HISTORI DHE EPOS

Shkrimi im i djeshëm për Salierin diskutonte, mes të tjerash, edhe licencën e një vepre arti, bie fjala të një romani a të një filmi historik, për të devijuar nga çfarë mbahet si “e vërtetë” historike.

Pata sjellë atje shembullin jo vetëm të filmit “Amadeus” dhe të dramës “Rikardi III” të Shekspirit, por edhe atë të filmit “Helena e Trojës” i cili i largohet mjaft historisë së pranuar për Trojën – ose asaj çfarë na përcjellin epet homerike; dhe pikërisht duke i dhënë një tjetër peshë dhe etos Paridit, për ta shndërruar nga antihero në hero.

E pata vënë në dukje edhe se, në këtë shembull të fundit, nuk bëhet fjalë aq për raportin midis historisë dhe ‘fiction-it’, sa për raportin midis ‘fiction-it’ modern dhe një versioni të historisë që na ka mbërritur kryesisht nëpërmjet ‘fiction-it’ të lashtë. Dhe kjo hap vend për një debat tjetër, në lidhje me modalitetin e vërtetësisë në poemat homerike.

Një lexuese në Facebook e kish vënë në dukje këtë, duke vërejtur se, tek e fundit, edhe Homeri e pat krijuar karakterin e Paridit sipas dëshirës dhe se realitetin e luftës së Trojës në fakt nuk e njohim.

Mirëpo këtu ka një gabim, që e bëjmë shpesh dhe të gjithë, kur u qasemi epeve të Homerit; dhe pikërisht, ngase këto sot i lexojmë si të ishin poema të shkruara, madje edhe nga një autor specifik – Homeri, harrojmë ose të paktën e kemi të vështirë të mbajmë parasysh se epet homerike i përkasin krijimtarisë gojore, ose një lloj funksioni të ligjërimit, i cili sot, në kulturat e alfabetizuara, praktikisht ka humbur; por që na duhet ta kuptojmë, nëse duam të kuptojmë edhe marrëdhëniet e atij eposi me realitetin historik, ose me kohën kur zhvillohen ngjarjet e rrëfyera; dhe me realitetin historik dhe social të Greqisë, në kohën kur epet jo vetëm ishin të gjalla, por edhe ofronin një tekst arketipal, rreth të cilit organizohej krejt kultura greke e lashtësisë.

Për këtë mund të na ndihmojë, siç ndihmoi para më pak se një shekulli Perry-n dhe Lord-in, statusi i eposit të Kreshnikëve në Ballkan serb, bosnjak dhe shqiptar; vetëm se këtu me epos duhet kuptuar jo poema e tejshkruar në një faqe libri dhe e destinuar për t’u lexuar; por teksti i riprodhuar gojarisht nga rapsodi.

Natyrisht, historianët i kanë qëmtuar me kujdes epet ballkanike, për të gjetur aty shenja, gjurmë dhe prova të ngjarjeve historike; e megjithatë, për personazhet qendrore të këtyre këngëve, si Muji dhe Halili në variantet shqiptare, nuk ka shumë kuptim të pyesësh nëse këta të dy kanë ekzistuar ose jo historikisht; meqë këta janë personazhet shtylla rreth të cilave organizohen narrativat e këngëve; ose që ia sigurojnë epeve koherencën e brendshme, krahas gjeografisë dhe, deri diku, etnografisë.

Prandaj, në qoftë se një shkrimtar sot do të ulej dhe të shkruante një roman për Mujin dhe Halilin, eposi do të përfaqësonte për të sfondin historik, ose “të vërtetën” me të cilën romanit të ri do t’i duhej të kishte të bënte; dhe ashtu, në qoftë se Muji i këtij romani hipotetik do ta tradhtonte Halilin ose do t’ia rrëmbente këtij nusen, atëherë me të drejtë do të flisnim për një shmangie jo vetëm nga e vërteta e eposit, por edhe nga e vërteta tout court, duke e pranuar në heshtje marrëveshjen për ta konsideruar eposin si të vërtetë.

Në fakt, eposi i sotëm, i tejshkruar dhe i “zbutur”, nuk është më shumë se mbeturinë e oralitetit, që i ruan megjithatë disa tipare thelbësore të krijimtarisë gojore – të tilla si stereotipinë, improvizimet, ndërtimin me parafabrikate e kështu me radhë – prandaj duhet të kemi kujdes kur i qasemi, për të mos gabuar dhe për të mos e trajtuar si të ishte një koleksion tekstesh të shkruara; sepse oraliteti është një mënyrë tjetër e organizimit të komunikimit dhe të kujtesës kolektive, të cilën ne, bij të skripturalitetit, nuk e kuptojmë dot mirë.

Tani, po të zhvendosemi në Greqinë antike të kohës kur poemat homerike tashmë ishin bërë pjesë e trashëgimisë kulturore kolektive dhe t’u hedhim një sy produkteve kulturore të kohës – për shembull veprave dramaturgjike të Eskilit, Sofokliut dhe Euripidit – do të vëmë re se edhe këto shpesh e marrin materialin narrativ nga eposi homerik; prandaj edhe për këto vepra mund të kërkojmë sa dhe si u shmangen “të vërtetave” homerike; dhe përshtypja ime është se shmangiet kanë qenë minimale, aq sa mund të thuhet se, për kulturën greke të periudhës klasike, bota e eposit homerik përfaqësonte “të vërtetën”; dhe aq më tepër që Homeri, krahas Hesiodit, ka qenë një nga burimet kryesore të mitologjisë greke.

Edhe kur ka shmangie, këto ose kanë të bëjnë me aspekte anësore, ose lidhen me shmangie dhe inkonsistenca që dalin në vetë eposin homerik; por që nuk prekin kolonat narrative të eposit – për shembull, vështirë se do të gjejmë ndonjë vepër të letërsisë greke klasike, ku Ajaksi të paraqitet si burrë i urtë, Uliksi kokëkrisur dhe Akili zemërpulë: personazhet e eposit ishin po aq stereotipike për nga natyra, sa edhe epitetet që përdoreshin për përshkrimin e tyre.

Natyrisht, në një nivel grekët e periudhës klasike i besonin poemat homerike si “të vërteta”, por në një nivel tjetër edhe ata ishin në gjendje të dallonin midis narrativës epike dhe narrativës mirëfilli historike; meqë e dyta e synonte të vërtetën, ndërsa e para thjesht e pasqyronte.

Veç kësaj, akoma edhe në kohën e artë të teatrit klasik grek, nga Eskili te Euripidi, oraliteti ende sundonte në vetëdijen kolektive të shoqërisë së kohës, dhe veçanërisht asaj athinjote; dhe teatri luante rol krucial në riprodhimin e asaj shoqërie në tërësinë e saj, me normat dhe rregullat dhe zakonet; çfarë do të thotë se, në mungesë të konsumit masiv të teksteve të shkruara, ishte praktikisht e pamundur që ta ndaje të vërtetën nga përsëritja.

Për ta ndriçuar këtë ide më mirë, po sjell një anekdotë që e tregon Thuqididi (Lufta e Peloponezit, I.7.87) dhe që e rimerr edhe Plutarku: gjatë Luftës së Peloponezit, sirakuzanët e Sicilisë kish kapur shtatë mijë athinjotë robër, të cilët i kishin mbyllur në një gurore, në pritje që t’i shisnin si skllevër; për shkak të kushteve të tmerrshme, shumë prej këtyre vdiqën, e megjithatë disa arritën të shpëtojnë, thjesht ngaqë dinin përmendësh pjesë nga dramat e Euripidit. Sicilianët e Sirakuzës e kishin pikë të dobët Euripidin; aq sa e mësonin përmendësh gjithçka që e sillnin me vete vizitorët nga përtej detit; dhe pastaj ia përsëritnin njëri-tjetrit të mrekulluar. Robërit e liruar, që arritën pastaj të kthehen në Athinë, shkuan të takojnë Euripidin gjithë ngashërim dhe i treguan këtij se dramat e tij u kishin shpëtuar lëkurën; në fakt, sirakuzanët u kishin dhënë të hanin dhe të pinin dhe pastaj ua kishin falur jetën dhe i kishin lejuar të ktheheshin në atdhe, vetëm e vetëm ngaqë këta robër u kishin kënduar disa prej himneve të tij korale.

Në rrethana të tilla social-kulturore, kur përsëritja pak a shumë e saktë e një teksti të vyer ishte kusht për ruajtjen dhe komunikimin e tij në hapësirë dhe transmetimin e tij në kohë, çdo shmangie e ndonjëfarë mase do të kish qenë trajtuar vetvetiu sakrilegj. Dhe nëse është kështu, atëherë më duket më me vend të thuhet se nuk do të kishim kulturë klasike greke, e kushedi as modernitet në kuptimin që i japim sot, pa ia njohur “vërtetësinë” eposit homerik; se të thuhet se ky epos nuk duhet marrë si histori e çfarë ka ndodhur vërtet gjatë luftës së Trojës.

Për të njëjtën arsye, fizikanët na thonë se nuk ka kuptim të pyetet se çfarë ka pasur në univers “para” Big Bang-ut; meqë vetë nocioni i “paraprijës” e parakupton kohën; në një kohë që koha, si përmasë e universit, u krijua edhe ajo gjatë Big Bang-ut. Me fjalë të tjera, bota sociale dhe kulturore ku jetojmë ne është produkt edhe i eposit homerik; dhe ta ballafaqosh këtë epos me një “të vërtetë” që i ka paraprirë na çon në paradoks (do të thoja: është sikur pula të vërë në dyshim vërtetësinë e vezës nga ka dalë).


 

Bibliografi:

Havelock, Eric A., The Muse Learns to Write: Reflections on Orality and Literacy from Antiquity to the Present, Yale University Press, 1988.

Ong, Walter J., Orality and Literacy, Routledge, 3rd edition, 2012.

4 Komente

  1. Autori thotë:

    “Me fjalë të tjera, bota sociale dhe kulturore ku jetojmë ne është produkt edhe i eposit homerik; dhe ta ballafaqosh këtë epos me një “të vërtetë” që i ka paraprirë na çon në paradoks (do të thoja: është sikur pula të vërë në dyshim vërtetësinë e vezës nga ka dalë).”

    Më saktë e shkoqur nuk mund të thuhej!

    Bazuar në këtë pohim kaq të goditur të autorit, po dua ta zhvilloj më tej këtë argument:

    “Bota sociale dhe kulturore ku jetojmë ne është produkt edhe i eposit homerik”, sikurse është përgjithësisht produkt edhe i miteve tona. Tek e fundit eposi homerik është i zhytur kokë e këmbë në mitologjinë greke.

    Po të zëvendësojmë “eposin homerik” me “mitet”, pohimi i mësipërm do të ishte përgjigjja më e mirë për “demitizuesit” e sotëm, të cilët duke u përpjekur t’i nxjerrin mitet tona si “gënjeshtra” përballë “së vërtetës historike”, bien pashmangshëm në paradoksin e mësipërm.

    Jo se e vërteta historike nuk na intereson, por ajo i përket një rrafshi tjetër që nuk e përjashton dhe nuk i kundërvihet medoemos atij të miteve.

  2. “…statusi i Eposit te Kreshnikeve ne Ballkan serb,boshnjak dhe shqiptar…”
    Pse,ne renditje,zotni Vehbiu te paret permend serbet,e pastaj boshnjaket dhe shqiptaret?!
    Pse nuk permend te paret shqiptaret,meqe vete zotnia eshte shqiptar?!
    Ose te kishte zgjedhur renditjen,sipas rendit alfabetik,sic behet rendom per te shmangur keqkuptimet dhe qejfmbetjet?!
    Ose,ose te kishte kishte renditur boshnjaket te paret,te pakten?!
    A mos valle pyetjet e mia jane thjeshte paranojake?!
    Une mendoj qe, jo!
    Po te kishte zotni Vehbiu nje kopje identike te tijen,porqe te kishte mendime krejt te kunderta me te,sidomos ne ceshtje te tilla sensitive,atehere do te ishte nje arsye e mjaftueshme qe te bente shkrime kaq te detajuara, sic i ben zotni Vehbiu,ku te trajtonte fenomene te tilla si,fjala vjen, provokimet e sofistikuara e te kamufluara mes rreshtash.

  3. Koha fizike nuk ka kuptim per para Bing-Bangut, por koha ne kuptimin metafizik po., pra pyetja eshte metafizike po para Bing-Bangut dhe sigurisht qe s’ka asnje paradoks nje pyetje e tille, paradoksi ngelet fizik dhe tager e fizikanteve qe ta zgjidhin. Njesoj si feja qe te thote s’ka nje para Zotit se Zoti eshte alfa dhe omega, mirepo ekzistenca e nje entiteti apo ngjarjeje justifikon logjikisht perdorimin e pyetjes ”Po perpara?”. Normalisht vetem koncepti i ”qenies” nuk legjitimon logjikisht nje ”para” sepse asgjeja si pergjigje nuk kenaq asnje kriter pranimi dhe se nqs ka nje gje para qenies eshte perseri qenie, pra dic-ka.

    Keshtu ne rastin e trajtuar, mospranimi i ekzistences se nje te vertete historike per Luften e Trojes, do te thote qe vendosim ne menyre arbitrare qe ”ky eshte sistemi yne i referimit”, Eshte e njejta gje me cdo mitologji, ku nuk ka kuptim asnje gje para zotit X apo Y.
    Per ne shqiptaret behet e koklavitur qe te vendosim nje mitologji te caktuar si pika 0, por mund te themi qe ekzistojne 4 shtresa, ata qe vendosin mitologjine greke, ata qe vendosin mitologjine judeo-kristiane, ata te mitologjise judeo-islame dhe ata te mitologjise se Eposit (keta perzier si me judeo-kristiane si me judeo-islame).

    Si tradite historike i perkasim mitologjise se Eposit (dhe degezimeve te tij narrative) dhe judeo-kristiane me prurjet e reja judeo-islame (3-4 shekuj) dhe mitologjise greke (me Rilindjen, pra 150 vjet). Eshte interesante ta mendosh Rilindjen kulturore si te paperfunduar e mandej te riperkufizosh vete konceptin e Rilindjes. Teknikisht, ta fillosh Rilindjen ne vitet 1840, do te thote qe me rilindje kulturore te eliminosh cfare solli turku e te rikthehesh kulturalisht ne kohen e Skenderbeut me dy kategori.

    Meqenese eshte e pamundur, por edhe njekohesisht asnjehere e pretenduar, Rilindja ne fakt duhet quajtur Riperkufizimi ose Rikonceptimi kulturor i mases etnike shqiptare. Kategoria me e re e mitologjise greke duket se kenaq shume kritere pranimi; hyri ashtu sikunder krishterimi e islami, fillimisht si fenomen qytetar e jane te logjikshem disa shekuj kohe per pranimin nga masa e gjere, pavaresisht se eshte vetem sistem referimi pa nje Zot si pike kyce.
    Kur te perfundoje procesi, nese perfundon kuptohet, do te jemi si gjithnje popull sa i ri aq i vjeter, por ama me nje pike te vetme referimi.
    Nese vjen ajo kohe, me siguri do kemi pesuar ndryshime demografike te ngjashme me Perendimin, keshtu qe do riperkufizohemi racialisht dhe etnikisht, me pak fjale, nuk ka per te pasur stabilitet shekullor asnje konceptim kulturor.
    Ne kete pike, sheh se s’ka kuptim komunitar strategjik asnje perpjekje per stabilitet kulturor (lum cifutet nqs stabiliteti kulturor eshte per lumim) , sepse cfare sjell shekulli nuk sjell shekulli tjeter, keshtu qe i vetmi realitet komunitar qe ia vlen te perpiqesh eshte shteti i Shqiperise, me ane te te cilit mund te kujdesemi te pakten per gjuhen e produktet e saj.

    Nejse se dola ca nga tema, po qe ideja eshte se perpjekjet kulturore te bashkesise duhet te orientohen me se pari drejt zhvillimeve qe mundesojne produkte afatgjate e nuk me duket se perkatesia kulturore eshte investim prioritar, sikunder eshte trajtuar keto 25 vjet.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin