JASHTËQITJE TË KUJTESËS (II)

Ja si e përshkruante gazeta “Zëri i Popullit” e atyre ditëve incidentin e 2 korrikut 1990 (cituar sipas një studimi të botuar në blogun Studime PolitikeLuljeta Prognit; nënvizimet janë të miat):

Në mbrëmje të datës 2 korrik në Tiranë, rreth orës 22:00, një grup vagabondësh, ish të burgosur për faje të vogla, ordinere si vjedhje, llotarira klandestine, kumar, si dhe disa adoleshentë të mashtruar, kërkuan të hyjnë forcërisht në një ambasadë të huaj, duke goditur me gurë, tulla e mjete të tjera forcat e rendit. Në mbështetje të kësaj mase prej rreth 300 -400 vetash u grumbulluan edhe familjarët e tyre, që krijuan një gjendje alarmuese, duke ndërprerë trafikun e kalimit të lirë të qytetarëve, duke hedhur gurë mbi personat zyrtarë e popullin që kishte dalë për të mbrojtur rendin, duke thyer xhamat e disa dyqaneve e duke bërë zhurmë.

Që këtej, edhe epiteti jashtëqitje, që i referohet një kryemetafore tjetër të totalitarishtes, asaj të shoqërisë si organizëm i gjallë; në kuptimin që jashtëqitja është sa e pashmangshme aq edhe e dobishme për trupin biologjik, dhe eliminimi i entropisë (i “vdekjes”) – nëpërmjet “qitjes jashtë” – vjen natyrshëm në mendje, meqë jetës, për të vazhduar, i duhet ta largojë aktivisht vdekjen prej vetes.

Prandaj edhe metafora zuri vend mirë, në ligjërimin e atyre muajve; sepse pak gjë e ndante, semantikisht, ikjen jashtë nga qitja jashtë; me përjashtim që kjo e dyta bëhej me pëlqimin e pushtetit, i cili një akt të paprecedent rebelimi, si ai i dy korrikut, u përpoq ta ri-kornizojë si efekt të vullnetit të pushtetit, për ta mbajtur vendin “të pastër”. Çfarë ishte disfatë fatale e regjimit, do të duhej riparaqitur si “fitore”, meqë Shqipëria “hoqi qafe” elementët e padëshiruar, turbullues, “llumin” (një cilësim tjetër i parapëlqyer nga propaganda dhe psy-op-et e Sigurimit), duke ia “bërë dalje” Perëndimit. Merrini këto plehra, meqë i paskeni kaq merak!

Cilësimi orientohet kështu sipas dy akseve kuptimore: BRENDA <-> JASHTË dhe PASTËR <-> PIS; meqë ata që u futën në ambasadat kërkonin të kalonin nga “brenda” Shqipërisë (së mbyllur) “jashtë”[1], ndërsa regjimi u mundua që largimin e tyre ta paraqiste si një lloj “pastrimi” a higjienizimi, nëpërmjet nxjerrjes së papastërtive nga brenda jashtë, ose jashtëqitjes. Natyra tejet librore e kësaj fjale, jashtëqitje, sikur e vinte në gojën e një specialisti diagnostikues të së keqes shqiptare – që druhej ndërkohë për ta quajtur fenomenin me emrin e vet popullor. Erimarrë nga një dikush “i rrugës”, sikurse edhe ndodhi, ajo do të tingëllonte gjithnjë si citim – meqë përndryshe nuk i përkiste ligjërimit bisedor; e paskësh thënë, pra, një tjetër, një i letrave, një i hollë; dhe e ruante copyright-in libror edhe kur kalonte dorë më dorë. Ai “i rrugës” nuk do të thoshte kurrë jashtëqitja, sepse nuk do t’i mungonin sinonimet bisedore dhe thjeshtligjërimore. Rimarrja e kësaj jashtëqitja e kombit në shkallë masive konfirmonte edhe një çarje mes “popullit” dhe “intelektualëve” që për popullin nuk pyesnin.

***

Kur analizohet kjo shprehje, jashtëqitja e kombit, pak vëmendje i kushtohet pjesës së dytë, ose përmendjes së “kombit”. Një pjesë e dytë që shfaqet në togfjalësha të shqipes publicistike zakonisht të stilit të lartë, si dëshmorët e kombit, tradhtarët e kombit, visaret e kombit, baballarët e kombit, themelet e kombit, krenaria e kombit, sfidat e kombit, ose poet i kombit, nderi i kombit (dekoratë), gjeniu i kombit, ambasador i kombit (titull, çmim), babai i kombit, dëshmor (martir) i kombit, hero i kombit, shenjtor i kombit, Balli i Kombit, burri më i madh i kombit, shpëtimtari i kombit, etj. Në kontekste më neutrale, përdoruesit preferojnë mbiemrin kombëtar. Shembujt më lart dëshmojnë edhe se ky përcaktor, i/e kombit, i përket më shumë ligjërimit kombëtarist me nota të forta patetike, duke qenë kombi termi përgjegjës i një sivëllai, populli, tashmë retorikisht të konsumuar nga ligjërimi totalitar. Kombi është esenca kolektive e shqiptarisë e materializuar në një grup njerëzish në kohë, që i bashkon gjuha, gjaku, kultura dhe jeta sociale; prandaj edhe jashtëqitja e kombit e vendos stigmatizimin e të ikurve në një rrafsh gati transhendental – ku bëhet fjalë për mbrothësinë, rrezikimin dhe mbijetesën jo aq të një regjimi (shteti totalitar në Shqipëri) sa të një kombi “të tërë”; duke e paraqitur krizën e refugjatëve si dramë kombëtare.

Për ta rrokur këtë manipulim më mirë, le të kemi parasysh se 2 korriku 1990, datë e regjistruar në kalendar si e fillimit të ngjarjes së ambasadave në Tiranë, ishte edhe data kur deputetët e Kosovës shpallën “pavarësinë e Kosovës”, nëpërmjet një deklarate kushtetuese. Këtë përkim Ramiz Alia, në një intervistë dhënë Gjek Marinajt, e pat komentuar kështu:

Në fakt, sa herë që në Kosovë kishte lëvizje të shqiptarëve dhe sa herë serbët janë gjendur përpara problemesh serioze atje, aq herë janë bërë presione të ndryshme ndaj Shqipërisë. Qëllimi i këtyre presioneve, nga njëra anë ka qenë të neutralizohej Shqipëria, pra, që ajo e zënë me “telashet” e veta të mos e mbështeste luftën e vëllezërve kosovarë dhe nga ana tjetër, kosovarët të shkurajoheshin në përpjekjet për të drejtat kombëtare e qytetare.

Diskursi kombëtarist, në mediat e Tiranës në 1990, po përjetonte një gjallëri të pazakonshme – si pasojë edhe e lëvizjes për pavarësi në Kosovë, por me synimin jo dhe aq të fshehtë për ta paraqitur pakënaqësinë në rritje ndaj regjimit Alia si në kundërshtim me vetë ndjenjat kombëtare të shqiptarëve; në mitingun e 13 korrikut, tonet kombëtariste të folësve në shesh i çuan turmat peshë, duke u dhënë këtyre një alibi për të brohoritur me shpirt, sa herë që përmendej “Kosova” (kujtim personal). Kësisoj, gjesti masiv dhe të paktën pjesërisht spontan i hyrjes me forcë në oborret e ambasadave u pikturua si atentat i rëndë ndaj çështjes kombëtare dhe përpjekjeve të shqiptarëve në Kosovë për t’u çliruar prej sundimit serb; teksa për organizimin e atij ekzodi u fajësuan shërbimet sekrete jugosllave krahas atyre perëndimore në përgjithësi (këto të fundit me gjasë u kujdesën për mobilizimin, ndërsa ato jugosllave për kalendarin). Ashtu revolta anti-totalitare e qytetarëve në Shqipëri u ri-kornizua si anti-kombëtare, çfarë do të gjente jehonë dhe mbështetje te shprehja jashtëqitja e kombit. Një problem politik, ekonomik dhe social i Shqipërisë totalitare – varfëria e madhe, stanjacioni në reforma dhe mbyllja hermetike e kufijve përballë valës së përmbysjeve në Lindje – u përshkrua dhe u dënua me termat dhe retorikën konspiraciste kombëtariste, si problem (ekzistencial) i “kombit” shqiptar, njëfarësoj i pandashëm nga çfarë po ndodhte me shqiptarët në Kosovë, sipas marifetit retorik të shndërruar tashmë në klishé: “si shpjegohet që… sa herë që në Kosovë…” etj.

***

Më pas, me kalimin e viteve, kjo shprehje e gurëzuar, jashtëqitja e kombit, do të shkëputej disi nga konteksti i 2 korrikut 1990, për t’u specializuar si epitet përçmues për shqiptarët e diasporës, sidomos ata me qëndrime anti-komuniste. P.sh. akademiku Artan Fuga rezulton t’u jetë drejtuar kështu, në vitin 2015, atyre qytetarëve të RSH që kërkonin azil në vendet europiane:

Askush nuk ju do, miq që ikni! Bëjnë me hipokrizi sikur mërziten që e ju ikët në Gjermani miq të nderuar. Mos u besoni. Është hipokrizi e pastër. Mendojnë se ju jeni jashtëqitja e kombit.

Duke hequr një paralele midis propagandës aktuale, kundër “ekzodit” të azilantëve, dhe propagandës së regjimit Alia, kundër dykorriksave. Ka edhe nga ata, kryesisht komentues anonimë por jo gjithnjë, që e përdorin këtë jashtëqitja e kombit drejtpërdrejt, për të përçmuar të gjithë ata që perceptohen si anti-shqiptarë, mes të emigruarve; ndonjëherë edhe pa i kuptuar lidhjet që kjo shprehje i ruan me origjinën e saj specifike.

Ose edhe më gjerë, për ata që nuk i duam. Citoj nga një blog:

Tashmë e dini se serbët në krye të qeverisë e vendosën nje lezbijke dhe këtë ata e quajnë vlerë. Mos u çuditni se edhe jashtëqitjet e tona të kombit mund të kërkojnë që ne në krye të shtetit të vemë ndonjë peder apo lezbijke.

Dhe Ilir Dardani:

Siç thashë më lart, shqiptari është më shumë e zeza e vetes se e tjetrit dhe përgjatë historisë ne nuk kemi pushtuar as dhe një fshat […]. Kemi edhe ne rolin tonë negativ në perandorinë pushtuese osmano-islamike, por në këtë ushtri bënte pjesë vetëm jashtëqitja e kombit tonë dhe nuk përfaqësonin shqiptarët.

***

Siç e kemi parë shpesh, cilësimi jashtëqitja e kombit, për dykorriksat i është atribuar me këmbëngulje Ismail Kadaresë, edhe pse ky e ka refuzuar shkoqur, më shumë se një herë, si në këtë intervistë, ku citohet të thotë:

U bë një shpifje që ju duhet ta keni dëgjuar, që Ismail Kadare ka thënë që “jashtëqitje e kombit për refugjatët shqiptarë”. Shpifja është e rëndë, se shkrimtari më i njohur i vendit, i quan mijëra të rinj që tronditën diktaturën, jashtëqitje e kombit. Dhe kjo shpifje u tha në një miting në Tiranë. Tani unë arsyetova në mënyrë naive dhe të gabuar, që kjo hidhet poshtë nga koha. Nuk është ashtu. Shpifja zuri vend, e para se sigurimi kishte rrjetin e tij kudo, dhe e dyta se ju duk zbavitëse njerëzve. Unë e kisha të lehtë ta hidhja poshtë, ngulja këmbë në një emision [në] televizion, që u tha kjo shpifje, u pranua që u tha kështu për refugjatët shqiptarë. Në mitingun në Tiranë ku u tha kjo, kishte 100 mijë veta. Në tribunë nja 20 vetë, dhe shpifja u bë nga njëri prej tyre që u tha se ishte Ismail Kadare. Po unë nuk kam qenë fare në atë miting dhe kështu mendoja se me videon do hidhej poshtë shpifja dhe qeshja e njerëzve.

Pra, jo vetëm që Kadareja nuk e pranon ta ketë thënë këtë, por edhe shpjegon se nuk ka qenë fare në mitingun e 13 korrikut. Që nuk ka qenë dhe, ergo, nuk ka folur në atë miting, kjo mund të verifikohet lehtë, nga shtypi i kohës; që nuk e ka thënë, mund gjithashtu të verifikohet tërthorazi – sa kohë që nuk ka asnjë dokument të botuar, ku shkrimtari të citohet se ka folur ashtu. Prandaj, çështja për t’u sqaruar nuk është nëse “e ka thënë/nuk e ka thënë”, por pse ka mbijetuar për kaq gjatë një e pavërtetë e tillë, edhe pa pasur asnjë provë në favor të saj.[2]

Të habit këtu edhe Servet Pëllumbi, në ekstraktin e lartcituar nga Dita, kur thotë:

Paradoksale është që R. Alia, pas mitingut, këtë shprehje [“jashtëqitja e kombit”] donte ta vinte në gojën e Kadaresë, që ishte në tribunën e mitingut dhe mori fjalën, por që nuk ka pranuar asnjëherë të ketë përdorur një shprehje të tillë.

Ishte atje, thotë Pëllumbi për Kadarenë, dhe “mori fjalën”; në një libër ku ka pasur mundësinë të verifikojë gjithçka. E megjithatë, praninë e shkrimtarit në miting dhe fjalën e mbajtur prej tij e merr për të mirëqenë. Sërish pyes: pse të ndodhë kjo?

Në një intervistë dhënë Blendi Fevziut, Kadareja e rrëfen kështu “mospjesëmarrjen” e tij në miting:

U ftuam të merrnim pjesë disa shkrimtarë, por asnjë nuk mori pjesë, nuk shkoi. Ajo tribunë, ende sot, asnjëherë nuk është afruar për të parë se kush ka qenë vërtet atje. Siç duket, dikush është i interesuar që të mos dalin ata, në mënyrë që shpifje të tilla të vazhdojnë të qarkullojnë. Përhapja e kësaj shpifjeje kaq masive [për “jashtëqitjet” AV], tregonte se sa shumë agjentë kishte Sigurimi, kudo. […] Është bërë dhjetë[ra] herë ky përgënjeshtrim dhe këto shpifje vazhdojnë të qarkullojnë. Kjo tregon se sa të forta janë rrënjët e të keqes në Shqipëri, shpifja e fabrikuar nga sistemi.

Tani, po të kërkosh poshtë e lart në Internet, do të gjesh konfirmime pa fund, nga njerëz që “kanë qenë aty”, për të kundërtën; madje edhe nga ata që e kanë përgjithësuar kategorinë, duke quajtur jashtëqitja e kombit të gjithë ata “shqipfolës” që, për këtë apo atë arsye, nuk i plotësojnë kriteret për të qenë shqiptarë por kanë ngecur në limbin midis shqiptarisë dhe joshqiptarisë.

Ja Blerti Delija, kryeredaktor i kanalit TV Rozafa, Shkodër:

[D]iku aty nga viti 1990, Kadare, në mënyrë fare të papritur, largohet në drejtim të Francës, por këtë herë duke kërcënuar se nuk do të kthehet më. Shumë e mirëkuptuan Kadarenë, i cili ndjehej i pasigurtë në fillimin e erës së demokracisë në Shqipëri. Ndër ta edhe unë, edhe pse diku ishte shprehur me rastin e hyrjes në ambasada të mijëra shqiptarëve në verën e vitit 1990, se ata ishin “jashteqitja e kombit”.

Edhe te komentet pas shkrimit të lart-cituar të Servet Pëllumbit, botuar në Dita:

[Beci] Kam qenë në sheshin Skënderbej dhe e kam dëgjuar direkt shprehjen e spiunit Ismail Kadare: Si çdo organizëm edhe Shqipëria ka jashtëqitjet e saj, ata që po futen në ambasada janë jashqitja e kombit, por partia është e fortë dhe do të mbetet e fortë. Pyetja është kjo: Pse është zhdukur nga arkiva e TVSH kronika kur Ismail Spiun Nexhmija foli në mitingun komunist përpara Pallatit të Kulturës?

[Fernando] Shprehjen “Jashtëqitja e kombit” e kam dëgjuar direkt që e tha Ismail Kadarea! Edhe gjoja arratisjen e Ismail Kadaresë e organizoi po Ramiz Alia!

[Balashi] Ne mitingun e madh të Tiranës, për ngjarjen e ambasadave, e kemi ndjekur direkt. Ne tërë njerëzit, populli, atje i kishim sytë. […] Ismaili ka qenë në tribunë. Ka folur e madje për të treguar zgj[u]arësinë e tij, për të tërhequr vëmendjen si njeri i parë i letrave shqip, tha atë shprehjen :”Jashtëqitje e kombit!”. Ai e mohon shumë me force sa herë i jepet rasti, por ne nuk na ka lënë kujtesa, fatmirësisht. Kinse për t’ u treguar si më i zgjuari i panelit, para Pallatit të Kulturës, ai shpiku e shpifi atë thënie per njerëz te ndershëm e hallexhinj, ndonëse pas 2-3 muaj (në tetor 1990) u be vetë një jashtëqitje.

[Metro]: Kadareja në TV francez në kanalin Fr3 e ka thënë shprehjen e famshme dhe kur drejtuesi i emisionit e pyeti: Po ju çfarë jeni, monsieur? Edhe ju keni ardhur në Francë comme réfugié politique, n’est-ce pas? Dhe në këtë moment Kadareja filloi të belbëzonte dhe të pinte gotën me jus d’orange që ishte mbi tavolinë në mënyrë robotike dhe duke u munduar të thoshte se: shiko unë nuk doja të thoja këtë, por duhet të më kuptoni që shiko po dmth në fakt por…me një frëngjishte të çalë.

E kështu me radhë.

Nuk besoj që jetëgjatësia e kësaj shpifjeje/gënjeshtre/pasaktësie t’i detyrohet thjesht forcës mbetëse të Sigurimit të Shtetit; një pjesë e atyre që janë të bindur se Kadareja “e kanë thënë”, kujtojnë edhe “fjalën e tij në miting” që përndryshe nuk ka ndodhur. Ndoshta kjo do të ishte më shumë instancë e një psy-op-i i cili, me kalimin e viteve, ka kaluar nga rrafshi i realitetit në atë të kujtesës kolektive – nëpërmjet një procesi të së menduarit magjik-mitologjik.

Disa prej nesh këtu do të mendojnë edhe për efektin Mandela (lexoni këtu dhe këtu), i cili ndodh atëherë kur i njëjti kujtim i rremë shfaqet në një masë njerëzish dhe që, me gjasë, ka lidhje me përshtatjen – e pavetëdijshme – që ia bën kolektiviteti narrativave historike reale, për t’i “normalizuar”. Në kuptimin që atë thënie, jashtëqitja e kombit, duhej ta kish thënë Kadareja, edhe sikur të mos e kish thënë: e vërteta e këtij lloj normalizimi e tejkalon forcën e fakteve. Pikërisht këtë dobësi të kujtesës kolektive e shfrytëzojnë edhe psy-op-et të shërbimeve të dizinformacionit.

***

Që të kishte suksesin që pati, keq-atribuimi i jashtëqitjeve të kombit kish nevojë edhe për përmasën orale, sipas së cilës ende shtjellohet komunikimi në shoqërinë shqiptare bashkëkohore. Në kuptimin që shumë prej nesh nuk i japim rëndësi procesit të verifikimit të bindjeve dhe të dijeve që kemi (verifikim që zakonisht kryhet sipas përmasës së shkruar: teksteve, formulave, kalendarëve, fotove, videove), por e konsiderojmë si provë vërtetësie vetë faktin që e mbajmë mend diçka. Oraliteti paravendon besim të plotë te kujtesa individuale: “unë isha atje”, të thonë, duke e anuluar si me magji distancën midis çfarë (kujtojnë se) kanë parë a dëgjuar, dhe çfarë ka ndodhur vërtet. Dhe kjo sepse oraliteti, me përkufizim, nuk mund ta vërë në pikëpyetje kujtesën, sikurse nuk mund ta pranojë mundësinë e një kujtese të deformuar ose të rreme. E shumta mund të pranojë harresën: “ti s’e mbake mend mirë,” të thonë, në rast konflikti raportesh për të njëjtën ngjarje.

Që kjo histori, e Kadaresë si autor të shprehjes jashtëqitja e kombit për dykorriksat, vazhdon të qarkullojë lirisht edhe sot, nuk më duket, pra, aq efekt i një përpjekjeje të organizuar të Sigurimit të Shtetit (dhe vazhduesve të tij) për ta përbaltur shkrimtarin, sa provë e implantimit të një narrative të rremë në kujtesën kolektive, nëpërmjet rrëshqitjes (drift) nga rrafshi i historisë në rrafshin e mitit. Dhe miti nuk ka nevojë për verifikim: është i vërtetë thjesht sepse është.

Të marrim edhe vetë personazhin e “Ismailit” në vetëdijen dhe imagjinatën kolektive, figurë antonomazike të poetit rapsodik (vate). Historia që tregon Xhelil Gjoni (shih më lart), se Ramiz Alisë i paskësh pëlqyer formula e “jashtëqitja e kombit” kinse e sajuar prej Kadaresë aq sa ta kish porositur Xhelilin t’i thoshte Kadaresë që Ramizi dëshiron që ti të bësh një vjershë për këtë është kaq groteske… jo vetëm ngaqë Kadareja atë kohë nuk shkruante më poezi dhe, aq më pak me porosi (on demand); por edhe ngaqë në atë periudhë Alia e kishte frikë Kadarenë dhe nuk mund të guxonte që të tallej kështu. Prandaj edhe narrativa e shkrimtarit rapsod, që merr porosi nga “i madhi fare” që të kërrejë një këngë të re me lahutë për dykorriksat, i përket universit mitik të oralitetit – ku historia shkruhet nëpërmjet vjershërimit gojor. Dhe sa për frikën e Alisë dhe e gjithë “progresivëve” të Alisë në udhëheqje, këtë e provon edhe vetëm reagimi i këtyre aq i flashkët, pas arratisjes nga Shqipëria të shkrimtarit, mu kur në Tiranë po zhvillohej – nëse nuk jam edhe unë viktimë e efektit Mandela – një konferencë e shumëpritur e ministrave të jashtëm të Ballkanit.

(fund)

© 2020, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet rreptësisht riprodhimi në mediat. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.


[1] Shqipja vernakulare, në mënyrë karakteristike, përdor shprehjen jashtë shtetit për të përcjellë një koncept që në anglishte del si abroad (overseas), në italishte all’estero, në frëngjishte à’létranger, në gjermanishte im Ausland, në rusishte за рубежом (рубеж “kufi, prag”), në greqishte στο εξωτερικο, në serbishte иностранство; në turqishte yurt dışın(da). Nuk kam të dhëna historike se kur ka filluar të përdoret kjo jashtë shtetit në shqipe, por intuita më thotë se jo më herët se mbyllja rigoroze e kufijve shtetërorë, ose vendosja e regjimit totalitar në Tiranë, kur pushteti erdhi dhe u identifikua me shtrirjen territoriale të shtetit.

[2] Dikur më patën akuzuar edhe mua, pa të drejtë, si “përhapës të kësaj shpifjeje.” Akuza erdhi nga një amator, M. Aleksi, që bëri pak zhurmë në tabloidët, por e gjitha kjo ndodhi për faj të revistës italiane me një farë emri, Lettera internazionale, ku kish dalë përkthimi i një esesë sime të botuar më parë shqip, por ku dikush pat futur duart në tekstin e përkthyer kushedi pse. Revista i kërkoi pastaj falje botërisht autorit (mua) dhe lexuesve të vet, dhe unë shpresoj ta kem mbyllur atë çështje, prandaj nuk po i kthehem muhabetit: është pa interes për temën.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin