetëm në trajta embrionale. Si doktrinë politike fashizmi në Shqipëri kishte ithtarët e vet ku më të hapur e ku më të drojtur që në kohën e Zogut, të cilët shiheshin me indulgjencë e herë-herë me simpati të hapur, në pajtim edhe me barometrin e marrëdhënieve midis Tiranës dhe Romës; por nuk më rezulton që këta flamurtarë të idesë fashiste në Shqipëri, madje as edhe vetë partia fashiste shqiptare kur u krijua më pas, të kenë luajtur ndonjë rol vendimtar në përcaktimin e tipareve të sundimit italian në Shqipëri. Ato ndryshime, reforma e transformime që ndodhën në ekonominë shqiptare gjatë atyre viteve nuk kanë të bëjnë me vendosjen e ndonjë regjimi fashist në Shqipëri, por vetëm me përgatitjen e Shqipërisë për ta përdorur si kryeurë të synimeve ekspansioniste të Italisë fashiste në Ballkan – që këtej edhe ndërtimi i ethshëm i rrugëve dhe në përgjithësi i infrastrukturës, e një sërë masash të tjera ekonomike që do të vlenin sidomos në momentin kur trualli shqiptar të shërbente si prapavijë e ushtrive të Impero-s në luftrat legjendare për “zaptimin” e Ballkanit. Pikërisht në këtë kuadër përgatitjesh për luftë unë do të futja edhe “restaurimin” aq demagogjik të së ashtuquajturës “Shqipëri etnike”, pavarësisht se ç’pasoja praktike pati kjo në psikologjinë popullore.

Prandaj edhe këto transformime – të mira a të këqia qofshin parë nga “lartësitë” e të sotmes – është mirë t’i konsiderojmë si pasoja të tërthorta të fashizmit italian dhe të drejtpërdrejta të pushtimit nga një fuqi e madhe; në kuptimin që Italia e pushtoi Shqipërinë sepse regjimi fashist i Mussolini-t synonte rikrijimin e Perandorisë Romane, por ato që ndodhën më pas nuk kishin shumë lidhje me natyrën e regjimit në Romë. Italianëve nuk u bëhej dhe aq vonë nëse regjimi politik në Shqipëri ishte fashist apo jo; sepse qeveria e Tiranës, në sytë e Romës, ishte krejtësisht e parëndësishme. Italia fashiste vërtet kishte synime të vetat për të realizuar në Shqipëri, por fashistizimi i vendit nuk më rezulton të ketë pasur ndonjë farë përparësie në këtë mes.

Një tjetër ngatërresë së cilës them se duhet t’i ruhemi është ajo midis fashizmit dhe nazizmit. Këto dy forma regjimi dhe doktrina politike kanë pika të përbashkëta, por edhe dallojnë qartas nga njëra-tjetra, dhe jo thjesht ngaqë fashizmi ishte më tepër italian dhe nazizmi më tepër gjerman. Ushtritë e Hitlerit erdhën në Shqipëri tepër vonë për të pasur kohë nazistët të ndërmerrnin ato veprime të cilat ua kishin nxjerrë tanimë namin në mbarë Evropën; e sidomos erdhën në një kohë kur gjermanëve u kishte filluar zbythja e madhe në drejtim të Berlinit. Ndryshimi këtu është themelor: ndërsa Mussolini e pushtoi Shqipërinë në një kohë kur Italia fashiste ishte në kulmin e shkëlqimit të vet ushtarak dhe ekonomik dhe po gatitej për të hyrë në luftë botërore, ushtritë e Hitlerit erdhën në Shqipëri në një kohë që Gjermania naziste kish marrë tashmë rrokullimën. Njëkohësisht, siç e përmenda edhe më lart, Mussolini kishte plane për Shqipërinë që shkonin deri në italianizimin e saj, ndërsa Hitleri nuk më rezulton ta ketë vrarë ndonjëherë mendjen për “arianët” e Ballkanit, siç e quanin veten aq trishtueshëm ca superpatriotë të Tiranës në vitin 1944.

Natyra e fashizmit si ideologji dhe praktikë politike; pasojat e fashizmit për Italinë dhe vendet e tjera të perandorisë; natyra e pushtimit fashist në Shqipëri para dhe pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore; ndikimi i pushtimit fashist në ekonominë shqiptare; perceptimi i regjimit fashist nga masat popullore në Shqipëri; manipulimi i realitetit të pushtimit fashist nga ana e grupeve subversive komuniste; kompromentimi i elitave shqiptare tradicionale nëpërmjet bashkëpunimit me një fuqi pushtuese që, për më tepër, kapitulloi në vitin 1943 e u rendit ndër humbësit e Luftës; Shqipëria “e Madhe” dhe problemi i Kosovës pas vendosjes në Shqipëri në 1945 të një regjimi të kontrolluar nga Beogradi; më në fund, nostalgjia për kohën e fashizmit të të gjithë atyre që ishin ndier më mirë atëherë sesa nën regjimet e Zogut, përkatësisht Hoxhës – të gjitha këto tema janë mjaft për të mbushur një bibliotekë me disertacione; por mua më duket se diskutimet e tanishme për fashizmin sikur po priren të përqendrohen në perceptimin e realitetit të pushtimit dhe nostalgjinë për modelin social dhe ekonomik që u përpoq Roma të zbatonte për ato pak vite kur pati kontroll të plotë mbi Tiranën. Mirëpo a nuk ishin vallë ripërtëritja ekonomike dhe përmirësimi i ndjeshëm i kushteve të jetesës në Shqipërinë e viteve 1939-1941 artificiale dhe më shumë nxitje a përpunim shpirtëror që u bëhej shqiptarëve për ta përqafuar idenë e renoncimit të pavarësisë, sesa pasoja të integrimit ekonomik në perandori?

Pasoja psikologjike vendimtare e aneksimit të Shqipërisë së pavarur nga Italia e Musolinit ishte restaurimi i një gjendjeje nga e cila Shqipëria nuk kish dalë veçse një çerek shekulli më parë; pse provincë e një perandorie kishte qenë deri në 1912-ën, dhe provincë perandorie u bë në 1939-ën. Një luftë botërore (e para), një mbret i importuar dhe i pafat (Vidi), një mori kryeqytetesh (Vlora, Durrësi, Tirana), një grusht shteti a revolucion populist (i Nolit në 1924), një president disi i improvizuar por pastaj i zgjedhur mbret nga një parlament dashamirës (Zogu) e kishin vënë në provë shumë të vështirë vetëdijën kombëtare të Shqipërisë si entitet të pavarur; elitat me pushtet nuk kishin treguar pjekurinë e duhur, as aftësinë për të mbajtur një shtet të standardeve evropiane; me fjalë të tjera, dukej sikur Shqipëria e kish fituar pavarësinë gabimisht, aksidentalisht a pa dashje dhe nuk kish qenë në gjendje ta administronte siç duhej. Në fund të fundit, pavarësia ka të bëjë me sa janë në gjendje elitat me pushtet të një vendi që të marrin në duar përgjegjësinë e plotë për fatet e vendit vetë; dhe kjo përtej interesave të tyre të ngushta ekonomike e politike, e sidomos përtej lidhjeve familiare, fisnore e klanore. Në rastin e Shqipërisë, kjo lidhej edhe me gatishmërinë reale të këtyre elitave për të qenë njëkohësisht instrument ligjvënës dhe ligjruajtës; me fjalë të tjera, me çlirimin prej tutelës së një autoriteti joshqiptar (jashtëshqiptar) nga i cili autoritet, tradicionalisht e përndryshe, kishte buruar legjitimimi i pushtetit. Unë këtë e shoh si problem jashtëzakonisht të mprehtë për Shqipërinë e periudhës së pavarësisë, meqë në atë kohë elitat ishin ende të trashëguara nga Perandoria Osmane, dhe e shihnin me mosbesim në mos me shpërfillje, autoritetin që përpiqej t’u impononte Zogu – aq liliputisht, po të krahasohej me sulltanin.

Pikërisht këto elita e mirëpritën të parat aneksimin që i bëri Shqipërisë Mussolini, meqë shumë syresh panë te Duce-ja mishërimin e po atij autoriteti perandorak që i kish administruar punët e shqiptarëve deri në 1912-ën; nga ky këndvështrim Duce-ja nuk ishte veçse një version i modernizuar i Portës së Lartë. Andej e tutje, përgjegjësia për Shqipërinë do t’i besohej një agjencie jashtëkombëtare; dhe vetë Shqipërisë do t’i restaurohej statusi prej province perandorake, me gjithë “të mirat e avantazhet” që i shoqëroheshin këtij statusi. Kjo donte të thoshte edhe se në qendër të perandorisë do të merreshin të gjitha vendimet në lidhje me investimet në përgjithësi, ndërtimet, tregjet, hapjen e rrugëve e të hekurudhave, planet e zhvillimit ekonomik, shpenzimet publike (duke përfshirë edhe shkollat) e të tjera probleme e kokëçarje që i kishin rraskapitur elitat turkoshake gjatë njëzet e kusur vjetëve të pavarësisë. Thirrja “Dum Babën” e Haxhi Qamilit më në fund kishte rënë në vesh të dikujt; edhe pse shelbimi i aqpritur kësaj radhe erdhi nga Perëndimi, jo nga Lindja. Me këtë dua të them edhe se fashizmi restauroi figurën arketipale të Sulltanit në psikologjinë kombëtare të shqiptarëve; në mënyrë shumë më të frytshme sesa Zogu, pse ky ishte disi i paekuilibruar në pasionet e veta autoritare, dhe shpesh bëmat e oborrit mbretëror të Tiranës i ngjanin më tepër një vaudeville-i sesa një drame shekspiriane; shqiptarët pas 1912-ës instinktivisht nuk do të mjaftoheshin kurrë me një figurë autoriteti të dalë nga gjiri i elitave kombëtare; pse për shekuj ishin mësuar që këta prijësa e kapedanë e bajraktarë lokalë t’i konsideronin jo më tepër se delegatë a përçues të një vullneti të qendrës tjetërkombëtare.

Edhe vetë ekonomia e Shqipërisë doemos që do të funksiononte më mirë e integruar në një ekonomi perandorake gjigante, siç ndodh rëndom me vende të vogla, që të braktisura në fatin e vet nuk arrijnë dot të dalin nga bataku a prapambetja ekonomike, sidomos kur u ndërpriten injeksionet nga jashtë (khs. fatet e Shqipërisë pas prishjes me sovjetikët në 1961 e sidomos me kinezët në 1977); kjo edhe sepse shpirti i sipërmarrjes ekonomike nuk ka të bëjë vetëm me realitetin ekonomik në një moment të dhënë, as me koniunkturat; por është para së gjithash rezultat i një kulture sipërmarrjeje të caktuar që nuk mund të induktohet me dekrete (khs. dukuritë ekonomike në thelb absurde, në Shqipërinë e viteve 90). Me fjalë të tjera, për mendimin tim perceptimi i atyre pak viteve të pushtimit fashist si vite të një lulëzimi ekonomik për Shqipërinë, dhe nostalgjia përkatëse e shtrirë deri në ditët tona (tanimë në forma folklorike) duan parë, psikologjikisht, si shfaqje të një regresi të vetëdijës kombëtare shqiptare në atë fazë infantile ku ishte dergjur për shekuj me radhë, e nga ku ende nuk mund të thuhet se ka dalë.
[2002]

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: