Shumëkujt do t’i ketë rënë në sy tashmë sa i sundon sentimentalizmi mediat në mëmëdhe, kur është fjala për të përcjellë kronikën e zezë, ose ngjarje të tjera të jetës së përditshme.
Lajme për fëmijë që vuajnë, prostituta të gjetura masakruar buzë xhadesë, ose emigrantë të kallkanosur në borë e të mbytur në det luajnë me dobësinë e publikut për ata të tjerët, që vuajnë përtej – sepse nuk i kanë privilegjet “tona”.
Për t’u çliruar nga kjo ndjenjë faji që i përhihet prej lajmeve, publiku nuk ka rrugë tjetër përveçse ta përvetësojë lajmin në mënyrë sentimentale, duke iu dorëzuar kështu manipulimeve.
Objekt i sentimentalizmit në mediat bëhen rëndom fëmijët – meqë kush tjetër veç këtyre krijesave të brishta e të pafajshme mund të na i eksitojë më shpejt e më frytshëm instinktet prindërore, të përgjegjësisë dhe të marrjes në mbrojtje?
Lajmet për fëmijët janë gjithfarësh: këtu një nëntëvjeçar vetëvaret pas një note të keqe, atje një dymbëdhjetëvjeçare pi fotoksinën pastaj hidhet nga ballkoni sepse kujton se i ka këmbët të shtrembëra dhe nuk ka të ardhme si porn star ose te “Kafazi”; diku një baba pijetar i vrazhdë kryen marrëdhënie me dhunë me të bijën e mitur, për më tepër me prapambetje mendore ose pak të paralizuar; diku tjetër një djalë i vogël sykaltër dhunohet seksualisht pastaj mbytet nga një skizofren kronik faqezi, i cili më pas edhe i shkel syrin kameras së një kanali televiziv nga më kryesorët; një tjetër fëmijë shqyhet më katërsh nga qentë e tërbuar teksa rrëmonte për një kothere bukë në plehrat në periferi të qytetit dhe pastaj vdes ngaqë ambulanca bllokohet në trafik, teksa vëllai i tij me një këmbë hiqet zvarrë për të lypur në bulevard të metropolit; ka fëmijë që shiten dhe fëmijë që blihen; fëmijë që zhduken për t’u servirur tryezave të orgjive pedofilike në Europën plakë; fëmijë që rrëmbehen për t’iu marrë organet e për t’u asgjësuar pastaj në vaska me acid ose në themele betoni të vilave të të fortëve; fëmijë të tretur me leucemi, të cilët dergjen të harruar në dhoma të zymta spitalesh të provincës. Faqja online e njërës prej gazetave nga më të lexuarat ende vijon t’i lajmërojë zhvillimet e skandalit të Gërdecit me foton miniaturë të një kalamani duke qarë, me fytyrë ende të përzhitur nga tymi i shpërthimit dhe zgjyra e “këtij shteti”. Vërtet, Shqipëria e sotme është vend i vrazhdë për të vegjlit; por dhimbjen e tyre e dyfishon mënyra si të miturit instrumentalizohen nga mediat. I njëjti impuls i llogaritur mirë, që i shtyn politikanët të fotografohen me fëmijë në krahë, përdoret pastaj për ta mobilizuar publikun, njëlloj siç mobilizohen grimcat e hekurit në tryezë kur u kalon poshtë tinëz një magnet.
Një tjetër burim i garantuar zemërate sentimentale janë grevat e urisë; sepse uria është gdhendur prej kohësh në kujtesën kolektive të publikut si simptoma e parë dhe më e rënda e varfërisë bruto – uria jote, uria e fëmijëve të tu që ti duhej t’i mbaje me bukë, uria e njerëzve përjashta, e atyre që të kërkojnë lëmoshën dhe atyre të tjerëve që të dalin përpara natën me maskë për të prerë gurmazin; e atyre që presin në radhë për një tas me supë, e atyre të tjerëve që nuk kanë fuqi as të braktisin minderet e të dalin në rrugë, për të lajmëruar botën se janë ende gjallë; uria migjeniane, e atyre të cilët idealisht nuk do të duhej të ekzistonin sepse kanë ardhur në këtë botë si të tepërt; uria e të gjithë atyre të tjerëve të cilëve ua kanë marrë bukën nga goja, sikurse u kanë marrë ajrin, ujin dhe dritën; prandaj edhe na trondit greva e urisë, si vuajtje e rimodeluar në trajta mesazhi; të drejtpërdrejtë por sidomos të përcjellë nga mediat, së bashku me kontornon ngashërimtare përkatëse; aq më tepër kur në grevë urie hyjnë ata të cilët i kishim përfytyruar tashmë si përjetësisht të uritur.
Katastrofat dhe fatkeqësitë, si lajme të mbira vetvetiu në qendër të vëmendjes, janë ngashënjyese për politikanët – edhe pse atyre do t’u mbetet gjithnjë faji, pasi të kthjellohen sytë nga lotët, të vërtetët dhe të rremët. Një palë rendin të shprehin ngushëllimet, të shfaqen me kostume të firmuara në ceremonitë e përmortshme, të hedhin një grusht dhé mbi varret e freskëta, të përqafohen me të afërmit e pangushëllueshëm, të premtojnë drejtësi e zbardhje të krimit, të shpallin zinë kombëtare, të zotohen se “shteti nuk do të kursejë asgjë…”, të zgjidhin qesenë e parasë publike për t’i mbuluar arkivolet me bankënota ndihmash. Megjithatë, ky lloj protagonizmi është shpëlarë e vjetëruar tashmë, çka nuk u ka shpëtuar mediave, të cilat e përdorin kryesisht për të fshikulluar e për t’u thënë të mëdhenjve: nuk ju vjen turp, që e shfrytëzoni fatkeqësinë e tjetrit për t’i kujtuar publikut se jeni ende në kontroll të punëve? Vallë nuk e kuptoni se këto katastrofa e fatkeqësi ndodhin para së gjithash ngaqë shteti nuk funksionon mirë?
Përkundrazi, zgjidhja tjetër, ose tulatja dhe largimi prej kamerave, heshtja nga turpi ose nga dinakëria interpretohen sakaq si indiferencë, ose provë se ata që kemi në krye nuk e çajnë më kryet për të varfërit, të vobegtit, të lodhurit, invalidët, të sëmurët dhe viktimat e përgjithshme.
Një krizë veçanërisht sentimentale krijohet kur ndonjë prej gazetave kryesore merr përsipër të bëjë publike agoninë e ndonjë fëmije të sëmurë me kancer duke kujtuar se ashtu po zotohet për jetën kundër vdekjes, për dritën kundër errësirës, për hyjnoren kundër djallëzores; zakonisht duke vënë një penë kryesore ndër editorialistët t’i drejtohet me një j’accuse pompoze Kryeministrit, Presidentit, ministrit të Shëndetësisë, për t’i kujtuar se diçka duhet bërë për të shkretin fëmijë, për ta dërguar jashtë shtetit për mjekim sa më parë; duke shtuar pastaj, në të njëjtën faqe, një portret të të shkretit baba të plakur para kohe e pa dhëmbë në gojë, i cili e ka humbur punën që prej dy vjetëve; dhe të shkretës nënë të plakur para kohe edhe ajo pa dhëmbë në gojë, e cila nuk ka punuar kurrë përveçse kur i ka rënë bretku për të rritur “një bark fëmijë”; në faqen tjetër një fotomodele e hajthme e quajtur Sulita, Silmana ose Vazelina, të cilën e vesh Puff Daddy ose një balerin me punësim të përkohshëm në vendin fqinj ofron 10 000 euro; çka përdoret pastaj edhe një herë si pretekst për të pështyrë mbi këtë shtet, që i ka braktisur njerëzit në rrugë të madhe…
Ngrihet pastaj një penë tjetër, edhe më e nderuar dhe e sprovuar, për ta ftuar teatralisht Kryeministrin, ose këdo shtetar tjetër të ngatërruar në muhabet, të kalojë një natë në një barrakë “të paligjshme” të Bathores në shoqëri të minjve të gjirizeve dhe pleshtave, të ndajë shtrat me një xërbo të fermentuar në urinën e vet e në grahmat e vdekjes e që nuk ka njeri t’i njomë buzët e rreshkura, ose të shërbejë një ditë të vetme në pavijonin e të sëmurëve terminalë të Onkologjikut që i kanë lënë edhe pa dritë, përveçse pa morfinë; televizionet dërgojnë kamerat për të filmuar hollësi makabre në varrezat dhe tufat me lule fushe të freskëta mbi bankën e shkollës të vocërrakut të sëmurë, që do të bënin për të qarë edhe kameramanët vetë; edhe pse një pjesë e këtyre të fundit mbahen të gatshëm për momentin kur “Mjafti” të inskenojë ose të riciklojë teatrin rrugor përkatës përballë Presidencës ose selisë së Parlamentit; Kryeministri do të vërë në dispozicion më të mirin e helikopterëve të vet… i cili më pas mund të qëllojë të rrëzohet në det për shkak të kohës së keqe, duke ia shkruar edhe një kapitull të ri të padëshiruar telenovelës së lotëve; pa përmendur pastaj atë gazetën tjetër, që të nesërmen do të kujtohej se të gjitha këto i kishte parashikuar pikë për pikë, në kohën e vet, Nostradamus-i.
Dhimbja s’mund të jetë veçse private. E transferuar në faqe të gazetës ose në ekran të televizorit, e transpozuar në tonet e dridhura të korrespondentit live ose në notat për së largu të marshit funebër (rigorozisht të Chopin-it), shndërrohet, pashmangshëm, në instrument pornografik brutal, ose në mashë të ndryshkur por ende të vlefshme për t’ia trazuar prushet e zemrës publikut bashkëfajtor. Nuk ka gjë më të dhimbshme se një fëmijë i sëmurë me kancer; nuk ka përdhosje më të rëndë të kësaj dhimbjeje, sesa afishimi i saj në faqe të parë të gazetës, për të shitur 1000 kopje më shumë, ose për të rrëzuar një ministër çfarëdo nga fiku.
Sentimentalizmi i mediave dhe i publikut mund të ushqehet nga pafajësia brenda nesh, por në vetvete nuk është aq i pafajshëm sa ç’duket. Miti të cilin mbështet e riprodhon është miti i shtetit baba dhe i shtetasve fëmijë e fukarenj e ulokë, që e shohin prindin dhe autoritetin në dritë të syrit për shpëtim. Politikani që, i energjizuar nga blicet e fotokamerave, rend të rrëmbejë një vogëlush në krahë për t’i dhuruar atij dhe botës mbarë buzëngërdheshje nga më ndërplanetaret, është i vetëdijshëm për mitin dhe përpiqet ta kalërojë drejt suksesit; po aq i vetëdijshëm sa ai politikani tjetër, që shkon e përqafohet i përlotur me nënën e minatorit që ka humbur jetën në zgafellë, ose të emigrantit në lule të rinisë që e kanë rrahur e vrarë sepse tundi në stadiumin grek flamurin kuqezi. Sa për publikun, kujt nuk i pëlqen, në thellësi të vetëdijes, të gëzojë vëmendjen që gëzon viktima por pa i provuar drejtpërdrejt vuajtjet dhe dhimbjet? Vallë nuk identifikohemi të gjithë me prindët e fëmijës së abuzuar seksualisht, ose të kapitur nga sëmundja vdekjeprurëse? Nuk na merren vallë mendtë tek lëkundemi e lëvirremi midis tmerrit për çka mund të na kish ndodhur fare mirë edhe neve, dhe lehtësimit se çka u ka ndodhur tashmë të tjerëve, na e ul vetvetiu probabilitetin e rrezikut vetjak?
Xhaxha i dashur,
shife pak me pragmatizem kete ceshtjen e berjes publike te nje shqetesimi (HALLI) familjar te dikujt qe nuk i ka mundesite…
Gjithe cfare dedukton qendrojne, por nga ana tjeter, mua me vlen me shume fakti qe ajo vajza u nis drejt Italise, qofte edhe si shembull se sa shpejt (pas kronikes) reagon Ministri i Shendetsise; ai djali u nis drejt Turqise, sepse nje biznesmen u prek ne shpirt dhe vendosi te mos shkoje dy dite rradhazi ne rouleten poshte shtepise apo te mos lere bakshish tek stripi i lagjes… etj.
Te tjerat vlejne, por per neser ama. Sot, sikunder eshte, po vdesin njerez per fare pak vemendje te shtetit a shoqerise.
Ti mund te thuash qe kjo nuk eshte zgjidhja, sepse nese do sillemi gjithmone “si sot”, nuk do kemi ndonjehere “neser”. Ndoshta po, ndoshta jo…
Ndoshta ndryshimi do te vije natyrshem, i vonuar si shumecka per Shqiperine dhe shqiptaret, por do te vije se s’mund te ndodhe ndryshe, sic thone italianet: la forza delle cose (determinizem NgaHalli:)).
Pafuqia – ne leximin tim – evidentohej edhe ne shkrimin tend. Une e di si kritikon ti, kur e identifikon problemin dhe ke nder mend nje zgjidhje – te njoh prej 4-5 vjetesh tashme. Fakti qe kete rradhe nuk ke bere tjeter vecse ke ofruar nje polifoto nga alb-reality duke ia lene lexuesit vete te nxjerre konkluzione(t), per mua flet shume.
C’te besh miku im, eshte veshtire te mprehesh sqimen ne varferi…
Jo vetem qe nuk eshte i pafajshem , por keto arabeska te shtypit nuk bejne gje tjeter veçse nje lavazh truri dhe zhytje me te thelle te masave ne trullosjen e pergjithshme qe i ka kapluar per shkak te shume faktoreve te tjere..
Nuk eshte e lehte te besh hajer duke jetuar ne nje vend te tille , ku mediat te cilat mund te luajne nje rol shume pozitiv , harrojne çdo lloj gjeje vetem me qellime perfitimi apo sencacioni..fatkeqsi 🙁