TË DËNUARIT ME MOSBOTIM

Heqja e së drejtës së botimit ka qenë një nga ndëshkimet më të para, prej shtetit totalitar, ndaj kujtdo që perceptohej si element, ose edhe thjesht si “kontingjent” i armikut: botimi nga industria e librit totalitar ishte gjithnjë privilegj, sa kohë që letërsia përfytyrohej si armë e luftës së klasave dhe i shërbente edukimit komunist të “masave punonjëse”.

Kishte nga ata që botonin, pastaj nuk i linin të botonin më, pastaj ua jepnin lejen sërish: persekutorët luanin me ta si macja me miun. Kishte të tjerë që nuk do të botonin dot kurrë – madje edhe për të vetmin faj se vinin nga familje me “biografi të keqe”. Esetë dhe kujtimet e Visar Zhitit, që kemi botuar këto kohë te Peizazhe të fjalës, por edhe shkrime të tjera, kujtime dhe analiza studimore, e kanë dokumentuar mirë makthin, ndonjëherë torturën, e atyre që donin dhe ishin gati të botonin, por nuk botonin dot.

Për Kasem Trebeshinën, të cilit iu hoq e drejta e botimit për një kohë të gjatë, thonë se ka lënë mijëra e mijëra faqe dorëshkrim, mes të cilave edhe “qindra pjesë teatrale”. Kjo sasi të lë gojëhapur – aq sa ta kesh të pamundur edhe thjesht të përfytyrosh një korpus kaq të vëllimshëm. Të tjerë kolegë dhe bashkëvuajtës të Trebeshinës kanë lënë edhe ata mijëra vargje të pabotuara, por edhe dorëshkrime të gjata në prozë, përkthime dhe studime të thelluara.

Kur lexoja shkrimin e fundit të Zhitit, më shkoi mendja se heqja e të drejtës së botimit, sidomos për dikë që i vjen së brendshmi shtysa për të shkruar, është një lloj prerjeje simbolike e gjuhës: fjalët e tua nuk do t’u shkojnë dot të tjerëve. Njëlloj e rëndë do të ketë qenë masa edhe për dikë që nuk ka botuar kurrë – sa kohë që ai që dëshiron të shkruajë, zakonisht dëshiron të shkruajë për tjetrin, për lexuesin, për të vendosur një lidhje, një kanal komunikimi.

Në një sistem ku botimi është monopol i shtetit, ai jo vetëm konstituohet si privilegj, por edhe aksesi u njihet vetëm atyre që gjykohen si besnikë të vijës politike. Por e drejta e botimit, si e tillë, ka kuptim të veçantë, sa kohë që letërsia këqyret si armë ideologjike. Në parim, shumë prej atyre që dëshironin të botonin diçka, në periudhën totalitare, nuk do të botoheshin – jo për arsye politike ose të luftës së klasave, por ngaqë nuk i bindnin dot redaktorët se kishin talent. Tek e fundit, numri i veprave dhe faqeve të botueshme mbetej i kufizuar – dhe alternativat nuk ekzistonin.

Në këtë kuptim, kishte plot të tjerë që të drejtën e botimit nuk e gëzonin dot, por edhe që mohimin e nuk e përjetonin si persekutim politik. Përpiqeshin ca herë, e shihnin që nuk po çanin dot dhe pastaj hiqnin dorë me arsye. Kur ndiqja degën gjuhë-letërsi të Filologjikut, në fund të viteve 1970, nuk kish student që të mos e provonte dorën të paktën me poezi; edhe pse, nëse nuk më gënjen kujtesa, nga të gjithë ne të kursit atëherë vetëm Vahid Hyzoti arriti të afirmohej si poet. Të tjerët herët a vonë e kuptuan se mbase talentin e kishin në ndonjë fushë të ndryshme nga poezia, ose edhe nga letërsia.

Dua të them: në rrethana “normale”, refuzimi i botimit kishte një efekt anësor mirëbërës – sepse të ndihmonte të çliroheshe nga ideja fikse se mund të ndiqje edhe ti gjurmët e Agollit, Kadaresë, Arapit ose edhe të Majakovskit, Eseninit a Ricosit.

Por nuk ndodhte kështu, me të persekutuarit. Sepse këtyre botimi u refuzohej jo për arsye mirëfilli letrare, por ngaqë regjimi nuk u zinte besë, ose nuk donte t’ua njihte privilegjin. Dhe ky mekanizëm merrte pastaj, në rrjedhë të kohës, trajtat e një forme më djallëzore të persekutimit – sa kohë që dikush me biografi të keqe, i cili nuk arrinte të botonte, nuk do ta përjetonte dot fazën e zhgjëndrrës, ose momentin kur shumëkush hap sytë dhe e kupton se nuk e ka talentin ose zjarrin e duhur brenda, për t’u bërë poet a shkrimtar.

Prandaj shumë nga viktimat e persekutimit ideologjik të shtetit totalitar, që kishin dëshirë të shkruanin dhe të botonin, nuk e ndalën dot kurrë krijimtarinë dhe akumuluan ndonjëherë edhe me mijëra faqe dorëshkrime, të cilat ndoshta nuk do t’i kishin shkruar kurrë, po t’ua kish botuar veprën regjimi. Paradoksalisht, pamundësia e botimit ua mbante të gjallë shpresën se kishin talent, në mos edhe talent të rrallë, meqë izolimi ua hiqte mundësinë e ballafaqimit me realitetin e leximit. Për të njëjtën arsye, nëse Trebeshinës do t’ia pranonin lirisht dramat në teatër dhe do t’ia vinin herë pas here në skenë, vështirë se ky do të arrinte të akumulonte me qindra të tilla në dorëshkrim. Jo-ja a priori e shtetit luante rolin e një dige, prapa të cilës uji sa vinte e ngrihej.

Këtu ka edhe një rrethanë tjetër, për t’u mbajtur parasysh: shumë nga të persekutuarit, që detyroheshin të mbijetonin me punë të thjeshta ose fizike, meqë nuk ua kishin dhënë të drejtën e studimit; ose të tjerë që e kalonin jetën në internim; pa folur për të burgosurit dhe ata që e vuanin dënimin dhe pastaj liroheshin, për t’u dërguar edhe ata në internim, shumë nga këta, pra, ishin njerëz më të kultivuar se mesatarja, që vinin nga familje me tradita intelektuale, dhe që vetë shpesh kishin bërë shkolla nga më të mirat, ose ishin rritur në familje ku librit dhe kulturës i njihej kryet e vendit. Te këta dëshira për t’u shprehur nëpërmjet të shkruarit – ose, më tej, nëpërmjet artit – do të shfaqej më këmbëngulëse se tek të tjerët. Ata që, gjithnjë për shkak të prejardhjes familjare, por edhe të shtysave të vetvetishme si kundërshtarë të regjimit totalitar, tërhiqeshin pas kulturave të tjera dhe mësonin gjuhë të huaja e lexonin literaturë “borgjeze” që u kish mbetur në shtëpi nga Paralufta, do të nxiteshin edhe të përkthenin vepra madhore, të vështira, të tilla që mund të jepeshin në shqip vetëm në kushte të izolimit dhe të vetmisë, të netëve të kaluara pa gjumë dhe të kërkimit të një shëlbimi te shkronja; madje ndonjëherë duke u ndier si martirë të kulturës perëndimore.

Zhiti ka shkruar për sublimen e të përkthyerit në një burg politik, ku kthimi nga një gjuhë e huaj në shqip merrte edhe trajtat e një performativi haptazi rebelues, si sfidë ndaj refuzimit që vinte nga lart, ndaj prerjes së gjuhës. Në rrethanat e burgut, komunikimi dhe qarkullimi letrar vinin dhe i ngjanin aktivitetit frenetik brenda një sekti fetar, heretik, që e ushqen pasionin me dhimbje dhe ndrydhje.

Kjo veprimtari, e pazakontë në vetvete, nuk e bën më pak torturuese heqjen e të drejtës së botimit a priori nga ana e shtetit; pavarësisht se kjo nuk vinte si heqje së drejtës së krijimit. Edhe nga pikëpamja praktike, një regjim totalitar nuk ua ndalon dot qytetarëve të krijojnë – por mund të bëjë, nëpërmjet vetëdijes së censurës totale nga lart, që krijime të tilla të lëngojnë jashtë cirkuiteve ku qarkullon zakonisht letërsia dhe të mbijetojnë në kushte të mungesës së oksigjenit, të dritës së diellit dhe të ujit. Ndryshe nga ndonjë autor i shquar në historinë e letrave botërore, si Kafka, i cili la në dorëshkrim një pjesë të madhe dhe të rëndësishme të veprës së tij, madje edhe me amanetin për t’ia djegur në zjarr; ose ndonjë autor tjetër, që për arsye intime nuk e konsideronte botimin si objektiv – qoftë edhe abstrakt – të gjakimit të vet krijues, dorëshkruesit e persekutuar në Shqipëri kultivuan bindjen, sado të trishtuar, se do të ishin bërë shkrimtarë, dhe fjala e tyre do t’u përcillej mijërave, sikur të mos u ish “hapur parashuta” në totalitarizëm. Edhe duke qenë këta tërësisht të përligjur, edhe njerëzisht edhe moralisht, në dëshirën për ta pasur një shans botimi, refuzimi sistematik, brutal, sadist nga institucioni i vetëm që mund t’ua botonte veprën i bënte edhe viktima të një iluzioni të hidhur.

Me këtë po dua të them se efektet e një refuzimi, një shurdhimi total, në hapësirë dhe në kohë, janë gjithnjë edhe psikiatrike; duke dëmtuar drejtpërdrejt dinamikat e komunikimit me Tjetrin. Një autor që nuk e lejojnë të botojë, dhe që do të akumulojë mijëra e mijëra faqe në vetminë e izolimit të vet politik, mund ta ketë përdorur krijimtarinë edhe si një lloj vetëmjekimi, ose rrugëdaljeje nga heshtja; por kjo nuk ia lehtëson gjë dëmet e dhimbshme që shkakton burgosja në dorëshkrime. Mbase këtë duhet ta mbajmë parasysh sot, kur marrim në dorë, si lexues, botime të vonuara të dorëshkrimeve të atëhershme: këto janë njëkohësisht edhe monumente të etjes së njeriut për liri, edhe mbetje të vargonjve e të kafazeve, që atë liri e mohonin dhe që rrekeshin ta shndërronin krijimtarinë në një lloj burgosjeje paralele.

© 2021, Peizazhe të fjalës™. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Ndalohet riprodhimi në media elektronike dhe të shkruara. Shkelësit do të përndiqen ligjërisht.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin