SEKRETE, THESARE, GËRMIME

Çdo debat rreth totalitarizmit shqiptar do ta cekë, herët a vonë, temën e madhe të sekretit nën të cilin operonte regjimi; dhe kur flitet për sekret, tema tjetër e madhe, ajo e dosjeve, nuk mund të shmanget.

Supozimi që u nënvendoset debateve të tilla është se sekreti nuk është veçse dryni që mban të mbyllur të vërtetën, për të shkuarën si të tillë, dhe për atë të shkuar që, sipas shumëve, vijon t’i japë urdhra së sotmes, nëpërmjet kryesisht shantazhit.

Tek e fundit, interesi për sekretin është para si gjithash interes për të vërtetën; dhe të vërtetën jo si proces, ose si objekt të cilit i qasemi hap pas hapi, por si thesar, i cili ekziston i paprekur diku nën dhe, duke pritur veç kazmat e gërmuesve.

Në fakt, sikurse e dimë, për totalitarizmin e djeshmja është gjithnjë sekret, madje tabu; sidomos në atë masë që nuk e përligj të sotmen. Prandaj edhe Historia e PPSh-së duhej rishkruar pa ndërprerje, për t’i dhënë asaj të vetmen formë të pranueshme, të një narrative që e sillte të sotmen në trajtat e së vërtetës; ose si një projeksion i së sotmes në të shkuarën.

Kështu, materialet e Plenumit të 8-të (1946) ose të Kongresit të 3-të të PPSh-së (1956), u dënuan vetvetiu me sekret, meqë ishin në kundërshtim me realitetin e mëpasëm, të PPSh-së në luftë të pakompromis me titistët më parë, dhe hrushovianët më pas.

Hapi i parë drejt këtij shndërrimi në sekret ishte ndalimi; ose heqja administrative e informacionit nga sfera publike.

Si etiketë e përgjithshme, sekreti nuk arrin të dallojë, në këtë rast, midis materialeve që kanë qenë gjithnjë sekret (p.sh. emrat e agjentëve të Sigurimit të Shtetit) dhe materialeve që janë bërë sekret thjesht ngaqë kanë rënë ndesh me të sotmen (p.sh. fjalimet e Mehmet Shehut).

Në dy dekadat e fundit, mediat u janë turrur arkivave të gjithfarshme, për të nxjerrë që andej sekrete të kategorisë së dytë, ose materiale thjesht të ndaluara, dhe për t’i pikturuar ato si sekrete të kategorisë së parë, ose materiale që hedhin dritë në mekanizmat e brendshëm të totalitarizmit.

Dy janë procedurat e përdorura në këtë kontekst: zbardhja, ose botimi i një dokumenti të nxjerrë nga arkivi; dhe rrëfimi, i një personazhi që ka qenë i pranishëm në këtë apo atë ngjarje të rrethuar nga sekreti.

Të dy procedurat, mbështeten në presupozimin – e paarsyetuar – se sekreti nuk mund të fshehë veçse të vërtetën; edhe pse natyra e materialeve, edhe të zbardhura edhe të rrëfyera, tregon se në shumë nga këto raste, sekreti ka fshehur gënjeshtra, jo të vërteta.

Si edhe gjetiu në realitetin shqiptar të këtyre dy dekadave të fundit, rendja pas zbardhjeve të tilla nuk ka qenë veçse një formë më “intelektuale” e histerisë së gërmimit për të zbuluar thesare, në këmbët e urave dhe në themelet e kështjellave mesjetare.

Dhe meqë kjo ka qenë edhe periudha e rishkrimit të historisë, mundësisht në mënyrë të tillë që t’i përgjigjet të sotmes shqiptare post-totalitare njëlloj si historia tjetër, e mëparshmja, i përgjigjej së djeshmes shqiptare totalitare, atëherë s’është për t’u çuditur që i njëjti gjakim, i ushqyer nga nevoja për ta zbuluar të vërtetën e fshehur, ka pushtuar deri diku edhe studimet historike, të cilat herë pas here i lajmërojnë sukseset e tyre në mediat si zbardhje dhe zbulime sensacionale.

Që nga Arkivat “sekrete” të Vatikanit, e deri te nëntoka e Shqipërisë, e cila fsheh të vërtetat e mëdha të origjinës shqiptare – mjaft të gërmojmë.

Gërmimi vjen dhe shfaqet, kësisoj, si një procedurë e parapëlqyer për të gjithë gjahtarët e së vërtetës: në dokumente, në vjetërsira, në gërmadha, në kujtime, në biblioteka; dhe jo rrallë, ky merr trajtat e zhvarrosjes, si kundërveprim ndaj të gjitha përpjekjeve të armikut, në të shkuarën, për t’i groposur të vërtetat e mëdha rreth nesh.

E gjithë kjo mitologji nuk pjell veçse konfuzion – edhe kur e prezanton të mirënjohurën si të panjohur; edhe kur e ngatërron, shpesh me qëllim, sekreten me privaten.

Nga ana e tyre, edhe gërmimi edhe rrëfimi, si dy mënyra për t’iu qasur së vërtetës, i referohen psikanalizës, si model komunikimi; çka nënkupton se të gjithë ne po mësohemi ta mendojmë të shkuarën si të ishte nënvetëdijë e të sotmes; dhe dosjet si burim i neurozave të sotme.

Në fakt, dosjet – ato imagjinare – sillen shpesh si shpjegim për misteret e politikës së sotme në Tiranë; sa kohë që gjestet e mëdha të politikanëve janë shpesh aq të padeshifrueshme, ose aq absurde, sa nuk mund të arsyetohen, veçse duke i parë si rezultat i shantazhit.

Po të shohim edhe se çfarë është thënë dhe thuhet, në publik, për tre figurat kryesore të jetës politike sot në Shqipëri: Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta, atëherë ky përfundim veçse gjen konfirmim të mëtejshëm. Dhe pikërisht: këta njerëz, me çfarë bëjnë sot, janë produkt i sekreteve të tyre të djeshme.

Aq sa të krijohet përshtypja se, pa pasur sekrete të tilla, karriera politike e kujtdo nuk do të bënte dot përpara.

Po çfarë është pikërisht sekreti sot? Ajo që e dinë vetëm pak vetë; ajo që nuk e dinë ata që kanë të drejtë ta dinë; apo ajo që nuk dihet as edhe që ekziston?

Mediat i kanë dhënë vetes, në këtë mes, një rol komod dhe të rehatshëm; duke e zëvendësuar kërkimin e së vërtetës, hap pas hapi, me zbulimin e këtij apo të atij sekreti; mundësisht nëpërmjet plaçkitjes së arkivave, jetës private të individëve, kujtesës së dëshmitarëve të djeshëm dhe, në një rrafsh tjetër, paranojave të sotme dhe të djeshme që shoqërojnë shqiptarizmin.

Me plaçkitje këtu kam parasysh qasjen dhe përdorimin e dokumenteve të së shkuarës në mënyrë inkompetente, nga persona që mund të jenë kureshtarë, por që u mungon çdo lloj ekspertize për ta vendosur dokumentin dhe të shkuarën vetë në kontekst; si në kontekstin kur është prodhuar dhe përdorur, ashtu edhe në kontekstin e tanishëm.

Me fjalë të tjera, rezultat i plaçkitjes është zbulimi i sekretit, zbardhja dhe rrëfimet si një formë për ta dëfryer publikun.

Kjo është një lloj psikanalize që e vendos divanin, me gjithë të sëmurin sipër, në skenë para publikut.

Shënim 1

Shkrimi më lart erdhi edhe si rezultat dhe vijim i një debati në FB, rreth çështjeve që ngrija në shkrimin tim SPIRITIZMI NË EKRAN, dhe ku morën pjesë dy kolegë fjalën dhe mendimin e të cilëve unë e çmoj jashtëzakonisht: antropologia Ajkuna Hope dhe historiani Elidor Mëhilli; kolegë të cilët kam edhe fatin t’i kem miq të dy. Në vijim po e risjell këtë debat, pjesërisht të përkthyer prej meje (ngaqë disa pasazhe ishin në anglisht) dhe me ndonjë shkurtim, për çka kolegët besoj do të më falin.

A. Hoppe: Unë nuk besoj se ekziston një gjë e tillë si dëshira “e natyrshme” për të njohur të shkuarën, qoftë kjo totalitare, absolutiste, ose gjithçka tjetër. Fantazia e “tejdukshmërisë” si terapi ndaj së shkuarës është një iluzion më vete dhe pjesë e tropit të “drejtësisë historike” që minon logjikën e demokracive liberale. Kështu pyetja e parë që duhet bërë […] është: pse duam të dimë? Çfarë funksioni po kryen e shkuara këtu, dhe në çfarë konsiston dëshira jonë për të ditur? Së dyti, çfarë të bëjmë me “barrën” e dijes? Le të themi se arkivat e sigurimit të shtetit shqiptar bëhen një ditë publike, çfarë presim të gjejmë aty? Pse shihet sekreti (materialet e mbledhura në mënyrë sekrete) si kusht i “vërtetësisë” (në Shqipëri sikurse gjetiu në Europën Lindore)?

E. Mëhilli: Unë mendoj se ka disa nivele në marrëdhënien me burimet (reliket?) e së shkuarës – ca nga këto aspekte janë të përgjithshme (pra, shpalosen në çdo përpjekje për t’u dhënë kuptim imazheve/burimeve të së shkuarës – çdo lloj të shkuare) dhe ca nga këto aspekte janë të veçanta, pra të lidhura pazgjidhmërisht me natyrën e sistemit komunist si sistem totalizues që prodhonte, përveç dhunës, ose më mirë, njëtrajtësisht me dhunën, edhe njohje/dije.

Në këtë aspekt, “gjuha totalitare” të cilën e ka analizuar që herët Ardiani, shoqërohej edhe me imazhet përkatëse, efektin e të cilave mbi popullsinë shqiptare të viteve ’50, të themi, unë/ne vetëm mund ta imagjinoj/më. Një reagim të ngjashëm unë e kam patur me një dokumentar që kam përdorur për librin që jam duke shkruajtur për Shqipërinë komuniste të viteve ’50-’60. Një dokumentar i vitit 1948, vepër e regjizorit sovjetik Ilia Kopalin. Unë e kam përdorur si burim, por gjithnjë duke e shoqëruar me burime të tjera, si pjesë e një analize për teknikat e ndryshme të vetë-sovjetizimit të hershëm shqiptar. Po a mjaftojnë vetëm sekuencat? Apo edhe artikujt e regjizorit? A nuk duhet të dimë për reagimet e atyre që i shihnin? Për kontekstin e imazheve? Atyre që filmoheshin (me apo pa dëshirë)?

Dje po lexoja shkresat e ambasadorit sovjetik në Tiranë, i cili merrte në analizë të hollësishme efektet e filmave, kino-ditareve, dhe artit në përgjithësi tek popullata gjerërisht analfabete shqiptare. Pra, kronika, filmi, imazhi, kanë edhe një kontekst historik të padukshëm – në shkresat e ambasadorit, çdo orë shfaqjeje e këtyre kronikave numërohej, çdokush që shkonte në kinema numërohej, çdo kronikë analizohej për nga përmbatja (sovjetike apo jo) dhe efekti i dëshiruar. Pra “jeta” e këtyre filmave vazhdonte përtej sallave e projektorëve, nëpër shkresa burokratësh. Si çdo lloj burimi, edhe këto kronika janë problematike; është pikërisht natyra problematike e burimit që e bën burimin interesant […]

Duhet thënë se fetish-i i dokumentit/zbardhjes së sekretit mbijeton për bukuri tek më të shumtët e studiuesve të Luftës së Ftohtë kudo nëpër botë – që nga Kina deri në Amerikën Latine. Mirëpo, obsesioni (patologjia?) shqiptar(e) me botimin e “dokumentave të kohës” ka edhe veçantinë e vet. Në Shqipëri, komunizmi i aplikuar koinçidoi me vendosjen e shumë themeleve. Siç thoshte ambasadori sovjetik, kronikat e para filmike shqiptare jane kronika socialiste! Në këtë kuptim, nuk di nëse qasja ndaj gërmadhave e asaj kohe do stabilizohet së shpejti: Tek e fundit, çfarë ka tjetër përveç gërmadhave?

Sa për “barrën e dijes” dhe se çfarë do të gjejmë në arkivat sekrete të Sigurimit të Shtetit, përgjigjja është: do të gjejmë një pirg me gënjeshtra. Ky është burimi që kemi, për një histori të socializmit shtetëror. Dhe ka rëndësi të madhe që ta fitojmë aksesin në ato burime dhe të merremi me to në mënyrë të kuptimshme. Vërtet, shumë janë të obseduar me “sekretësinë” e dokumenteve dhe hapjen e arkivave, por kjo ndodh vetëm ngaqë këto regjime ishin vetë të obseduara për t’i mbajtur sekrete. Kjo punë duhet bërë, dhe pikërisht të kapemi fytas me gënjeshtrat brenda gënjeshtrave dhe një strukturë që funksiononte në bazë të gënjeshtrave, por që megjithatë ish në gjendje të funksiononte. Kjo nuk është pra gjurmimi i ndonjë të vërtete të fshehur; por është njohje, pavarësisht nga natyra e arkivit.

Shënim 2

Nuk ka asgjë detyrimisht kombëtare në dukurinë që trajtoj, e cila në forma të ndryshme do të jetë shfaqur edhe në vende të tjera të Lindjes, sikurse mund të ma konfirmojnë historianët dhe antropologët që janë marrë me çështjen; madje vetëm studimi i krahasuar do të ndihmonte për të gjetur, nëse ekziston kjo nevojë, ndonjë specifikë shqiptare aty.

Nuk ka komente

  1. Interesant eshte fakti sesa mire perputhet me kontekstin e ketij shkrimi, lajmi i fundit rreth zhvarrosjej se eshtrave te Nerudes. I gjen te gjitha aty : germimin, thesarin dhe sekretin, madje literalisht te tilla.

  2. me duket krejt normale qe publiku te kete kaq etje te madhe per sekretet, aq me shume te udheheqjes se diktatures. kane kaluar 20 vjet demokracie dhe shtypi te lire dhe ende nuk kemi nje liber-reference me biografine e hoxhes. kjo per mua perben skandal. dikush qe kerkon informacione, le te themi ne nivel akademik, rreth biografise se hoxhes, cfare opsione ka? librin e fevziut? libri eshte i kategorise se fast reading, per ta lexuar ne tren, apo per ta dhuruar atyre qe shikojne telenovela meksikane apo kolombiane. librin e kastriot myftarajt? me mire lexoni 50 shades of grey. eshte po aq i keq dhe permban per enverin te njejtat informacione. librin e jon halliday per shqiptarin dinak? shume i vjeteruar dhe siperfaqesor. diktatoret e ballkanit te fischerit? siperfaqesor. kujtimet e shefqet pecit, komandant na morri malli? ju lutem. dhe nga ana tjeter, shikon libra, ndonjehere shumevellimshe per personazhe minore apo gjysme minore, me tonazh informacioni, arkivor, bibliografik etj.

  3. Sekreti i dosjeve përbën një dukuri në transformim të vazhdueshëm. Të mbash mbyllur për gati një çerek shekulli dosjet e sistemit që e dënon përditë nuk e ka atë domethënie që ka pasur dikur, për shembull të nesërmen e menjëhershme pas rënies së diktaturës. Faktet e natyrës konvencionale të kyçura në ato dosje (A-ja spiunon B-në) e kanë humbur prej kohës kuptimin e tyre fillestar (A-ja spiunoi B-në) dhe kanë fituar një kuptim tjetër dhe pikërisht atë që sistemi sot përfiton nga mbajtja sekret e faktit të djeshëm që A-ja spiunoi në të kaluarën B-në.
    Ka vetëm një kuptim të gjykosh mbajtjen sekrete të këtyre fakteve sot dhe ai është, që sistemi i djeshëm vazhdon të jetojë në këtë të sotmin.
    Transformimi nuk ka ndodhur asnjëherë dhe se sistemi i djeshëm hyri dikur vetëm në një cikël të ri të vetin. Në këtë moment mbetet vetëm opsioni për të deduktuar, se mos vallë edhe diktatura e djeshme shqiptare, e njëhershme në karakterin e dhunshëm të saj krahasuar me simotrat e veta evropianolindore, mos vallë edhe ajo si e tillë, ishte një zgjatim i një gjendjeje shqiptare fillestare, të mëhershme, që shërbeu pastaj premisë e dhunës komuniste?
    Ishin shqiptarët komunistë gjë vetëm ata vetë?
    Në këto rrethana ndoshta duhet pushuar dikur së shpresuari në mënyrë naive, se vetëm një keqkuptim, një mosdashje spontane ndoshta dhe para së gjithash periferike në vullnetin politik të Sali Berishës e ka penguar hapjen e dosjeve. Aspak. E përmend Sali Berishën, sepse këtij – të paktën formalisht – i duhet faturuar kjo gjendje.
    Kush forcë politike do të duhej të ishte e interesuar për hapjen e atyre dosjeve, përveçse e djathta, apo ajo që e quan veten si të tillë.
    Por pushteti i Sali Berishës është zgjatim i pushtetit të djeshëm dhe kush nuk e kaptuar këtë është ose idiot ose maskara.
    Dhe kjo është edhe arsyeja e vetme, se pse u dashka përkrahur cilido koalicion parazgjedhor opozitar me gjithfarë qelbësirash, ngaqë çfarëdo që të zgjidhet, do të jetë diçka transitore, fillestare, rrugëhapëse, çbllokuese, e cila në një të ardhme afatmesme, do t’i shërbejë vetëm progresit.

  4. Rastesisht ndoqa nje emision televiziv italian mbi fashizmin, ku u tha se Italia, ndryshe nga Gjermania, nuk i ka hapur kurre dosjet e fashizmit dhe nuk ka ndermarre kurre nje proces defashistizimi. Pak a shume sikurse kane bere deri me sot Spanja postfrankiste dhe Rusia postsovietike, – thuhej ne ate emision. Thashe me vete se te njejten gje po ben edhe Shqiperia.
    Mirepo ndryshe nga te tjeret, vetem ne po i perdorim politikisht dosjet e pahapura.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin