DËBORAT E KILIMANXHAROS

… he had started a story once that began, “The very rich are different from you and me.”

[… njëherë e kishte nisur një tregim duke e filluar me, “Të pasurit e mëdhenj janë ndryshe nga unë e ti.”]

Duke u përpjekur të kuptoj nismën e fundit politike, Sfida për Shqipërinë, partia më e fundit e shpallur më 19 Tetor 2016, nga Gjergj Bojaxhi dhe Ermal Hasimja, më shkoi mendja tregimi i Hemingway. Pasi kam të vështirë të arsyetoj kundër dyshimit të shprehur nga disa, se kjo sfidë më shumë se për Shqipërinë duket të jetë për këta të dy.

Dëborat e Kilimanxharos Ernest Hemingway rrëfen historinë e një shkrimtari me grua të pasur dhe jetë të rehatshme, i cili vdes duke ngjitur majën perëndimore të malit të Kilimanxharos, që sipas autorit quhej Masai Ngaje Ngai, ose Streha e Perëndisë. Tregimi nënkupton historinë e një personi që vdes duke u rrekur të pastrojë veten nga kotësia, zdërhallja e hedonizmi. Por edhe kjo përpjekje, “për t’u pastruar” nga hijeshia dhe hyjnësia e malit, nuk është veçse ushtrim i ambicies dhe arrogancës së tij.

Paratë

“Your bloody money,” he said.

[“Paratë e tua të qelbëta,” tha ai.]

Së pari z. Bojaxhi dhe z. Hasimja janë persona të pasur. Sikur edhe Harry në tregimin e Hemingway, që kishte këmbyer jetën dhe talentin e tij për “sigurinë, dhe rehatinë,” të dy këta protagonistë kanë zgjedhur të luajnë me rregullat e lojës së pasurimit të shpejtë në periudhën e tranzicionit. Të dy kanë qenë figura publike e me role politike në një fazë të caktuar.

A i lejon pasuria këta të kenë të tilla ambicie? Jo patjetër. Fundja në Shqipëri ka mbi 60 parti dhe jo të gjithë kryetarët e tyre vijnë nga biznesi. Por politika është përdorur për të shtuar ose ruajtur pasurinë, sikur edhe zotërimi i medias.

A mos vallë siguria financiare i motivon për më shumë përgjegjësi sociale? Mund të jetë. Jo vetëm sot, por edhe më parë, qoftë lëvizjet sociale, partitë politike apo nisma të ndryshme kanë pasur kryesisht mbështetjen e njerëzve të pasur, të cilët kanë financuar lëvizjet apo mundësuar përdorimin e rrjetit të tyre social.

Sfida

“… is it absolutely necessary to kill off everything you leave behind? I mean do you have to take away everything?”

[… a është absolutisht e nevojshme për të vrarë çdo gjë që lë mbas? Mos do të marrësh me vete gjithçka?]

Së dyti, kjo Sfidë për Shqipërinë, mund të jetë thjeshtë një sfidë personale për z. Bojaxhi dhe z. Hasimja, një ushtrim i egos dhe ambicies së tyre, pa asnjë përfitim për elektoratin. Edhe pse sfidat personale nuk e minimizojnë aspak kontributin që mund të japë kjo parti e re në transformimin e sistemit politik në Shqipëri.

Problemi është se, me çfarë kostoje? Pra, nëse këta sfidojnë sistemin politik për ambicie të tyre personale, cili është përfitimi dhe kostoja për publikun e gjerë nga prishja e status quo-së?

Për Harry-n e Hemingway, ngjitja e malit ishte një ushtrim purifikimi, për të larguar disi “dhjamin nga shpirti.” Por Egoizmi dhe shkujdesja e Harry-it vjen me një kosto të lartë për gruan që e shoqëronte në udhëtim.

Ndërsa për z. Bojaxhi dhe z. Hasimja, investimi në parti mund të jetë një sakrificë e tyrja për popullin, por egoizmi i tyre mund të përbëjë kosto pikërisht për këtë.

Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2015, kur kandidati Bojaxhiu për Bashkinë e Tiranës arriti të nxisë shpresat e mijëra zgjedhësve për alternativën e tij, ai u zhduk nga skena publike. Ndërsa ka pasur disa akuza për përfitime të paligjshme ose fshehje pasurish për z. Bojaxhi, çfarë kanë shkaktuar dyshime se pas tij qëndron Partia Socialiste me qëllim që të mbledhë votat e të majtës së pakënaqur. Për ata që i kanë besuar alternativës së z. Bojaxhi, është e vështirë të kapërdijnë zhgënjimin me këtë kandidat.

Shkabat

… “Don’t be silly. I’m dying now. Ask those bastards.”

[Mos u bë budallaqe tani. Unë po vdes. Pyet ato fundërrinat.]

Në tregimin e Hemingway përmenden shpesh shkaba e hiena që i vërtiten protagonistit, çfarë nënkupton kotësinë e vdekjes së tij të ardhshme.

Ndërsa pyetja në lidhje me z. Bojaxhi dhe z. Hasimja, nuk është vetëm mbi rrezikun që sjellë kjo nismë për pasurinë dhe jetën e tyre relativisht komode, por edhe se kush do të përfitojë nga “heroizmi” e sakrifica e përpjekjeve të tyre? Partitë aktuale politike janë të populluara kryesisht nga hiena e shkaba kanibale, të cilët ushqehen me cofëtinat e atyre që bien nga shkallët e karrierës politike. Andaj për z. Bojaxhi dhe z. Hasimja është e vështirë të largojnë dyshimet se njerëzit përreth, të motivuar nga përfitime materiale, nuk do të sillen në të njëjtën mënyrë.

Megjithatë, edhe pse jam plot me dyshime për partinë “Sfidë për Shqipërinë”, i uroj sukses asaj.

If he lived by a lie he should try to die by it.

4 Komente

  1. Këto parti të reja që aktivizohen kështu në prag fushatash zgjedhore – “Ne, Tirana” para zgjedhjeve lokale, “Sfida për Shqipërinë” para zgjedhjeve qëndrore – dhe që shpesh treten pa lënë gjurmë pas zgjedhjeve, më kujtojnë pak historinë e “G99” dhe Veliajt… dhe lojën e atëhershme të Ramës, prapa skene sigurisht.

    Nejse, ky rast mund të jetë dhe ndryshe (shpresoj që të jetë ndryshe!) kështu që dhe unë i bashkohem urimit të Kapedanit për suksese për partinë e re dhe për nismëtarët e saj. E nëse vërtetë pas zgjedhjeve nuk i shohim e nuk i dëgjojmë më, do i përshëndesja dhe unë si Truman-i: “In case I don’t see you… good afternoon, good evening, and good night”. 🙂

  2. Unë s’u shoh ndonjë të mirë partive politike në përgjithësi dhe në parim, por sa kohë që këto parti në Shqipëri nuk kanë ndërmend të shpërndahen dhe as të vetë-kufizohen në kompetencat dhe privilegjet, atëherë “Sfida për Shqipërinë” besoj se duhet mirëpritur, së bashku me parti të tjera si ajo e Blushit. Në këtë moment, problemi më i madh politik në Shqipëri është që koalicioni në pushtet nuk ka alternativë; ose që e vetmja alternativë është një lëvizje e LSI-së nga një kamp në tjetrin, çfarë do të ishte tallje me pluralizmin dhe qytetarët dhe krejt sistemin e përfaqësimit. E them këtë, sepse nuk shoh kurrfarë alternative te PD-ja, e cila tashmë po mbijeton vetëm për inerci. Dhe ngaqë koalicioni nuk ka alternativë, atëherë integriteti i tij politik po vjen duke u shthurur, meqë nuk ka kundër kujt të ushtrohet dhe të kalitet. E keqja e madhe është se një sistem parimisht shumë-partiak ka degraduar në një sistem ku multi-partitizmin e ka zëvendësuar partitokracia edhe ngaqë mungon opozita e shëndetshme, parimore, argumentative dhe prodhuese e një diskursi opozitar të mirëfilltë. Dhe kjo po e çon sistemin në buzë të katastrofës, sa kohë që qytetarëve u ka humbur besimi te politika. Prandaj e mirëpres këtë parti të re dhe çdo parti të re tjetër që përpiqet të artikulojë një diskurs opozitar por jo populist. Idealisht, një parti të re dhe premtuese në Shqipëri unë e kisha përfytyruar që të ngjizej rreth një referendumi madhor; dhe ky i plehrave do të kish qenë i përshtatshëm për këtë synim, nëse do të mbahej. Them referendumi, sepse vetëm lëvizja masive për sigurimin e firmave do t’i jepte kësaj partie hipotetike atë vizibilitet që i nevojitet dhe që partia e tanishme, që po e quaj e Bojaxhiut, do të duhet ta sigurojë njëfarësoj – por si? Dikur partitë e reja këtë e bënin me një gazetë; më pas, si Forza Italia, e bënë me një rrjet televizionesh. Sot ndoshta duhet të merret në konsideratë edhe Interneti, edhe pse zhurma e madhe në rrjetet sociale mund të jetë e pamjaftueshme; dhe pesha që i japim të gjithë ne komentuesit Internetit në politikën shqiptare mund të jetë thjesht nënprodukt i asaj që e kanë quajtur “selection bias”, ose i faktit që ne vetë jetojmë dhe riprodhohemi online. Prandaj sërish them se çdo partie të re, që synon vërtet të bëjë ndonjë farë diference në elektorat, i duhet së paku një televizion; ose një rrjet i dendur radiosh të bashkëlidhura dhe një think tank që të përpunojë diskursin mediatik në mënyrë të tillë që ky t’u flasë atyre që nuk e gjejnë më veten te tre partitë e sotme të mëdha në Shqipëri. Përndryshe nuk dua t’i paragjykoj as Bojaxhiun, as Hasimen; të parin e njoh pak, të dytin jo; kështu nga larg, më pëlqen që Bojaxhiu është businessman dhe administrator me eksperiencë dhe jo, bie fjala, dekorator interjeresh, hedhës disku ose grimier (edhe pse nuk kam ndonjë paragjykim të veçantë për këto kategori profesionale).

  3. Cdo alternative e re qe shtohet, minimalisht rrit koston elektorale per partite e medha, merr vota, shtrengon oreksin e rrit pazarin. Problemi eshte kur keto shnderrohen ne klienteliste. Nuk besoj qe Sfida per Shqiperine eshte e atille, sikur partia e Xhuvelit/Dukes apo Mediut e Gjiknurit, prandaj dhe ceshtjen e shtrova ne rrafshin personal nepermjet tregimit te Hemingway. Ne konstelacionin e sotem cdo parti e re eshte fitim per zgjedhesit, por problemi eshte: a arrijne te bejne gje? Apo per ta eshte thjeshte nje sfide personale per ti shpetuar letargjise? Nga ana tjeter, parti te reja me motive me shume apo me pak te fisme kane ndryshuar rruges, e kete shpresoj ta bej Sfida per Shqiperine.

  4. Ne kete shkrim me duket qe jeni frymzuar edhe nga Hemingway por edhe nga informacion qe ka per burim sistemin propagandist qe perjetojme cdo dite. Hemingway-it ja ze besen. Ketyre te tjereve jo aq shume. Ndoshta kjo eshte arsyeja e medyshjes ne paragrafet e tua ku edhe shpreh dyshime, edhe nje fare shprese qe dyshimet jane te gabuara. Ndoshta po te gjeni burimin e dyshimit, do gjeni edhe pergjigjen qe kerkoni.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin